GAZETARIA — NJË PROFESION I RREZIKSHËM

0
580

Dhunohet gazetari shqiptar

Nga Frank Shkreli

Gazetarët nuk janë ushtarë as policë. Ushtrimi i gazetarisë mbetet një profesion i rrezikshëm në shumë vende të botës. Por, mbrojtja e fjalës së lirë dhe e gazetarëve në krye të ushtrimit të detyrës së tyre është thelbi i lirisë së shtypit dhe i lirisë së fjalës. Fatkeqsisht, vrasjet dhe sulmet kundër gazetarëve, sa vinë e shtohen kohët e fundit, anë e mbanë botës.

Sipas të dhënave nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, ç’prej vitit 1992, më shumë se 1304 gazetarë janë vrarë anë e mbanë botës. Për më tepër, një statistikë e hidhtë është se 86 për qind e këtyre vrasjeve regjistrohen si të pa ndëshkuara, dmth. askush nuk është dënuar dhe askush nuk është identifikua si përgjegjës për vrasjen e këtyre gazetarëve. Me keqardhje duhet shënuar se vrasjet, sulmet dhe kërcënimet kundër gazetarëve s’kanë të ndalur, përkundrazi, janë në rritje e sipër, anë e mbanë botës. Vetëm deri tani këtë vit, janë vrarë gjithsejt 27 gazetarë, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Fatkeqsisht, një ndër sulmet e fundit sivjet kundër një gazetari është shënuar, javën që kaloi, edhe në Shqipëri gjatë protestës të opozitës në bulevardin kryesor të Tiranës të shtunën më 26 Maj. Fjala është për sulmin kundër Kryeredaktorit të gazetës “Rilindja Demokratike”, Bledi Kasmin, i cili – sipas medias – mbeti i përgjakur nga dhuna e përdorur nga policia kundër tij. Sulmi policor kundër gazetarit shqiptar tërhoqi dënimin, ndër të tjera, të organizatës për mbrojtjen e gazetarëve, “Reporterët pa kufi”, si dhe të organizatës vendase, të Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, e cila u shpreh se dhuna ndaj një gazetari është e papranueshme dhe duhet dënuar nga të gjithë. Ndërkaq, protesta e opozitës, gjatë të cilës u regjistrua sulmi kundër gazetarit të Rilindjes Demokratike, natyrisht tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare, megjithse Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, në një intervistë për televizionin francez, France 24, e ka quajtur protestën e opozitës si “një çështje e brendshme e vendit, që nuk duhet të zërë faqet e para të mediave ndërkombëtare”.

Një protestë e opozitës, në cilin do vend qoftë, mund ose nuk mund të tërheq vëmendjen e të zëjë faqet e para të gazetave ndërkombëtare, por kur një gazetar përgjaket si përfundim i një sulmi të policisë kundër tij, gjatë një proteste të tillë siç ishte ajo në Tiranë, javën e shkuar– atëherë, do e s’do Kryeministri, ngjarja bëhet lajm ndërkombëtar. Për më tepër, në çerekun e parë të shekullit 21 — falë botës digjitale në të cilën jetojmë — asgjë nuk mund të mbrohet më nga as të fshihet nga mbulimi i medias ndërkombëtare, ose të konsiderohet vetëm si një çështje e mbrendshme e një vendi. Këto janë sot standardet e pranuara ndërkombëtarisht.

Ka kaluar koha e ankesave për “mospërzierje në punët e mbrendshme” të një vendi ose një tjetri. Ishte kjo një frazë e preferuar që përdorej dikur nga ish-udhëheqsit komunistë dhe diktatorë të gjitha ngjyrave, për të justifikuar krimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut ndaj popujve të vet, e që përdoret edhe sot nga udhëheqës autoritarë të tipit Putin, Erdogan e të tjerë, kur kritikohen nga orgnaizata ndërkombëtare, ose qeveri të ndryshme, për sjelljet e tyre autoritare, sidomos në lidhje me shkeljet që i bëjnë lirisë së fjalës dhe mënyrës se si trajtojnë gazetarët në veçanti.

Ndërkaq, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë i bashkohet organizatës ndërkombëtare,“Reporterët pa kufij”, që mbron gazetarët kudo në botë, duke kërkuar nga Kryeministri Edi Rama, që të dënojë publikisht përdorimin e dhunës kundë gazetarit Kasmi, javën e kaluar, nga policia e shtetit, duke shtuar se, “Ne vlerësojmë se dhuna ndaj një gazetari, që kishte me vete vetëm një celular, është e papranueshme dhe duhet dënuar”, thekson deklarata e Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, ndërsa i urojnë atij shërim të shpejtë.

Ndërkaq, në raportin e fundit të organizatës Freedom House thuhet se liria e medies po përballet me kërcënime të reja në demokracitë e mëdha si dhe në shtetet tradicionalisht shtypëse ndaj lirisë së fjalës. “Udhëheqësit populistë sot paraqesin një sfidë të re dhe në rritje për lirinë e shprehjes në shoqëritë e hapura dhe ndërhyrja nga Rusia dhe Kina e ka shtuar kërcënimin”, citohet nga VOA Shqip, Michael J. Abramowitz, president i Freedom House. “Sulmi ndaj lirisë së shtypit është një sulm kundër një institucioni thelbësor të demokracisë. Udhëheqësit e zgjedhur që përpiqen të diskreditojnë raportimin faktik dhe kritik, po dëmtojnë llogaridhënien demokratike dhe debatin e arsyetuar politik”, citohet të ketë thënë Z. Abramowitz, në raportin e botuar muajin që kaloi nga organizata Freedom House.

Liria e medies po përballet me trysni anë e mbanë botës, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, ndërkohë që gazetarët veprojnë dhe ushtrojnë detyrën e tyre në një mjedis gjithnjë e më armiqësor. Është detyrë e të gjithë atyre që çmojnë dhe vlerësojnë liritë bazë të njeriut – përfshirë lirinë e shtypit — duke filluar nga autoritetet qeveritare e deri tek organizatat që mbrojnë gazetarët dhe të drejtat e njeriut, si dhe shoqëria civile dhe shoqëria në përgjithësi, që të mbrojnë dhe të sigurojnë lirinë e fjalës me qëllim për të bërë të mundur një debat publik të hapur, si dhe shpërndarjen e lirë të informacionit, pa kërcënime dhe pa sulme ndaj gazetarëve. Gazetarët nuk janë ushtarë as policë. Megjithëse është thënë se pena është më e fuqishme se shpata, celulari, kamera dhe pena e gazetarit nuk janë armë zjarri për tu sulmuar.