IDRIZ ZEQIRAJ
Prej vitesh ishte hedhë ideja e ngritjes të një shtatoreje, në fshatin e origjinës të Familjes Institucion Rugova, Malaj të Rugovës. Me kalimin e kohës, ideja për projektin në fjalë, po begatohej. Sa funksionale do të ishte një shtatore e vetmuar, pa objekte tjera rrethanore? Gjithësesi e mangët, në raport me shpenzimet.
Atëherë, si duhej të ishte një projekt, i cili do të përmbushte kërkesat e një qende historike dhe turistike – njëherësh?
Mësuam se hapësira e përcaktuar për Parkun Memorial, “Dr. Ibrahim Rugova”, është një dylim Shqipërie ose 10 ari tokë Kosove. Një projekt i dëshiruar nga ne, duhet të zgjerohet, nëse lejojnë rrethanat. Dhe, kjo për arsye hapësire, për ndërtimin e objeketeve rrethanore, që kompleton një Park Memorial, të një rëndësie të veçantë.
Megjithatë, edhe hapësira aktuale në dispozicion, në mos e bollshme, është e mjaftueshme, për një sallë, relativisht, të madhe; një kuzhinë, me dhomën përcjellëse të ngrënies; një motel, me dhoma-kabina familjare, me 4 – 5 shtretër. Pastaj një mini-kënd lojërash për fëmijë. Edhe dhoma muze nuk duhet të mungojë. Treva e Rugovës, ka një traditë të hershme, të luftërave dhe të qendresës heroike për liri. Rugovasit kanë qenë mburoja e Dukagjinit dhe e Kosovës. Betejat, në vijimësi, me Malin e Zi; terrori komunist i pas Luftës së Dytë Botërore, ndaj rugovasëve, si hakmarrje për rezistencën e tyre, kundër pushtimit komunisto-çetnik, duke i vrarë e burgosur kreshnikët e Rugovës në masë.
Vajzat dhe djemtë e 13 fshatrave të trevës së Rugovës, të shkolluar dhe të emancipuar, i kanë dhënë forcë dhe dije Kosovës mbarë. Andaj, në atë muze, do të pasqyrohet, me fotografi dhe shkrime, historia komplete e rogovasëve trima e fisnikë. Pastaj, për shtesa tjera, “duke parë dhe duke bërë”, në vartësi të hapësirës dhe të sigurimit të donatorëve vullnetmirë dhe atdhetarë të devotshëm.
Një ide e hedhur, fillimisht, se teprica eventule e financave, do të përdoret për raste humanitare, duhet konsideruar si nxituese dhe duhet harruar. Sepse, tek donatorët e Mërgatës, dominon mendimi se për realizimin e Parkut Memorial “Dr. Ibrahim Rugova”, si qendër e mirëfilltë historike dhe turistike, lypsen koxha para dhe nuk tepron asgjë.
Të gjitha këto objekte duhet të jenë sipas reliefit, alpine, të drunjta, që janë konformë trashëgimisë, traditës shqiptare. Dihet, se vetëm me financime, pa punë vullnetare, kjo nuk arrihet. Fatmirësisht, projekti ndërtimor bëhet në një zonë të bollshme me pyje, Rugovasit fisnikë nuk do të kursehen me dhurime trupash, lëndësh. Ndërsa për përpunimin e lëndës drusore dhe të mjeshtërisë ndërtimore, do të kërkohet ndihma e mjeshtërve edhe nga komunat fqinjë: Peja, Istogu, Deçani, Klina, pa i privuar nga dëshira. për të kontribuar për veprën madhore, kushtuar Presidentit Rugova, mjeshtërit tjerë anekënd Kosovës dhe më gjerë.
Këto objekte duhet të jenë brenda hapësirës përcaktuese dhe pronë ekskluzive e Parkut Memorial “Dr. Ibrahim Rugova”. Shfytëzimi i objekteve duhet të menaxhohet me transparencë, korrektësi dhe përgjegjësi morale e ligjore. Dhe, kjo mbikëqyrje duhet t`i besohet sektorit përkatës komunal. E themi këtë, sepse vërejtjet e vizitorëve, se çmimet e larta, të vëna nga bizneset hoteliere turistike,në Rugovë, nuk janë në raport me vlerën reale të shpenzimeve të bizneseve në atë zonë.
Njerëzit e Rrafshit ngjitën në lartësitë e Rugovës për relaksim. Por, llogaritë janë gjithëherë përcaktuese, për përmasën, pakësinë apo shumësinë e klientelës, mysafirëve, vizitorëve. Çmimet e arsyeshme , do t`i masivizonin vizitorët dhe të hyrat, fitimet e pronarëve të lokaleve, do të ishin të pritshme. Mendoj se nuk ka arsye që një racion ushqimi të traditës, në Rugovë, të kushtojë më shumë se në Pejë apo Rozhajë. Të gjithë e dimë çmimin e bylmetit, mazës dhe të miellit, për ta bërë, zier një kaçamak, mazë të zieme apo vakarresë – fli. Dihet, në Rugovë favorizon përdorimi i zjarrit me dru, për gatim, përgaditje të ushqimit, që, gjithësesi, zvogëlon koston shpenzuese, pra, shmang përdorimin e rrymës elektrike.
Parku Memorial, “Dr. Ibrahim Rugova”, si qendër historike e turistike, e ngritur me kontribute vullnetare, pa borxhe kreditore, pritja, trajtimi, shërbimi dhe çmimet e ushqimeve dhe të pijeve, duhet të jenë si ato të shoqatave dhe të klubeve, në raport me lokalet biznesore normale, private. Nëse kjo mënyrë shërbimi e trajtimi të vizitorëve, do të proklamohej qysh tani, kontributet financiare të Mërgatës dhe të tjerëve; dhurimi i lëndëve drusore për ndërtim dhe puna mjeshtërore vullnetare, për ngritjen e Parkut Memorial, do të lehtësohej dukshëm.
Prandaj, Këshilli Iniciator, i prirë nga Sali (Jahë) Lajçi, me shokë, për ngritjen e Parkut Memorial, “Dr. Ibrahim Rugova”, në fshatin Malaj të Rugovës, duhet ta rishqyrtojë mundësinë e përfshirjes të elementeve shtesë, përkatësisht, të objekteve përcjellëse, që janë përmendur në këtë shkrim, duke i bërë pjesë të projektii fillestar. Në renditjen e parë të këtyre objekteve, duken shumë dhe të kushtueshme. Por, angazhimi i njëmendët, përkushtues, për realizimin e kësaj vepre domëthënëse, kushtuar Prisedentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, pamëdyshje, do të jetë i realizueshëm dhe suksesiv. Vullneti i i mirë – garanci e suksesit. Gjithësesi, Rugova e Kreshnikëve, e meriton një vepër madhore, siç do të jetë Parku Memorial “Dr. Ibrahim Rugova”.