KOLONEL BAJRAM UKA

0
1172

Shkruan: Xhemail Peci

Prelud

Po kush është atdheu juaj, o djelm? Atdheu juaj nuk është fusha ose kodra e katundit tuaj, xhamia ose kisha e fshatit, minaretë ose këmbanoretë kryepërpjeta, oxhaqet e shtëpive, ose kasollet tuaja. atdheu juaj është Shkodra për korçarin, Korça për kosovarin, Kosova për kolonjarin, Kolonja për hotasin e grudasin, Hoti e Gruda e Plava e Gusia për devollasin e danglliasin, Devolli e Dangllia për bregdetasin e për çamin dhe Çamëria e Himara për dibranin e lumjanin. Atdheu juaj është gjithë toka shqiptare brenda e jashtë e përtej detevet e kudo ku ka shqiptarë e ku flitet gjuha e lehtë edhe e bukur, gjuha tingëllore e Shqipërisë. Atdheu është gjaku ynë, i prindëvet e i të parvet tanë, ai gjak i vlertë që shtë derdhur mbi altarin e Atdheut për shpëtimin e tij; është bashkimi ynë dhe dëshira për një rrojtje të lirë e të panjolltë; është qielli i bukur e i kaltërt që mbulon Shqipërinë, është Dielli i flakët e i ëmbël që ndriçon Shqipërinë, është deti i blertë me tallazet e valët e tij që përlag zallet e Shqipërisë, janë fushat e malet e kodrat e bregoret e pllajat e rripat e liqenjt e lumenjt e kulluar të Shqipërisë! Atdheu është kombi ynë i prirë prej flamurit tonë të kuq e të zi dykrenor, që duhet ta duam me mish e me shpirt e ta adhurojmë e ta mbrojmë me gjakun tonë. Ky është, djelm, Atdheu juaj!

Kristo Floqi: Atdheu Juaj

Se dheut, të vrarët, ia shtojnë pjellorinë… Sa sofra dasmash u përmbysën e sa djepe mortja i thau!… Mos i harro, o njeri, ato që ndodhën e shkuan mbi dhe. Në do si njeri të rrosh, ato që mbi dhe do të rrjedhin, kallëzoja, o babë, birit e ti, bir, birit tënd…

Betim Muço, Kënga e Isës (nga romani kushtuar Isa Boletinit: Gjurma e vetëtimës)

I. Bacë Bajrami

Sa herë që takohem me Bacë Bajramin, më bëhet sikur gjithmonë e takoj për herë të parë, jo vetëm për shkak të përshtypjeve të veçanta që le me tiparet dhe virtytet e tij prej njeriu, por edhe për shkak të bisedave që bëjmë. E sa më shumë që përshkojmë kohët e kaluara dhe kohët s sotme me bisedat tona, sakaq më shfaqet përpara një njeri që me dinjitetin dhe krenarinë e tij të ligjshme përfaqëson pinjojtë e denjë të breznive orëmira. Për më tepër se kaq, sa herë që ai zë dhe shfleton faqe kujtimesh dhe sa herë që përmend emra të gdhendur nëpër zemra të shqiptarëve atdhetarë, sa herë që flet me aq shumë pietet për dëshmorët dhe heronjtë e tokës nënë, më bëhet sikur gjithmonë e takoj atë njeriun me moshë shekullore, njeriun me rrënjët e lashta si një rrap shekullor, njeriun krenar për genin shqiptar.

Kolonel Bajram Uka mendon thellë dhe flet shkurt. Biseda rrjedh ngadalë e fjala e matur dhe e urtë e shquan bashkëbisedimin që bën ai. Një përvojë e pasur jetësore dhe një karrierë e shquar prej ushtaraku, Bajram Uka është njeriu vetë, njeriu që rriti sofra e shtruar me bukë, me kripë e me besa-besë. Ai është njeriu që e shquan mbi çdo gjë dashuria për atdheun, për gjuhën, për kombin, për flamurin, për lirinë, si dhe për dritën e diturisë. Duke qenë njohës i mirë i artit ushtarak, tek ai shkrihen vetvetiu tradita me modernen, prandaj nuk është rastësi që në mendjen e tij parakalojnë aq shumë ngjarjet e vrullshme të qëndresës shekullore që bënë breznitë orëmira, së bashku me përpjekjet e parreshtura të atyre që me jetën dhe me veprën e tyre i dhanë vulën lirisë së shumëpritur të mëmëdheut të shumëvuajtuar. Në këtë rrugë me shtigje sfidash e ndeshtrashash të panumërta, ai ka takuar dhe ka gdhendur në kujtesën e tij figura të shquara dhe personalitete, me të cilat edhe është takuar, por edhe nga ata prej të cilëve është frymëzuar në vijimësi.

Është e natyrshme që çdo takim është një bashkëbisedim për të djeshmen dhe për të sotmen, për historinë dhe për ardhmërinë, për arritjet dhe për pengesat, për sukseset dhe për sfidat, për fitoret dhe për të papriturat e mundshme. Por nuk do mend, se një kënaqësi e veçantë është kur Bacë Bajrami zë dhe flet, sa me mall po aq me krenari, sa me dhembshuri po aq edhe me dashuri, sa me një adhurim të hapur po aq edhe me një gëzim të papërmbajtur për të gjithë ata që ngritën në piadestal emrin e shenjtë të atdheut; për të gjithë ata që duke u flijuar në altarin e lirisë, me gjakun e tyre të kulluar arbëror shkruan faqe lavdie për të ardhmen e një Shqipërie të lirë, të bashkuar dhe demokratike.

Kolonel Bajram Uka në kujtesën e tij gjithmonë të freskët, flet me admirim për levendët e lirisë së Shqipërisë, për burrat e pushkës e të penës, të jataganit e të dyfekut, për ata që shkrinë katandi e pasuri për lirinë e atdheut, për ata që krenarinë e vunë gjithmonë mbi lumturinë, për ata që interest madhore kombëtare, gjithmonë dhe pavarësisht rreziqeve e çmimeve të larta që paguan, ardhmërinë e djepave dhe të brezave e vunë përmbi çdo gjë tjetër.

Të bën përshtypje mënyra e bisedës por njëkohësisht edhe mënyra e përzgjedhjes së paraqitjes së ushtrisë, me seriozitetin dhe me dinjitetin e tij, e mbi çdo gjë me krenarinë e tij të ligjshme. Nuk ka dyshim se ai është njeriu i cili si kur është brenda në Kosovë, ashtu edhe kur udhëton jashtë, nuk harron kurrë se ai nuk përfaqëson vetëm vetveten. Duke përfaqësuar Kosovën, përkatësisht Forcat e Sigurisë së Kosovës, si pasardhëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe si paraardhëse e Forcave të Armatosura të Kosovës, kolonel Bajram Uka me qëndrimin e tij po aq sa të përkujton njërën prej vargjeve të eposit të kreshnikëve se po t’flet fjala po t’kallxon doka, po aq të përkujton atë që e kanë thenë Pashko Vasa, Elena Gjika dhe Edith Durhami, se në ecjen e shqiptarit ka diçka teatrale, kurse në veshjen e tij çdo shqiptar është ngapak poet! Pa dyshim, një fotografi që më së miri flet vetë.

Kolonel Bajram Uka

II. Galeritë e horizonteve të nëndheshme të Trepçës dhe galeria e emrave të anatemuar padrejtësisht

Sa herë që biseda merr shtat, shpalosen kujtimet krenare e një sërë emrash shkruar me shkronja ari, shfaqen dhe rishfaqen sërish, sa në kujtesën personale po aq edhe në kujtesën kombëtare, emra që lanë gjurmë në historinë e kësaj toke bujare të gjakut iliro-dardan, emra që ngjallën hove të reja atdhetarizmi tek breznitë orëmira; emra që çuan peshë zemra shqiptarësh, të cilat duke qenë të prira nga një ideal i kulluar, ushqyen gjithmonë flakën e pashuar të atdhedashurisë, duke mbajtur të gjallë pikërisht nëpërmes këtyre emrave, idealin e lirisë kombëtare si dhe ëndrrën për përparim shoqëror e arsimor.

Nuk është pra rastësi pse historia e këtij trualli shëmbëllen aq shumë me galeritë e horizonteve të nëndheshme të Minierës së Trepçës; në mënyrë të veçantë, historia e këtyre anëve, të cilat Bacë Bajrami i njeh pëllëmbë për pëllëmbë. Sa më thellë që futet njeriu në këto galeri, aq më shumë zbulon thesare të pafundshme. Dhe sa më shumë që shpaloset historia e të bëmave të këtyre njerëzve martirë të lirisë së atdheut, aq më shumë shfaqet në horioznt një galeri e tërë emrash. Një galeri e tërë emrash, shpesh të anatemuar padrejtësisht, shpesh të haruar mizorisht, shpesh të linçuar egërissht!

Bacë Bajrami flet me krenarinë e ligjshme për secilin nga ata. E në ligjërimin e tij fjollor sikur i ka aq pranë, skur i prekë me dorë, sikur i puthë në ballë të gjithë me radhë. Madje, e gjithë kjo në një mënyrë të tillë sa të bëhet sikur për ca çaste të shfaqet përpara vetvetiu fytyra frymzëonjëse e Marash Ucit. Ndërkaq, rrëfimi për levendët e lirisë së Shqipërisë nuk këputet. Heronjtë e Gjergj Fishtës, dalin sërish nga epi kombëtar Lahuta e Malëcis. Si në kohët kur ra Trumpeta e Krujës – kur Gjergj Kastrioti (Skëndërbeu) i doli zot dheut që e lindi dhe e rriti, si në kohët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur Kosova martire ishte në një shtetrrethim të hekurt, rrethuar me gjarpërinj prej të gjitha llojeve, në një kohë kur murlani i Moskës përlante çdo gjë mbi dhe, në një kohë zezone të paparë kur ideali i shqiptarizmit u pre në besë nga ideologjia e komunizmit!

Heronjtë e Gjergj Fishtës, dalin sërish nga ‘Lahuta e Malëcisë’:
Në mbrojtjtje të lirisë dhe tërësisë tokësore të Shqipërisë

Pushka dhe pena rrijnë si një gërshetë e lidhur mes vetë, si në një qëndismë shekujsh në ligjërimet e tyre për lirinë: Ahmet Selaci, Riza (Rexhep) Selaci, Imer (Shaqir) Selaci, Ukshin (Nuhë) Kovaçica, Bislim Bajgora, Adem Voca, Riza Voca, Kadri Bistrica, Sherif Tërstena, Pajazit (Isa) Boletini, Jusuf (Halil) Boletini, Faik (Isa) Boletini, Ismet (Mujë) Boletini, Inxhinier Xhafer Deva, Dr. Rexhep Mitrovica, Dr. Xhelal Mitrovica, Rifat e Rexhep Dedija, Ismail Ahmet Murtezi, Smajl Svarqa, Xhemë Smajl Zhazha, Hajrullah Vllahia, Sinan Mehmet Vllahia (Kovaçi), Mehmet Trepça, e sa e sa të tjerë, secili veç e veç dhe të gjithë së bashku si një trup i vetëm, me përpjekjet e tyre titanike aq shumë shëmbëllejnë me Laokontin mes gjarpërinjve. Në njërën anë është lukunia e qartur e ujqërve të maskuar me lëkurë deleje, e në anën tjetër qëndresa në rrethim e plisabardhëve të cilët me therrorizimin e tyre të pashoq, plisin e ngritën në piadestalin e një përkrenareje që trashëgim na la Kryeheroi i Kombit, Gjergj Kastrioti-Skëndërbeu.

Secili prej tyre është një Laokont, një Vilhelm Tel, një Arnold von Winkelried, secili prej tyre është një emër I gdhendur thellë në zemër të breznive orëmira, secili prej tyre lëshon rreze drite në shkronjat e emrave të tyre si shkëlqimi I kristaleve të rralla të galerive të nëndheshme të Minierës së Trepçës; secili prej tyre është një monument në vetë skalitur në themelet prej graniti të atdhetarizmës së shqiptarizmës. Secili prej tyre në vetë ka një gjurmë gjaku, një faqe lavdie, një piadestal krenarie e një sofër trashëgimie, sepse secili prej tyre na fali një copë lirie, secili la gjurmë në hapat prej levendësh të papërsëritshëm sa dhe të paharruar.

E për trimat si këta, sikur ka mungur një Gjergj Fishtë, përkatësisht një Fridrih Shiler! Ndërkaq, piktorët dhe artistët, poetët dhe shkrimtarët, si dhe kinematografia pa dyshim që duhet të jenë më frytdhënës dhe shumë më mirënjohës ndaj këtyre figurave historike, duke pëjetësuar jetën dhe idealin e tyre në veprat artsitike. Skena e therorizimit të Ukshin Kovaçicës me të birin Hashimin, doemos të përkujton përshkrimin e Lasgush Poradecit për Vani Cico Kosturin, dhe se ndaj një skene të tillë njerëzit e artit nuk duhet të jenë indiferentë. Heronjtë i bashkon ideali kurse artistët tek aktet e tilla madhore, jo rrallë gjejnë gurra të pashterrshme frymëzimi.

Fjala vjen, në letërkëmbimin e tyre mjaft të pasur dhe tejet interesantë që kishin dy nobelistët e letërsisë, Herman Hesse i shkruante Tomas Mannit, nga Cyrihu, më 15 dhjertor 1945, duke i përkujtuar heroin legjendar zviceran Arnold von Winkelried, i cili në betejën e Stempach-it, më 1386 kundër Austrisë duke rrëmbyer të gjitha shtizat që mund të shtinte në dorë prej armiqve, i kishte drejtuar ato kundër vet trupit të tij, në mënyrë që të theheshin vijat e austriakëve ashtu siç thehehsin shtizat në trupin e tij dhe fitorja t’u sigurohej zviceranëve.

Pra, heroi legjendar Arnold von Winkelried, i kishte ngulur shtizat e armiqve në trupin e vet në mënyrë që ato të mos nguleshin në hartën e Zvicrës. Në të kundërtën, Zvicra zor se do të bëhej Mona Liza e Europës.

Edhe vigajtë e Kosovës, kreshnikët e qëndresës kombëtare në një shtetrrethim të hekurt dhe mizor, heronjtë dhe dëshmorët e truallit iliro-arbëror: Ahmet Selaci, Riza (Rexhep) Selaci, Imer (Shaqir) Selaci, Ukshin (Nuhë) Kovaçica, Bislim Bajgora, Adem Voca, Riza Voca, Kadri Bistrica, Sherif Tërstena, Pajazit (Isa) Boletini, Jusuf (Halil) Boletini, Faik (Isa) Boletini, Ismet (Mujë) Boletini, Rifat e Rexhep Dedija, Ismail Ahmet Murtezi, Smajl Svarqa, Xhemë Smajl Zhazha, Hajrullah Vllahia, Sinan Mehmet Vllahia (Kovaçi), Mehmet Trepça dhe sa e sa të tjerë, do të qëndronin të paepur e do të hapnin gjokset e tyre përpara plumbave të hordhive të egra, përpara topave dhe tankeve të bandave kriminale që e lanë në gjak atdheun tonë, përpara rafaleve të automatikëve e përpara breshërive të mitralozëve të pushtuesve dhe dhunuesve më mizorë të lirisë sonë, pikërisht ashtu siç kishte bërë Arnold von Winkelried në mbrojtje të tërësisë tokësore të Zvicrës!

Kreshnikë e shkruar kreshnikësh, ata sa të përkujtojnë kreshnikët e eposit tonë të pasur, sa heronjtë e poetit kombëtar Gjergj Fishta, sa Dantonin që nuk e lëshoi Francën sepse tha që po qe se largohej nga Franca, nuk e merrte dot atë në lidhësat e opingave të tij, e sa të përkujtojnë Vilhelm Telin e sa Arnold von Winkelriedin.

Pa dyshim, një sfond i papërsëritshëm frymëzimi që kërkon dhe meriton një përmasë të veçantë përjetësimi.

Akti epik i martirizmit të Ukshin dhe Hashim Kovaçicës në altarin e lirisë së mëmëdheut
Ukshin Kovaçica – Heroi i Termopileve Shqiptare

Skena epike e therorizimit të Ukshin Kovaçicës me të birin Hashimin, nuk ka dyshim se është një faqe krenarie e kryelavdie nga ato që Fishta shpalosi në gjakimin e tij epik në ‘Lahutën e Malcisë’, një skenë sa heroike po aq edhe tragjike, e cila nuk ka sesi të mos na e përkujton përshkrimin e rrallë të Lasgush Poradecit për Vani Cico Kosturin:

Vani Cico Kosturit iu vra djali në Orman Çiflik të Korçës, dhe ai vajti e mori djalin vetë. Gjylja i kishte hapur kokën djalit dhe i qenë derdhur trutë. Me duart e veta Vani Cico Kosturi ia mblodhi trutë djalit. Nu qau, po i tha: Ta kam zili, o bir, për këtë vdekje të bukur që bëre, se ti vdiqe për atdhe. Ky qe Vani Cico Kosturi. Ka patur burra Korça.

Si në ‘Lahutën e Malcisë’, janë sërish cubat e Ballkanit e këlyshët Rusisë-me bashkëpunëtorët e tyre, ata që e rrethojnë Ukshin Kovaçicën me të birin në fshatin Vllahi të Shalës. Në shtetrrethimin e hekurt, pushtuesit dhe dhunuesit e tokave tona, kërkojnë që levendët e lirisë së mëmëdheut të dorëzohen! Por dif dragojtë e Dardanisë (në parafrazim të njërit prej kryevargjeve të Fan Nolit për dif dragoin e Dragobisë), nuk dorëzohen për së gjalli. Dhe nuk dorëzohen mësa u dorëzua frymëzuesi i tyre i madh, kreshniku i Kosovës martire Isa Boletini me trimat e tij në Podgoricë.
Ka pasur burra Korça…

III. Lasgush Poradeci: Prandaj ne sot flasim shqip!

Një krenari të tillë kaq të ligjshme të të qenunit shqiptar e bir shqiptari, poeti lirik por gjithsesi edhe poeti atdhetar Lasgush Poradeci e ka përjetësuar aq bukur në përsiatjet e tij për luftërat dhe përpjekjet e parreshtura për liri dhe pavarësi kombëtare: “Kosova ka bërë luftë skënderbeane. Të thuash për kosovarët se janë trima është tepër pak. Ata janë kreshnikë.”

Lasgush Poradeci kërkoi në thellësi dhe gjeti në lashtësi rrënjët e një heroizmi të tillë të rrallë. Kërkoi dhe e gjeti në formë hallkash, pra në formë ciklesh, pikërisht sikurse në ciklin e eposit të kreshnikëve. Kërkoi që nga ilirët dhe e gjeti edhe tek Gjergj Kastrioti (pa dyshim shtylla vertebrale e identitetit kombëtar shqiptar), për ta shpalosur kështu testamentin e heroizmës dhe të shiptarizmës si një shqiponjë të paepur ndër shekuj, shqiponjë të cilën heronjtë e Gjergj Fishtës në Urë të Rrzhanicës e në malet e Mitrovicës, e lanë me gjakun e tyre më të kulluar:

“Ilirët. Magnum Ilirikum i tha romaku, se kjo Iliri shtrihej që nga burimet e Danubit dhe gjer në Greqi. Perandoria e tmerrshme e Romës të tërë popujt që nënshtroi i romanizoi. Francezët, spanjollët u romanizuan. Dakët u romanizuan. Ilirët – jo! As u nënshtruan, as u romanizuan. Prandaj ne sot flasim shqip!

Gjergj Kastrioti, më i madhi ndër gjeneralët e botës vdiq në kulmin e lavdisë, kurse tërë gjeneralët e mëdhenj të botës kanë vdekur të mundur, që nga Hanibali dhe gjer tek Napoleon Bonaparti. Gjergj Kastrioti që futi në dhe dy sulltanë dhe s’i la t’i jepnin tagji kalit në altarin e Shën Pjetrit, përbën këtë hallkë tjetër të rëndë dhe të fortë të taditës sonë.

Po edhe unë s’do të isha sot t’ju flas këtu po të mos kisha patur një stërgjysh me emrin Kastriot, që i qëndroi për njëzet e pesë vjet me rradhë të njëzet e shtatë ekspeditave të sulltanëve më të tmerrshëm të Turqisë, dhe jo vetëm që s’i la të merrnin kryeqytetin e trimërisë – Krujën, por mbrojti edhe qytetin e muzikës – Vjenën, edhe qytetin e dritës – Ville de la lumiere – Parisin, dhe s’i la t’i jepnin tagji kalit të tyre në altarin e Shën Pjetrit, në Citta eternal, në Romë…”

Gjergj Kastrioti-Skëndërbeu
Vizatim nga motra (piktore): Çamëri Peci

IV. Mitrovica

Frano Bardhi për Mitrovicën

Me ca vargje të shkruara si ca copëza të shkëputura kujtimesh, djegur nga flakët e mëdha të kohërave të egra mes vitesh, rrinte mejtuar përmbi libra, me ballin e vrenjtur Frano Bardhi. Përpara i dilnin luftërat, stërgjyshërit, epokat dhe vetë Arbëri: ‘Libri mbi Skëndërbeun’, ‘Apologjia për Skëndërbeun’, më tej Kroja-vendlindja e Skëndërbeut, Kulshedra e Arbërit. Shqiponja vetë. dhe më tej, Genci-mbret i Shkodrës që kishte mbretëri dikur në liri. Trqeind mijë shqiptarët e mi nga Kosova! – trazohej zemra e madhe e Frano Bardhit:

Lumi i Drinit që çon malet e larta të Dukagjinit e të Pulit:
O vendi ku ka dalë kulshedra e madhe e botës së Arbërit,
O Krujë ku leu shpata që drodhi e shugulloi aq të huaj,
Kujtimin e Gjergjit tok me mëmëdheun e ruaj.

Shpaloste Frano Bardhi fletët e shekujve të Shqipërisë nëpër shkrime, e koka i rëndonte thërmuar mbi libra netëve përplot mendime: Jetën ia kemi borgj natyrës sepse veç Krijuesi i Qiellit: Vullnetin dhe kujdesin ma di falur zi rrezja e diellit!

E ku ka vend më të rëndësishëm se Mitrovica në gjithë Serbinë?
Ku ka më shumë ar e argjend? Zveçani si çorape rri në rrafshinë.

Dhe s’ndalej së pyeturi Frano Bardhi:

E cili qe ai komb në Evropë tek qe në zotërimin e turkut,
Cili mundi të fliste me zyrtarët turq me armë në brez e në dorë,
Ashtu siç flasin me guximin e ndejur malësorët e Dukagjinit?

Frano Bardhi, sikur i ka hapur shteg vetvetiu asaj që do ta shpaloste shekuj më vonë Faik Konica, duke shkruar me të drejtë se ne i kemi shkruar me gjakun tonë më të kulluar, jo vetëm një herë, fletët e historisë së Europës.

Herë tek epoka e Arbërit, herë tek koha e tj e herë tek Moti i Madh i Gjergjit, si kurorë për një shqiponjë me flatra, firmën e hidhte dora e bardhë e Frano Bardhit.

Mithat Frashëri për Mitrovicën

Duke e përjetësuar me magjinë e fjalës së shkruar bukurinë dhe rëndësinë e Mitrovicës, ashtu siç do të bënte edhe Sami Frashëri në Enciklopedinë Turke, Mid’hat Frashëri në “Mbresa nga Kosova”, do të shkruante:

“Mitrovica është qyteti ì mbetur me një kënd, me një çip në verilindje të Shqipërisë, në skaj fare të Kosovës, në mbarim të Shqipërisë dhe në fillim të Sllavisë. Për ne pra, ka një rëndësi të madhe.” Duke vazhduar më tej në përshkrimin e qytetit, Midh’hat Frashëri shquante faktin se qyteti ndahej në dysh nga lumi Ibër “me një vijë matanë ujit nga veriu dhe një fushë apo luadh të gjerë anës tij”. Duke qenë mysafir ì Familjes së Ali dhe Ferhat Dragës, ai do t’i hidhte një vështrim të veçantë historik qytetit të Mitrovicës: “Lindja dhe veriu ì Mitrovicës është një vend me kodra e male që zgjaten gjer në kufi të Serbisë dhe zbresin në Prishtinë. Një prej këtyre kodrave është katundi Boletin, në mes të ca shkëmbinjve të mëdhenj, një fshat me shtëpi, i dëgjuar vetëm për zënkat dhe luftërat me ushtrinë të Isa Boletinit, i cili me një grusht njerëzish ka qëndruar dy vjet më parë kundër pesë taborëve ushtarë dhe gjashtë topave dhe më në fund ka dalë me gjithë shokë.

Me të mëngjër të Boletinit, nga veriu, majë kodre, duket një gërmadhë fortese, Sveçani, që i duken së largu ca mure akoma në këmbë. Kjo kështjellë ka qenë pak kohë në duart e mbretit Samuel, prej të cilit e muar Birantinjtë, lufta që u bë mes Samuelit dhe imperatorit Vasil i Dytë ngjau në Melnik (Serres) në 1014. Bullgarët u thyen dhe Vasili, të pesëmbëdhjetëmijë robërve që kishte zënë të gjallë u nxori sytë, duke lënë për çdo qint njerëz një me një sy të vetëm qe t’i shpjerë në Prilep, tek ishte hequr Samueli. Mbi luftën e Melnikut, pra Sveçani ra në duart e Birantinjëve prej të cilëve e muarën serbët në kohë të mbretit Stefan Nemania. Në këtë kështjellë ka ndenjur mbyllur dhe është vrarë Uroshi ì Tretë, i themi Deçenski, me urdhër siç duket të birit të tij Stefan Dushanit se froni i serbëve s’është gjakosur vetëm në kohën e Obrenoviqëve. Ky zakon ka qenë edhe më parë”.

Më tej, në një paszh të gjatë për të kaluarën historike, Mid’hat Frashëri e shquan edhe një fakt tjetër me rëndësi: “Në perëndim të qytetit janë ca kodra të vogla, nga ana e semurtores dhe i dëbojit të armëve. Mbi një prej këtyre kodrave është një varr, një gur i veshur me një garth të unjët, shkruar rusisht mbi të; rrëfen se këtu është vrarë konsulli rus i Mitrovicës, Roskovski me 1893, se Mitrovica ka një konsull rus dhe një austriak”.
Në vijim ai nuk le pa përmendur as punët e liga që bënin serbët: “Serbët mbase nuk kanë dot dhjetë dyqane, me firma të mëdha në ballë dhe një degë bange. Zadruga, padyshim më tepër për propagandë se sa për tregëti. Sa vallë prej këtyre tregëtarëve janë spiunë të Serbisë? Prej nëpunësve të Bashkisë kush na siguron se nuk janë oficerë serbër në mes tyre?”

Pa dyshim një pamje e ngjashme me të sotmen, ashtu siç është edhe pamja e dhimshme që shëmbëllen aq shumë me banorët që mbetën në anën veriore, të ndarë nga vëllezërit e tyre në jug:

“Disa prej këtyre fytyrave s’do më dalin kurrë nga mendtë. Ishin fytyra malësorësh të vërtetë, të njerëzve mbase që s’kishin bredhur kurrë në qytet, që s’kishin zbritur nga malet, që s’kishin dalë nga qarku i ngushtë i tyre. Sytë e tyre po dëshmonin mënyrën e rrojtjes që kishin shkuar gjer tani. Sy të trembur e të çuditur si të një shpendi që e zë gjahtari. Dukeshin që kishin shkuar një rojtje ndroje, pa besim në njerëzit e tjerë duke parë si armiq dhe kundërluftëtarë tek çdo i huaj, tek çdo fytyrë e huaj që s’ishte e maleve të tyre. Edhe n’ato male e shkrepa ishte i kënaqur, sado që pa këmishë edhe pa këpucë, me shëllirë dhe bukë të misërt si ushqim”.

Përfundi argjend e flori, e përsipër mjerim dhe varfëri!?

Një realitet i hidhur që mjerisht nuk ndryshon shumë nga i sotit, dhe të bëhet sikur Mid’hat Frashëri e ka bërë përshkrimin e gjatë për Mitrovicën – sot, ashtu siç kanë ditur gjithmonë fuqitë vigane të intelektit të tij.

Shkrimtari emblemë për minatorët e Trepçës. Ramiz Kelmendi:
Nga Ditari im (kujtime)

Në fjalën e mbajtur më 1 mars 1989 në Tubimin e V-të të Protestës dhe të Solidaritetit të shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës me minatorët e Trepçës, të titulluar ‘Dhjetë ditët e minatorëve të ‘Trepçës’ që tronditën botën’, shkrimtari emblemë Ramiz Kelmendi, me një ligjërim të veçantë sa simbolik po aq edhe metaforik, do të vinte përballë epokat dhe shekujt :

‘Krutani thotë : Trimnia dhe liria janë nanë e bijë, e mirditasi jo po : Burri nuk shtrihet as për së vdekuni! Librazhdasi thotë : Po ‘snderove veten, s’të nderon njeri, e jugu jo po : Mikun nderoje dhe vëre n qoshet, po zot shtëpie të jesh vetë. Arbëreshët e Italisë thonë : Mos u bë dle se të ha ujku, e kosovarët jo po : Ma mirë i dekun se i keshun. Elbasanasi thotë : Ai që s’ka gojë (që s’kërkon të drejtën e tij) vdes pa ardhë dita, e devolliti jo po : Ai që s’ka zemër, s’ka as themër’…

Se – Vështirësitë shtohen sa më shumë që i afrohemi cakut’, shton Gëteja. Ndaj dhe, këtu e tashti, me tamam si ai refreni migjenian, më tingëllojnë vargjet e Luigj Gurakuqit në vjershën e tij antologjike ‘Qindresa’, tek thot : ‘Veç një qëllim i natltë t’ban me durue/E zemrën ta forcon:/Ndër kundërshtime s’vyen kurrë me u ligshtue/Mjer ai që nuk qëndron !’
Në fund, ai do të shpaloste një të vërtetë të madhe, të cilën mbi shpatullat e tyre prej luanëve të nëntokës së Kosovës, por e bartnin minatorët trima të Trepçës, duke e vrarë frikën:

‘Shkrimtari nuk mund të ikën, as të fshihet nga koha e vet, meqë dalë ka prej saj… Çfarë nuk dhemb nuk është jetë…Njerëzimi s’ka çare pa e ndërruar kohë pas kohe krahun, mbi të cilin bart barrën e quajtur jetë…Njerëzit do mësuar që herët të mos ia kenë frikën kohës.’

V. Koka e prerë e shqiponjës

Ura e Ibrit, jo vetëm që është pika më eksplozive në Europë, siç ka thënë diplomati amerikan Riçard Hollbruku, por e thënë figurativisht ajo është koka e prerë e shqiponjës. Pothuaj pas çdo konference për fatet e saj, toka e Shqipërisë dhe trojet e shqiptarëve kanë dalë të sakatosura, të gjymta, të prera! Prandaj pyetja shtrohet vetvetiu: Vallë, çfarë do të bëhej vallë sikur t’i ndanin urat mbi Danub apo edhe mbi Senë? E paradoksi është edhe më i madh sepse nuk kemi të bëjmë me nje mur ndarës si Muri ì Berlinit (sepse logjikisht muri do të ndikonte më shumë në psikologjinë e njerëzve), por kemi të bëjmë me urën sepse është ura ajo që jep gjithmonë dhe gjithku idenë e bashkimit. Ndërkaq, ura e ndanë Mitrovicën, një qytet që ka dhënë aq shumë për lirinë e kombit shqiptar. Trualli që e lindi dhe e rriti kreshnikun e Kosovës, Isa Boletinin, ka mbetur i robëruar, i copëtuar, i gllabëruar, i ndarë nga pjesa e vet e natyrshme, ka mbetur i sakatuar!

Po pse vallë ka mundur të ndodhë kështu?!
Sepse harresa është mallkim sepse dhe kujtesa është bekim, siç do të shkruante Gjon Buzuku, apo pse janë shpërfillur mësimet nga pësimet e mëparshme që ka lënë historia?

Ura e Ibrit

Për Mitrovicën dhe madje jo vetëm për ndarjen e saj, do me thënë për kokën e prerë të shqiponjës, do të përkujtoja thënien e poetit të njohur anglez Xhon Milton, në kryeveprën e tij “Parajsa e Humbur”:

“Krimi nuk fillon vetëm aty ku shfaqet gjakderdhja. Krimi fillon aty kur mbytet arsyeja”.
Arsyeja njerëzore është kapërcyer, ashtu siç është kapërcyer dhe shkelur edhe arsyeja historike, madje jashtë mase!

Ish-presidenti i 42-të i Shteteve të Bekuara të Amerikës, Uilliam Xheferson Bill Klintoni, në kujtimet e tij, mes të tjerave ka shkruar: ‘Natën time të fundit në Zyrën Ovale tashmë të boshatisur, unë mendova për arkën e qelqtë që unë e kisha mbajtur në tavolinën time të kafes pak hapa larg meje. Aty ishte një gur të cilin Neil Armstrong e kishte marrë në Hënë në vitin 1969. Sa herë që diskutimet në Zyrën Ovale e kapërcenin arsyen njerëzore, unë ì ndërprisja ata dhe thoshja: “A e shihni atë gur? Është 3,6 miliardë vjeç. Ne të gjithë do t’ì nënshtrohemi kohës si ai. Le t’ì ftohim gjakrat dhe t’ì rikthehemi punës”. Ai gur hënor më dha mua një këndvështrim krejt të ri të historisë dhe të “rrjedhës së gjatë” proverbiale’.

E tillë është rëndësia e një guri hënor, por vallë sa gurë të ngjashëm ka toka dhe nëntoka e pjesës veriore të Mitrovicës?

Ura e Ibrit është koka e prerë e shqiponjës! Ajo është metafora e lirisë së shqiptarëve. Ura e Ibrit…Gjithçka ndoshi me shpejtësi dhe si duket e përgaditur dhe e bluar mirë. Në ndërkohë që rusët, me urdhrin e carit të Kremlinit, do të okuponin Aeroportin e Prishtinës, vëllezërit e tyre sllavë – serbët, me urdhrin e kryekriminelit të Ballkanit dhe me ndihmën e francezëve, do të merrnin pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës! Kështu Ura e Ibrit do t’i ngjajë aq shumë një gjymtyre të shkëputur të një trupi të plagosur që akoma kullon gjak. Ajo është flatra e shqiponjës. Në të vërtetë ajo është koka e prerë e shqiponjës, metafora e lirisë së ëndërruar aq shumë dhe të paguar aq shtrenjtë nga ana e shqiptarëve.

Ura e Ibrit. Tani për tani aty mbaron Serbia dhe fillon Kosova! Por jo vetëm kaq. Kjo është një prerje e re në hartën e shtetit shqiptar, një prerje me dhunë e me thika, në ndërkohë që vijat e kufijve të kësaj harte prej kohësh rrjedhin gjak. E një përdhunim flagrant i të drejtës kombëtare dhe njerëzore duke i vënë varrës kripë, është jo një zotësi kirurgu por një mizori hajduti!

Ura e Ibrit. Aty mbaron nata dhe fillon dita. Ëndrra për lirinë e larë me gjak, me gjakun më të njomë dhe më të kulluar të bijve dhe të bijave të këtij trualli e të këtij kombi martir. Aty është kufiri i shtyrë aq thellë e i shlyrë aq mizorisht, thurur me tela gjembash.
Edhe pse me njërën këmbë në pjesën veriore, Ura e Ibrit, për peshën dhe rëndësinë politike, sikur e ndanë jo vetëm Mitrovicën por edhe vet Kosovën në dysh. Ajo është vetë zemra e kombit e ndarë në dysh!

Nuk është pra fare e rastësishme pse Ura e Ibrit e ndanë një qytet, një ëndërr, një truall, një këngë amshimi.

Në anën veriore kanë mbetur shtëpitë e braktisura me dhunë, shtëpi të cilat u takojnë shqiptarëve; kanë mbetur vatrat e tyre stërgjyshore, dëshmitë e gjalla të një kombi, i cili etnikisht dhe historikisht, ka banuar dhe ka gjallëruar, ka jetuar dhe ka mbijetuar atje. Atje, do me thënë në atë anë të shtrenjtë të tërësisë së atdheut, kanë mbetur kurmet e dëshmorëve e të heronjve, eshtrat e luftëtarëve të lirisë, varrezat masive dhe gjurmët e masakrave dhe të krimeve më makabre e më monstruoze që kanë bërë barbarët e kryekriminelit Millosheviq.

Ajo është ana veriore jo vetëm e një qyteti por edhe një ndër digat kryesore e cila u ka bërë sfidë ushtarake dhe politike, pushtuesve shekullorë të tokave shqiptare, sa herë që është ngritur dhe ringritur Kosova në mbrojtje të lirisë së saj të shenjtë.

Ana veriore është ana prej të cilës thërrasin shpirtrat e të gjallëve, por edhe shpirtrat e të vdekurve.

Lumi Ibër rrjedh gjak. Në brigjet e tij vejnë e vijnë kufoma të reja! Vrasje dhe kërcënime për banorët vendas dhe krime të reja në praninë e faktorit ndërkombëtar! Ikona mesjetare që mëtojnë të zgjasin tutelën e sundimit dhe të terrorit mesjetar madje edhe në shekullin XXI, qoftë duke ndaluar edhe ujin për banorët shqiptarë!

Historikisht, Mitrovica ka luajtur një rol aq të rëndësishëm dhe po aq edhe parësor në kahjet e luftërave e të politikës shqiptare. Luftëtarët dhe politikanët e Mitrovicës jo vetëm njëherë u janë përgjigjur kushtrimeve kombëtare, por jo rrallë, ata edhe u kanë prirë atyre në ballë.

Në kujtesën kombëtare shqiptare, është po aq e gjallë sa edhe e freskët sfida që u bënte Isa Boletini diplomatëve në Londër, duke ua thënë atyre qartë dhe shkurt, se: ‘Unë nuk kam ardhur në Londër vetëm për Mitrovicën, por për çdo pjesë të tokës shqiptare, kah bukës i thonë bukë e ujit ujë.’

Mençuria prej malësori dhe trimëria prej luftëtari të rryer shqiptar, sfidonte kështu hipokrizinë e diplomacisë së kohës, e cila ishte e mbushur gjithë dhelpëri dhe padrejtësi ndaj çështjes shqiptare.

Ura e Ibrit është një ndarje e re sa edhe e padrejtë e artificiale, që i bëhet jo vetëm Mitrovicës, jo vetëm Kosovës, por edhe shqiptarëve si komb, në përpjekjet e tyre përparimtare për integrimet europiane. Heshtja dhe mjergulla e cila edhe e mbështjellë enigmën e kësaj ngjarjeje mjerisht vazhdon, por sado që mund të zgjasë kjo mjergull nuk mund të jetë e tillë pambarim, dhe si e tillë ajo nuk verbon dot. Urat rëndom janë simbol i bashkimit dhe ato i lidhin brigjet, njerëzit dhe kombet, sepse ky është edhe qëllimi i ngritjes së tyre, kjo është edhe simbolika por edhe domethënia e urave. E ndarja e Urës është ndarja e një qyteti, e një kombi, prandaj ndarja këtu merr edhe kuptimin e dyfishtë.

Ura e Ibrit është vetë Ura e Shenjtë, sepse pjesa veriore që mbahet akoma nën thundrën e përdhunës nga ana e kriminelëve që kanë vrarë natën dhe kanë qarë e akoma qajnë ditën, është e larë me gjakun më të mirë të shqiptarëve atdhetarë. Andej është edhe kënga e syve të poetit të vrarë mizorisht në pragun e shtëpisë së tij, në pragun e shtëpisë e në mbrojtje të vatrës shekullore.

Në mitet dhe në legjendat e shqiptarëve si komb, kalatë dhe urat të cilat kanë në themelet e tyre flijimin dhe gjakun, rrojnë. Ura e Ibrit prandaj nuk mund të përjashtohet nga e drejta e shenjtë e gjakut – e drejta e natyrshme dhe krejtësisht legjitime e të qenunit në truallin stërgjyshor të të parëve, sado që ndarja e urës i lidhë nyje shumë çështje dhe i mba pezull shumë enigma.

Veriu i Mitrovicës është një sfidë e madhe sa edhe serioze. Ura e Ibrit është një sfidë gjaku. Ana veriore e qytetit ka mbetur si thembra e Akilit, e cila anë në rrugëzgjidhjn e çështjes shqiptare ka një rëndësi të veçantë jo vetëm historike por edhe strategjike, së pari në vetë shtrirjen e saj politike e gjeografike. Ajo nuk është vetëm pjesa e vatrave shekullore të shqiptarëve, të cilës i ka kënduar rapsodi me aq pasion: ‘Në Mitrovicë, mbi ato kodrina/shtrihen ca kodra ku lindin veç trima/aty lindë toka trima patriotë/që hasmit sofrën ia shtruan me barot.’ Ajo është edhe kryefjala e kryepasurive të atdheut, Kryefjala e thesareve që ka toka dhe nëntoka shqiptare.

Ndarja gjithmonë e ka tragjikën e saj, dhe kjo nuk është një ndarje si fjala vjen ajo e Hektorit me Andromakën në epet homerike, për të cilën poeti i kombit Gjergj Fishta, me të drejtë thoshte se nuk e ka shoqen në literaturën botërore.

Mjerisht, kjo ndarje e re në Europën e re dhe të bashkuar, është një ndarje me tone tragjike, trishtuese. Edhe një ndarje e re në kapërcyell të shekullit të ri. E megjithatë gjakimi ynë si komb mbetet ai i pararendësve tanë, Europa e bashkuar. Europa e bashkuar, sepse Europa e ka shembur Murin famëkeq të Berlinit, dhe se Europës nuk i shkon për shtat ndarja e një qyteti, e një kombi, e një zemre, zemër që rrahë me ritmin e konitnentin të cilit i ka takuar dhe i takon historikisht, për të cilin ka gjakuar dhe gjakon historikisht.
Në të kundërtën, kjo nuk është vetëm një prerje e re që i bëhet shqiponjës, as ironia e fatit nuk është vetëm. Ndarja si kjo, gjithmonë rëndon në mënyrë vrastare.

Madje jo vetëm kaq! Ana veriore e qytetit të Mitrovicës, e fsheh në gjirin e saj, atë pjesën më kryesore që quhet ërgjend e flori. Prandaj shtrohet pyetja, se a janë ethet e politikës serbe apo ethet serbe të arit ato që e kanë mbajtur pezull çështjen e Urës së Ibrit, çështjen e Mitrovicës si pjesë të pashkëputur të çështjes shqiptare?

Miniera e Trepçës dhe galeritë e saj të pafundshme të horizonteve nëntokësore, nuk janë as mite mesjetare dhe as legjendë. Ato janë një realitet që mund ta ngjallin dhe ta rimëkëmbin ekonominë dhe popullin e stërvuajtur të Kosovës, e cila ka në themel të saj gjakun e derdhur rrëke.

Mund të jetë pra kjo arsyeja e vërtetë pse në Urën e Ibrit rrijnë roje e ushtarë me helmeta, vendosen blloqe betoni e tela me gjemba, kurse hija e fantazmave të ikonave mesjetare si shtrigat në tragjeditë e Shekspirit, zgjatet e stërgjatet të përbijë çdo gjë, në etjen e pashuar për gjak dhe krime.

Vallë a do të jetë kjo një nyje gordiane?!
Ura ndan fatin dhe zemrat e banorëve shqiptarë, të qytetit i cili historikisht u ka takuar dhe u takon atyre. Politika dhe diplomacia në heshtjen e tyre të mistershme e të nëndheshme, e ndajnë edhe ato këtë fat.

Ura e Ibrit vazhdon të jetë e ndarë ashtu siç ndahet zemra në dysh, mes ankthit dhe shpresës. Ashtu si Muri i Berlinit dikur edhe Ura e Ibrit sot, nuk e ndanë vetem nje qytet, nje komb a nje shtet, por në thelb i ndanë edhe dy bote: botën e lirisë dhe botën e padrejtësisë, botën e dritës dhe ate të errësirës.

Ura e Ibrit apo flatra e këputur e shqiponjës? Koka e prerë e saj…

Dom Lush Gjergji, ne fundvitin e 2006-ës, me rastin e përurimit të një sklupture në natyrë të Nënë Terezës, e ka thënë bukur se nuk bashkohen tokat e shqiptarëve pa u bashkuar së pari kokat e shqiptarëve.

Kjo duket të jetë përgjigja më e mirë që mund të jipet për padrejtësitë historike që ì janë bërë një populli, që siç e ka shkruar historiani amerikan Edvin Zhak në librin e tij ‘Shqiptarët – një histori etnike nga kohët parahistorike deri në ditët tona’ si ‘një popull ì jashtëzakonshëm që ka jetuar dhe luftuar pa ndërprerë për 200 breza – gjatë ekzistencës prej më se 70 shekujve…Grekët zakonisht e fillojnë historinë e tyre në vitet 800 para erës sonë edhe kur u vendosën aty në Ballkan gjetën pellazgët. Madje themelet e Panteonit të Athinës ishin hedhur shumë kohë para ardhjes së grekëve. Disa studiues thonë se pellazgët u vendosën në Ballkan 2000 vjet para erës sonë. Ka të tjerë që mendojnë se ata kanë qenë autoktonë në këto troje’…

Sot për sot, ashtu siç e ka thënë poetesha Afërdita Skënderi: ‘Dheu i veriut e sheh ëndërr dheun e jugut!’

Megjithatë, Mitrovica do të jetë e bashkuar sepse Shqipëria do të jetë e bashkuar, sepse Europa nuk mund të jetë e bashkuar me një Shqipëri të copëtuar, përkatësisht me shqiptarë të copëtuar.

Mitrovica do të jetë e bashkuar sepse hartës së botës, përpos Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë së Bashkuar, Mbretërisë së bashkuar, do t’i shtohet edhe Shqipëria e Bashkuar.

Mitrovica do të jetë e bashkuar, sepse vullneti i popullit shpesh bëhet vetë vullneti i Zotit; sepse poeti i tingëllimave të veçanta në poezinë shqipe Dom Ndre Mjeda, kur i ka bërë thirrje Amerikës për t’i këputur zinxhirët e robërisë së kombit të tij (në vargun e tij si zemër-klithje ‘ju lirinë keni e na hekura kena’), e ka parashikuar se kjo do të ndodhte një ditë për të mirën e kombit të tij, por edhe për të mirën dhe paqen e kombeve të tjera, madje jo vetëm në rajonin e Ballkanit.

Ndre Mjeda ka shpresuar kështu dhe ka besuar kështu sepse Ndre Mjeda me vizionin e tij poetik si dhe me ndieshmërinë e tij prej njeriu dhe prej atdhetari, është treguar mjaft profetik duke theksuar se herët apo vonë, sot apo mot, ka për t’u bashkuar dhe do të bashkohet, ajo që ai e ka thënë aq bukur, e në mënyrë aq filosofike : ‘Çka natyra vet përpoq’ !

VI. Xhon Miltoni dhe profecia e tij për frymëmarrjen e arsyes

Në programatikën e tij monumentale, të titulluar Aeropagjitika, e që është Fjalimi i Z. Xhon Milton për lirinë e shtypit, drejtuar Parlamentit të Anglisë, në Londër më 1644, poeti i madh anglez ka theksuar se: ‘Burimi i lirisë qëndron në popull. Frymëmarrja e lirshme e lirisë, liria është mëndesha e të tëra aftësive më të ngritura mendore: Parandjenjë e gjallë dhe gazmore e një suksesi të lumtur të kurorëzuar me fitore.’

Duke u përqëndruar më tej tek elita mendore, përkatësisht tek elita e mirëfilltë kombëtare, Miltoni ka vënë në pah:

‘Janë kokat dhe penat ato, të cilat, të ulura pranë llambave të studimit, duke medituar, e armatosin drejtësinë në mbrojtje të së vërtetës, duke u dhënë miratim forcave të arsyes e të bindjeve. Shpirti i mprehtë e pranon dhe i bindet zërit të arsyes. Frymëmarrja e vetë arsyes përbën thelbin qiellor e sublim.

Zoti nuk e ka zakon ta burgosë me porosira krijesën e vet në një foshnjëri të përhershme, por i zë besë njeriut, që ky të zgjedhë për vetveten, me anë të dhuratës së arsyes.

Hirin e pagabushmërisë e të pakorruptueshmërisë duke vendosur ligje të mençura sepse arti i madh qëndron në zgjdhjen e çështjes se ku duhet të vërë fre e të ndëshkojë ligji dhe ku duhet të veprojë thjesht bindja… I madh duhet të jetë kujdesi, e madhe mençuria e kërkuar për mirëqeverisje…Kjo e justifikon provaninë e lartë të Zotit, e cila, duke na urdhëruar vetëpërmbajtje, drejtësi, maturi, njëherësh na derdh përpara me bollëk të gjitha gjërat e dëshirueshme dhe na jep intelekte që mund të shtyhen përtej çdo caku e nginjeje (ngopjeje).

Në Shkrimin e Shenjtë e vërteta krahasohet me një krua ujërrjedhës: nëse ujërat nuk derdhen me një vazhdimësi të parreshtur, qelben në një pellg të llumtë konformizmi e traditë.’

Miltoni në pjesën e titulluar Anglia Meriton një Liri më të Madhe, u aka bërë thirrje shtetasve të kohës së tij për ta ngritur atdheun e tyre, në piadestalin ku poeti i një kombi shpreson dhe beson se duhet të ngritet edhe vetë shteti i kombit të tij:

‘Lordë e Deputetë të Anglisë, shiheni kombin tuaj, atë që ju vetë e qeverisni: nuk është një komb i ngathët e i amullt, po me një shpirt të shkathët, të mençur, depërtues; i mprehtë në ideim, i hollë e fitimtar në argumentim, aspak më poshtë se të tjerët në arritjen e çdo synimi, qoftë edhe më i larti, drejt të cilit mund të fluturojë kapaciteti njerëzor. Prandaj studimet e dijes, në disipilinat e saj më të thella, janë kultivuar prej lashtësisë e janë kaq të shquara mes nesh, saqë shkrimtarë me famë të moçme e me aftësi të pakrahasueshme në gjykim janë bindur se edhe shkolla e Pitagorës e urtia persiane ka marrë shtysë nga filozofia e vjetër e këtij Ishulli.

Jul Agrikola, romaku i mençur e civil, që qeverisi vendin tonë në vend të Jul Çesarit, parapëlqeu trurin spontan të anglezëve kundrejt studimeve të përpunuara të francezëve. Ekziston edhe një motiv themelor, për të quajtur të volitshme e të prirur drejt nesh diçka tjetër, e cila qëndron mbi të gjitha këto: përkrahja dhe dashuria e qiellit. Ndryshe përse do të zgjidhej ky komb, me qëllim që nga gjiri i tij, si nga gjiri i Sionit, të shpalleshin e të kumbonin në mbarë Europën lajmërimet dhe këmbanat e para të Reformës?’

Në një ligjërim të tillë kaq të rrallë dhe përplot margaritarë, poeti ndihej krenar jo vetëm për atë që mbronte por edhe për atë që përfaqësonte në mendjen e tij të ndritur:
‘Pa hidhni një sy këtij Qyteti të madh! Një Qytet arratie, banesë e parë e lirisë, i mbyllur dhe i rrethuar nga mbrojtjet e veta: kuzhina e luftës nuk bën të kumbojë më shumë kudhra e çekanë të pagjumë, për të farkëtuar pajisjet e mjetet luftarake të drejtësisë së armatosur në mbrojtje të së Vërtetës së vënë në rrethim, ngase janë kokat dhe penat ato, të cilat, të ulura pranë llambave të studimit, duke medituar, kërkuar, duke vërtitur në mendje nocione e ide të reja, me të cilat të nderojnë, si t’ia blatonin me respekt e besnikëri, Reformës që avitet, e të tjerë njerëz, që, me të njëjtat ethe, mësojnë, eksperimentojnë gjithçka, duke u dhënë miratimin forcave të arsyes e të bindjes.

Ç’mund të kërkohet më shumë prej një Kombi kaq të gatshëm e kaq të përkushtuar ndaj kërkimit të njohjes. Çfarë i mungon këtij dheu kaq të butë e pjellor, përveç kultivuesve të zgjuar e besimplotë, për ta kthyer një popull të vetëdijshëm, në një komb profetësh, njerëzish të urtë, të denjë?…’

Duke ua përkujtuar bashkatdhetarëve të tij se as atyre dhe as atdheut të tyre nuk u mongonet asgjë, ai kishte për synim një zgjim sa më të madh të ndjenjave të krenarisë kombëtare, nëpërmjet të cilit do t’i kundërvihej çfarëdo përçarjeje:

‘Armiku sërish gëzon dhe pret çastin e përshtatshëm: kur të jenë degëzuar në drejtime të ndryshme, mendon ai, kur të jenë mjaft të fraksionuar në parti e përpjestime, atëherë do të vijë ora jonë. Çmenduri! Ai nuk shikon rrënjën e ngulitur në truall, nga e cila rrjedhim të gjithë ne…

Duke hyrë nëpër udhët e lavdishme të së Vërtetës e të Virtytit të begatë, të paracaktuara për t’u shndëruar në dy lapidarë madhështorë e të lavdishëm, ndonëse në këtë erë të vonë. Ja, tek më shfaqet përpara syve të mendjes një komb fisnik e i fuqishëm, tek ngrihet duke i shkundur krifat si një burrë i fortë prej gjumit, i ngjashëm me një shqiponjë që pertërinë rininë e saj trimëreshë e i ngul sytë e paepur rrezes së mesditës…

Druhem se kjo lojë e hekurt konformizmi të jashtëm ka lënë një gjurmë prej skllavi në qafat tona; fantazma e një dekori stolish ende na përndjek.’
Miltoni bënte thirrje për unitetin e shpirtit, duke shtuar se: ‘Zoti ngre dhe vë në shërbim të tij njerëz me aftësi të rralla e jo ata që merren me punë të zakonta.’
Xhon Miltoni, përfundimisht u bënte thirrje bashkëkombasve të tij që të kthenin shikimin kah e vërteta, kah zëri i madh i arsyes:

Kush nuk e di se e Vërteta vjen e dyta për nga forca, pas të Gjithëpushtetshmit?
Në një kohë kur në postet me autoritetin më të lartë duhet të çmohen më shumë një qortim i shprehur açik sesa një “ryshfet” i kushtueshëm e i fëlliqur, ky quhet virtyt – të nderuar Lordë e Deputetë – dhe i përgjigjet veprave Tuaja më të larta, pjesë e të cilave nuk mund të bëhet askush tjetër përveç njerëzve më të mëdhenj e më të mençur.

Shpirti i mprehtë e pranon dhe i bindet zërit të arsyes. Frymëmarrja e vetë arsyes përbën thelbin qiellor e sublim.’

VII. Stefan Cvajg: Kënaqësia dehëse e pushtetit

Në një nga kryeveprat e tij, të titulluar ‘Zhofef Fushe, portreti i një njeriu politik’, shkrimtari i madh Stefan Cvajg, e ka përkufizuar në një mënyrë mjaft të rrallë forcën dehëse të pushtetit : ‘O pushtet me vështrimin e Meduzës ! Sepse, kush e ka parë një herë atë në fytyrë, nuk i shqit më dot sytë prej saj : ai mbetet i magjepsur dhe i robëruar. Ai, që ka provuar qoftë edhe një herë kënaqësinë dehëse të pushtetit, nuk është më në gjendje të heqë dorë prej saj. Shfletoni historinë e botës dhe kërkoni shembuj të tërheqjes vullnetarisht nga pushteti : Përveç Sulës dhe Karlit V, nga mijëra e dhjetëra mijëra figura botërore zor se gjenden dhjetë, të cilët, të ngopur e me mendjen në vend, të kenë hequr dorë vullnetarisht, nga pasjoni thuajse mizor, për të luajtur rolin e fatit për miliona njerëz të tjerë.’

Cvajg, gjithashtu ka theksuar se: ‘Fenomenet madhështore të natyrës në mbretërinë e arsyes, janë po aq të mrekullueshme, sa ç’është stuhia në mes të qiellit të pastër.’
Ndërkaq, nëdr dijetarët e Lindjes, filozofi i shquar i lashtësisë, Ibën Sina (Avicena) – (980-1037), i cili ka shkruar vepra kapitale në fushën e mjekësisë, astronomisë, shkencave të natyrës si dhe poezi ; dijetar me ndikim të veçantë në botën lindore dhe atë perëndimore, lidhur me profecinë, mes tjerash ka theksuar se kënaqësia e kësaj bote arrihet duke kërkuar pastrimin dhe lartësimin e shpirtit dhe në sa më shpesh që shpirti i kthehet vetvtes, aq më pak mund të cenohet nga rrethanat fizike të trupit.

Pra, Avicena e ka vënë theksin e tij tek pastërtia shpirtërore, pa e mohuar edhe përmasën që falë drita e mendjes njerëzore, kurse fjala vjen, Abd al-Hamid al-Khatibi (v.750), një nga nismëtarët e prozës arabe dhe sekretar i Kalifit Umayad, në një nga epistulat e tij të titulluara Arti i qeverisjes, ka përkujtuar se të gjitha krijesat janë fëmijë të Zotit dhe ka këshilluar me të drejtë se shërbyesit e shtetit duhet të parapëlqejnë mbi çdo gjë modestinë, drejtësinë dhe korrektësinë.

Lidhur me historinë e shtetformimit, Napoleon Bonaparta ia ka përkujtuar njerëzimit se liria është nëna e fitores, kurse gjenerali amerikan Uesli Klark, me të drejtë ka theksuar se njerëzimi do të ecë me shpejtësinë e dritës.

Ndërkaq, në shënimet e saj për Kosovën, ish Sekretarja e Shtetit, Hillary Rodham Klinton, mes tjerash ka shkruar: ‘Kur zgjedhim shtegun e indiferencës, msopërfillim mësimet e së kaluarës… Ja çfarë ka bërë Elie Wiesel. Na ka mësuar të mos harrojmë kurrë. Na ka bërë t’u vëmë veshin viktimave të urrejtjes dhe të së keqes. Na ka ndihmuar të kujtojmë rreziqet e indiferencës.’ (Hillary Klinton: Persekutimet e ebrejve të mos përsëriten në Kosovë. 14 prill 1999. Shënime javore.)

Rrjedhimisht, ashtu siç na la porosinë edhe shkrimtari emblemë Ramiz Kelmendi, se: ‘Lypset të gjykojmë shpesh, me akullin e arsyes dhe jo me zjarrin e emocioneve.’

VIII. Bardhësitë e atdheut, tokat e shenjta dhe Bacë Bajramët

Publicisti i shquar i kohës së tij, intelektuali nga Mallakastra, në librin me udhëpërshkrime nga vizitat e tij në Kosovë, të titulluar “Shqipërija e vërtetë-Nëna Kosovë (1938-1943)” dhe të botuar në Tiranë më 1943, Dr. Vasfi Samim Visoka (1908-1981), si rrallëkush e ka përmbledhur bukurinë e Kosovës në të drejtën e saj të gjakuar aq shumë nga breznitë orëmira dhe pinjojtë e tyre:

‘Kam shkuar pesë herë në Kosovë. I jam bërë pesë herë dashnor. Qielli i Kosovës ndriçon me rrezet e diellit që i veshin syrin njeriut. Atmosfera e saj është e mbushur me një fuqi tërheqëse dhe në tokat e saj të shenjta valon një fuqi magjiplote. Në Kosovë për të parën herë njeriu e ndjen veten të hyjë në tempullin kombëtar. Aty një qetësi e këndshme, një besim i sigurtë dhe një vetmohim i ëmbël, ia pushton zemrën, trurin dhe shpirtin çdo udhëtari. Aty për të parën herë besoni në vetvehten…Bukuria e Kosovës është bukuria e së drejtës. Zëri i Kosovës është zëri i historisë dhe shkëlqimi i saj është drita e së vërtetës…’

Riza Haziri, Emin Musa, Bajram Uka (Në Valbonë)

Kolonel Emin Musa – një arkiv i gjallë

Garibaldi me të drejtë bekonte ata që do ta gëzonin Italinë, njëlloj si ata të cilët ishin flijuar për Italinë. Duke ditur se ndërtimi dhe rindërtimi i një shteti, kërkon punë dhe sakrificë, dije dhe përkushtim, unitet të përgjithshëm kombëtar, ai çmonte mbi çdo gjë mishërimin e atyre tipareve dhe virtyteve me të cilat ishin pajisur njerëzit të cilët duke e përparuar Italinë, do të nderonin në të vërtetë lirinë e saj dhe ata që kihin rënë për të.

Selatin Ymeri në krah të Meh Ukës

Duke nderuar të rënët për liri, breznitë orëmira gjithmonë nderojnë ardhmërinë e tyre. Në biseda si këto, njeriu takon dhe kujton sa bashkudhëtarët po aq edhe bashkëmendimtarët e tij. Duke folur për ngjarja dhe data, për rënjet në beteja, për figura të shumta dhe emra të shquar, për shkaqet dhe pasojat, për sfidat dhe ndeshtrashat, kalldrëme kujtimesh shfaqen përpara.

Profesori Selatin Ymeri, jo rrallë për t’i dhënë shkas bisedës, flet dhe e thotë të kundërtën e asaj që mendon! Dalë nga shkolla filozofike e profesorit Ismet Ferizi, të cilit i detyrohemi aq shumë, Selatini e nxitë debatin sa më shumë. Aty pranë është edhe profesori, shkrimtari e publicisti Bedri Tahiri, njeriu që me penën e tij përjetëson atdhetarizmën e heronjve dhe dëshmorëve të shumtë.

Bedri Tahiri e Xhemail Peci:
Përpara Kullës së Azem Galicës

Ndërkaq, kolonel Emin Musa evokon kujtime. Është mesnatë e thellë. Ora ndjekë orën, kujtimi shpalos kujtimin, fjala nxjerr fjalën. Koloneli, duke pirë kafenë e radhës e shkundë ngadalë cigaren dhe vazhdon rrëfimet e tij. Tregon për ngjarje të shumta, në të cilat ka qenë edhe dëshmitar. Një freski kujtimesh e shquan bisedën e tij të projshme e përplot të dhëna intersante, pa dyshim një frymëzim i rrallë e një shembull i gjallë, për të gjithë ata të cilët duan që historia më në fund, të shkruhet drejt.

Kolonel Emin Musa është njeriu që mbron parimet. Ai është njeriu që i është përgjigjur me krenarinë e ligjshme kushtrimit të atdheut, por ai është edhe ushtaraku që mbron vlerat e luftës, gjithmonë i vetëdijshëm se sfidat e paqes nuk janë më pak të lehta.
Trimëria, burrëria, bujaria dhe fisnikëria e trashëguar brez pas brezi, janë poentat që kanë evokimet e kujtimeve të tij, të cilat pa dyshim se ngjajnë me një arkiv të gjallë e në vete, të cilin duhet patjetër hedhur në letër…

Bacë Bajramët

Në biseda si këto, mendja nuk ka se si të mos vetë tek Bacë Bajramët: Bajram Curri e Bajram Daklani. Tek dif dragojtë e Dragobisë, siç do të skruante Fan Noli në elegjinë e tij të njohur për tribunin e maleve, Bajram Currin.
Gjithsesi, edhe dif dragojtë e Dardanisë, sepse që të gjithë, kanë një gjë të përbashkët, dashurinë për atdheun.
Pra: Për kolonelin ka kush të shkruajë!

Kolonel Bajram Uka shpesh ngjitet lartësive të atdheut. Prek majat e maleve, e përshkon pëllëmbë për pëllëmbë hapësirat e bardha të atdheut. Kujton heronjtë dhe dëshmorët. Flet për ta dhe përkulet përpara kujtimit dhe nderimit të tyre.

Ndërkaq, si tek kolonel Bajram Uka, ashtu edhe tek kolonel Emin Musa, ka zënë vend porosia e madhe e shqiptarit të madh dhe e shkrodranit të mençur, Pashko Vasa: ‘Urdhrat e ndërgjegjës kombëtare duhet të na vijnë për krerë dhe të na bindin për ushtarë!’
Nuk ka dhe nuk mund të ketë nderim të lartë për asnjë ushtarak, sesa nderimi që breznitë orëmira i bëjnë njërit prej kryevargjeve të poetit të pushkëve të bardha, duke vënë në jetë porosinë e tij të madhe…

Pa dyshim dy ushtarakë të cilëve do t’ua kishte lakmi çdo ushtri. Dy bashkëvendas dhe dy bashkatdhetarë, të cilët me fjalën e tyre të urtë e të matur, përplot bardhësi e atdhedashuri, më kujtuan për një çast thënien e njohur të shkrimtarit Ernest Koliqi, se: ‘Librat më sollën brenda në dhomën time një copë Shqipëri !…’

Më 9 mars 2014 në Londër: Murat Salihu, Bajram Uka, Xhemail Peci

Kolonel Bajram Uka dhe kolonel Emin Musa, më sollën edhe më shumë. Më sollën një copë Iliri nën njërën prej kryevargjeve të poetit të pushkëve të bardha, që Pashko Vasa la si testament gjaku për breznitë orëmira, sot e mot:

URDHRAT E NDËRGJEGJËS KOMBËTARE DUHET TË NA VIJNË PËR KRERË, DHE T’NA BINDIN PËR USHTARË !

Londër, maj 2018