“REBUSI” HAXHIA!

0
1264

AV. XHABIR ZEJUNI

Me 9 maj, mbërriti në aeroportin e Rinasit Izet Haxhia, i ekstraduar nga Turqia me kërkesën e Shtetit shqiptar.
Izet Haxhia, është ekstraduar në Shqipëri për të shlyer dënimin prej 25 vitesh burg në bazë të vendimit të formës së prerë që e akuzon atë si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit me 12 shtator 1998. Ai shpreson (dhe pretendon!) që të rihapet rigjykimi ndaj tij, duke qenë se është dënuar në MUNGESË. Supozohej me të drejtë se Izet Haxhia do kishte përgatitur paraprakisht strategjinë mbrojtëse të tij, për të përballuar rihapjen eventuale të proçesit gjyqësor në ngarkim të tij.

Me datën 9 maj, çështjen Haxhia e trajtoi edhe emisioni Studio e Hapur e TV NEWS 24. Ndodhi diçka shumë e çuditshme gjatë këtij emisioni, kur u bë një lidhje telefonike me avokatin e Izet Haxhisë. Vasili: “E keni takuar klientin tuaj më parë?” Avokati: “Jo. E kam njohur vetëm përmes mediave. E kemi lënë për t’u takuar nesër”!

Vasili: “Cili do jetë veprimi i parë procedurial që do bëni Ju si avokat?”
Avokati: “Do bëjmë më të mirën e mundshme. Si pikënisje, kemi për të shkuar drejt rihapjes së hetimit, pasi Izet Haxhia është gjykuar dhe dënuar në
mungesë. Nuk është pyetur asnjëherë nga trupi gjykues”!
Vasili: “A është kjo një arsye për t’u rihapur çështja?”
Avokati: “E parashikon ligji dhe e lejon ligji”!
Lala: ”A keni informacion nëse ministri i Drejtësisë së kohës, Zoti Rusmajli ka dhënë garanci se do t’i rihapet dosja Izet Haxhisë nëse do të ekstradohej nga shteti turk drejt Shqipërisë?” (Gazetarja Lala është në posedim të shkresës së datës 6 prill 2007, Nr. 123/8, të firmosur nga Ministri i atëhershëm i Drejtësisë Ilir Rusmajli, me anën e së cilës jepeshin garanci nga Shteti shqiptar atij turk për rigjykim të Izet Haxhisë në rast të ekstradimit të tij në Shqipëri!).

Avokati: “Dua të jem shumë korrekt. Nuk kam shumë informacione e nuk mund të komentoj një gjë të tillë. Nuk dua të flas para kohe, por në kohën e
duhur dhe në momentin e duhur do të mësojmë shumë gjëra”!
Çollaku: “Avokat. Rihapja e proçesit, a ka të bëjë me rrethana të reja hetimore? A pretendon klienti i Juaj se është në këtë pozicion?”
Avokati: “Do ja lemë kohës, pasi nuk dua të komentoj gjëra për të cilat nuk kam informacionin e duhur”!
Çollaku: “A jeni në dijeni nëse klienti i Juaj ka pasur premtim për rihapje proçesi, duke qenë se ai braktisi lirinë atje për t’u futur në burg këtu”?
Avokati: “Nuk kam informacion”!

Pyetjen e fundit, gazetari Çollaku mund ta kursente, duke qenë se avokati përsëriti disa herë se ai nuk kishte kontaktuar akoma me asnjë formë dhe
mjet me klientin e tij!
Nga kjo intervistë, kaq konfuzionale dhe aspak profesionale e avokatit, mbetën shumë të habitur gazetarët e pranishëm në studio! Ashtu si edhe
teleshikuesit!
Nga bashkëbisedimi i mësipërm, len për të dëshiruar fakti që avokati mbrojtës duke qenë se nuk kishte fare dijeni në lidhje me çështjen Haxhia, të japë një intervistë telefonike publikisht. Nuk mund të justifikohet sinqeriteti i avokatit, për shkak të injorancës së tij në lidhje me MOSnjohjen e një çështjeje kaq delikate. Po ashtu, është e pafalshme kur kjo injorancë bëhet publike, pasi ky fakt kompromenton që në fillim ecurinë e proçesit eventual në ngarkim të Izet Haxhisë.

Bën çudi edhe fakti tjetër se si Izet Haxhia ka pranuar të ekstradohet në Shqipëri pa kontaktuar më parë avokatin e tij, në mënyrë që të ndërtonte
bashkë me atë strategjinë mbrojtëse të proçesit në ngarkim të tij. Si rrjedhojë, avokati duhej të kishte marrë më parë garanci nga Shteti shqiptar për rihapjen e proçesit gjyqësor ndaj Izet Haxhisë. Pasi në rast të kundërt, mund të kursehej fare lehtë bileta e avionit e Izet Haxhisë me opcion vetëm VAJTJE!

Edhe fakti që Izet Haxhia nuk ka marrë për mbrojtjen e tij një avokat të njohur dhe të kuotuar në Shqipëri, përbën një tjetër çudi. Por, nuk përjashtohet edhe mundësia e refuzimit të një mbrojtjeje të tillë profesionale dhe të kuotuar!

Të pranosh ektradimin pa një garanci paraprake, tregon se po pranon që në fillim fatin tënd proçesual dhe rrjedhojat më pas. Këto janë vetëm disa nga çuditë e ekstradimit të Izet Haxhisë! Shtrohet pyetja: “Mos vallë “REBUSI” Haxhia është zgjidhur pa u shtruar akoma për diskutim”?