FANTAZMA PËR RIKTHIMIN E BUKOSHIT – SHQETËSOI KOSOVËN

0
825
Shefqet Dibrani - Demokracia diktatoriale 2

Ditë më parë u pa se qenka rikthyer publikisht Bujar Bukoshi, lexova edhe reagime të shumta, por pasi ditë më arë ka dal libri im i radhës “DEMOKRACIA DIKTATORIALE 1+2”, kurse në vëllimin e dytë i ka publikuar për të parën herë letrat e Bukoshit. Pasi çdo gjë është theksuar në libër, për lexuesit po publikojmë këtë fragment, si dhe pjesën e Prologut dhe Epilogut të këtyre letrave, ndërsa letrat si tersi janë përfshirë në libër nga faqja 307-358.

Lexim të mirë

Shkruan: Shefqet DIBRANI

LETRAT E DR. BUJAR BUKOSHIT

Letrat e Bujar Bukoshit, për karrierën time publike mbeten mister më vete. Shkas u bë aksioni humanitar për ta ndihmuar familjen e ish shefit të QIK-ut, Enver Maloku, i cili u vra në një atentat më 11 janar 1999.

Enveri, familjen i la në banesë të improvizuar që ndodhej në bodrumin e një pallati në Kodër të Diellit, prandaj ishte domosdoshmëri për t’ia ndryshuar familjes së tij atë gjendje?! Në karrierën time publike gjithmonë iu kam shmangur pjesës që kishte të bënte me paranë. Aksioni për familjen e Enver Malokut, ishte rasti i parë që bëja përjashtim.
Morëm masat, krijuam ekipin dhe nisëm punën. Njoftimin për fillimin e aksionit, përveç mediave ua kemi nisur edhe institucioneve përkatëse, firmave të shumta si dhe individëve të caktuar. Në mesin e tyre edhe Bujar Bukoshit, në dy adresat elektronike që i kishim: (Bukoshi Bujar II <[email protected]>; Bukoshi Bujar <[email protected]>)
Pas pak nga ai na erdhi një mesazh i çuditshëm, por tashmë nga një adresë e re: (Bujar Bukoshi <[email protected]>), në të cilin shkruante: “Dua nje raport per keto rrjedha zoteri”. Insistimin e tij për të ditur(?!), e përsëriti tri herë, gjë që më detyroi për t’iu përgjigjur, ndërsa me kalimin e kohës do të shihet se letërkëmbimi kishte devijuar misionin e tij.

Letrat e kanë një histori të veten. Misterioze, enigmatike, shantazhuese dhe aty këtu edhe kërcënuese. Kontingjenti që publikohet për të parën herë, janë ato letra që kam arritur t’i ruaj pasi disa sosh më janë asgjësuar në kompjuter, nga virusët modernë që më shumë i krijojmë vetvetiu duke mos ditur mjaftueshëm të manipulojmë me kompjuterin.
Megjithatë, në këtë shënim hyrës do të përpiqem të paraqes edhe një kronologji të zhvillimeve, të cilat nuk zgjidhën problemin, përkundrazi gjendja u bë edhe më misterioze, dyshimi u shtua dhe një farë frike më kishte kapluar, pasi nuk dija se çfarë po ndodhte.

Në vjeshtën e atij viti, qëlloi të ishte në Zvicër, Edita Tahiri. Ajo ishte vendosur në Thal (SG), tek disa të afërm të saj, të cilët banonin vetëm pak kilometra nga qyteza ku banoja unë. Me Editën njiheshim mirë, prandaj kërkova ndihmën e saj si të veproja. Doja ta takoja personalisht, duke i treguar qëllimin. Por, ajo ndryshoi dukshëm, fillimisht iu shmang takimit?! Më në fund më caktoi një restorant (Kempthal), në autostradën St. Gallen – Zürich, diku rreth 60 km larg. Pasi ne ishim aq afër, jo më shumë se 5-6 km, (Rorschacherberg – Thal), m`u duk se Edita Tahiri, po tallej me mua prandaj e anulova takimin. Fatkeqësisht edhe kur kam shkuar në Kosovë, Edita Tahiri më nuk ka pranuar të takohej me mua. Në muajin dhjetor të po atij viti, shkova në Kosovë, fillimisht bisedova me nënkryetarin e LDK-së, Kolë Berishën, të cilin e kam lutur të më mundësojë një takimi me Presidentin dr. Ibrahim Rugova, (atij nuk i tregova qëllimin e takimit), por i thashë është mjaft i rëndësishëm?!

Në ndërkohë, në selinë e LDK-së në Prishtinë, kam biseduar shtruar me Melihate Tërmkollin, të cilën e kisha mike, pasi e njihja që nga shkolla e mesme dhe kisha raporte jashtëzakonisht të mira me të. I tregova arsyen pse kërkoja një takim urgjent me dr. Rugovën!

Pasi atyre ditëve dr. Ibrahim Rugova, bënte pritjet e fundvitit për kryetarët e degëve të LDK-së, me propozimin e Melihatit, vendosëm në të njëjtën kohë ta realizonim edhe takimin, për të cilin më tha ajo se do të angazhohet personalisht. Në ditën e caktuar unë shkova në Velani, te selia e Presidentit, por ndodhi që Melihati të mos vijë, kurse sigurimi nuk më lejonte të futesha brenda, edhe pse më njihnin, edhe pse i luta shumë, edhe pse u thash se isha veprimtar i LDK-së, edhe pse u tregova se jam autor e gazetar, madje si me mllef u kam thënë se jam “bre patriot i mirë?!”, por nuk arrita t’ua ndryshoj mendjen. Të nesërmen takova Melihatin e cila më premtoi se do të bëjë çmos për ta realizuar takimin në ditët vijuese. Takimi nuk u realizua kurrë, as arsyet nuk i mësova?!

Por e di se pasi Melihatja u bë ministre, patëm një konflikt përkitazi me “shkrimet e mia të guximshme”, (kështu m`i cilësoi), që i shkruaja për gazetën “Illyria” në New York, por disa prej të cilave i pata publikuar edhe në gazetën “Epoka e re” në Prishtinë, që u bë shkaktare e atij konflikti, krejt pa lidhje por që ndikoi për të mos folur më kurrë me Melihate Tërmkollin.

Dy ditë më vonë, në shtypin e Prishtinës, u tha se Presidenti bën pritje për gazetarët. Vendosa ta shfrytëzoj atë rast, për të shkuar në Velani. Diku afër gjimnazit “Sami Frashëri”, takova profesorin tim të historisë, Muhamet Shatrin, pasi u falëm me të, më ftoi për një kafe në Zyrat e UFORK, të cilat në atë kohë ishin vendosur afër Shkollës së Mesme Teknike, në Qendrën e atyshme zejtare. Ftesën e profesorit e pranova me kënaqësi, pasi dua ta takoj edhe Bujar Bukoshin, i thashë atij.

Kur hymë brenda, pasi askush nuk më njihte na pritën me përzemërsi. Por kur kuptuan se kush isha, gjendja sikur ndryshoi, ndërsa profesor Muhamet Shatri, as nuk e kishte idenë se çfarë po zihej.

Po ashtu më kujtohet kur profesori më tregonte se si “Qeveria e Kosovës në ekzil”, tashmë e riatdhesuar në Prishtinë, atyre ditëve kishte ndarë një milion DM (Marka gjermane), për Shoqatat e dala nga lufta, rast që ishte politizuar atyre ditëve. Pastaj profesori më tregoi se si Bordi i UFORK, me mjetet e mbetura, paskan lyer disa shkolla, paskan siguruar ujin e pijes për një shkollë, diku 2 km gjatësi etj. Si me humor ia ktheva profesorit: Tash jemi bërë shtet e të mos flasim për “kallajisje” të shkollave me gëlqere të zakonshme, se jam i gatshëm t’ua blej një kamion gëlqere dhe me atë përzierje mund t’i zbardhim të gjitha shkollat e Kosovës, e sa i përket ujit për pije, që iu paskeni siguruar një shkolle, dhe atë dy-tre km., si me shaka i thashë profesorit, po unë për vete dhe familjen time mbase 7 kilometra larg e kam siguruar ujin dhe nuk e quajmë sukses. Të tjerët kishin kureshtje për ta dëgjuar bisedën, por unë isha tepër i sigurt se profesori im, nuk e dinte se “Bunari” në oborrin e shtëpisë sime është përplot ujë dhe parimisht nuk kisha pasur as nevojë të siguroja ujin nga ato 7 km. Siç u shpreha aty.

Njëri nga të pranishmit shkoi lart për ta njoftuar Bujar Bukoshin se e pritja poshtë, por ai u kthye i zbehur duke kërkuar falje se momentalisht ai ishte i zënë dhe nuk mund të realizohej takimi. E shikova orën dhe bëra sikur jam vonuar, iu thashë me zë se më duhet të ikja pasi edhe pak ka pritje për gazetarë Presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Të gjithë u zbehën, por unë bëra sikur nuk dija gjë për “inatet ballkanike”! Ua lash lamtumirën duke mos u krijuar përshtypje për frikën që më kishte kapluar. Bëra sikur kisha një përcjellje dhe siguri të plotë, prandaj ata menduan se po tallesha me ta. Isha krejtësisht vetëm dhe askush nuk dinte për aventurat e mia, prandaj nga aty deri në Velani është bukur një copë udhë, e cila atë ditë u zgjat edhe më tepër. Tërë atë kohë kisha frikën e ndonjë të papriture, prandaj edhe gjethet kur binin në tokë, edhe ndonjë shushurimë kur ndodhte unë jam trembur së tepërmi.

Para derës së Presidentit, ishin mbledhur shumë gazetarë, disa sish i njihja, në anën tjetër të rrugës ishin tre policë ndërkombëtarë, u hap dera por mua më ndaloi sigurimi ku qëlloi të ishte edhe shefi i sigurimit E. N. Më pyeti, ku shkoja dhe çfarë kërkoja aty. Fare qetë, sikur të mos isha vetëm dy ditë më parë aty, iu prezantova si gazetar i RTSH-së dhe i Radio Kukësit, ua tregova librezat si dhe një fotoaparat që kisha me vete dhe një kasetofon për të incizuar. Tamam isha bërë gazetar, por sigurimi më kishte mbajtur mend se ditë më parë isha prezantuar si aktivist i LDK-së. Policët ndërkombëtarë u afruan, por pasi panë se isha në rregull më lejuan edhe mua të futesha brenda. Aty më njihnin mirë, pasi ishin struktura udhëheqëse nga LDK-ja. Ata u sollën mirë, ndërsa sigurimi pasi u sigurua, vazhdoi punën e vet. Për fat të keq nuk m`u dha mundësia t`i kërkoja një takim Presidentit, edhe pse bëmë një fotografi nga ai takim, prandaj kur dolën të tjerët, bashkë me ta dola edhe unë. Në fund të asaj rruge ku ishte selia e Presidentit, kisha shtëpinë e motrës dhe se në vitet e 80-ta, kam pas banuar aty, para se kjo lagje të urbanizohej. Rrugës m’u kujtua se si në një rast më kishte thënë Bukoshi, se as aty nuk mund të kem qasje, pasi njerëzit e tij ishin kudo, si duket ata e rrethonin Presidentin?!.

Në muajin maj 2001, e kam takuar dr. Sabri Hamitin, me të cilin dëshironim të bisedonim rreth Aksionit për Familjen Maloku. Me të ishte edhe dr. Rexhep Gjergji dhe një shoqërues i profesorit, me emrin Xhafer. Ata më kishin pritur gjatë, prandaj ishte krijuar një nervozë, gjë që nuk më priti profesor Hamiti fare mirë. Sidomos kur i luta të hanim drekë, aty ai ka eksploduar. Por kur ia kam përmendur letrat e Bukoshit, dr. Sabri Hamiti, ma ka bërë bajat, sa më ka qitur vetën nga huji?! Nuk po zgjatem se çfarë kemi biseduar rreth kësaj teme, por mënyra e profesorit më detyroi të heq dorë nga përpjekja për t’i bërë publike ato letra, andaj vendosa të mos ia tregoja askujt, madje as dr. Rexhep Gjergjit?! Edhe me profesor Sabri Hamitin, të cilin e kam dashur më shumë se këdo tjetër, të cilit ia kam lexuar veprat dhe i kam kushtuar poezi, ndodhi të ishte takimi i fundit që patëm me të.

Më vonë i kam bërë publike dy fragmente nga ato letra, por as ato nuk zgjuan interesimin e atyre që merren profesionalisht dhe janë kompetentë për këto çështje. Në anën tjetër ne e dimë sa akuzat publike janë bërë kundër Bujar Bukoshit e Isa Mustafës, për sabotazhet e shumta, për pengesat që ia kanë bërë dr. Ibrahim Rugovës, për rrudhjen e buxhetit, për Presidencë e për Qendrën për Informim të Kosovës, pastaj dihen sjelljet e tyre ndaj luftës dhe paqes, me të gjithë, me të gjithë dhe kundër të gjithëve!…

Po ashtu ne i dimë sa akuza janë bërë kundër tyre, për menaxhimin e keq të “Fondit të Trepërqindëshit”, për „Huan Popullore“, për „Fondin Ndihmë Drenicës“, për “Dardania Bankën” në Tiranë etj. etj. Na janë të njohura edhe aferat, kërcënimet e atentatet gjatë dhe pas luftës, në të cilat shpeshherë është lakuar emri i Bujar Bukoshit dhe i Isa Mustafës, por dihet se ata askush nuk i ka ngucur, askush nuk i ka penguar, asnjë institucion i hetuesisë e drejtësisë së Kosovës, madje as EULEX-i, nuk i ka marrë në pyetje.
Ata janë kthyer në Kosovë me duar në xhepa, kanë ushtruar poste të larta politike e shtetërore. Ta zëmë Bujar Bukoshi, ka qenë zëvendëskryeministër i Kosovës dhe ka qenë po ashtu edhe Ministër i Shëndetësisë.

Thuhet se sistemi i shëndetësisë në Kosovë është rrënuar për tokë, pikërisht në saje të Bujar Bukoshit, sa ishte Ministër i Shëndetësisë. Tash për shërimin e tij jashtë vendi Qeveria e Kosovës, disa herë ka ndarë para, ndërsa Isa Mustafa, përveç posteve të rëndësishme, ka qenë këshilltar i Presidentit Fatmir Sejdiu, kryetar i Prishtinës, kryetar i LDK-së dhe në një mandat edhe Kryeministër i Kosovës. Edhe ai nuk u tregua i suksesshëm. Ai mbetet shembulli më i keq për ta katandisur Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilën e ka degjeneruar tërësisht. Edhe për Isa Mustafën, Qeveria e Kosovës, jo vetëm që ka ndarë mjete të mëdha, por ka aranzhuar aeroplan special për ta transferuar në një klinikë në Gjermani, për mjekim intensiv.

Në anën tjetër ata kanë apeluar tek qytetarët për të besuar në mjekësinë kosovare, ndërsa udhëheqësit shtetërorë për veten e tyre preferojnë klinika për shërim jashtë vendit?! E në anën tjetër dihet se gjendja ekonomike e Bujar Bukoshit dhe ajo e Isa Mustafës është jashtëzakonisht e mirë, por si duket Shteti Ynë, ka „Rahmet“, sidomos për ata që i kanë shkaktuar dëme të mëdha ardhmërisë së vendit.

PROLOG për letrat e publikuara

Diku kam pas lexuar se është keqpërdorur adresa elektronike e Bujar Bukoshit, këtë gjë nuk e përjashtoj as sot, por unë i kam shkruar disa here edhe në adresat e tij të njohura, por ai vetëm ka heshtur, andaj këtë heshtje të tij nuk kam arritur asnjëherë ta kuptoj. Ndoshta ekspertët e kësaj fushe, edhe pse pas kaq vitesh do të kenë mundësi për ta verifikuar nëse ka komunikuar vetë Bujar Bukoshi, apo ndonjë person i rrejshëm në emrin e tij. Këtë gjë Bujar Bukoshi, nuk e ka demantuar asnjëherë, gjithsesi publikimi i tyre, bëhet për të kuptuar format e dhunës psikologjike që bëheshin në atë kohë.

Kam pas bërë përpjekje për ta verifikuar adresën e tij. Diku më pat thënë se “javën tjetër” do të botohet një intervistë me të në gazetën “Zëri”, ku do ta shihni se kush është Bujar Bukoshi?! Gjithsesi këto letra edhe në këtë formë dhe pas kaq vitesh paraqesin një shqetësim të madh.

Tashmë ka kaluar një kohë e gjatë, kurse interesi publik nuk e ka më atë aktualitetin e asaj kohe, në publikimin e këtyre letrave do të ketë ndërhyrje sa për të mos implikuar emra dhe individët e përfolur nëpër ato letra. Tashmë konsiderojmë se kjo ngjarje i takon një kohe të shkuar, prandaj vendosëm të ruajmë dinjitetin qytetar, veçmas pasi disa prej tyre nuk kanë ushtruar funksione me ndikime publike. Përveç këtyre letrave, në librat vijues ne do të publikojmë dokumentet e sakta rreth ecurisë së “Aksionit për Familjen Maloku”, ku do t’i publikojmë edhe dëshmitë për dorëzimin e atyre mjeteve në familjen Maloku.

Shantazhet e pashembullta që kanë ndodhur kundër meje si person, sidomos gjatë vitit 2015-2016, qoftë nga “Doruntina E.M”, apo mercenarët e tjerë të Isa Mustafës, të cilët kanë ardhur në Zvicër për ta shkatërruar Degën e LDK-së, janë pjesë e atyre proceseve antidemokratike dhe e skenarëve të nëntokës, që kanë gjenezën në ato kohëra të fillimit të LIRISË SË KOSOVËS!…

EPILOGU për ato letra të publikuara

Asnjë pasojë, asnjë provokim dhe asnjë kërcënim tjetër për këto letra nga strukturat e Bujar Bukoshit dhe të Isa Mustafës, përveç të shqetësimit nuk më ka ndodhur, por lufta dhe terrori psikologjik ka vazhduar nga strukturat e LKJ-së dhe të Integralistave Jugosllavë në një formë tjetër, në një proces të gjatë e maratonik pranë Gjykatës së Qarkut në Zürich të Zvicrës, në të cilin kanë qenë të implikuar, struktura të njohura publike e politike.

Ai proces është iniciuar nga gazetari Enver Robelli. Deklarata me shkrim kanë deponuar: Në emër të gazetës “KOHA DITORE”, Baton Haxhiu, në emër të Shtëpisë Botuese “BUZUKU”, Abdullah Zeneli, në emër të “Konica Publishing” në Zvicër, Agim Malaj, kurse vullnetarisht me një deklaratë është sakrifikuar edhe Shaip Beqiri. Procesi i Cyrihut ka zgjatur pesë vjet, (shtatori 1998 – pranverë 2004), edhe pse ka qenë një terror psikologjik epilogu i tij i bën për ta ulur kokën secili. Por të turpshmit nuk turpërohen kurrë?!

E di se procesin në Cyrih e kanë heshtur të gjitha mediat mbi të cilat duket ndikimi serb, kurdo dhe kudo! Ajo heshtje bizare mbetet enigmë e pasqaruar! Por për fat të keq, kanë pas heshtur edhe strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës! (Faqe 358)

ST. GALLEN, JANAR 2018

Nga libri “DEMOKRACIA DIKTATORIALE 2”, faqe 307-312
Letrat e Bukoshit janë të përfshira në faqe 313-358