Gjon Neçaj
Dymijë e kusur vjet më parë, një pasdite pranvere, një centurion romak vështronte vdekjen e ngadalshme dhe agonike të tre burrave të veçantë për nga mënyra e ekzekutimit. Veçanarisht një ushtar vërente tinëzisht njërin prej tyre, Jezu Krishtin. Kur vdiq, toka u trondit me forcë, e ushtari bërtiti: “Me të vërtetë ky qënka biri i Perëndisë”. Ky postulat i shkruar dhe kjo ngjarje tragjike para 20 shekujsh, ka ndjekur jetën e një popullsie të një regjioni të vendosur dikund mes alpeve, në Shqipërinë e Epërme veriore, në një luginë në formën e një hauzi madhështor, të quajtur Nikaj Mertur.
Kjo kulturë fetare, humane, njerëzore e banorëve të Nikaj Merturit, e trashëguar në breza, e asimiloi artin popullor, të krijuar dhe të kultivuar në gjirin e këtyre njerëzve të thjeshtë, nga artistët popullorë, bash në eposin e kreshnikëve, ku aedët i kanë kënduar aq bukur jetës, duke qënë njëherazi dhe ushqim shpirtëror për banorët e kësaj krahine. Me gjithë vështirësitë e mundimshme të jetesës, banorët e këtij regjioni në Shqipërinë veriore, krahas problemeve dhe punëve të përditshme, kanë ndier nevojën e shlodhjes nepërmjet argëtimit dhe kanë gjetur mundësi dhe kohën, duke zgjedhur momentet për të bërë humor, për të kërcyer, për të kënduar, apo për të thurur vargje, për të krijuar një ambient të përshtatshëm, si për familjen edhe për mysafirin.
Bujtinat e para të mikpritjes së vizitorëve në Nikaj Mertur
Në netët e gjata të dimrit ata thurnin vargje në lojë kapuçash, apo mësonin vallen karakteristike të kcimit në dasëm, e cila, siç thotë studiuesi Ramazan Bogdani, ishte perlë e valles popullore, ndonëse fatkeqësisht sot nuk ekziston.
Nikajmerturasi, ndonëse me shumë privacione, e ka dashur dhe vlerësuar jetën, e për këtë arsye ai kurrë nuk e ka humbur shpresën, me besimin për të arritur të mirën, ndaj edhe këngët e krjuesve të adetëve nikajmerturas nisnin me fjalët “O mori e mira…”.
Në Nikaj Mertur janë krijuar dhe kënduar brez pas brezi këngët majëkrahu, këngët me lahutë, këngët e kreshnikëve të Jutbinës*), këngët e dasmave, këngët e djepit, këngët e kapuçave, putirat, etj. etj. Gjithashtu janë krijuar dhe trashëguar fjalë dhe shprehje të urta, gjëgjëzat, përrallat, tregimet dhe legjendat për dragonjtë, për kulçedrat, zanat, shtrigat, sykeqin. Gratë dhe çikat nikajmerturase nepërmjet punimeve të dorës në vekë, thurje me gjypnerë dhe gjylpanë kanë arritur të tregojnë shkallën e mjeshtërisë të kësaj zejeje të bukur popullore.
Valltare në Nikaj-Mertur
Rëndësi të veçantë në krijimet e tyre zinin veshjet popullore sidomos xhubleta e çikës dhe e nuses, që sipas etnografes Andromaqi Gjergji është karakteristike me xhubletat e tjera, apo veshjet per burra si tirq, jelek, xhamadan, shokë, etj. Nikaj Merturi dallohet nga regjionet e tjera të Shqipërisë veriore edhe nga e folmja gjuhësore, karakteristike për banorët e saj. Studiues të shumtë të gjuhës, veçanarisht Eqrem Çabej dhe Emil Lafe kanë hulumtuar të folmen e kësaj krahine, duke konkluduar se e folmja e banorëve të këtyre anëve, veçanarisht e fshatit Brisë, ka veçantitë e saj, rrënjët e së cilës deomos duhen zbuluar. Gjuhëtari Emil Lafe ka përgatitur disa kumtesa për të folmen e Nikaj Merturit që në vitet 70-të të shekullit të kaluar.
Kjo trevë e njohur në histori për besë, trimëri, mikpritje, ka nxjerrë edhe personalitetet të shquara të pushkës e penës, të cilët në pasaportën e shekullit të pavarësisë mbeten të skalitur me germa të arta. Nikaj Merturit i shkëlqejnë si margaritarë poetë, shkrimtarë, studiues dhe publicistë të talentuar që kanë bërë emër brenda e jashtë atdheut, profesorë me grada shkencore që me studimet e tyre të vlefshme në fusha të ndryshme kanë mbetur në fondin e artë të albanologjisë shqiptare. Nuk është e rastit që pikërisht në krahinën e Nikaj Merturit, më 1 maj 1917, u hap e para shkollë shqipe në Tropojë, nën vemendjen e atdhetarit Luigj Gurakuqi. Pra malësorët e këtyre anëve, të etur për dituri, vetëm 5 vjet pas themelimit të shtetit hapen shkollën shqipe, rrezen e parë të arsimit në Malësinë e Gjakovës. Ndonëse sivjet përkonte me jubileun e 95 vjetorit, askush nuk u kujtua për këtë datë të madhërishme historike.
Pamje nga Nikaj Mertur
Banorët e krahinës së Nikaj Merturit, provuan presione nga më të ndryshmet dhe më barbaret si nga pushtuesit turq me pushtetin e tyre politik, ashtu edhe nga kisha ortodokse serbe. Në ndryshim me disa fise të tjera të veriut, nikajmerturasit u përballën me çdo presion duke ruajtur gjuhën, kulturën shqiptare dhe fenë katolike si pjesë e rëndësishme e identitetit kombëtar.
Kjo zonë e thellë në alpet e veriut, kurrë nuk u ndikua nga përkatësia fetare e fiseve te tjera të kthyera ne besimin musliman, por kanë jetuar në fqinjësi të mirë, kanë kryer martesa sidomos Merturi me Krasniqen, kanë shkuar historikisht për festa te njëri tjetri e në luftë për mbrojtjen e vendit kanë qënë gjithmonë një fis. Si shembuj të tolerancës fetare kujtohen ende sot miqësitë mes tyre të priftit të Rajës me hoxhën e Dushajve, mbase ky një rast unikal i bashkëveprimeve të përbashkëta me besime të ndryshme.
Në Nikaj Mertur janë kremtuar dhe vazhdojnë të kremtohen festat fetare te besimit katolik sipas shenjëtorëve të krishtërimit, të cilat janë kthyer në një traditë tashmë mbarë popullore, të cilët as në kohën e persekutimit të fesë në vitin 1967 nga sistemi komunist nuk e ndaluan kremtimin e festave fetare, e ndonëse rrënimi i kishave dhe mungesa e priftërinjve për një kohë të gjatë kishin tronditur rregullimin kishtar e shoqëror, në shpirtin e malësorërve u ruajt dhe u kultivua në breza besimi.
Curraj i Epërm, Nikaj Mertur
Dëshmitë arkeologjike tregojnë se kjo hapësirë gjeografike që i përket regjionit të krahinës së Nikaj Merturit, ka qënë e banuar qysh në kohën e bronxit të vonë, rreth 1200-1000 vjet para Krishtit. Dokumentet kishtare tregojnë se dioqeza e Pultit, në të cilën bën pjesë Nikaj Merturi, themeluar në vitin 877, është nga më të vjetrat në Shqipëri. Për gati dy shekuj pultjanët përballuan trysninë asimiluese të pushtetit politik dhe kishës ortodokse serbe, duke ruajtur gjuhën, kulturën dhe fenë katolike si pjesë e rëndësishme e identitetit kombëtar.
Islamizimi i Gashit dhe i Krasniqes, në gjysmën e parë të shekullit të XVIII-të, e vuri Nikaj Merurin në ballë të luftës antiosmane për ruajtjen e autonomisë vetëqeverisëse dhe të krishtërimit në skajin verilindor të dioçezës së Pultit. Danielo Farlati në veprën “Iliria e Shenjtë” thotë se gjatë viteve 1690-1773 Salca, Toplana, Dushmani, Bjakja dhe gjithë fiset në Pult besnikërisht lëvronin fenë katolike. Kishat ishin vende kuvendesh e besëlidhjesh midis burrave të katundit ose të fisit. Kështu, ato përveç karakterit religjioz, kishin edhe vlera historiko-shoqërore.
Edhe në këto ditë pranvere, teksa bjeshkët jane veshur me petkun e pranruar te stines, vargmalet mbi këtë tokë dardane që quhet Nikaj Mertur presin krahëhapur si gjithmonë bijtë dhe bijat e saj, e zogjtë cicërojnë në vetminë e shkretë, zanat dhe shtojzovallet ia marrin valles vendçe, kullat e shkretuara në Curraj Epër apelojnë t’u kthehen banorët e përhershëm, bashkëkrahinasit e mi krenohen për rrugën e mundimshme që lartësuan gjatë historisë për të arritur në identitetin e tyre të pamohueshëm për të ardhmen e brezave të pashuar të kësaj race te pastër shqiptare.
* Jutbina, ose Utbine, është një zonë në alpet e Kroacisë, afër Gospiçit. Me siguri, popujt ilirë i kanë ruajtur traditat e tyre edhe në distancë të largët me njëri-tjetrin… Atje në atë rrafshnaltë malore kemi ndeshur në njerëz edhe në kohët e sotme, që flasin shqip…/AÇ