Shenasi Rama
Një nga ato lajmet që u dukën jashtë kontekstit ishte edhe vizita e Ministres Xhacka në Uashington. Ministrja po ofronte të gjitha çka mund të ofronte shteti shqiptar në nivel ushtarak: baza ajrore, detare dhe tokësore. Dhe kjo kaloi pa shumë zhurmë në media. Në fakt u interpretua si një kapricio ose një përpjekje thjesht politike e kryeministrit për të fituar apo rifituar mbështetjen e SHBA.
Lajmi për ministren dhe qëllimin e vizitës ka kaluar por ajo lëvizje politike ishte shumë e rëndësishme. Në më shumë se një mënyrë, efektet e asaj vizite do të jenë shumë afatgjata për Shqipërinë dhe aleancat e saj. Ku është loja? Edhe pse pa shumë informacion, do të thoja se ndër shumë probleme të mprehta, një nga problemet me akute është se ku do të shkojnë instalimet dhe bazat si dhe 82 armët bërthamore që janë në bazën Incirlik në Turqi? Turqit (por edhe rusët) i duan këto armë dhe sisteme jashtë Turqisë. Greqia nuk ka baza të tilla që nuk janë të sulmueshme nga Mesdheu dhe vetë Araxos është e hapur ndaj rusëve që pikërisht këto ditë kanë stacionuar dy frigata me raketa Kalibër (rreze të mesme) në Mesdhe dhe kështu mbajnë peng çdo projekt të tillë. Mesdheu eshte det i hapur, Adriatiku e Joni jane dete te mbyllura. Shto këtu që Skrapari, Gramshi e Biza janë shumë më të mrbojtshme e të sigurta se çdo zonë tjetër e krahasueshme në Greqi. dhe aeroportet e Vlores, Kuçoves dhe Kukesit jane te desinjuara qe te jene shumefunksionale. E kështu me radhë.
Në thelb për çdo planifikues strategjik dhe ushtarak janë tre zgjidhje, ku mund të vendoset këto sisteme, baza dhe instalime: Rumania, Greqia, dhe Shqipëria. Mirëpo projekti do të jetë sa ushtarak aq edhe politik. Rumania është jashtë ekuacionit, sepse çdo vendosje armësh bërthamore do të ngrinte dyshimet obsesive të Rusëve për përdorimin e dyfishtë të pajisjeve të mbrojtjes kundër-raketore që janë në Rumani. E kështu, janë tre zgjidhje që tashmë po marrin formën përfundimtare.
Në një anë është Greqia. Grekët kanë ofruar bazën e tyre në Araxos në Peloponez. Duke kërkuar të balancojë BE, SHBA dhe Rusinë, grekët duan më të mirën e të gjithë të mirave në nivel strategjik. Jo se nuk ka baza të tjera, por vendosja e bazës së SHBA në Araxos do të kishte përfitime shumë të mëdha për grekët. E para, do të ishte një garanci kundër turqve, obsesioni i tyre ekzistencial dhe interesi i tyre jetik. E dyta, do të balanconte influencën e BE dhe të rriste mundësinë e një vëmëndje më të ndryshme nga BE, institucionet financiare dhe faktorë të tjerë që për kaq kohë e kanë vënë Greqinë në karantinë. Dhe në fund, do të rriste në nivel edhe më joproporcional influencën greke mbi vendet e Ballkanit e natyrisht edhe mbi Shqipërinë.
Në anën tjetër është Shqipëria. Duke ofruar të gjitha bazat, pa kushte e pa asnjë mëdyshje, qeveria shqiptare po ndjek të njëjtën taktikë si qeveria greke. Vendosja e sistemeve, bazave dhe instalimeve dhe e 82 armëve bërthamore, do të rriste sigurinë e shtetit shqiptar dhe do të ngushtonte hapësirën e mundësinë e shtetit grek për të influencuar qeverinë e brishtë vllaho-bizantino-jeniçere dhe parinë e Tiranës. Do të ishte një garanci për qeverinë e Tiranës që llogarit se SHBA do të bëhen pragmatike dhe do të pranojnë të gjitha për hir të interesit strategjik. Do të rriste peshën e fuqinë në negociatat e ngrira për detin e naftën, ku janë në lojë 470 miliardë në rezerva gazi e nafte. Do të ishte një ndihmesë për Turqinë që kështu do të shihte se grekët nuk marrin atë që duan dhe nuk kanë atë mbështetje strategjike që dëshërojnë të kenë nga SHBA. Dhe kjo balancon politikën e hapjes si nga Lindja ashtu edhe nga Perëndimi. Nëse merr bazat ushtarake SHBA, nuk do të ketë shumë problem në se shqiptarët blejnë miell rus apo plastikë kineze. Dhe natyrisht, me garancitë e parisë, vjen edhe garancia që kërkon paria se nuk do të preken interesat e saj.
Në qëndër është SHBA që ka tre mundësi zhvendosjeje strategjike të sistemeve, bazave dhe instalimeve.
Një, çdo lëvizje nga ana e Greqisë do të krijonte si parakushte për të mbështetur grekët por edhe do të krijonte një interes jetik të SHBA, që do të ngushtonte shumë hapësirën e grekëve për manovra diplomatike e politike. Kjo do të kishte efekt në të gjithë drejtimet.
Dy, çdo lëvizje me orientim nga ana e Shqipërisë do të ishte me të njëjta efekte por nga interesat shqiptare, dhe kështu do të bëhej e nevojshme që të krijoheshin premisat e stabilizimit të shtetit shqiptar nën udhëheqjen e tanishme që nuk ka asnjë kundërshtar serioz.
Tre, ka edhe një mundësi të një krijimi të një hapësire të përbashkët strategjike. Efektet do të ishin që asnjë palë, d.m.th. as grekët dhe as shqiptarët, nuk merr atë që don. NATO mund të jetë çadra që mbulon edhe këtë hapësirë. Ama niveli i fuqisë së shqiptarëve vjen duke u rritur sidomos në negociatat për detin e fushën gazmbajtëse e naftëmbajtëse. Dhe natyrisht janë të gjithë efektet anësore, që i kam paraqitur diku tjetër.
Të gjithë palët kanë luajtur fort dhe do të luajnë edhe më fort në ditët e ardhshme, sepse ky nuk është problem i vogël apo i thjeshtë. Ka marrëveshje që do të zbatohen por ka interesa që nuk mund të injorohen dhe këtu, për shqiptarët vjen në ndihmë Zoti, Natyra dhe pozicioni gjeostrategjik. Zhurma që bëhet në Tiranë nuk duhet të na bëjë të harrojmë se edhe pse kemi një shtet të dobët, ka mundësi që të luhet loja siç duhet, për të nxjrrë atë që duhet dhe në interes jetik të shqiptarëve. Në këtë drejtim, edhe duke konsideruar sa proruse është paria greke, e natyrisht edhe paria e tiranës, por dhe sa proamerikan është kombi shqiptar dhe sa anti-amerikanë janë grekët, duket se do të bëhen zgjidhjet e duhura.
Ndërkohë, pavarësisht aspekteve të tjera të diskutueshme të sjelljes së tyre, në këtë rast, këta që drejtojnë shtetin kanë marrë vendimet e duhura duke bërë çdo gjë që të mos vendosin pa u vendosur ajo që duhet. Dhe për këtë Edi Rama dhe Ditmir Bushati meritojnë të përgëzohen. Shtetet e vogla duhet ta kthejnë nga fryn era dhe pa mëdyshje. Me dështimin e projektit të BE zgjidhja e vetme që do të shihet si e asrsyeshme është orientimi nga SHBA. Edhe pse rusët i kanë në zemër, dhe kanë interesa të përbashkëta me ta, interesi i tyre është të kenë një shtet, që nuk është tërësisht i kontrollueshëm nga vetëm një fuqi e madhe.