LUTJET SHIGJETORE

0
869

Përgatiti: Nikolin Sh. Lëmezhi
Vëllazëria Jeruzalemi i Ri
Shkodër, më 22.05.2018

KUPTIMI I FJALËS “SHIGJETORE” NË PËRSHPIRTËRI

Thuhet “shigjetore” në shqip dhe vjen nga italishtja “giaculatoria” dhe kjo e fundit nga latinishtja iaculatoria (që hidhet, gjuhet drejt Hyjit).
Nga vetë rrënja e fjalës (etimologjia), do të thotë “lutje që hidhen apo gjuhen si shigjetë” drejt Zotit.

Shigjetorja është një lutje e shkurtër, që zakonisht thuhet përmendësh, me zë ose me mendje, dhe është për t’u përsëritur shpesh. Recitimi (ose më mirë lutja) i shigjetoreve është një praktikë tipike e përshpirtërisë popullore; ato zakonisht kanë një përmbajtje të thjeshtë dhe të qartë. Shpesh janë të thurura me rimë për të lehtësuar memorizimin e tyre.

Anna Shaffer thoshte se recitimi i tyre lehtëson jo pak mundimet që vuajnë shpirtrat e Purgatorit. Në vijim do të japim disa shigjetore dhe rrethanat në të cilat mund të thuhen.

Atë Zazzara pohonte se Shën Filip Neri i lëvdonte shumë shigjetoret, dhe në kohë të ndryshme të vitit ia mësonte dhe e bënte t’i thoshte çdo ditë, herë një, herë një tjetër, që ta mbante të gjallë mendimin në praninë hyjnore dhe që të nxiste besimin e plotë në Hyjin këshillonte si tejet të dobishme disa lutje të shkurtra duke i gjuajtur drejt Qiellit shpeshherë gjatë ditës, për ta lartësuar mendjen tek Hyji duke u shkëputur kështu nga baltat e botës:

e kush i praktikon, ka për të marrë fryte të pabesueshme me pak lodhje.

Disa prej këtyre shigjetoreve po jua propozojmë në vijim.

SHIGJETORE
LUTJE TË SHUMIMIT

(Ose Nëntëditëshe Shigjetoresh)

Janë 33 shigjetore për t’u lutur secila për 33 herë në nder të 33 viteve të Zotit. Ashtu sikurse Jezusi, në Mëshirën e Tij, kur nevojitej buka, e shumoi atë, tani, që ka nevojë për lutje, sepse e keqja po përhapet, Ai do të shumojë edhe fuqinë e lutjes, nëse bëhet me besim. Nëntëditëshet e shigjetoreve janë zbuluar posaçërisht të dobishme për të fituar çdo hir, me kusht që të vlejnë për shpirtin.

NËNTËDITËSHE SHIGJETORESH

Fillimisht luten Besoj˗mja, Ati ynë, Të falemi Mari dhe një Lavdi Atit.
Zgjidhet një shigjetore dhe përsëritet 33 herë. (për nëntë ditë rresht)

Mund të bëhen nëntëditëshe me disa shigjetore duke i lutur të gjitha, madje edhe të 33 shigjetoret për 33 herë. (gjithnjë për nëntë ditë rresht)

33 Lutjet e Shumimit janë si në vijim:

O Mari e zënë pa mëkat, lutu për ne që të vijmë tek Ti!

Zemër e Papërlyer e Marisë,
lutu për ne, tash e në fill të vdekjes sonë!

Mundimi i Shenjtë i Zotit Tonë Jezu Krisht, na shpëto!

Zemrat e Shenjta të Jezusit e të Marisë, na mbroni!

Le të ndritë mbi ne, o Zot,
drita e fytyrës sate! (Ps. 4, 7)

Rri me ne, o Zot!

Nëna ime, besimi im dhe shpresa ime,
në Ty lëshohem e dorëzohem krejtësisht!

Jezus e Maria, ju dua! Shpëtoni shpirtra!

Kryqi qoftë drita ime!

O Shën Jozef, pajtor i Kishës së Gjithëmbarshme!
Ruaji familjet tona!

Eja, o Zot Jezus!

O Jezus Fëmijë, më fal!
O Jezus Fëmijë, më beko!

O Provani Tejet e Shenjtë e Hyjit,
na shiko në nevojat tona të pranishme!

O Gjak e Ujë, që shpërthen nga Zemra e Jezusit,
si burim i mëshirës për ne!
Unë besoj në Ty!

Hyji im, unë Të dua dhe Të falënderoj!

O Jezus, Mbret i të gjitha Kombeve, Mbretëria Jote u pranoftë mbi tokë!

O Shën Mikael Kryeengjëll,
Mbrojtës i Mbretërisë së Krishtit mbi tokë, na mbro!

Ki mëshirë për mua, o Zot, ki mëshirë për mua!

Qoftë lëvduar e nderuar në çdo moment Jezusi në Sakramentin Tejet të Shenjtë!

Eja, o Shpirt Shenjt, e ripërtërije fytyrën e tokës!

Shenjtër dhe Shenjtëresha të Hyjit, na e tregoni udhën e Ungjillit!

Shpirtra të Shenjtë të Purgatorit, ndërmjetësoni për ne!

O Zot, zbrazi mbi botën mbarë thesaret e Mëshirës Sate të pafund!

Të adhuroj, o Zot Jezu Krisht dhe Të bekoj, sepse me Kryqin Tënd të Shenjtë ke shëlbuar botën mbarë!

Ati im, Atë i mirë, Ty të kushtohem, Ty të dhurohem!

O Jezus më shpëto, për dashuri të Lotëve të Nënës Sate të Shenjtë!

Ardhtë Mbretëria Jote, o Zot dhe u bëftë Vullneti Yt!

O Hyj, Shpëtimtar i Kryqëzuar, më ndiz me dashuri, me besim dhe guxim për shpëtimin e vëllezërve!

O Hyj, na i fal mëkatet tona, shëroji plagët tona e ripërtërij zemrat tona, që të mund të jemi një gjë e vetme në Ty!

Engjëj të Shenjtë Rojtarë, na ruani nga të gjitha kurthet e të ligut!

I qoftë lavdi Atit, e Birit e Shpirtit Shenjt!

Hyji i çdo ngushëllimi na dhashtë Paqen e Tij në ditët tona e na mbushtë me Dashurinë e Shpirtit Shenjt!

Atë i Amshuar, unë po të kushtoj Gjakun Tejet të Çmuar të Jezusit, në bashkim me të gjitha Meshët e Shenjta të kremtuara sot në botë, për të gjithë shpirtrat e Shenjtë të Purgatorit, për mëkatarët e të gjithë botës, të Kishës së Gjithëmbarshme, të shtëpisë sime dhe të familjes sime!