“A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë,
që të mbrojë nderin e shqiptarit!”
Nga Frank Shkreli
“A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit!”, ishte kjo thirrja për solidaritet, e cila ndezi revoltën e Spaçit. Të hënën u shënua në Shqipëri 45-vjetori i revoltës anti-komuniste, në njërin prej burgjeve më të këqia të regjimit komunist të Enver Hoxhës, në Spaç, filluar më 21 maj të vitit 1973 e që zgjati 3 ditë. Në librin e tij, “Rrno vetëm për me tregue”, At Zef Pllumi e kujton kështu revoltën e Spaçit: “Në kamp gjeta shumë të burgosun që i kishin pru aty mbas revoltës së Spaçit. Prej tyne mora vesht se ishin pushkatue Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko e Hajri Pashaj. Revolta e Spaçit duhet të renditet në historinë tonë kombëtare si të gjitha revoltat e skllavëve që kërkuen lirinë, edhe pse nuk ia duelën me fitue. Këta katër dëshmorë kjenë të parët heroj që, mbas gadi dhetë vjet robnie, zgjuen e ndezën idealin e lirisë në këtë popull të shtypun që kishte humbë çdo shpresë nga kultivimi i servilizmit ndaj tiranit.”
At Zef Pllumi vazhdon tregimin se si kishte filluar revolta në Spaç, sipas të dhënave të shokëve të tij që kishte takuar në burg: “Me 21 maj Pal Zefi, nji i dënuem në birucë, përfitoi nga pakujdesi i policëve që e kishin lanë derën pa çelës e duel jashtë; mandej hini në kamp, u ngjit mbi tarracën e mensës, që shërbente si oborr. Dy policë u kujtuen për shkeljen e rregullores nga Pali, hinë në kamp, u ngjitën në tarracë, e kapën Palin për krahi, por ai rezistoi. Nuk donte kurrsesi me u kthye në birucë. Atëhere të dy policët filluen me e rrahë tmerrsisht, në sy të të gjithve. Pali lëshoi kushtrimin: “A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë që të mbrojë nderin e shqiptarit!” Mbas asaj thirrje dëshprimi, tregon At Zef Pllumi, “U çue në kambë Paulin Vata dhe Paulo Popa, që të dy nga rrethinat e Shkodrës. Këta i paralizuen policët dhe morën në mbrojtje Pal Zefin.
Meta në Spaç
Me atë rast, të burgosurit anti-komunistë shpalosën, në terracën e burgut, një flamur të Gjergj Kastriotit -Skënderbeut — pa yllin komunist — duke kënduar dhe duke hedhur parrulla kundër diktaturës enveriste. Siç mund të merret me mendë, revolta u shtyp me dhunë e gjak, shkruan At Pllumi. Përfundimi i shtypjes së revoltës ishte: katër nga të burgosurit u dënuan me pushkatim, 8 të burgosur u ri-dënuan me 25 vjet shtesë, 70 të tjerë u arrestuan dhe u rigjykuan. Katër prej tyre që e paguan revoltën me jetë kanë qenë Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajro Pashai. “Akti vetëmohues i martirëve të demokracisë, Hajro Pashai, Dervish Bejko, Pal Zefi, Skënder Daja dhe gjithë kryengritësve të Revoltës së Spaçit ishte shkreptima që ndriçoi në errësirën e kohës egërsinë dhe të vërtetën e hidhur të shtetit totalitar”, u shpreh me këtë rast Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta.
Kjo pra ishte një “Ditë kujtese por edhe reflektimi”, siç e cilësoi këtë përvjetor, Presidenti shqiptar, Z. Ilir Meta, i cili mori pjesë në ceremoninë përkujtimore në ish-burgun famëkeq të Spaçit. “Heronjtë e Spaçit sakrifikuan jetën dhe vitet e tyre më të bukura në mbrojtje të dinjitetit njerëzor, të lirisë dhe të së vërtetës! Në kujtesën e kombit ata do të jenë shembuj të vetëdijes qytetare dhe kombëtare për të ardhmen”, është shprehur Presidenti Meta. Njoftohet se Presidentit Meta iu bashkuan me këtë rast, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, autoritetet vendore dhe Ambasadorja e Bashkimit Evropian (BE) në Tiranë, Romana Vlahutin.
Përfaqsuesja e (BE), Zonja Vlahutin, në fjalën e hapjes në përkujtimin e 45-vjetorit të revoltës së Spaçit, shprehu respektin e saj – si përfaqsuese e BE-së dhe si qytetare e thjeshtë e Evropës – për të gjithë ata, “Që u përndoqën, u torturuan dhe u vranë sepse dëshironin vetëm një gjë: të jetonin si njerëz të lirë, me dinjitet”. Zonja Romana Vlahutin e përfundoi fjalën e saj: “Nuk ka vend më të rëndësishëm se ky sot, 45 vjet pas revoltës së madhe, për të na kujtuar punën e ardhshme. 45 vjet më parë, të burgosurit e Spaçit kërkuan Evropën. Është koha ta nderojmë guximin e tyre pa asnjë kompromis… Spaçi duhet ruajtur si një vend kujtese në mënyrë që brezat e ardhshëm të mësojnë se çfarë ka ndodhur në këtë vend”, ka thënë ajo.
Vlautin në Spaç
Ndërsa Presidenti Meta ka vazhduar fjalën e tij të rastit duke theksuar se, “Në këtë aspekt, trajtimi me objektivitet dhe paanshmëri i të vërtetave historike merr një rëndësi të veçantë. Ne jemi një komb evropian dhe historia jonë nuk mund të trajtohet jashtë perspektivës evropiane të Shqipërisë.” Presidenti i Republikës së Shqipërisë, në 45-vjetorin e revoltës anti-komuniste në Spaç, tha se, “Përballja me të shkuarën dhe çlirimi i shoqërisë nga makthi i krimeve të diktaturës ngelet prioritet serioz për të gjithë politikën dhe shoqërinë tonë”, dhe ka shtuar se, “Përvoja botërore na mëson se tragjeditë e së kaluarës, nëse harrohen, janë të destinuara të rikthehen, në një formë apo mënyrë tjetër”.
Në fjalimin e tij me këtë rast, Presidenti Meta u angazhua gjithashtu – si përfaqsuesi më i lartë i shtetit shqiptar — se do të mbështesë iniciativa për zbulimin e të vërtetës dhe për kujtimin e viktimave të komunizmit, ndërsa iu drejtua pjesëmarrësve duke thënë se, “E vlerësoj lart misionin tuaj për ndriçimin e së vërtetës së përndjekjes dhe të terrorit të diktaturës komuniste, për lartësimin e figurave të rezistencës demokratike dhe do të mbështes çdo nismë për ndërtimin e përmendoreve përkujtimore dhe në veçanti, të Muzeut të Burgut të Spaçit”, për të nderuar heronjtë e Spaçit të cilët “Para 45 vjetëve zgjodhën simbol të aspiratës së tyre flamurin kuq e zi të Skënderbeut! Këtu në Spaç ra për herë të parë ylli komunist, i cili do të binte një herë e përgjithmonë nga flamuri ynë kombëtar në dhjetor të vitit 1990. Sot ky flamur padyshim që është një plotësim i ëndrrës së heronjve të Spaçit për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe evropiane”, ka theksuar Presidenti Meta.
Ishte, pikërisht, “Këtu në Spaç që ra për herë të parë ylli komunist, i cili do të binte një herë e përgjithmonë nga flamuri ynë kombëtar, në dhjetor të vitit 1990”, deklaroi Z. Meta. Aty në vendin e krimeve, abuzimeve dhe vuajtjeve të tmershme të shkaktuara nga shqiptarët kundër shqiptarëve, pikërisht aty në Spaç.
Ka shumë njerëz që thonë se shqiptarët nuk rezistuan kundër regjimit kriminal të Enver Hoxhës. Nuk e kundërshtuan atë regjim megjithë të këqiat e tija, se shqiptarët nenshtrohen kollaj para së keqes, e tjera, thonë ata. Është e vërtetë se në Shqipëri nuk pati revolta të mëdha as grupe disidentësh të organizuara kundër njërit prej regjimeve komuniste më të tmershme, ashtu siç ndodhi anë e mbanë ish-botës komuniste. Nuk kishte një revolucion të tipit hungarez, as një kryengritje të puntorëve si ajo në Gjermaninë lindore, ose organizime e lëvizje siç ishte sindikata polake Solidarnost e puntorëve, ose Karta 77 e të drejtave të njeriut në Çekosllovaki, objektivi i të cilave ishte rrëzimi i komunizmit kombëtar dhe ndërkombëtar. Por, megjithkëtë, nuk besoj se mund të thuhet se shqiptarët nuk e rezistuan komunizmin.
Ngritja e flamurit pa yll…
Ja, shqiptarët patën revoltën e Spaçit dhe të Qafë Barit, por ka pasur edhe të tjera, me dhjetra mijëra revolta individuale shqiptarësh gjatë pothuaj gjysëm shekull komunizëm, që përballoheshin me një regjim kriminal, i cili për një fjalë goje dënonte shqiptarët e pafajshëm — gjyq e pa gjyqë — duke i dërguar në kampet e punës dhe të përqëndrimit, si dhe në burgjet e shumta anë e mbanë Shqipërisë, për qëndrimet dhe pikëpamjet e tyre, vetëm e vetëm, se aspironin një Shqipëri ndryshe, të lirë dhe demokratike. Burgjet dhe kampet ishin plot me shqiptarë të tillë anti- komunist deri në ditët e fundit të atij regjimi. Kështuqë nuk ka munguar rezistenca dhe si pasojë as viktimat e komunizmit dhe heronjtë e demokracisë në Shqipëri, siç ishin ata të Spaçit.
Fatkqesisht, ajo që ka munguar në këto pothuaj 30-vjet post-komunizëm është, pikërisht, kujtimi i vërtetë i këtyre viktimave të pafajshme të diktaturës komuniste nga mbarë klasa politike shqiptare, pa dallim, ashtu siç kanë bërë ish-vendet komuniste evropiane. Le të shpresojmë që vizita e Presidentit të Republikës, Z. Ilir Meta, pjesëmarrja e tij në ceremoninë përkujtimore të 45-vjetorit të revoltës së Spaçit, si dhe vizita e paraadhësit të tij, ish-Presidentit Bujar Nishani në Spaç më 2015, të shërbejnë, më në fund, si një shenjë e “Unitetit shoqëror, paqës dhe mirëkuptimit social, atribute të shoqërive të hapura, që nuk harrojnë tragjeditë e së shkuarës, që respektojnë njëri-tjetrin dhe kontribuojnë së bashku kundër çdo forme despotike të qeverisjes”, siç u shpreh Z. Meta në Spaç.
Duke kujtuar kushtrimin që ndezi revoltën e Spaçit – dhe megjithë fjalët fisnike të dy presidentëve shqiptarë në vizitat e tyre në Spaç — jemi në pritje për pothuaj 30-vjet tani për një përgjigje ndaj pyetjes që ende bën jehonë: “A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit!”, jo vetëm për të kujtuar viktimat e komunizmit dhe kundërshtarët e tij të përndjekur, por edhe për të shkruar dhe plotësuar historinë e vërtetë të periudhës së komunizmit. Pasi shpresa vdes e fundit, presim dhe shpresojmë, “Për Shqipërinë, që të burgosurit e Spaçit ëndërruan, për të cilën jetuan dhe vdiqën. Për Shqipërinë e lirisë njerëzore dhe prosperitetit. Për Shqipërinë pa frikë. Për Shqipërinë e së vërtetës dhe drejtësisë”, siç u shpreh edhe ambasadorja e BE-së në Tiranë, Z. Vlahutin në fjalimin që mbajti të henën në përkujtim të 45-vjetorit të revoltës anti-komuniste në Spaç.