VLERAT E VËRTETA NË NJË SHOQËRI DHE ANTI-VLERAT…

0
1550
Rruga Kol Idromeno - Street at night Old - Town Shkodra, Albania, Europe
Arben Çokaj
Arben Çokaj

Arben Çokaj

Po marr shkas për këtë shënim nga referenca e gazetës austriake “Die Presse“, që i ka bërë faqes sime Shkoder.net, si burim informacioni online për Shkodrën. Kur lexon shkrimin “Shkodra – një qytet që po ri-ngrihet” të autores Michaela Ortis, në fund të tij përfshihen edhe disa sugjerime për Shqipërinë e Shkodrën, dhe aty jepet vetëm një uebfaqe si referencë për Shkodrën: www.shkoder.net. Kjo pa dyshim, më bën krenar për punën time disa vjeçare në krijimin dhe mbajtjen e kësaj ueb faqeje për Shkodrën dhe më gjerë.

Në këtë kontekst më kujtohet mendjelehtësia e disa vagabondave të Monellës, një faqe në FB, që merret me sharjen e çdo individi në Shkodër, që ata e projektojnë si objekt të talljes e përqeshjes së pështyrmës së tyre bajate… Niveli i tyre i ulët i kuptueshmërisë, mediokriteti banal, e ka kthyer në vlerë, fenomenin e sharjeve dhe të fyerjeve dhe të përçudnimit, që tregon në fakt, e fatkeqësisht, edhe një pjesë të atyre vlerave banale sub-urbane, që mban Shkodra sot. “35 km larg nga vija e verdhë e Shkodrës” – më thonin mua, për të më futur në komplekse me “qytetarinë e tyre të madhe”… :p

Ata më sulmuan krejt papritur, dhe unë e vërej këtë sulm nga një referencë, që një student shkodran në Lisbonë, i cili po përpiqet të gjejë vlerat reale për veten e tij, edhe pse në këtë përpjekje shpesh ai ngatërron edhe konceptet politike, sociale e kulturore, dhe i krahasoi aty monellat me mua, ose punën e tyre banale e denigruese të sharjes e fyerjes – pra, anti-vlerat, me përpjekjen time të përhershme ndërtuese të së mirës, ndërgjegjësuese, kritike ndaj së keqes dhe promovuese për vlerat reale e perëndimore, që shoqëria jonë duhet të ketë…

Normalisht se parimi im i punës ka qenë gjithmonë: “puno kot, më mirë se sa rri kot“. Dhe unë jo vetëm ueb faqen për Shkodrën, ueb faqja më standarde në internet për Shkodrën dhe më gjerë, e kam bërë si fillim në bashkëpunim me Sokol Ramën e disa miq dhe të afërm të mi, të cilët më ndihmuan në fillim, në vitet 1995-1996 e në vazhdim, pikërisht për të promovuar për botën një pjesë të atyre vlerave të mira, që ka Shkodra. Por formati i kësaj ueb-faqeje është i tillë, më shumë prezantues, dhe aktualizimi i saj nuk ka vazhduar ashtu siç edhe duhej në fakt, për të qenë në atë nivel, që e mendoja si filim, si një pikë lidhjeje për Shkodrën, në oqeanin e madh të ueb faqeve në internet.

Se puna, do shumë punë, nuk bëhet vetë e vetëm… E ajo që unë kam bërë është një punë e papaguar, e bërë nga dëshira e mirë… Paguhen njerëz në Bashkinë e Shkodrës, për ta përfaqësuar qytetin, por ju e shikoni, se ueb faqja e Bashkisë etj., nuk merret pra, edhe aq për referencë. E kjo nuk është gjë e mirë.

Referenca nga Die Presse

Më pas kam krijuar suplementin, Fjala e Lirë (Fjala.info), të Shkoder.net…, e cila merrem me publikimin në vazhdimësi të shkrimeve të përditshme, me karakter kombëtar, kulturor e më gjerë, për Shkodrën dhe shqiptarët në përgjithësi. Është një punë dhe investim i mbuluar plotësisht nga unë, me qëllimin e mirë, për të ndikuar, aq sa mund të ndikohet, në një orientim më racional të shoqërisë sonë!

Më kujtohet në një rast, kur një këshilltar i Jozefina Topallit, në atë kohë Kryetare e Kuvendit, më tregoi për Jozefinën: “ajo nuk dinte as edhe një urim ta shkruante vetë… kishte ndenjur nja 2 orë, sillu e pështillu, kur më thërret në zyrë. Shefki më thotë, a më ndihmon pak ta shkruaj këtë urimin… Dhe unë e ndihmova natyrisht…” – sqaronte ish këshilltari i Jozefinës. Dhe në biseda të herë pas herëshme me të, ai më pati thënë gjithashtu: “çfarë ka bërë Jozefina, më shumë se ti?

Pa dashur ta banalizoj këtë shënim të shkurtër (se po bie në gjurmët e Jozit, duke tërhequr për vete, e kritika ndaj saj këtu vetëm i rrit vlerat), me një referencë të pashijshme, për një grua shkodrane, egocentrike, mediokre dhe problematike, që fati e deshi e mori pushtet në një moment të caktuar historik, mund të them se secili bën të veten. “A mund të jesh psh. një pemë që bën hijen tënde, edhe pse një pemë e vogël, e jo bar i shkelur?!” – them unë me veten time… Por, syno gjithmonë të bësh kokra, produkt pozitiv, për veten e shoqërinë, e jo vetëm krime, hajni e abuzime… Se veprimet e një individi, pavarësisht pozicionit dhe rolit që ka në shoqëri, peshojnë për mirë e për keq në shoqëri, lënë gjurmë e referencë në këtë jetë të shkurtër, që secili prej nesh, e ka mbi këtë tokë…

Ha, ha, ha… se na shkrive gazit” – qeshte Rita Ndoci një herë në komentet e saj në FB, dhe një shoqja e saj shkodrane me origjinë nga jugu, e bija e një spiuni të kohës së xhaxhit, që kishin qenë shoqe edhe të Jozefinës dikur… “Po kush je ti, para Jozit more?, hahahahahaha…” – më merrnin për derdimen në mendjelehtësinë e tyre të vlerësimit momental si monellat e vagabonave, duke e shikuar me madhështinë e orientit (në ndjenjën mbisunduese inferiore që kanë), shoqen e tyre të dikurshme. Kupton se njeriu nuk ka vlerë sot, se ka mend, e punon mirë. Njeriu ka vlerë sot në shumicën e rasteve më shumë me “dukjen” e tij/saj, e jo me qëllimin e tij/saj në jetë. Dhe nuk ka dyshim, Jozefina kishte dukjen e vet në një moment, por për mua, pa esencën e duhur. Prandaj e përmenda edhe këtu në këtë kontekst, edhe pse emri i saj, se pse më jep mua e shumë të tjerëve një shije të keqe, sikur thua: “mos e përmend m…, se i vjen era…“.

Dhe ka shumë si Jozefina në shoqërinë tonë trasnzitore, edhe më keq se ajo. Por pritshëria ime nga kjo zonjë e Shkodrës ishte më e madhe, ndaj edhe u pata zhgënjyer keq. Këtu i lejoj vetes edhe një farë mirëbesimi të verbër. Kujdes. Njerëzit nuk janë gjithmonë, ata që duken… Se e shihja nga larg me madhështinë e Ritës, por kur u afrova, m’u duk aq e vogël e banale në meskinitetin e vet, saqë është e tepërt të merresh më me të. Ajo pati vlerën e vet, mblodhi disa pasuri për vete dhe perëndoi… as gazetarja austriake e “Die Presse“, nuk e vuri re fare, nuk e mori për referencë, as atë, as pronat e saj, e shoqet e saj… :p

Duke u marrë me kotësitë e kësaj jete, kotësitë e Shkodrës e më gjerë, shpeshherë njeriu zgjatet pa kuptim në trajtime të tilla, e bashkë me to zgjatet edhe shkrimi, duke i ulur vlerat e tij. Del jashtë kontekstit dhe merr një orientim pakuptim… Nuk është e lehtë ta kapësh vlerën racionale në shoqërinë tonë shqiptare. Ta tërheqin vëmendjen shpeshherë kotësitë dhe në fund e shikon se jeta kalon pa kuptimin e vet… Prandaj edhe jeta në Shkodër më duket se është banalizuar keq, pa produkt, pa konkurrencë vlerash, meskine, e përgojuar dhe e paragjykuar… si vetë korrupsioni apo rrugët me gropa, që ende nuk kemi mundur t’i rregullojmë plotësisht…

Shkodra po ringrihet – thotë gazetarja austriake, por me se merret ajo kur vjen në Shkodër? Me një trajtesë të kotësive të këtij qyteti, katolik e musliman, kishë e xhami, neurozat fetare janë vlerat më të dukshme të saj, por ku janë shqiptarët, ku janë shkodranët? Ku janë frabrikat, zhvillimi, shkollimi e dija? Shkodra ri-ngrihet vetëm me punë të mira dhe me produkt pozitiv! Edhe pse dikur në kohën e vet, Shkodra bëri emër, falë përpjekjeve të mëdha të një grupi intelektualësh, shumica priftërinj të kishës katolike ose të lidhur me të, të cilët lanë gjurmët e tyre me vlerë në trashëgiminë e kulturës sonë kombëtare. Ata i dhanë Shkodrës një emër, të cilin Shkodra sot nuk po mundet ta mbajë më me nder, si dikur! Pasi Shkodra e Shqipërisa sot gjenerojnë më shumë ferra, se lule, më shumë anti-vlera, se vlera reale e jetësore…

Dhe unë për të mos e humbur fillin, përmenda këtu disa prej tyre, për të treguar se ne kemi një problem. Duhet të dimë të zgjedhim të mirën në një shoqëri, të mirën në jetë. Të mos priremi vetëm drejt së keqes, drejt dukjes, drejt nekrofilisë e kulturave orientale, që po na e mbushin jetën me negativitet. Të ulim dozën e indoktrinimit të ligësisë në këtë vend, se ndryshe po i biem përditë vetes dhe marrim këtë jetë pa cilësi që kemi. Të bëjmë secili aq sa bëjmë, aq sa mundemi, ta bëjmë me ndjenjën e mirë, dhe frytet e mira nuk vojnojnë të vijnë një ditë…