Gruaja e nëpërkëmbur!

0
1235

Dionis Xhafa

Atë ditë bënte vapë. Kaq vapë bënte sa dielli dukej sikur lëshonte shigjeta. Kohë dreke. Verë. Kisha hipur tek një autobus që do të më çonte nga “Kthesa e Kamzës” drejt qendrës. Shumë pak njerëz në autobus. Ky autobus dukej sikur mezi lëvizte. Shoferi i zhytur qull në djersë sa duket veç donte të mbaronte turnin. E kush mund të dilte në atë orë në pikën e vapës. Fatorinoja sillej vërdallë nëpër mjet sikur të ishte ndonjë i hutuar. Unë u vendosa në mesin e autobusit. Po rrija qetë aty, pak i lodhur dhe duke shijuar paksa edhe zhurmën e motorrëve të mjetit në atë zhur vape. Pasi udhëtova për një stacion, pikërisht tek “Dogana” erdhën pasagjerë të veçantë. Një grua e re me tre kalamaj hyri brenda në autobus – dy i mbante për krahu kurse atë më të voglin në karrocë. Fëmijët e saj qanin me dënesë. Gruaja po qante edhe më keq se të vegjlit e saj, edhe pse herë pas here mundohej ta mbante veten dhe te tregohej sikur ishte e fortë. Kuptova se kjo grua kishte qarë kaq shumë sa pak qyrra i dilnin si dëshmi si për të treguar se ishte këputur së lotuari.

Gruaja ishte diku tek 35 vjeçe. Ajo ishte e thatë si një thane, e vuajtur dhe sa duket sapo e kishte rrahur bashkëshorti. Ky ishte momenti kur kjo grua e kishte marrë guximin që ti ikë bashkëshortit së bashku me fëmijët dhe ta denonconte dhunën që ushtrohej mbi të. Këtë gjë e kuptova pasi ajo sa duket po fliste në telefon me bashkëshortin ndërsa fëmijët nga ana tjetër ia kishin plasur të qarit me ulërima. Gruaja fliste me zë të tronditur të përzier me vaj. “Ke për ta mbajtur mend. Po zbres në Laprakë, do të iki në polici dhe do të të denoncoj. Boll të kam duruar. U bënë shumë herë që të kam toleruar. Nuk ka më. Të njëjtin zanat ke. Nuk ka më. Nuk të lejoj. Veç dorë ke. Edhe prindërit e mi të ulën dhe prapë nuk more vesh”, fliste gruaja në telefon dhe zëri i saj i dridhur ndërkaq kumbonte kudo në autobus.

Dukej tamam se ajo grua dramën e vet dhe të grave që dhunohen në këtë vend e kishte plasur m’u në rrugë. Ky realitet që unë po e shihja përgjithësisht fshihet dhe nuk tregohet. Por se tek ajo grua dhe tek fëmijët e saj dukej hapur. Gruaja e dëshmonte edhe në portret se ishte viktimë e dhunës. Ajo ishte kockë e lëkurë. Kishte veshur një bluzë të thjeshtë. Pak ishte e rrahur nga dielli i fortë kurse në kraharor dhe në shpatulla mundeshe të vije re pjesë trupi të dhunuara, të skuqura. Kështu gruaja mes ulërimave të kalamajve të vet dhe dënesës vajtonjëse të saj donte të zbriste në stacion. Autobusi u ndal. Gruaja më tha që ta zbres bashkë me të në tokë karrocën ku ndodhej foshnja më i vogël. E pashë gruan me shumë dhembshuri dhe foshnjën që e fillonte të qarën papushim, e mora njërën anë të karrocës dhe bëja të zbres në tokë. Dy fëmijët më të rritur ndërkohë kishin zbritur nga mjeti. Gruaja ndërsa zbriste bebin e saj në tokë së bashku me mua, akoma fliste në telefon me të shoqin. Gruaja ia numëroi me zë të dridhur një mijë të zezat që i kishin ardhur nga personi që e kishte në anën tjetër të telefonit. Derisa u dëgjua zëri i bashkëshortit. “Hajde moj në shtëpi”.

Burri i saj e thoshte këtë frazë me zë shumë të fortë dhe imponues. Ai sikur e dinte se bashkëshortja nuk do ta denonconte. Ai e dinte se bashkëshortja sapo t’i afrohej stacionit policor do të zbrapsej. Kjo sepse gruaja kishte frikë. Ajo kishte tre kalamaj dhe nuk mund t’i linte rrugëve. E dyta ishte se në rast se ndahej nuk mund ta mirrte dikush tjetër. Po tjetër arsye ishte se financat i vinin nga burri. E pra burri i saj e dinte se gruaja nuk do ta denonconte. Dhe ashtu u bë edhe në të vërtetë. Gruaja ishte dhunuar por se prapë nuk kishte fuqi të denonconte. Pasi ia zbres karrocën dhe ajo u ul në tokë bashkë me tre fëmijët, gruaja qëndroi për pak kohë aty. Foli edhe pak në telefon. Fëmijët veç qanin pa pushim. Gruaja e pa zonën se nga shkohej për tek rajoni policor, por se nuk i bënin këmbët të shkonte për andej. Përkundrazi mori rrugën në këmbë nga kishte ardhur.

Ashtu me shapka shtëpie siç ishte. Ah ata kalamaj! I pikonin mu në zemër dhe nuk mund t’i linte rrugëve. Ndarja e mundshme e saj nga bashkëshorti sigurt do të binte mbi ato qënie të pafajshme që qanin papushim. Kështu gruaja u nis për në shtëpi bashkë me fëmijët sapo bashkëshorti i tha në telefon se kur të mbërrijë në shtëpi nuk do ta gjente asgjë. Edhe me krim ajo qëndroi me bashkëshortin. Tragjedia e saj jetësore mundet që do të vazhdojë pasi ai burrë e dinte se bashkëshortja ishte e dobët në brendi të saj dhe ku i dihet – sërish mund ta rrihte si kafshë! Gruaja veç në dukje bënte sikur ishte e fortë, por se ajo ishte vërtetë e dobët, shumë e dobët. Nëna u dhunua dhe prapë u kthye në shtëpi për hir të fëmijëve. Ah fëmijët! Sa i dhimbseshin!