Po, unë e quajta Mitrovicën Arabi

0
552

Shkumbin KajtaziKultPlus.com, 17 MAJ 2018

Artikulli i djeshëm që qarkulloi nëpër të gjitha mediat kosovare, është shkruajtur nga gishtat e mi. S’jam pishman asnjë pikë. Mitrovica po bëhet si Arabia me të vërtetë. Më lini t’jua sqaroj…

Por para se ta trajtoj këtë detajisht, mund të them se dëshmi më e freskët e kesaj shoqërie të mbyllur, të cilën po e kritikoj, është pikërisht sulmi i ashpër pas shkrimit tim. Fyerjet e lincimet ndaj mendimit tim, dhe jo veç timit, që ngjan të jetë ndryshe, shërbejnë si alarm për shoqërinë tonë, ku secili pritet të mos e prekë vijën e përgjithshme të besimeve, ideve e qëndrimeve. Andaj, qëndrimi im s’mëton të jetë kundër fesë e fetarëve, por kundër mendjeve primitive të mbyllura, ku secilit individ i mohohet liria e shprehjes veç për hir të lirisë së tyre.

*
Kujt i ka rënë të kalojë nga Mitrovica dhe të flas me dhjetëra të rinj, e kupton se ata mendojnë fetarisht. Pra, të kërkosh një të ri mitrovicas, që mendon racionalisht dhe i pandikuar nga feja, është bast me rrezik të lartë. Kjo gjendje nuk mund të themi se është shfaqur tani. Për të jemi fajtorë të gjithë, e sidomos partitë që për hatër të votave u kanë servuar populizëm qytetarëve të saj.

Kujt i ka rënë të debatojë me të rinjtë mitrovicas, a një grua a burrë në moshë deri 35 vjeçare, e ka parë që ekziston një diskurs fetar. Kjo nuk ka ardhur krejt rastësisht. Kjo është pjellë, sidomos e partive politike, e në mënyrë sistematike edhe nga hoxhallarët që s’i kontrollon kush.

Kujt i ka rënë të kalojë nëpër Mitrovicë ditën e premte në mesditë, e ka parë që fetarizimi i Mitrovicës është në masë gati të pakontrollueshme, dhe për këtë kanë faj të gjithë, e sidomos partitë politike, që jepnin shembull shkuarjen nëpër faltore sa për t’u dukur të moralshëm e për të fituar një grusht vota. Në Mitrovicë, pra, nuk shkohet në faltore vetëm për besim. Aty shkohet për politikë, për trend e për ‘obligim shoqëror’.

*
Këto shpërfaqje arabizmash, dhe jo vetëm kaq (mund të rri gjithë ditën duke dhënë shembuj të tillë), e tregojnë se Mitrovica është një Arabi, nëse jo në funksionim institucional, në atë kulturor e fetar gjithsesi. E ndikimi kulturor është premisë kryesore që shtron shtratin e ideologjisë fetare deri në kufijtë e joracionales, që në rastin e fundit është krijimi i gjendjes që lokalet të mos servojnë pije alkoolike.

E kur jemi tek përdorimi i pijeve alkoolike, më duhet të them se është argument kryesor i sipërfaqësisë së të menduarit në Mitrovicë, e që e vërteton arabizimin e saj. Në një botë ku feja dhe dallimi konceptual mbi zotin sjellin mijëra të vdekur çdo ditë, mitrovicasit vendosin që në emër të këtyre koncepteve të shkelin lirinë individuale të njerëzve për të përdorur cilën pije të duan.

*
Për fund, më duhet të them se dhuna sistematike e një aparati kulturor të arabizuar, ka sjellë në Mitrovicë një gjendje të tillë që është zor të quhet edhe Arabi, pasi zor se është mjaftueshëm ilustruese.

Mitrovica, mbase mund të quhet Afganistan: Ai Afganistani që paraqitet në librat e Khaleed Hussein që shkatërrohet nga talibanët, dhe jo ai i Kairos së bukur të para luftës. Mitrovica mbase mund të quhet edhe Liban: Ai Libani që paraqitet në veprën ‘Hotel Bejruti” të Nehat Islamit, që tregon se si shkatërrohet një vend nga dallimet fetare, e jo ai i bukuri i paraluftës që kishte mbi 700 filiale bankash botërore.

Pra, Mitrovica mund të quhet me çfarëdo emri të Lindjes së Mesme, që është sinonim i shkatërrimit shoqëror dhe degradimit kulturor. Por, vetëm me disa emra nuk mund të quhet: Unë s’mund ta duroj më kurrë, që dikush para syve të mi t’i thotë këtij qyteti: Mitrovica e personaliteteve të shquara, Mitrovica e kulturës, e rokut…