NË LUDWIGSHAFEN PËRUROHET SHOQATA “ÇAMËRIA”

0
823

Kryesia e Shoqatës “Çamëria” më mysafirët pjesëmarrës

IDRIZ ZEQIRAJ

Shoqata “Çamëria Kosovë”, me kryetar Nexhmi Muçiqi, vazhdon të degëzoht edhe në Mërgatë. Tashmë, ajo hapi Degën e saj në Gjermani, me seli në Ludwigshafen, me kryetar Ismet Bajrami – Xhaka. Në përurimin e Shoqatës, merrnin pjesë: anëtari i Kryesisë të Shoqatës “Çamëria”, Haxhi Braho; këshilltari i kryetarit Nexhmi Muçiqi, Ismail Selmani, alias Komandant “Mala”, luftëtar i tri luftrave të fundit, përkatësisht, Kosovë, Iliridë, Kosovë Lindore; sekretari dhe nënkryetari i LDK-së në Rheinland Pfalz, përkatësisht, Lush Cana e Riza Zeqiraj; kryetari i aktivit të LDK-së në Ludwigshafen, Shaban Nikçi; kryetari i klubit kulturor “Hasan Prishtina”, Alush Zeqiraj; kryetari i klubit sportiv “Skënderbeu”, Rasim Lajçi; Shoqata “Sali Çekaj” në Pfaffenhofen të Bavarisë, e kryesuar nga Anëtari i Nderit, Idriz Zeqiraj si dhe qytetarë të Ludwigshafenit me rrethinë.

Salla e madhe në Frankenthall, ishte stolisur me shije dhe sens politik, e përgaditur nga Këshilli Organizativ i Shoqatës “Çamëria”. Në ballorën e skenës shquhej harta e copëzuar, aktualisht, pranë harta e Etnikumit Shqiptar. Çamëria pjesë e hartës së copëzuar. Histori e hidhur e trojeve shqiptare. Humbjet e Perandorisë turke në fushë-beteja me Rusinë, diktoi vullnetin ruso-sllav edhe në Ballkan. Pjesë të trungut shqiptar, iu falën fqinjëve lakmiqarë.

Çamëria mbeti brenda kufinjëve shtetëror të Greqisë. Kur i dhanë kumtin, lajmin Ismail Qemailit:
– “Kosovën e mori Serbia”. Plaku i Vlorës u mërzitë shumë.
– “Edhe Çamërinë e humbëm”, – i thanë atij. Plaku i urtë i Vlorës trime, nuk i mbajti lotët. Të habitur, të pranishmit e pyetën:
– “Ismail Bej, Ju u përmbajtët për humbjen e Kosovës së madhe dhe po lotoni për Çamërinë më të vogël?” Mjekërrbardhi Ismail Qemali u gjegj:
– “Në Kosovë shqiptarët janë aty, ndërsa Çamëria vazhdon të boshatiset dhunshëm”.

Dhe, vërtet, me Marrëveshjet e heshtura e konspirative greko-turke, bënin shkëmbimin e shqiptarëve të Çamërisë me grekët e Thrakës. Për sulmin italian në Greqi, si pretekst u përdor vrasja e shtetasit shqiptar Daut Hoxha, në kufirin greko-shqiptar. Pala greke akuzoi krerët nacionalistë të Çamërisë, si Aziz Çamin me shokë. Si hakmarrje karshi çamërve, Greqia filloi provokimet mbi popullatën e pambrojtur të shqiptarëve të Çamërisë.

Stuhia masive e përgjakshme ishte ajo e vitit 1945. Bandat e organizuara greke, nga gjenerali i zi, Napolon Zerva, therën e masakruan qindra burra, gra dhe fëmijë. Një fotografi e publikuar, kohëve të fundit, nga arkivi qendror anglez, shokoi botën, me grumbullin e fëmijëe shqiptarë-çamër të masakruar. Miëjra të tjerë morën arratinë, për në Shqipëri dhe Turqi. Shqipëria e rraskapitur, e dalë nga lufta civile, me një armiqësi masive të brendshme, duke i harruar fqinjët armiq, i strehoi çamërit nëpër baraka e magazina.

Në vitin 1951, me një dekret të veçantë, pa i pyetur fare çamërit, Qeveria Shqiptare e Enver Hoxhës, ua dha, dhunshëm, shtetësinë shqiptare. Disa syrësh patën guximin dhe kundërshtuan këtë akt të qeverisë shqiptare. Por, për ta shuar çfarëdo kundërshtie, gjykata komuniste i dënoi politikisht, madje, me vite të gjata burgimi.

Me dhënien e dhunshme të shtetësisë shqiptare, shteti grek deklarohet, duke iu referuar Kushtetutës vendore, se ata që marrin shtetësi të dytë, e humbasin shtetësinë greke. Kështu, Greqia ua hoqi shtetësinë çamërve, duke përdorur si dëshmi para botës, listën emërore të botuar në “Gazeta zyrtare shqiptare!

Dyshohet se idenë për t`u dhënë shtetësinë, në grup, çamërve, është intrigë kishtare greko-serbo-ruse. Përndryshe, është një djallëzi përfide, ku, me anë të një vendimi, siç është dhënia e shtetësisë çamërve, përfundimisht, i lënë ata pa trojet e tyre stërgjyshore, pa vendlindjen e tyre të shumëdashur – Çamërinë. Masakra e Tivarit dhe shtetësia e dhënë çamërve, konsiderohen dy nga kryetradhtitë më të mëdha kombëtare, të aventurierit filosllav Enver Hoxha, me byroistët e tij.

Sikur të mos mjaftonte gjëma e madhe e tragjedisë çame, pushteti komunist nismoi përgjimin, përndjekjen, arrestimet, dënimet drakonike të krerëve më të shquar çamër. Në vitet `60-a qeveria shqiptare organizoi, bujshëm, gjyqin politik momtazh, kundë admiralit të Flotës Shqiptare, Teme Sejko dhe kuadrit politik Tahir Demi, të cilët i çoi në plumb, pa asnjë bazë ligjore të fajësisë. Prej këtej filloi persekutimi dhe dënimi me burg i çamërve në grupe, për të vazhduar në vitet `70-a e `80-a. Të fundit të çamërve u liruan me demokracinë e viteve `90-a!

Nga e majta: Idriz Zeqiraj, Haxhi Braho, Sadedin Gubetini, Ismet Xhaka,
Ismail Selmani, Fahridin Tafallari, Kolë Mërturi, Alush Zeqiraj

Nën tingujt e intonimit të Flamurit kombëtar, u nderuan viktimat e terrorit genocidial, ndaj popullatës të martirizuar të Çamërisë, përgjatë shekullit 20-të.
Moderatori Sadedin Gubetini, njëherësh nënkryetar i Shoqatës “Çamëria”, në emër të organizatorit përshëndeti mysafirët, anëtarët e Kryesisë të Qendrës: Haxhi Braho e Ismail Selmani si dhe të gjithë të pranishmit. Fjalën ia dha kryetarit të Degës të Shoqatës “Çamëria” me seli në Ludigshafen, Gjermani, Ismet Bajrami – Xhaka:

“Ju përshëndes dhe ju uroj mirëseardhje në përurimin e Shoqatës “Çamëria”, me seli në Ludwigshafen. Një përshëndetje të veçantë kam për mysafirët e largët, zotërinjtë Haxhi Braho dhe Ismail Selmani, alias Komandant “Mala”. Jemi mbledhur sot për ta zyrtarizuar Degën e Shoqatës atdhetare “Çamëria, si pjesë përbërëse e Shoqatës Qendër, në Kosovë, me kryetar Nexhmi Muçiqi, të cilin e përshëndesim përzemërsisht.

Është dashur afër një shekull pritje, për ta parë Kosovën të lirë dhe shtet të pavarur. Por, kohërat kanë ndryshuar për të mirë, proceset po përshpëjtohen dhe demokracia po zgjerohet. Dhe, duhet të shpresojmë e besojmë, se edhe “Çështja Çame”, tashmë, e nxjerrë nga sirtarët, do të marrë rrugën drejtë zgjidhjes. Shoqata jonë, së bashku me Shoqatat simotra, me të njëjtin emër, do të punojmë me përkushtim, sipas udhëzimeve të Shoqatës “Çamëria”, në Kosovë.

Kryetari i Shoqatës “Çamëria”, Ismet Bajrami – Xhaka

Shqiptarët e Kosovës, madje, të kudondodhur, janë shumë të ndjeshëm, për fatin tragjik të Çamërisë dhe të popullatës çame, të sakatosur e syrgjynosur, përndjekur dhunshëm, nga trojet e tyre lindake. Prandaj, edhe janë të gatshëm, për çdo sakrificë, që popullata çame të kthehet në trojet stërgjyshore.
Ju ftoj t`i bashkangjitëni Shoqatës zëmirë “Çamëria” dhe të punojmë së bashku për “Çështjen Çame”, deri në realizimin e qëllimeve tona atdhetare e fisnike”,- tha, në mes tjerash, kryetari i Shoqatës “Çamëria”, Dega në Ludwigshafen, zotëri Ismet Xhaka.

Moderatori Gubetini fton në skenë veprimtarin e përkushtuar të Shoqatës “Çamëria Kosovë”, vëllain tonë, Haxhi Braho, me origjinë nga Filati i Çamërisë, tani i mërguar në cepin jugor të Italisë, pikërisht, në qytetin më të afërt me Shqipërinë, buzë detit Adriatik, Brindizin piktoresk. Me shënjen e veshjes kombëtare në kokë, i emocionuar, deri në përlotje, përshëndeti të pranishmit, tek të cilët përçoi emocione dashurie e dhimbjeje – njëherësh për Çamërinë e martirizuar, plagën dhe krenarinë tonë të përhershme.

Veprimtari i Shoqatës “Çamëria” Qendër, Haxhi Braho

Fjalë e lot zemre të çamit Haxhi Braho

“Të nderuar vëllezër, motra e miq pjesëmarrës, në këtë tubim të organizuar nga Shoqata “Çamëria Kosovë”, me Degën në Ludwigshafen, unë Haxhi Braho, ju sjell përgëzimet e komunitetit çamë, për inisjativën, që ju keni marrë për përkrahjen e Çështjes Çame dhe bashkimit kombëtar. Pranova me kënaqësi të madhe, anëtarsimin “Anëtar Nderi” i kësaj Shoqate, anëtarësim të cilin e mora me vullnetin e mirë të Shoqatës “Çamëria”, Dega në Ludwigshafen, në prani të kryetarit dhe nënkryetarit, përkatësisht, Ismet Xhaka e Sadedin Gubetinit.

Të dashur vëllezër dhe motra, miq të nderuar, tani, më lejoni të ju prezantoj “Çështjen Çame”:
Çamëria, që unë ndryshe dua ta quaj Shqipëria Jugore, është e banuar nga fisi ILIR i -Dhesprotëve-. Është vendi ku lindi i madhi Pirro i Epirit. Mbas tij, në Prevezë lindi udhëheqësi i madh i Jugut, Gjin Bue Shpata. Në kohën e Rilindjes Kombëtare, lindi Marko Boçari nga fisi i Suljotëve. Dhe, mbyllet me dy figura të ndritura çame, Abedin Pashë Dino, organizator i Lidhjes së Prizrenit, më 10 qershor 1978, dhe dijetarin, teologun, matematikanin Hasan Tahsini.

Në kohën moderne, në Luftën Nacional Çlirimtare, nga ne, komuniteti Çamë, ra në Kaninë të Vlorës, i pari hero i LNÇ Ali Demi, më 20 dhjetor 1943, para 75 vitesh.
Rreth viteve 1940-45 Jugu i Shqipërisë ose Çamëria, kishte një popullatë rreth 70 mijë banorë, e cila përbëhej nga 50% myslimanë, 45% ortodoksë shqiptarë dhe 5% minoritet grek, i cili banonte në rrethinat e qytetit të Artës.

E gjithë kjo krahinë fillon në veri me liqenin e “Butrintit” dhe vazhdon të shtrihet deri në “Tre gurët e zi” në Prevezë. Qendrat kryesore të banuara janë: Preveza, Parga, Arta, Margëlliçi, Paramëthia, Gumenica, me kryeqendër Filatin. Në “Koferencën e Ambasadorëve” në Londër, 2/3 mbetën jashtë trungut amë, Shqipërisë. Veriu ju dha pjesërisht Malit të Zi: Ulqini, Tivari, Tuzi, Plavë e Guci me fshatra.

Serbisë ju dha pjesa më e madhe: Kosova, Kosova Lindore, Ilirida.

Tokat e Shqipërisë në Jug, ku bënte pjesë Vilajeti i Janinës, me 15 mijë km katror, ju dhurua Greqisë. Në këtë Vilajet bënë pjesë edhe Shqipëria e Jugut, pra, Çamëria.
Duke pasur 50% myslimanë në Jug të Shqipërisë, Greqia na kosideroi si popullatë turke, në një kohë ku ne jemi shqiptarë autoktonë, vendorë. Duke na trajtuar si të tillë, turq, në vitin 1923, dy shtetet, Turqi – Greqi, bënë ndërrimin e popullatës me të ashtuquajturin “Traktati i Lozanës”, firmosur nga kryeministri Qemal Ata Turk dhe Venizellos. Më 1924-25 filloi shpërngulja e çamërve myslimanë, në drejtim të Izmirit të Turqisë. Në këtë kohë ndërhynë shteti shqiptar, gjegjësisht, Mbreti Zog dhe e bën problem në OKB dhe kjo shpërngulje ndërpritet.

Në Luftën e Dytë Botërore, Greqia shfyrytëzoi rastin dhe rrethanat e krijuara, për të bërë spastrimin etnik, duke ushtruar një genocid të vërtetë. Si pasojë e këtij genocidi, mbetën të vrarë dhe të masakruar, rreth 5 (pesë) mijë çamër, nga këta shumë ishin pleq, gra dhe fëmijë. Këtë spastrim etnik, e mori përsipër gjenerali famëkeq Napolon Zerva, me një ushtri prej 12 mijë pjestarë, në bashkëpunim me forcat naziste gjermane.

Ju falenderoj në emër të popullatës Çame, të kudondodhur, për mbështetjen tuaj vëllazërore dhe të pakompromis, që, ne, çamët të kthehemi në vatrat tona dhe t`i bashkohemi trungut amë, Shqipërisë.
Rroftë Shoqata “Çamëria” në Kosovë dhe Diasporë! Rroft Shqipëria Etnike”,- përmbylli fjalën e tij përmbajtësore, veprimtari i shquar i Shoqatës “Çamëria – Kosovë”, Haxh Braho.

Këshilltari politik i kryetarit të Shoqatës “Çamëri – Kosovë”, Ismail Selmani

Moderatori Sadedin Gubetini: “Tani prezantoj para jush një njeri, paksa, të veçantë. Ky është Ismail Selmani, i lindur në Jazhincë të Tetovës, Iliridë. Përndryshe, njihet edhe me cilësorin Komandant “Mala”, pjesëmarrës në tri luftërat e fundit. I përndjekur në Iliridën e tij, ka gjetur strehë në Kosovë, pikërisht, në Ferizaj, ku edhe jeton familjarisht. Komandant “Mala” është këshilltar politik i kryetarit të Shoqatës “Çamëria” në Kosovë, zotëri Nexhmi Muçiqit dhe është i dërguari special nga Kosova. Tani, fjalën e ka luftëtari i djeshëm dhe veprimtari i sotshëm i Shoqatës “Çamëria – Kosovë”, zotëri Ismail Selmani:

“Të nderuar vëllezër dhe motra mërgimtarë, jemi këtu për ta përuruar edhe zyrtarisht hapjen e Degës të “Shoqatës Çamëria”, si degëzim i Shoqatës “Çamëria” Qendër në Kosovë, së pari, ju sjell përshëndetjet e sinqerta dhe shumë të përzemërta nga kryetari i Shoqatës “Çamëria” në Kosovë, zotëri Nexhmi Muçiqi. Përgëzoj kryetarin e Shoqatës “Çamëria” në Ludwigshafen, zotëri Ismet Xhaka dhe nëkryetarin Sadedin Gubetinin, me stafin e tyre, për formimin e Degës në Ludwigshafen dhe organizimin në mënyrë solemne e festive, të kësaj ngjarje shumë domëthënëse.

Shoqata “Çamëria Kosovë” u themelua më 27 shtator 2016, fillimisht, me pak njerëz, por pati jehonë të madhe. Shoqata vazhdon të punojë me seriozitet dhe përkushtim. Në saje të aktiviteteve kombëtare, tani kjo Shoqatë numëron, afërsisht, 60 mijë antarë, vetëm brenda Kosovës. Shoqata “Çamëria Kosovë” vepron në të gjitha trevat e Kosovës dhe jashtë saj. Ka memorandum me disa Shoqarta Qendrore, si: Shoqatën Patriotike “Çamëria” në Tiranë, që ka hapur degëzimet në Mërgatë, si Turqi, Austri dhe, së fundi, në Gjermani.

Shoqata “Çamëria” nuk është Shoqatë profitabile, fetare, politike-perverse. Por, është Shoqatë Patriotike e Çështjes Kombëtare, për ta realizuar amanetin e Dëshmorëve të Kombit, pavarësisht vështirësive e pengesave numerike. Shoqata jonë ka mision e vizion, për realizimin e bashkimit kombëtar, nga Guri i Vjetër në Greqi e deri ke Guri i Shpuem në skajin e Kosovës Lindore, Toplicë, – potencoi, veç tjerash, kuadri i Shoqatës “Çamëria”, zotëri Ismail Selmani.

Këshilltar Selmani referoi për temën “Çamëria dje dhe çështja çame sot”, shkrim që do të botohet i veçantë.

Një fjalë rasti mbajti edhe Kryetari i LDK-së për Bavari, Idriz Zeqiraj. Ai përshëndeti në emër të subjktit të tij politik si dhe në cilësinë e Anëtarit të Nderit, të Shoqatës “Sali Çekaj”, të pranishmit i përshëndeti në emrin e kryetarit Osman Ferizi: “Tashmë, është Çamëria gjaku ynë që nuk falet. Emri i Çamërisë ka hyrë në shtëpitë tona, është bërë pjesë e dhimbjes tonë të madhe, por, edhe agjendë ditore, që popullata çame, dikur autoktone, të rikthehet në vatrat e tyre shekullore.

Emri i Çamërisë, veç të moshuarëve, që janë rritur e plakur me dramën e përgjakur çame, tani po i përlotë edhe brezat e rinj shqiptarë. Por, vajin e djeshëm dhe të sotëm, duhet ta kthejmë në kushtrim, për lirinë e nesërme të Çamërisë sonë. Lë të urojmë, shpresojmë e besojmë, që ëndrra jonë e bukur, për Çamërinë e lirë, të lëndëzohet, realizohet, ashtu siç uronte e besonte Profeti i Shqiptarizmës, Dr. Ibrahim Rugova, dikur për Kosovën.

Mysafirët, vëllezërit tanë të mirë, Haxhi Braho e Ismail Selmani, janë sot këtu, në mesin tonë, për ta zyrtarizuar Shoqatën “Çamëria”, si dhe për të kërkuar mbështetjen tonë, për këtë Shoqatë, thellësisht, atdhetare. Dhe, unë, të shumëdashura motra dhe vëllezër, nga kjo tribunë fjale e nderi, i garantoj kuadrot e ardhur nga Shqipëria dhe Kosova, se do të jemi pjesë e Shoqatës “Çamëria”. Vërtet, ne, pothuajse, të gjithë jemi pjesë e ndonjë Shoqate apo subjekti politik. Por, Shoqata “Çamëria” është Shoqatë mbi Shoqatat dhe partitë politike, sepse, misioni dhe vizioni i saj është “Çamëria e çamërve shqiptarë”, pavarësisht përkatësisë fetare. Dhe, për realizimin e këtij misioni të shenjtë e kombëtar, kërkohet angazhimi i përkushtuar, i të gjithë shqiptarëve atdhedashës të botës”,- apeloi, emocionalshëm, Idriz Zeqiraj.

Moderatori Sadedin Gubetini ftoi në skenë veprimtarin veteranë, ushtarin e devotshëm të Jusuf Gërvallës, Fahridin Tafallarit, i cili, së bashku me veprimtarin Kolë Mërturi, kishin ardhur nga Shtutgardi, për pjesëmarrje në këtë ngjarje të shënuar dhe tejet aktuale. Ai foli për veprimtaritë e klubeve, të shoqatave dhe të subjekteve politike, në kohëzgjatjen dyzetë vjeçare: “Frymëzuesi dhe heroi ynë Jusuf Gërvalla, e nismoi aktivitetin atdhetar me pak veta. Por, me kohë do të bëheshin dhjetra, qindra, mijëra dhe, krejt në prag lufte – 100 mijë mërgimtarë në protestën në Bonn-in gjerman dhe gjetkë, në Evropë dhe botë. Këto fakte lë të jenë shpresë e besim, edhe për Çamërinë tonë. Ju ftoj, të bëhemi pjesë e Shoqatës “Çamëria”, duke tejkaluar bindjet partiake personale e grupore”,- përmbylli fjalën e tij veterani, gjithnjë aktiv, Fahridin Tafallari.

Kryetari i Shoqatës “Çamëria Kosovë”, Nexhmi Muçiqi, në lidhjen dixhitale me Haxhi Brahon, i përshëndeti të pranishmit dhe uroi zyrtarizimin e Degës “Çamëria” në Ludigshafen.

Vallja çame

Shtabi organizativ kishte menduar ta hijeshojë edhe më shumë këtë eveniment, të një rëndësie të veçantë. Dhe, pët këtë, kishte ftuar një staf muzikor, të kryesuar nga këngëtari i mirënjohur Besim Sylejmani, daullexhiu Kristian Daka me shokë. Gjithëçka ishte projektuar dhe përgaditur paraprakisht. Muzika, vallet, këngët, kërcimet flisnin, lëviznin, jehonin në melosin, trashëgiminë dhe traditën çame. Vallën dhe këngën e kërcyer çame, e nisi 70 vjeçari çam e durrsak, Haxhi Braho, i cili garonte me rinorin gjakovar, Kristian Daka. Dhe, nga nisma duet, kënga, kërcimi dhe vallëzimi u bënë masiv. Atmosferën festive e ndezën vajzat dhe nuset, të shoqëruar nga djemtë dhe burrat. Jo me kot thonë se gjakovari i bënë të gjitha. Dhe, vërtet, Kristiani me të dashurën e tij bukuroshe Njomzën, printe me larminë e vallëzimeve. Të pandalshm ishin kryetari Ismet Xhaka me nuse Lulen e simotrat e saj dhe djemtë e shkathtë Lush Cana, Shaban e Rasim Lajçi me shokë.