Në Gjenevë nëpërmjet një Akademie madhështore përkujtohet jeta dhe vepra e kryeheroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu

0
1587

ARIF EJUPI

Viti i sivjetmë në të gjitha trojet shqiptare pa përjashtuar këtu edhe mërgatën tonë në të pesë kontinentet e botës, është shpallur si Viti Mbarëkombëtar i SKËNDERBEUT.

Në mënyrë që kjo ngjarje me rëndësi jetike të festohet sa më dinjitetshëm edhe në Gjenevë, veprimtari i çështjes sonë kombëtare z. Naim Hazir Shala, njëherit edhe i burgosur politikë i ndërgjegjes sonë nacionale, ka hartuar ditë më parë një program jashtëzakonisht tërheqës dhe përmbajtjesor.

Këtij projekti të z. Shala pa asnjë hezitim i janë bashkëngjitur Ambasada e Republikës së Shqipërisë, gjegjësisht ajo e Republikës së Kosovës me seli në Bernë, si dhe Përfaqësitë tona konsullore në Gjenevë.

Po ashtu gatishmëri për të ndihmuar mbarëvajtjen e kësaj ngjarje të një rëndësi të veçantë historike kanë shprehur edhe Rrethi Shqiptaro-Meyrin-as dhe Universiteti Popullor Shqiptar i Gjenevës, si dhe Shoqata e Klube kulturore nga ky kanton dhe kantone të tjera të Zvicrës, frëngjishtfolëse, siç ishte rasti me Shoqëritë kulturore tashmë të perfeksionuara“Ilirët”e Lozanës, “Rapsodët” e Gjenevës, dhe Ansambli i këngëve tona burimore “Gëzuar”, i cili për mërgimtarët tanë në këtë kanton është bërë pasaportë identiteti e trashëgimisë sonë kulturore.

Konferencierja e kësaj Akademie solemne zonja Arta Kryeziu Osmani, bartëse e shumë veprimtarive kulturore dhe artistike të pranishmit e shumtë në Amfiteatrin “Ecole des Boudines” të komunës Meyrin, i ka ftuar në një minutë heshtjeje në nderim të atyre që nëpër shekuj ranë në ruajtje të identitetit tonë kulturor e kombëtar.

Një nga befasitë më të këndshme për pjesëmarrësit e kësaj ceremonie madhështore ka qenë lajmi që në mesin tonë gjenden edhe dy figura të dekoruara me çmimin ”Nderi i Kombit” Aktori ynë i Madh Mirush Kabashi dhe prof. Astrit Rakip Leka, si protagonisti kryesor i vënies së Bustit të Skënderbeut”pranë brigjeve të bukura të liqenit Leman të Gjenevës,si dhe mikesha angleze e kombit tonë Patricia Nuegee, e cila me praninë e saj në këtë manifestim na ka rikujtuar të famshmen Edith Durham.

Zonja, Nuegee me përkushtim e sakrificë të paparë ka bërë koleksionimin e dhjetëra veprave dhe artefakteve të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Ky thesar i çmuar i ruajtur me aq dëshirë e pasion nga koleksionuesja angleze Nuegee u ekspozua në vitrinat e librit të “Ecole des Boudines”, të cilat janë të destinuara për paraqitjen e veprave të kësaj natyre.

Me kumtesa dhe studime mbi jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit-SKËNDERBEUT, janë paraqitur: Irfan Musmurati, Naim Hazir Shala, prof. Agim Paçarizi, Albana Krasniqi Malaj, dhe i ftuari special i kësaj Akademie prof. dr. Frashër Demaj.

Secili nga diskutuesit ka trajtuar pikat më të ndritura të veprimtarisë së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i cili u përshkrua si arkitekti kryesor i krijimit të kombit shqiptar.

Posaçërisht kureshtjen e të gjithëve e ka zgjuar kumtesa shkencore e prof. dr. Frashër Demaj “Skënderbeu simbol i kombit shqiptar”. Nga kjo kumtesë kanë dalë në pah fakte deri tash të panjohura nga jeta dhe vepra e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Prof. dr. Frashër Demaj, përpjekjet e disa qarqeve antishqiptare për ta nxjerrë Skënderbeun si një luftëtarë përplasjesh ndërmjet religjionit të krishterë dhe atij myslimanë i konsideron të paqëndrueshme. Ai, thotë që dokumentet arkivore e thonë të kundërtën.

Sipas, prof. dr. Frashër Demaj, përpjekjet më serioze për ta vrarë Skënderbeun kanë ardhur pikërisht nga Venediku, ky një fakt që demanton spekulimet e gojëkqinjëve që betejat e tij ishin të karakterit fetar.

Gjithashtu me rrëshekun e shtrigës këto qarqe përhapin të pavërtetën se e ëma e Gjergj Kastriotit Skënderbeut ishte sllave. Provat materiale i demantojnë këto trillime, gjë që është dëshmuar me qindra herë që Vojsava Tribalda e ëma e Skënderbeut ishte puro shqiptare dhe vinte nga Pollogu i Tetovës.

Përshkrimet kuturu dhe pa qasje në dokumente mbi pamjen fizike të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, po ashtu janë të pasakta thotë studiuesi Demaj.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte shpatullgjerë dhe shtatlartë ngase shpata e tij e modelit turk dhe përkrenarja që ruhen në Muzeun Kombëtar të Vjenës,janë të dimensioneve të ndryshme.

Sidomos shpata si arma e tij më e përsosur e luftës peshonte mbi tre kilogramë edhe ky argument shpije kah e vërteta se Skënderbeu ishte trupgjatë dhe i zhdërvjellët.

Historiani ynë i njohur Frashër Demaj,autor i shumë librave dhe studimeve historike figurën e Skënderbeut e radhit në mesin e figurave më të shquara të Evropës.

Në këtë kumtesë tamam shkencore e të bazuar fillim e fund në argumente prof. dr. Frashër Demaj, përveç studiueseve shqiptarë të veprës së Skënderbeut përmend edhe një numër studiuesish të huaj, venedikas, turq, francezë e amerikanë, të cilët studimet e tyre i kanë mbështetur në dokumentet e gjetura në arkiva, dhe falë këtyre fakteve është paralizuar çdo përpjekjeje e sllavëve të Ballkanit, që Skënderbeun ta tjetërsojnë nga të qenurit shqiptar, dhe me rrënjë nga Hasi i Kosovës.

Diku mbi 600 vepra historike dhe letrare janë shkruar për këtë personalitet me përmasa botërore, dhe të gjitha këto studime qofshin historike apo letrare, Skënderbeun e njohin si një hero të papërsëritshëm të kombit shqiptar, dhe si njërin nga katër heronjtë më të mëdhenj të Evropës.

Ndërkohë zonja Kryeziu-Osmani, udhëheqëse e këtij programi festiv para të pranishmëve ka lexuar edhe një letër përshëndetje të zotit Ilir Mehmeti, profesor pranë Katedrës së Historisë në Universitetin shtetëror të Tetovës, i cili ka përgëzuar organizatorët dhe pjesëmarrësit e këtij jubileu, duke thënë që vetëm kështu të bashkuar rreth figurës së SKËNDERBEUT, ruajmë gjuhën, historinë dhe kulturën tonë të lavdishme.
Mirush Kabashi me interpretimet e tij brilante ndërpritet disaherë nga duartrokitjet e shikuesve.

Aktori ynë i madh Mirush Kabashi i dekoruar meritueshëm “Nderi i Kombit” me interpretimet e tija të shkëlqyera ka ngritur të gjithë në këmbë. Ky artist që ndërvite na ka bërë kudo krenar me paraqitjet e tij të mrekullueshme sikur ka trashëguar diçka nga gjenet e Aleksandër Moisiut.

Interpretimi dhe loja e përkryer e tij, s’njohin moshë. Ai edhe sot duke rrëmbyer zemrat e qindra shikueseve dëshmoi dashurinë për artin.Skena është ushqimi i tij i vetëm, pa të cilën edhe nuk mund ta imagjinoj dot jetën.

Kabashi i aftë për të interpretuar çdo varg të rilindësve tanë sot të pranishmit e kësaj Akademie i entuziazmoi me vargjet e Ando Zako Çajupit, Naim Frashërit, Vaso Pashë Shkodranit, etj.

Duke dashur të thotë që pa përkrahjen e miqve tanë ndërkombëtar nuk do të ishim këtu ku jemi ai shkëputi kujtime nga jeta e Charles Teleford Erikson në Shqipëri.

Erikson, i lindur në Galesburg, Illinos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kaloi gati tridhjetë vjet në Shqipëri,në cilësinë e misionarit dhe diplomatit.

Kabashi thotë që Erikson është nga më të merituarit që me ndikimin e drejtpërdrejtë të shtetit të tij u evitua zhbërja e Shqipërisë, nga fqinjët e saj ekspansionist.

Për të nderuar përkushtimin e këtij diplomati dhe shkrimtari të njohur amerikan ndaj Shqipërisë, Kabashi para audiencës lexoi një poezi të shkruar nga vetë Erikson, e cila i dedikohet Skënderbeut si figurë kryesore e shqiptarëve.

Interpretimi i kësaj poezie nga Kabashi, ishte aq i fuqishëm dhe linte përshtypjen sikur ai vërtetë po bënë dialogun me Skënderbeun.
Paraqitjet e Kabashit çdoherë janë me përmbajtje, dhe mesazh kanë unitetin ndërshqiptarë.

Disa nga artdashësit të impresionuar me aktrimin e Kabashit në shenjë nderi dhe respekti i dhuruan atij edhe tufa të shumta lulesh.
Ndërkaq aktori nga Kosova Adem Muji, i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Gjenevë, tek shikuesit përcolli një varg porosish të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, të cilat edhe pse kanë kaluar mbi pesë shekuj janë me mjaft vlerë edhe në ditët e sotme.

Programi i kësaj Akademie fitoi në vlerë sidomos pjesa artistike kur në skenë me grupin e solistëve u paraqit Naim Hazir Shala, i cili me zërin e tij prej baritoni kënaqi të gjithë me këngën “Fryn Murlani” këngë kjo që i kushtohet kryeheroit tonë Gjergj Kastrioti- Skënderbeu.
Shoqëria Kulturore Artistike “Ilirët” nga Lozana me një përvojë gati 25 vjeçare u paraqit me disa këngë atdhetare.

Po ashtu mbresëlënëse ishin edhe paraqitjet e grupeve muzikore ”Gëzuar” dhe ”Rapsodët“ nga Gjeneva, të cilat edhe pse në kushte të rënda materiale po begatojnë jetën tonë kulturore në mërgim.

Moderatorja, Arta Kryeziu-Osmani u tregua tejet e vëmendshme kur të pranishmit i thirri edhe për një minutë tjetër heshtjeje në nderim të veprës së koreografit Agron Bajrami, i cili para pak ditësh vdiq dhe u varros këtu në Zvicër.

Në pamundësi për të përfshirë në një shkrim Gazete të gjithë akterët e këtij manifestimi po theksojmë që me prezencën e tyre këtë përvjetorë të shenjtë të kombit tonë e nderuan edhe Ambasadorët Nazane Breca, e akredituar në Bernë,si përfaqësuese e Republikës së Kosovës, dhe z.Ilir Gjoni, me të njëjtin funksion nga Republika e Shqipërisë.

Z.Gjoni, u paraqit edhe me një fjalë rasti ku ndër të tjera tha: ”Jemi me shumë fat që një popull kaq i vogël kemi personalitete të rangut botëror si Skënderbeu, Nënë Tereza, Ferid Murati e Ismail Kadare”.

Më pastaj Gjoni tha unë me këto pak fjalë po përfaqësoj edhe kolegen këtu pranë meje zonjën Breca, kur dihet që heronjtë e mi janë edhe heronj të saj.

Si rëndom i pranishëm në këtë solemnitet ishte edhe Konsulli ynë i Përgjithshëm në Gjenevë, zoti Ramadan Avdiu.
Nergut në këtë ngjarje nga Prishtina kishte ardhur edhe z.Gazmend Islami, kryetar i Ballit Kombëtar të Kosovës.

Patjetër duhet theksuar edhe praninë e veprimtarëve të hershëm të çështjes sonë kombëtare në këtë ngjarje z.Xhefer Shatri, ish-Ministër i Informatave të Republikës së Kosovës, dhe z. Bardhyl Mahmuti ish-përfaqësues politikë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe ish-Ambasadorit të Kosovës në Zvicër, z.Naim Malaj.

Meqë sot në Gjenevë, ishte ditë e bukur shumica e pjesëmarrësve bënë homazhe pranë shtatores së Skënderbeut, më ç’rast vendosën edhe kurora lulesh.