PARATHËNIE E LIBRIT: Shefqet Dibrani “DEMOKRACIA E IMITUAR 2”

0
1022

PARATHËNIE PËR IMITIMIN E FUNDIT

Publicistikë, St. Gallen 2018. ISBN 978-3-9524932-1-2. / Libri është i formatit B5, me lidhje të fortë dhe ka 360 faqe

Kolona “MANDATI I KONTESTUAR”, ka për qëllim të shtjellojë dhe shpjegojë edhe më tej arsyet e “mandatit të kontestuar” dhe arsyet pse u shkatërrua Dega e LDK-së në Zvicër?! Ky libër është pjesë përmbyllëse e vëllimit të parë, ku janë përmbledhur shkrimet dhe analizat e kësaj natyre gjatë periudhës Janar-Qershor 2017.

Lufta e Kosovës përfundoi më 11 qershor 1999, duke arritur qëllimin e saj – Lirinë e Vendit. Por demokracia, e cila nis me të përfunduar lufta e armatosur, mbetet një sfidë për t’u realizuar. Krejt kjo që po flasim dhe kjo demokraci që e kemi ndërtuar, mbetet në suazat e një “Demokracie të Imituar”, asgjë më shumë. E ne e dimë se asnjë shtet nuk është bërë dhe as nuk është zhvilluar me imitime?! Pavarësish përpjekjeve të kësaj natyre, shoqëria jonë nuk ka arritur të ndërtojë një demokraci të konsoliduar. Padyshim, këto përpjekje mbeten në suazat e një tendencë për të bërë një demokraci të cilën deri më tash vetëm e kemi imituar.

Në vendet me demokraci të konsoliduar, përpjekjet për të ndryshuar kur nuk materializohen me sukses, gjithnjë shoqërohen me tërheqje nga përpjekjet e mëtutjeshme. Dështimet dhe mossuksesi po ashtu shoqërohen me ndryshime dhe zëvendësime, por ky standard nuk vlen në Kosovë, veçmas brenda LDK-së, ku është ngulfatur demokracia e brendshme. Isa Mustafa, si askush tjetër, karrierën e tij politike e ka të mbushur përplot dështime. Fatkeqësisht, vetëm në një shoqëri si kjo e jona, ai ka arritur ta shesë “si suksese dhe arritje” dështimin e tij. Prandaj, kodi i dorëheqjes dhe i marrjes së përgjegjësive për dështimet e caktuara mbetet larg standardeve demokratike. Shikuar nga ky aspekt, përpjekja e mëtutjeshme për t’i trajtuar shumë çështje dhe dukuri negative më duket e kotë dhe pa efektin e duhur pozitiv, prandaj jemi detyruar për të gjetur një datë simbolike për ta lëshuar perden e një akti a të një shfaqjeje publike të kësaj natyre.

Në rastin tonë, data e 11 qershorit 2017, lidhet me mbajtjen e Zgjedhjeve Nacionale në Kosovë. Por LDK-ja, që nga themelimi i saj, tani është radhitur si partia e tretë me ndikim në vendin tonë. Në këto zgjedhje, LDK-ja shënoi një humbje të thellë dhe më të rëndën që nga themelimi i saj. Kurse kreu i kësaj partie, Isa Mustafa, nuk e pa të arsyeshme as të japë dorëheqje, as të marrë përgjegjësi dhe as të bëjë reforma substanciale për të cilat LDK-ja ka nevojë që prej sa vitesh. Kjo që po bënë Isa Mustafa, është tipike një “Diktaturë në Demokraci”, të cilën kujdesshëm dhe vëmendshëm po ia imponojnë Kosovës bashkë me sojnikët e tij.

Humbja e LDK-së qiti në pah mashtrimin si doktrinë në të cilën triumfalisht kanë shënuar rritje konceptet komuniste të cilat vijnë nga sistemi i kaluar, që denjësisht përfaqësohet nga Isa Mustafa. Këto tendenca antidemokratike kanë për qëllim ta zbehin sa më shumë Logjikën Shtetformuese, doktrinë kjo të cilën e ka kultivuar e praktikuar Lidhja Demokratike e Kosovës që nga themelimi i saj.

Rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit 2017 e ka zbehur dukshëm fuqinë dhe ndikimin e partive shqiptare për pushtet, në anën tjetër ka ndodhur një sforcim i strukturave të LKJ, qoftë përmes Organizatave Joqeveritare, ose përmes drejtuesve të masmediave që janë pjesë e kësaj vazhdimësie. Tashmë në Kosovë e kanë mbjellë një disponim të theksuar kundër vlerave të Luftës, kundër UÇK-së, kundër themeluesve të LDK-së, kundër elitës intelektuale dhe shtresës akademike, e bashkë me këto tendenca, duket se është mbjellë një antiamerikanizëm ku, dita-ditës, dëgjohen zëra kundërshtues si përçues dhe përhapës të doktrinave të cilat nuk përputhen me qëllimet strategjike amerikane – qofshin ato në Ballkan apo kudo tjetër në botë.

Atë ditë, më 11 qershor 2017, e kuptuam se Vjosa Osmani nuk është për një Lëvizje Reformatore brenda LDK-së, sepse “grupi…?!” paska qenë mashtrimi i llojit të vet! Ai “Grupi për Reforma të brendshme në LDK”, paska pasur hallin e vet për t`u sistemuar afër Isa Mustafës, prandaj duket se këta “reformatorë”, paskan pasur për qëllim për ta përmbytur demokracinë e brendshme dhe krejt atë që quhet rugovizëm në LDK.
Të kësaj kohe janë deputetët, familjarë të personaliteteve të LDK-së të vrara politikisht, të cilët në cilësinë e mercenarëve kanë realizuar shkatërrimin e Degës së LDK-së në Zvicër, kurse tash janë bërë të zëshëm, sidomos kundër pozitës, por asnjëherë nuk shikojnë realisht se çfarë niveli kemi brenda LDK-së. Në anën tjetër janë: Haki Rugova, Anton Quni dhe Salih Morina, ata të cilët ia kanë shuar ambiciet politike Donikë Gërvallës, kryetare e Degës së LDK-së në Gjermani, për t`u pranuar ajo nga Isa Mustafa si kryetare legjitime e Degës së LDK-së në Gjermani?! Pavarësisht kësaj që po themi, heshtja e Donikës që nga data 11 qershor 2017, flet më së miri për raportin e saj me Vjosa Osmanin(?!).

Isa Mustafa mendoi se do ta mashtronte elektoratin kur iu shmang listës për deputet, po sidomos elektoratin e LDK-së. Rezultatet dëshmuan të kundërtën. Si duket elektoratin e ka penguar mënyra e diktatit si në sistemet pjellë e të cilave është Isa Mustafa, pastaj krijimi i konfliktit në mes gjeneratave, injorimi që iu bë diasporës dhe plotësimi i LDK-së me muhaxhirë e ardhacakë nga Shoqëria Civile, të tipit Lumir Abdixhiku dhe Driton Selmanaj, edhe pse të votuar, do ta shuajnë përfundimisht shpresën se brenda LDK-së do të ketë ndryshime?!
Mendjen e Isa Mustafës, për ta shkatërruar LDK-në, nuk e lëkundi as rezultati tepër i dobët në Zgjedhjet Nacionale të 11 qershorit 2017, e as rezultati i vjeshtës në zgjedhjet për pushtet lokal, në të cilat LDK-ja pësoi edhe një rënie tjetër, për të cilën askush nuk merr përgjegjësi; madje ne nuk kemi dëgjuar asnjë reagim e as deklaratë të Vjosa Osmanit dhe as të atyre të cilët deklaroheshin se ishin kundër Isa Mustafës?!

Nëse një intelektual me angazhimin e tij nuk arrin për të ndryshuar gjë, atëherë është më mirë ta ndryshojë vetveten edhe nëse ky frenim do të ndikojë negativisht në procese?! Tashmë ka ardhur koha jo vetëm që LDK-ja të reformohet, por edhe qasjet dhe shkrimet e kësaj natyre duhet të evoluojnë dhe të transformohen në përpjekje pozitive drejt gjetjeve të formave universale.

Gjithsesi, mbrëmja e ditës së diele të 11 qershorit 2017, shënon një kthesë në përpjekjet e gjertanishme për të sfiduar misionin e Isa Mustafës i cili ka për qëllim shkatërrimin e LDK-së!

Kjo punë kaq voluminoze e bërë brenda dy vitesh (Korrik 2015 – Qershor 2017), nuk është e përkryer, por ishte një përvojë me gazetarët të cilët kishin pikëpamje dhe botëkuptime të ndryshme; megjithatë, sjellja e tyre dhe përkushtimi më kanë fascinuar andaj shpreh falënderimet e mia ku, bashkë me miqtë e mi që i kam në listën e miqve kulturorë, bënë që këto shkrime të jenë më të realizuara dhe, si të këtilla, të botuara brenda këtij libri.

Ekipin e librit e përbëjnë anëtarët e Kryesisë së Degës së LDK-së, të cilët bashkë me mua janë zgjedhur në Kuvendin VIII Zgjedhor, mbajtur më 10 maj 2015, në Burgdorf. Të gjithë i falënderoj për përkrahje politike dhe për këtë mbështetje profesionale e cila nuk do ta kishte këtë vlerë pa ndihmën e tyre!

AUTORI