A e ri-themeluan mirditorët Gjakovën?

0
491
Gani Mehmetaj

Gjakovarët me rrethinë, në kohën e Perandorisë osmane pësuan fatin e hebrenjve nën sundimin romak: u strehuan shkrepave deri në Mirditë. Por qindra vjet më vonë, mu si hebrenjtë, u kthyen në tokën e të parëve, sepse u ngopën me jetën e rëndë të malësorit. Mbi gjysma e banorëve të qytetit janë me prejardhje nga Mirdita e Malësia. Mbiemrat e gjakovarëve këtë e dëshmojnë më se miri, krenaria karakteristike gjakovare e mbyllja brenda gëzhojave të fisit, flet qartë ku i ushqyen rrënjët, po ashtu sjelljet aristokratike vijnë si jehonë e largët e një privilegji të dikurshëm…

shkruan Gani Mehmetaj

Në Gjakovë janë gjetur dy pitosë (drithnik) antik të një bukurie të veçantë. Gjakova mund të mburret edhe me dy skulptura gracioze të burrave, ndër herët e rralla, ku në mbishkrime të stelave identifikohen emrat ilir. Gypa ujësjellësi, fragmente qeramike, pjesë të ngrohjes më avull të shtëpive, almise në amvisni e raritete arkeologjike, dëshmojnë qytetërimin e lashtë. As sot nuk ka ngrohje me avull nga muri, ndërsa atëbotë Gjakova e kishte.

Qindra objekte e stoli ari i rrëmbeu ushtria turke kur ia mbathi; rrëmbeu mizorisht edhe ushtria serbe e malazeze, kur e zëvendësoi pushtuesin e Anadollit; qindra thesare kombëtare i mori edhe ushtria austro-hungareze, kurse nuk mbeti pa gjë as ushtria gjermane e Hitlerit. Qyteti u zhvat, u plaçkit e u dogj si asnjë vend tjetër në Dardani.

Gjakova ka vazhdimësi jete e qytetërimi edhe në mesjetë, që fatkeqësisht nuk është hulumtuar. Regjistrat turko-sllavë nga të cilët pavarësisht deformimeve të emrave, shihet se popullata me shumicë absolute janë arbëror. Ndërkaq, tri kështjellat në malet perëndimore: Kështjella e Lekës, Kështjella e Mbretit dhe Kështjella e Jerinës, krahas kështjellës në Sukën së Cërmjanit, e kanë mbrojtur qytetin antik e mesjetar të Gjakovës, mbase edhe ndonjë qytezë tjetër.

Dy lokalitete, njëri i epokës parahistorike dhe tjetri antikë: Moglica, ku është hulumtuar dhe janë gjetur dëshmi materiale të ilirëve e Skifjani, ku pa u hulumtuar kanë dalur në sipërfaqe krahas rrënojave të një qyteze antike edhe pitose e gjetje të tjera materiale interesante, dëshmojnë për një qytetërim të lakmueshëm, që nuk e kishim më vonë. Dy gjetjet: skulpturat e bukura të antikës dhe pitosët dolën në sipërfaqe gjatë rrënimeve të objekteve të vjetra.

Në qytetin e Gjakovës asnjëherë nuk janë bërë hulumtime arkeologjike, sikurse nuk janë bërë hulumtime në asnjë qytet të Kosovës, përjashtim bënë Nuovo Berda, kështjellë e qyteti i familjes arbërore Spani.

Mëgjithë të kaluarën për lakmi, jo rrallë ka përpjekje naive të thuhet se Gjakova a qytetet e tjera shqiptare me vazhdimësi qytetërimi nga antika, kinse qenkan themeluar pas ardhjes së turqve. Për Gjakovën thuhet se u themelua në tokat e Jak Vulës, ndërsa hoxha Hadum Aga bindi Jakun që ta dhuroj tokën për ndërtimin e Xhamisë! Pse duhej të lëshonte tokat e veta, arbërori – katolik Jak Vula për xhaminë turke? Askush nuk e thotë çfarë pati nën Xhaminë e Hadumit dhe xhamitë e tjera që u ndërtuan më vonë nga perandoria osmane: Faltore ilire, banjo publike iliro-romake, a shëtitore të shtruara më kalldrëme nga mesjeta? Në Pejë, bie fjala dihet se kisha e vjetër katolike në qendër të qytetit u shndërruar në xhami ( Xhamia e Çarshisë). Mbi shumicën e rrënojave të kishave katolike mesjetare janë ndërtuar xhamitë turke. Në Prishtinë mbi Katedralen katolike, ku u varros Pjetër Bogdani, u ndërtua Xhamia e Sulltan Mehmetit.

Çka na shtynë të konstatojmë se ka rrënoja të kishave katolike në qytet? Rënojat e mbi pesëdhjetë kishave të antikës së vonë e të mesjetës në katundet e Gjakovës, që i ndeshëm në dhjetëra katunde shqiptare gjatë hulumtimeve të prillit. Pse të mos ketë rrënoja të këtilla në zemër të qytetit arbëror-shqiptar të Gjakovë? Po të rrëmohet xhamia e Hadumit, apo themelet e Çarshisë së vjetër çfarë do të dilte? Çarshia e kohës së Turqisë, sigurisht mbi themelet e një tregu më të hershëm është ndërtuar, apo rindërtuar, ashtu sikurse në atë treg të vjetër ka ekzistuar një faltore ilire, apo më vonë një kishë, një objekt publik dhe kështjella. Gjakova e Peja kishin kështjella mesjetare që nuk i kanë më.

Struktura e popullatës edhe sipas regjistrave të vjetër, shqiptarë ishin. Por historikisht një pjesë të tyre i dëboi Perandoria osmane, për shkak të kryengritjeve të vazhdueshme, një pjesë i tërhoqi zvarrë deri në Anadoll për ndëshkim, prej nga kurrë nuk u kthyen.

Gjakovarët me rrethinë, në kohën e Perandorisë osmane pësuan fatin e hebrenjve nën sundimin romak: u strehuan shkrepave deri në Mirditë. Por qindra vjet më vonë, mu si hebrenjtë, u kthyen në tokën e të parëve, sepse u ngopën me jetën e rëndë të malësorit. Mbi gjysma e banorëve të qytetit janë me prejardhje nga Mirdita e Malësia. Mbiemrat e gjakovarëve këtë e dëshmojnë më se miri, krenaria karakteristike gjakovare e mbyllja brenda gëzhojave të fisit, flet qartë ku i ushqyen rrënjët, po ashtu sjelljet aristokratike vijnë jehonë e largët e një privilegji të dikurshëm, por që sot shpesh tingëllojnë vese mikroborgjeze të mbylljes në guacën e kasabasë orientale.

A janë mirditorët themelues të Gjakovës? Gjakova i kishte themelet e vjetra, por mirditorët e malësorë e tjerë e ri themeluan, e ri përtërinë, e freskuan me gjak të ri Gjakovën e katundet nga Hasi deri në kufi me Deçanin, meqë lufta turko-arbërore, pastaj lufta turko-austriake, murtaja e sëmundjet e ndryshme e përgjysmuan krahinën. Natyrisht vendësit e kthyer më herët nga ekzili nuk i pritën mirë të kthyerit e rinj. Fërkimet shpreheshin në mes të mirditorëve të vjetër, tashmë të islamizuar dhe mirditorëve të ri katolik, që më kohë nisën të shkrihen në qytetin e ri të Jakut, shumica prej tyre vetëm mbiemrat shqiptar katolik ruajtën. Por të tjerët ndryshuan emër e mbiemër: pinjojtë e Gjon Markagjonit u bënë familja e Hajdar Osmanhajdarit, bie fjala.

Kush është më i parë dhe kush më i dytë? Kush hoqi dorë nga rrënjët e kush e mbajti fenë e të parëve, vazhdon të përtypet në dyqind vjetet e fundit herë me intensitet, herë bie intensiteti.

Gjakova në këtë ripërtëritje të qytetit më mirditorë shquhet nga të gjitha qytetet e tjera. Prandaj, në qytet kurrë nuk është folur turqisht, prandaj i pranuan me rezerva xhamitë turke, më parë pranuan teqe iraniane e kurde, si një surrogat islamo-paleokristian, ku vera e rakia nuk është ndalesë.

Në qytetari, katundi Skifjan rivalizon me Gjakovën. Në antikë e në mesjetë thuhet se kishte shkallë të lartë të qytetërimit. Sipas gojëdhënës, që është vështirë të vërtetohet, kur ndërtohej Skifjani, lëndet e drurit i nxirrte në Gjakovë, që ishte pyll(!), ndërsa macja ecte me kilometra sipëri mureve.

Por ashtu si në Skifjan, edhe në shumicën e katundeve të Gjakovës janë të sigurt se dokumentacioni për të kaluarën e tyre të lavdishme është në Vatikan. Kishat katolike një herë i dogji hordhia serbe, pastaj ajo osmane, priftërinjtë arbëror ishin të ndjekur nga të dy pushtuesit, kështu që vetëm nga relacionet e priftërinjve, apo nga dokumentacioni që kanë arritur ta bartin në Romë, mund të ndriçohet historia e Gjakovës dhe e katundeve.

Në Vatikan mund të gjendën shënime për Skivjanin, ishte i sigurt edhe Osman Nezaj, banor vendës. Skivjani ka gjetje të mrekullueshme arkeologjike: gypa të ujit, tulla që e bartin ngrohjen qendrore nën dysheme e në mure, qeramike në disa qindra hektarë etj. Është lokaliteti më i madh e më interesant për arkeolog në komunën e Gjakovës. Ka vazhdimësi jetese mbi dymijë vjeçare.

Ndërkaq sot të vjen plasja, kur shfleton katalog të ndryshme për Gjakovën, sepse gjen shënime të vëna në kursivë vetëm nga kronisti Evlia Çelebiu e këndej. Vetëm pas kësaj kohë paraqiten begatitë, lulëzimi i qytetit e numri i banorëve!

Pse?