NEOREALIZMI, SI MBIJETESE E STRUKTURËS SHPIRTËRORE TE NJË KOMBI

0
1065
Gjergj Jozef Kola - Lulja e brishtë e G'juhadolit, roman

Robert Martiko

Romantizmi me ngjyra lirike, përballë një jete e cila gjatë gjithë kohës të ka provokuar thellë në shpirt një shtytje dhe neveri të thellë, është diçka e pazakontë në artin e të shkruarit. Me këtë lloj fenomeni u befasova qysh në faqet e para të romanit ‘‘Lulja e brishtë e G’juhadolit’’ e shkrimtarit të talentuar Gjergj Jozef Kola. Do të përdor në fillim fjalën ‘‘befasim’’ me të drejtën, në vijim, për t’i dhënë një kuptim shumë më të zgjeruar, pozitiv, për efektin që shkakton nga pikëpamja estetike dhe shpirtërore, fenomeni i përshkruar prej këtij termi. Dhe kjo në saje të meritave të vetë romanit të mrekullueshëm të autorit.

U befasova për faktin se në vend të lexoja një shkrim ku, siç ndodh në të gjitha vendet e botës, njeriu të gjendet i degraduar moralisht e shpirtërisht, një skllav i poshtëruar keq nga Diktatura, pa forcë e shpresë për të ardhmen, zbulova një personazh femëror, një vajzë në moshë të re, për të qenë i saktë, e përshkruar nga autori me ngjyra të forta romantizmi. Është një diçka e pazakontë, përderisa bëhet fjalë për Romantizëm të mirëfilltë në Botën e Nëdheut. Megjithatë, në saje të shpalosjes harmonike të subjektit, fjala ‘‘befasim’’, arrin të zëvendësohet me shprehjen fjalëshumë: të gjendesh i goditur në shpirt nga admirimi për diçka, që me të vërtetë të bën të ndjehesh i mrekulluar.

Megjithatë, edhe tani që kam lexuar për herë të dytë romanin ‘‘Lulja e brishtë e G’juhadolit’’, përsëri habitem se si është e mundur të bashkëjetojë Romantizmi me Diktaturën! Jo më kot shkrimtarja dhe poetja kanadeze, Louky Bersianik, shkruan se “Liria duhet të jetë romantizmi i vetëm i qenies njerëzore.” Është e kuptueshme se kur liria mungon, nuk mund të bëhet fjalë për Romantizëm, përderisa njeriu transformohet në një qenie të keqtrajtuar dhe të poshtëruar. Nuk më ka ndodhur kurrë të kem ndeshur të kundërtën në letërsinë shqiptare me karakter thelbësor pas viteve 1990-të, kur ra përfundimisht Muri i Berlinit. Dhe kjo për arsye se të gjithë shkrimtarët e paktë seriozë, të cilët merren me këtë temë, trajtojnë të ashtuquajturin depersonalizim, apo humbjen e origjinalitetit njerëzor, shoqëruar me rënien morale, si diçka që nuk le kurrfarë shtegu për të përfytyruar të kundërtën, ca më shumë gjendjen e zgjedhur, romantike.

Kur bëhet fjalë për Romantizmin në Perëndim kemi parasysh lëvizjen e gjerë intelektuale, e cila filloi në fund të shek të XVII dhe zgjati deri në mesin e shekullit të XIX. Ishte diçka që e ndihmoi pa masë mendimin e kualifikuar njerëzor, për t’u zhvendosur gjithnjë e më i zhvilluar dhe i fuqishëm në Kohë. Shqyrtuar mbi këtë terren solid, mund të shtrohen një sërë pyetjesh… Si është e mundur të kombinohet estetika e thellë e mendimit filozofik të Emanuel Kantit, si themelues i mendimit romantik me baltovinën e rezultuar në praktikë të teorive utopike të Marksit. Në rastin e parë bëhet fjalë të tejkalohen kufijtë e Njohjes dhe të Logjikës, ndërsa në rastin e dytë, Njeriu, i mposhtur nga sistemi i korruptuar totalitar, shndërrohet gjithnjë e më shumë në keqbërës.

Në rastin e parë Romantizmi tenton të krijojë një Civilizim të Ri, një botë më të bukur, ndërsa në rastin e dytë, tejet fatal, Diktatura ia del në krye për të ndryshuar DNA-në e Njeriut. E bën këtë jo për ta drejtuar drejt së mirës, por për ta kthyer në një servil të nënshtruar, një duartrokitës të gjorë, të frikësuar deri në palcë. Në rastin e Romantizmit Njeriu çlirohet pak e nga pak dhe ashtu, i shpenguar, fillon interpretimin e ekzistencës së vet, ndërsa nën grushtin e hekurt të Perdes së Hekurt, shtrëngon radhët akoma më shumë brenda në Kopenë Primitive, të etur për gjak. Krijohet kështu, pa u kuptuar, Njeriu i Ri Socialist apo i mbiquajturi Homo Sovieticus, që nuk arrin të kuptojë dot asgjë se si funksion Bota e Civilizuar matanë kufijve të vendit të tij tragjik.

Meqenëse heroina e Lules së brishtë të G’juhadolit, përveç cilësive të saj të spikatura, shpirtërore, paraqitet në roman edhe si një violiniste e talentuar, do të mund të konsiderohej si një rast më shumë, për të krahasuar baltovinën e Artit Socialist me rrymën e mësipërme intelektuale, e cila lindi fillimisht në Gjermani e pastaj u përhap në gjithë Evropën. Mbasi, nëse në Romantizëm spikat Bet’hoveni si Artist i ‘‘Lirë’’ në krahasim me kompozitorët e Barokut: Bah dhe Hendel, në botën djallëzore të Diktaturës Komuniste, shpërthyen gjithfarë koresh e vallesh pa estetikë, të mbushura me përçarje, vëllavrasje dhe urrejtje klasore. Në të njëjtën gjatësi valë dritëshkurtësie mjerane, merrnin pjesë në Korin e Urrejtjes edhe shkrimtarët e turpit dhe të nxitjes së krimit të organizuar, ashtu të nderuar nga Shteti me dafina të baltosura, të përgjakura me gjak shqiptari.

Mirëpo, gjithë këtë habi mospërputhjeje midis Romantizmit dhe Depersonalizimit Njerëzor, ishte në gjendje të ma asgjësonte autori i romanit. E arriti këtë nëpërmjet heroinës së ndriçuar të romanit, vajzës së artë, me emrin Jerina. Unë nuk qëndrova me kaq. U përpoqa të gjeja rrënjët e kësaj force morale dhe bukurie të spikatur shpirtërore, që mund të mbijetojë edhe në kushtet e një diktature skajore. Rezultoi se nuk mund të ishte tjetër, veç se ajo Shkodra e veçantë, tepër e rrallë, heroike, e cila ndër shekuj ka qenë një dritare e hapur për të futur dritën e Rilindjes Evropiane, të Humanizmit, Zhvillimeve të Shkencës, Zbulimeve të Mëdha, Reformacionit të Martin Luteri, Klasicizmit, Barokut, Iluminizmit, Romantizmit, Ekzistencializmit të Kirkegardit, etj.

Dhe të gjitha këto, në një Shqipëri të keqtrajtuar nga pikëpamja kulturore, në mënyrën më barbare, nga Turqia në fillim, dhe më pas prej Komunizmit më të egër që njohu Historia e Botës. U ndjeva i mrekulluar për ndjenjën e përgjegjshmërisë së lartë shoqërore të heroinës së romanit. Duke bërë pjesë në atë kategorinë e paktë të njerëzve të ndershëm në Shqipëri nën Diktaturë, ajo është e aftë tregojë se mund të jetojë një jetë me vlera të admirueshme puritane. Mrekullohem kur ajo i kërkon të dashurit të saj: një nga ata karakteret e neveritur që krijoi diktatura, se duhet të ndjejë përgjegjësi të thellë për faktin që, dikur, është shtrënguar të fusë në burg dikë me dëshminë e tij prej spiuni dhe, prandaj, duhet t’i kërkojë falje.

E vërteta është se Shkodra, me plejadën e rrallë të intelektualëve të saj, përbën historikisht një nga gjërat më të bukura për mendimin e kualifikuar perëndimor të pasqyruar jo vetëm në Art, por edhe në Jetë. Bëhet fjalë për margaritarë të vërtetë Individë të tillë si Marin Barleti, Marin Beçikemi, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Pashko Vasa, Kolë Idromeno, Zef Jubani, Hilë Mosi, Ndoc Nikaj, Bernardin Palaj, Gjergj Radovani, Filip Shiroka, Lazër Vladanji, Gjergj Vladanji, Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Migjeni, Martin Camaj, Arshi Pipa, Frederik Reshpja, Primo Shllaku…

Gjatë Diktaturës Komuniste mbijetuan moralisht në kushtet e hetuesive më të egra në Botë, kalibrat e rëndë të burrërisë dhe fisnikërisë së rrallë shqiptare, Pjetër Meshkalla, Simon Jubani, Zef Pllumi, Anton Harapi, Kolë Shllaku, Leon Kabashi, Konrad Gjolaj, Sabri Hafizi, Kazazet dhe sa e sa të tjerë. Sipas konceptit niçean, ata quhen Mbinjerëz. Për Njeriun me Mendje të Hapur, ndriçimi i tyre moral e shpirtëror mund të shërbejë si një plejadë e bukur yjesh të shndritshëm në qiell, për të ndryshuar.
Është e vetmja mënyrë për t’u futur në Kohët Moderne.

Ky ishte befasimi apo ndjenja e të mrekulluarit që i shkakton autori lexuesit. Heroina e tij e bukur e me karakter të fortë, është si një lule romantike, e cila hap petalet për të mos u vyshkur kurrë. Të kujton padashur lulen blu të cilën e shikon në ëndërr e pastaj, duke ndier për të një mall përvëlues, vihesh në kërkim të saj, të paktën sipas poetit romantik gjerman, Novalis. Këtu gjendet edhe mesazhi i këtij romani të bukur, ku shkrimtari-poet ndonëse njeh realitetin banal të Diktaturës, vijon megjithatë të shkruajë një roman të mrekullueshëm me një lloj lirizmi romantik të paarritshëm, brenda tij. Bëhet fjalë për diçka më shumë nga sytë e bukur të një muze…

Për vetë Shpirtin e saj.
Jo më kot Gjergj Jozef Kola nënvizon në romanin e tij mendimin se kur në botë lind një dashuni e madhe, tanë sistemi diellor rreshtohet për me lan me hi shpirtin e saj

E vërteta është se vetëm këto lloj shpirtrash të rrallë arrijnë të mbijetojnë nga konsumi moral i Kohës, madje edhe nën Diktatura Skajore…

Ky roman është padyshim një risi ne letrat shqipe, një neorealizëm që, ndryshe nga të tjerët, është i mbushur nga dashuria e njeriut për jetën dhe të ardhmen e vendit.

SHËNIM:
Robert Martiko, studiuesi, poeti dhe shkrimtari asht nji nga ata miqtë e rrallë, që ndonëse nuk i kena takue asnjiherë në jetë, na duket sikur i kena pase gjithnji afër dhe kena nda të njëjtat shqetësime mbi letrat dhe kulturën shqipe.
Rruga e G’juhadolit në romanin tim nuk asht nji rrugë e zakonshme, ajo asht rruga ku u rriten e jetuen kolosët e kulturës dhe arteve shqiptare, prandaj edhe figura e Jerinës, vajzës së brishtë asht simboli i këtij shpirti të paepun shqiptar.
Asht pikërisht kjo aortë e kombit që kërkohet të mohohet, që shtypet ende sot dhe e kthen atdheun në infrakt.
Ministria e Kulturës së shkollës së bejtaxhijve në Tiranë dhe entet botuese realsocialiste vazhdojnë me mbështete dhe botue vetem ata BEJTAXHIJTE, që u shërbyen dje dhe sot, pikërisht ata që shkelen me kambë kët Rrugë të shejtë të kulturës shqiptare: GJUHADOLIN e Fishtes, Koliqit, Mjedës, Migjenit, Camajt, Rreshpes, Shllakut…
Këtij romani mbi shpirtin e kombit shqiptar, që asht ringjalle në rrugën e kulturës së kombit, nuk i asht kthye përgjigje as nga ministria e bejtaxhijve, as nga entet botuese realsocialiste.
Robert flm mik, për fjalët e vërteta të pa asnji interes për rrugicën e G’juhadolit, për kët lum të JORDANIT, ku kaloi edhe fëminia dhe rinia ime.
gjk, Vjene, Maj 18

Arben Çokaj, përgjigje Gjergjit për romanin:
E bukura dhe e mira ndodhin tepër rrallë kërtej në hapësirat tona dhe në rrugën e G’juhadolit, ku nuk e gjen as edhe një lule a pemë të mbjelllur, mirë që e kanë shtruar me rrasa guri… prandaj të bukurën e presim si një pikë uji në shkretëtirë…

Ti bravo të madhe, që gjen kohë dhe mundësi dhe gërmon për të bukurën e romantiken, në kontrast me realitetin… është një cilësi individuale kjo për ty si njeri e si autor.

Ti po e sheh edhe vetë, që po u more me letërsi pornografike, a bejtexhinjsh, gjen edhe përkrahje, a mbështetje nga autoritetet kulturore të këtij vendi, a shtëpitë botuese, por jo kur shkruan dhe i thur lavde dashurisë, të bukurës dhe romantikes, që ky vend e kjo shoqëri, po e vrasin sot në fakt, edhe më keq se në komunizëm… fatkeqësisht!