Forcat kryengritëse shqiptare, më 12 gusht 1912, morën nën kontroll Shkupin…

0
920

Forcat kryengritëse shqiptare, më 12 gusht 1912, hynë në Shkup dhe e moren nën kontrol qytetin. Me marrjen e Shkupit e pas ngritjes së flamurit shqiptar, zëra të diplomatëve të huaj thanë e shkruan se shqiptarët mund të shpallnin mëvetësinë e tyre në Shkup, në qytetin më të madh shqiptar atë kohë. Por, kryengritësit u shpërndanë, pa shpallur Pavarësinë e tërsisë së tokave shqiptare. Përse?

Hasan Prishtina në veprën e tij “Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqyptare të vjetit 1912” të botuar nga shtypshkronja françeskane në vitin 1921 rrëfen:

„Koha e shenueme për kryengritje u afronte gjithnji. I shkrova Ismail Qemalit qi ta kryente detyrën. M’u përgjigj me sot e me nesër e me premtime të thata. Me apathinë [pasivitetin] qi diftoi Ismail Qemal Begu në të kryemit e detyrës së vet, na pat krijue nji gjendje gati të dishprueshme.

Që në Prishtinë, Riza Gjakova dhe Isa Boletini më thanë se «ne nuk duam autonomi dhe nuk mund të dahemi prej osmanëve.» Kryengritja u sabotua sepse Riza Beg Gjakova dhe Isa Beg Boletini dhe shumë fanatikë fetarë [islamikë] hallin e kishin me mësye e me e lirue Sulltan Hamidin [Kalifin, prijësin islam] prej burgimit në Selanik [ku e kishin burgosur xhon-turqit që kishin hipur në pushtet nga viti 1908].
Në Shkup mbrritëm me 20 përqind të fuqisë që kishim në Prishtinë. Rizai e Isa mendojshin me pështu Sulltan Hamitin, qi ishte i burgosur në Selanik. Jo që nuk mund t’u flitte me ta për punë t’Independencës [Pavarësisë], por nuk mund t’u përmendje gjâ as për autonomi, pse këto ishin fjalë qyftri (mkati) për Riza begun e Isa Boletinin. Ibrahim pasha e dinte që Hasan Prishtina ishte prishur keqas (me disa krerë). Ishte nevoja me e shpërnda nji orë e më parë fuqinë që kishim.

Përfaqesues të ardhun të Shqipnisë së Mesme, Abdi Toptani, Mustafa Kruja dhe Marka Gjoni, kur panë shkallën e fanatizmit të Riza Begut e Isa Boletinit, u dëshpëruen. U bindën se nuk mund ta shpallnim Indipendencën [Pavarësinë].“

Miku i shqiptarëve dhe lobuesi i fuqishëm i çështjes shqiptare, politikani britanik Aubrey Herbert rrefen nga takimi me Isa Boletinin në Mitrovicë me 27 gusht 2012: Sipas Isa Boletinit “shqiptarët nuk donin autonomi.” Isa Boletini shtoi se “bashkimi i veriut me jugun [e Shqipërisë] nuk do ishte i favorëshem”, dhe se “Shqipëria dëshironte të qëndronte nën Sulltanin.” (Aubrey Herbert, “Ben Kendim: A Record of Eastern Travel”, London: Hutchinson&Co., 1924, faqja 198-213).

Më 7 shtator 1912, Luigj Gurakuqi, i shkruante parisë së Elbasanit, mes të tjerash, “… faji është i të gjithë neve, sepse u lanë të ndërhyjnë fanatikët e Prishtinës, Shkupit e të Tetovës, që deshën të tregohen më turq se turqit.”

Nga data 4 nëntor 1912, Hasan Prishtina ka qenë i burgosur nga serbët të cilët, pas shuarjës së kryengritjes shqiptare, pushtuan Kosovën, Maqedoninë e sotme dhe veriun e Shqipërisë. Hasan Prishtina u arrestua në Shkup, me një grup të madh udhëheqësish shqiptarë të kryengritjes dhe u çuan në burgun Kalemegdan në Beograd, në të cilin e kanë mbajtur deri më 1 prill 1913 dhe e kanë liruar falë presionit ndërkombëtar.

Në atë kohë, konsulli i Austro-Hungarisë në Shkup, thoshte se “… ka shqiptarë si në kohën e Skënderbeut, por nuk ka Skënderbej që t’i prij e t’i udhëheq”. Pasi Serbia, Mali i Zi dhe Greqia pushtuan pothuajse mbarë tokat shqiptare, intervenuan Italia e në veçanti Austro-Hungaria e cila kërrcenoi me luftë nese nuk tërhiqen ushtritë ballkanike nga tokat shqiptare. Në Konferencën e Londrës, mbeshtetësit më të medhenjë të çeshtjës shqiptare ishin pikërisht Austro-Hungaria dhe Italia, por edhe miq të tjerë siç ishin britanezët Aubrey Herbet, Edith Durham, etj.

Karl Max von Lichnowsky, atëbotë ambasador gjerman në Londër (1912-1914) shkruante: “Aleatët tanë [të Gjermanisë që janë Austro-Hungaria dhe Italia] dëshironin krijimin e një shteti të pavarur shqiptar, ku austriakët nuk donin që serbët të kishin qasje në Adriatik, dhe italianët nuk donin që grekët të merrnin Vlorën, madje nuk i dëshironin as në veri të Korfuzit. Në krahasim me këtë, Rusia, siç dihet, kishte mbështetur kërkesat e Serbisë dhe Franca ato të Greqisë.” (Die Denkschrift des Fürsten Lichnowsky”, 1918, faqja 15.)

Shteti shqiptar u bë kryesisht falë këmbënguljës nga Vjena dhe Roma. Vjena zyrtare akuzohej madje se donte një shtet shqiptar më fort së vetë shqiptarët. Ishte Vjena që kërkoi shpalljën e pavarësisë shqiptare, sado e vonëshme që ishte me 28 nëntor 1912, me në krye Ismail Qemailin për të simbolizuar para botës se edhe myslimanët e duan shtetin shqiptar. Sa e donin fanatikët fetarë shtetin shqiptar u pa në kryengritjët e mëvonëshme ku kërkuan kthimin e pushtetit turk në toka shqiptare.

Faik Konica rrefen: „Kur vajta me 1913 ne Shqiperi per te shikuar per s’afermi punet, zbulova me hidherim se shumica e madhe e popullit jo vetem qe nuk i shihte me sy te mire idealet t’ona te nje Shteti te perparuar, po s’pelqente as ndihmen qe po na jipej nga rastet dhe nga bamiresit e fuqive te’Evropes. Eshte per çudi dhe gje fare e vertete, se shumica e madhe e popullit te Shqiperise e priti dhuraten e dhene [shtetin e pavarur] me moskenaqesi, me thartesira dhe me sy te zgurdulluara nga prapamejtime: qe u duk pak me vone nga kryengritjet [pro-turke] qe u bene njera-pas tjatres.“ (Faik Konica, „Historia e ca ndryshimeve“, gazeta Dielli, 6 maj 1926).

„Dy gjëra dihen mirë: së pari, nuk ishte vetëm fshatari i Sharrës, Haxhi Qamili, që kërkonte “Babën” [Sulltanin], por dhe një pjesë e parisë së kohës, deri ditën e Pavarësisë, madje edhe më pas, e shikonin Shqipërinë nën suzerenitetin e Sulltanit. Së dyti, mungesa e mirëkuptimit, moskoordinimi i veprimeve dhe shfaqja e ambicieve klanore, elementë që nuk lejuan shpalljen e Pavarësisë shqiptare në Shkup, vazhdojnë të jenë ende tipare bashkudhëtuese të kombit, si në Veri, ashtu dhe në Lindje e në Jug.

Konferenca e Bashkësisë Islame e ka për mision të rrëfejë me objektivitet dëmin e madh që i sollën lëvizjes për Pavarësi shumë krerë fanatikë myslimanë.“ – Bajram Peçi (publicist dhe gazetar), Gazeta Shqip, 30 shtator 2012.

„E din vetë, kujtoj, zotnija,
se janë rrêna kto fjalë të tija,
se ai Shqipninë nuk e ka bâ.
Ai ka ndêj n’borë e n’murrâ,
n’Tarabosh e kah Tetova,
zi tue hjekun si sarova,
edhe âsht thá e bâ tërfurk
veç për t’lânë Shqipninë nën Turk,
për nën thundër të Sulltanit…“
Át Gjergj Fishta, „Gomari i Babatasit“, 1923