Nga Revista Drini – 27 Prill 2018
Nga Enkel Demi
Agjencia Reuters citon kryeministrin Edi Rama që është lutur në Berlin, duke thënë që nëse na ktheni shpinën për anëtarësimin në Bashkimin Europian, kjo “mund të ushqejë radikalizimin mysliman në vendin ballkanik, duke rrezikuar stabilitetin në rajon”. Citova fjalë për fjalë Reuters, në mënyrë që mos të thotë se këto janë biseda kazani.
Ky përfundimisht ka lujt’ mendsh, se nuk ka mundësi… nuk mund të qëllojë as në Afganistan, Irak a gjetkë një udhëheqës, kaq i lartë që të nxijë vendin e tij në këtë farë feje, madje të na fusë në një hartë alerti, në të cilën Shqipëria kurrë nuk ka bërë pjesë.
E para, nëse u themi europianëve na fusni, se përndryshe ata me mjekërr do shpërthejnë si kokoshka, ka gjasë që sak për këtë arsye mos të na fusin asnjëherë dhe të na trajtojnë veç narkotrafikut, krimit ordiner, skifterizmit edhe si terroristë të mbetur deri tani në tentativë.
E dyta, tek cilët myslimanë të Shqipërisë e sheh ky farë udhëheqësi rrezikun e terrorizmit? Ka vite të tëra që nuk ka asnjë shqiptar, që t’i jetë bashkuar ISIS-it, ndërsa në Gjermani, Belgjikë, Britani, apo ku të dojë ky, ka dhjetra, qindra, mijëra. Nuk flas vetëm për emigrantë të qytetarizuar në këto vende, por gjermanë, italianë, anglezë, pasi truri kokërr gruri është dhe provën më të fundit e kemi në këtë deklaratë.
E treta, kush ia ka mbushur mendjen këtij që po kërcënoi me Rusi e myslimanë do ia vënë në refene?
Natyrisht, ne kemi një pjesë të mirë të besimtarëve islamë në Shqipëri, që respektojnë traditën e të parëve të tyre në besim dhe falen përditë në xhami. Janë të pranishëm kudo në jetën tonë, me mënyrën e tyre të jetesës dhe besimit. Kemi një shumicë dërrmuese qytetarësh që nga mbiemrat duhet t’i përkisnin kësaj tradite besimi, por nuk e ndjekin, ashtu si bëjnë plot të tjerë të traditës së krishterë. Në përgjithësi, mospërfillja ndaj besimit është konceptuar si tolerancë fetare e meqë kjo na ka ardhur pas shtatit, e kemi bërë të njohur, sa herë kemi patur mundësi.
Në Shqipëri nuk të prek kush me dorë, nëse del në rrugë me mjekër, pantallona deri tek kyçi këmbës, me shami, me kaçurrelat e hebrenjve, me ruzare në qafë. Në Shqipëri të vrasin për një vijë ujë, për një gardh, për një fjalë goje apo vështrim të keq, por vështirë të të ngjajë gjë për besim dhe dasitë e tij. Tek-tuk shfaqet ndonjë besimtar a klerik (jo vetëm mysliman) që këput ndonjë mufkë, por shpejt kthehet në hajgare. Ne nuk kemi një parti islamike të mirëfilltë, megjithëse ky vetë i thotë Reuters që me statistikë shumica janë myslimanë.
Nuk e ka parë kush të nevojshme krijimin e një force të këtillë politike, si fjala vjen Partia “Islam” që është krijuar në Belgjikë, e cila këto ditë i ka turbulluar belgët, meqë ka thënë se për ngacmimet në autobuz fajin e kanë edhe gratë që vishen në mënyrë provokuese. Madje, edhe demokristianët nuk kanë patur kurrfarë suksesi në Shqipëri, veç perlave filozofike të udhëheqësit të tyre që emocionojnë vetëm Lulin.
Tani, ky nga na i nxorri, madje shkoi më tej dhe tha që po i turbullon ujrat myslimane ndikimi rus. Këta rusët i kemi si Asi nën mëngë, ua rrasim gjithë prapësitë, sepse mendojmë që ata në Europë nuk e dinë ç’bëhet këndej nga atdheu ynë. Në fakt, realitetin e besimit dhe rrezikun që mund të vijë prej lëvizjeve radikaliste e njohin shërbimet inteligjente perëndimore, të cilat në Shqipëri kanë një prani të rëndësishme. Por, fjala vjen shërbimi gjerman asnjëherë nuk ka raportuar këtë rrezik, por narkotrafikun, prandaj kur ia thua Merkelit këtë, ajo e kupton që në rastin më të mirë ose ke rrëshkitur nga fiqiri, ose në rastin më të keq po rren si herët.
Ky nuk mund të vazhdojë më me këtë lojë tinzare që Angelës i thotë Papë, kurse Erdoganit i flet me sure kuranore, sepse me gjasë i vetmi që mund të radikalizohet është ai, madje nën ndikimin rus.