POEZIA BASHKËKOHËSE SHQIPE

0
530

MAZLLUM SANEJA

MIGJENI

Lart
E ngrita Shkodrën

Provinca
U bë botë

Ky qytet
Është esencë

Këtu
Gjithçka fillon
Dhe mbaron

Bota ime
Ekzistenca ime
Kërkon siguri

Unë
Kam nevojë
Për qetësi shpirtërore

Nga çdo anë shoh
Imazhe trishtimi
Që më bëjnë të vuaj

Gjithnjë ëndërrova
‘të lindet një njeri
i madh si madhni…’

Ah
Ëndërrimet e mia

Nganjëherë
Me gisht vizatoj
Në ajër
Një shtëpi të vogël

Që të ndihen
Të lumtur
Vegjëlia

Oh sikur të mundja
Të vë kokën
Dhe për një çast të prehem
Në fatin tim

Në të zbardhëllyer
Të agimit
Gjithnjë doja të shihja
Horizonte të ndritura

Matanë rrugës
Dëgjoj zërin e çjerrë
Të lypësit

‘Po si do të jetoj unë…’
Sikur ndiej drithmat e tij

Ah vegimet e mia
Në këtë valë shpirti

Si ta kapërdij kohën
Kur piva deri në fund
Kupën e hidhur të mjerimit
Kur ndieja pamëshirë
Mbi supet e mia
Grushtat e jetës

Se ka gjëra
Të cilat
Kapërcejnë
Masën e vet

Se në çdo gjë
fshihet
edhe gazi
edhe vaji

Gjithnjë më shumë
Parandiej
Se ditët e mia
I kam të numëruara

Ndaj
Shpirti im është i pikëlluar

Varshavë,
Fundi i Prillit 2018