ROMANI “REBEKA” I AUTORIT ENGJËLL KOLIQI

0
825

Trajton shumë sfida dhe peripeci jete nga realiteti ynë kombëtar

Shkruan: Dr. Zef Mulaj

Ancona (Itali), prill 2018

U njohëm me Engjëll Koliqin në një festë emigrantësh, në Itali, vite më parë. Që nga ajo ditë e deri më sot nuk me kan munguar në e-mailin tim poezitë e tij, që m’i dërgon vetë Engjëlli, disa vite nga Italia e viteve të fundit nga Kosova. I lexoj me kënaqësi të madhe poezitë e tij dhe ndihem i emocionuar nga vargjet e bukura, sentimentale, plot shpresë për të ardhmen njerëzore, dhe mbi te gjitha për një përspektivë të ndritur që e thërret për Kombin tonë.

Tek zëri i Engjëllit, në çdo varg mbizotëron dashuria njerëzore, me të cilën ai lidhë në marrëdhënie njerëzit, popujt, politikën, lirinë e besimin. Poezia e tij është një filozofi dashurie, kushtrim njerëzor për atdheun e për kombin tonë… Vargjet e tij shpesh tingëllojnë edhe si britma e mallkime për ata që e fyejnë dhe e lëndojnë atdheun e shqiptarizmën tonë të shenjtë, siç e quan poeti i rrënjës së Koliqëve. Me poezitë e tij mjaltishte, në stilin e lartë të lozës shkodrane, Koliqi këndon edhe bërtet nga froni mbretëror dardano-ilir, bashkë me mbretëreshën e mrekullive, siç e quan ai Nënëloken Shqipëri.

Por, nga ky shkrimtar, të mëton të jetë pasardhës i denjë i Axhës Ernest Koliqi, nuk mungoi surpriza e re. Ai pas librave poetikë, publicistikë, eseistikë e monografive, në fund na erdhi me një roman, me titull “Rebeka”, që është dhe diçka më shumë se roman, më shumë se një jetë në kerkim te lirisë, e munguar në trojet dardane. Ja dhe surpriza e Koliqit, që shpesh na paraqitet si Engjëlli Dardano-ilir Koliqi, domethënie shenjtëruese e mbiemrit të tij. Nuk i mjafton shpirtit të poetit e shkrimtarit ta hedhë në letër, në poezi apo ne roman emrin “dardan”. I duket pak dhe kërkon që ta mbjell në gjakun e tij, ta qepë trupit në çdo qelizë, duke ia kthyer fytyrën dritës së diellit, gjithnjë duke gërryer brenda vetvetes arkivin e lashtësisë dardane, e copëtuar, e robëruar, e dhunuar, e tjetërsuar.

Ndaj vetëm dashuria e mirëfilltë njerëzore, çfarë na e predikon ky shkrimtar me penën e tij, mund t’ia rikthej fytyrën nga dielli Dardanisë së madhe, për të cilën përjeton e kërkon edhe në romanin e tij te mrekullueshëm, ku dashuria ringjallet e na thërret nëpermjet personazheve të goditur. Fuqishëm na thërret me gojën e me shpirtin e Rebekës, të Samirit, të Teutës e të Sokolit. Ata personifikojnë “humnerat” në trojet dardane, të mbuluara me dhunë e gjak, por gjithnjë shpresa e shkrimtarit në betejat e mëdha gjatë gjithë historisë, i shtjellon me dashurinë për tokën, atdheun e tjetërsuar nga padrejtësitë historike.

Kur lexon Prof. Engjëllin, hyn në një botë emocionale, ku të rrethojnë epokat plot luftëra e tortura të njeriut në tokën e tij, duke kërkuar lirinë e grabitur e të ndaluar, shpeshherë duke u ndodhur përballë trishtimeve historike kthehesh në “Somnabul” për t’mos ndjerë dhembjen që trasmetojnë frazat e thjeshta, ndërthurjet e ngjarjeve në mes njerëzve e personazheve, që harrohen në periudha të ndryshme, me shpresë për t’u rikujtuar,

për të rilindur në tokën e tyre. Shpesh personazhet ikin, largohen, ose burgosen. Mbijetojnë kufinj hartash të prera me sopatën e egër të rregjimeve historike.
Me shumë butësi me fjalën dashuri e trasmeton historinë në një “bastarde” që mbeshtjell Dardaninë e Madhe, me një shami të zezë mbi fytyrën e saj, e shkon më larg butësishë, tek tjetërsimi i njeriut në besimin personal.

Fantazia moderne artistike nëpër lidhjet e funksionimit të personazheve, në romanin “Rebeka”, me porositë educative nga britmat artistike, bëhen intepertues të fuqishëm të historisë letrare, të historisë dardane deri në ditën e lirisë.
Ata jetojnë me shpresa dhe në masën e gjerë të popullit, të kthyer në trupa lëvizës, të komanduar në trojet e tyre. Pra, edhe dashuria merr formë detyrimi, dhunimi, interes vetëm e vetëm për të mohur brenda vetë jetës realitetin shqiptar në trojet dardane. Engjëlli gjen zgjidhejn vetëm atëherë kur njeriu jeton i lirë në vednin e tij, vetëm atëherë dashuria e harruar ringjallet sepse ringjallet e vërteta.

Duke analizuar çdo lëvizje dhe reagi të personazheve në këtë roman, mund të themi se duke udhëtuar në artin letrar poetik dhe në prozën e Engjëllit, do të ndjehesh tjetër, do të zgjohesh dhe do të udhëtosh në botën e emocionit dhe të forces, besimit dhe shpresave të mëdha, që ai kerkon thjesht nëpërmjet dashurisë njerëëzore, mund të arrij bota në një paqe të vërtetë dhe liri të mirëfilltë, çfarë e duan të gjithë.

Mund të flasësh dhe të shkruash pa fund për Engjëll Koliqin, per hapsirën e madhe letrare me një numër të madh librash të publikuer brenda dhe jashtë atdheut. “Rebeka, një dashuri e ringjallur” i lihet lexuesit për ta kuptuar atë fond të madh artistik, gjuhën e interpertimit artistik, epokat e lodhura e të trishtuara pa liri të popujve që sundohen, dhunohen e tjetërsohen për interesa “padronësh” që duan të sundojnë padrejtësisht në kurrizin e poujve. Në mes tyre populli dardan i lashtë në penën e Engjëllit bëhet legjendë e dashurisë njerëzore …

Bashkë me këto pak fjalë e vlerësime, po lë lexuesit të lexojnë “Rebekën”, edhe pak biografi të mikut tim Engjëll, me të cilin u njohëm dhe filluam bashkëpunimin në artin letrar, në diasporë dhe të kontribuojmë bashkë në shume lëvizje e kremte shqiptare.

Engjëll Koliqi është i lindur më 10 nëntor 1956, në Stubëll të Vitisë në Kosovë. Shkollën fillore tetëvjeçare e ka mbaruar në vendlindje, gjimnazin – drejtimin e shkencave natyrore/matematikore në Viti dhe në Ferizaj. Në Universitetin e Kosovës në Prishtinë ka mbaruar fakultetin e edukimit dhe ka marrë titullin akademik: profesor i pedagogjisë.

Tetë vjet ka punuar në vendlindje, si mësimdhënës e edukator. I ndjekur nga regjimi okupues i Beogradit, pasi më parë edhe ishte arrestuar, në mars 1990 është detyruar të largohet nga vendlindja dhe shkon në Itali, ku jetoi e punoi rreth 23 vite. Nga janari 2013, e la mërgimin dhe u kthye e punon mësues në vendlindje, aty ku e la në mars 1990.

Që nga fillimi ka punuar gazetar dhe redaktor në Radio Vatikan, korrespondent i radiotelevizionit shqiptar – RTSH në Tiranë e pastaj i radiotelevizionit të Kosovës – RTK në Prishtinë. Ka punuar edhe për radiotelevizionin publik të Maqedonisë, si dhe për radiotelevizione të tjera private në gjuhën shqipe. Mbi 20 vite shkruan në shtypin e përditshëm dhe atë periodik shqiptar – në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në diasporë. Më së shumti ka shkruar në gazetat: Rilindja, Bujku, Bota Sot, Lajm Ekskluzive, Pavarësia News, Koha Jonë, Rilindja Demokratike, Panorama, Shekulli etj. Ka bashkëpunuar edhe me gazetat italiane – Corriere della Sera, La Repubblica, Il Messaggero, La Stampa, Il Mattino, Resegone, L’Avvenire, Famiglia Cristiana etj. Poashtu ka bashkëpunuar edhe me dy qendrat kreyesore radiotelevizive italiane – RAI dhe MEDIASET.

Mbi 30 vite është marrë me organizimin e shoqatave atdhetare, kulturore, artistike dhe humanitare. Në politikë nuk është angazhuar as aktivizuar në asnjë parti, edhepse bashkëpunonte me të gjitha palët e politikës shqiptare, në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare. Ishte i akredituar nga Qeveria e Kosovës, si gazetar dhe veprimtar në Itali. Tani që është kthyer e punon në Kosovë, duke mos ushtruar mël profesionin e gazetarisë, Engjëlli po jep kontributin e tij politik, duke qenë kryetar i nëndegës së LDK-së në vendlindjen e tij, në Stubëll.

Përveç artikujve gazetareskë dhe shkrimeve publicistike, ka botuar edhe qindëra poezi, nëpër gazeta e revista shqiptare. Në italisht ka botuar përmbledhjet me poezi “Il mio secolo si chiama amore” (Shekulli im quhet dashuri), si finalist i konkursit ndërkombëtar “Autorët për Europën 2005”, në Shtëpinë Botuese IBISKOS, në Empoli, si dhe përmbledhjen tjetër voluminoze, prej 161 poezishë, me titull “Sentimento di luce” (Ndjenjë drite), më 2007, nga Shtëpia Botuese BOOPEN, në Napoli.

I njëjti libër, në gjuhën portugeze, me titull “Sentimento de luz” është botuar nga Shtëpia Botuese PROTEXTO, në Curitiba (kryeqytet i shtetit Paraná, në Brazil). Ndërkaq në vitin 2008, Shtëpia Botuese O LUTADOR në Belo Horizonte (kryeqytet i shtetit Minas Gerais, në Brazil), ka botuar librin e këtij autori “Madre Teresa – um amor sem limites” (Nënë Tereza – një dashuri e pakufijshme), me parathënien e Hirësisë së Tij – Kardinalit Serafim Fernandes Araújo dhe është pritur jashtëzakonisht mirë nga lexuesit dhe nga kritika. Që të dy librat, në gjuhën portugeze i janë përkthyer nga Profesoresha e mirënjohur Dr Vera Lúcia Alves Neves.

Në vitin 2009 shkrimtari Baki Ymeri ia ka bërë një përzgjedhje poezishë, ia ka përkthyer rumanisht dhe ia ka botuar në Bukuresht, në shtator, librin poetik me titull “Să schimbăm lumea cu iubire” (Ta ndërrojmë botën me dashuri), për të cilin libër kanë shkruar kritikë letrarë të atjeshëm shumë pozitivisht. Shqip ka botuar librin “Ylli i Dardanisë rrezaton tokë e qiell” kushtuar Nënë Terezës, që më pas u botua edhe në gjuhën italiane (La Stella di Dardania irradia terra e cielo – në shtëpinë botuese “Trisauro” në Kalabri, sponzorizuar nga Komuna e Strigarit/vendlindja e Zef Serembes), dhe po përkthehet edhe në disa gjuhë botërore.

Libri mbi Nënë Terezën është botuar më 2010 (shqip në maj, kurse italisht në shtator). Në Tiranë, shtëpia botuese Globus R, ia ka botuar librin poetik “Trokitje të heshtura”, në gushtin e vitit 2010. Në maj 2011, shtëpia botuese “Rugova Art” në Prishtinë nxori librin e tij monofrafik “Dr Ibrahim Rugova, arkitekt i Dardanisë së Re – Republikës së Kosovës”, ndërkaq në muajin shtator, në botimet “ADA” në Tiranë, doli libri me ese dhe reportazhe “Për një jetë më të mirë”.

Gjithasshtu në vitin 2011, në Prishtinë doli vëllimi i tij poetik “Nën kurorën e lisit plak”, redaktuar nga Naim Kelmendi dhe Zhuliana Jorganxhi, në “Rugova Art”. Ky libër, në qershor të vitit 2012 fitoi konkursin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve Shqiptarë në Gjermani, duke u shpallur libri më i mirë poetik i autorëve të diasporës, i botuar në vitin 2011 dhe i dha Çmimin e parë “Azem Shkreli”. Në fund të vitit 2012, në Shtëpinë Botuese “Vllamasi” në Tiranë, i doli vëllimi poetik “Njëqind lule për Nënën” kushtuar Shqipërisë në 100 Vjetorin e Pavarësisë.

Në vjeshtën e vitit 2013, në Prishtinë, nga shtëpitë botuese “Rugova Art” dhe “Drita” iu botua libri tjetër publicistik “Miku i madh i shqiptarëve” kushtuar Papës Gjon Pali II, me redaktor Naim Kelmendin e recensentë Dr Dom Lush Gjergjin dhe Visar Zhitin. Në pranverën e vitit 2015, e njëjta shtëpi botuese (“Rugova Art”) i nxori në dritë edhe dy libra të këtij autori: librin publicistik “Gjurmëve të Martirëve” dhe atë poetik “Fituese është dashuria”. Ky roman është libri i gjashtëmbëdhjetë i këtij autori, respektivisht romani i parë i Engjëll Koliqit, ku redaktor e ka një koleg të tij nga Tirana – koleg krijues dhe gazetar Demir Gjergji.

Tani ka të përfunduar një libër publicistik-shkencor, mbi historinë e shkollës shqipe, me mbi 500 faqe, që do të shohë shpejt dritën e botimit. Është duke punuar në një libër tjetër publicistik, për luftën e ballistëve tanë dhe disa vëllime poetike. Koliqi ka filluar të shkruajë romanin e tij të dytë, me titull “Faleminderit o Zot”, të cilin do ta botojë në disa gjuhë botërore dhe pretendon çmime ndërkombëtare.

Engjëll Koliqi, në vitin 2011, në Tiranë, është shpallur ambasador i paqes, kurse nga viti 2014 është anëtar i Akademisë Europiane të Arteve, me seli në Paris, në kuadër të së cilës, në një aktivitet kombëtar-shqiptar, në Durrës mor çmimin e parë publik për poezi.

Në janar të vitit 2009 pati një aksident të tmerrshëm automobilistik në Slloveni dhe mbas afër gjashtë javë në gjendje koma, falënderojmë Zotin që dëgjoi dhe përfilli lutjet e shumë dashamirësve, e ringjalli mrekullisht dhe po e merr vetin ngadalë, por sigurtë. Nga ky autor mund të presim edhe shumë tituj e shumë libra të tjerë, sepse nuk pranë kurrë së shkruari, me penën e tij mjaft të mprehtë e të ëmbël.

Dr. Zef Mulaj, Itali 26/04/018