Një datë për nënat shqiptare

0
549
Leonora Laçi

Leonora Laçi

Një datë për kalvarin e vuajtjeve dhe sakrificave të nënave shqiptare.
Me ardhjen e Majit në vende të ndryshme të botës festohet sakrifica e nënës, psh: në SHBA dhe Australi festohet e diela e dytë e çdo Maji.

Nisur nga kjo dhe ne shqiptarëve na duhet një datë përkujtuese për vuajtjen dhe sakrificën e nënave shqiptare në periudhën diktatoriale.
Nuk po them për 8 Marsin si ditë e gruas që tek ne konceptohet si dita e shkundjes dhe tundjes së femrave nëpër restorante, por për një tundje e shkundje ndërgjegjesh të përkujtimit të të gjithë femrave që ishin vajza e u bënë nëna, që sakrifikuan gjithçka për familjen e për shoqërinë.
Po shkruaj për ato të djeshmet dhe të sotshmet, edhe për veten.

Heroinat e periudhës komuniste…

Janë ato heroina që pritën burrat e arratisur, e shumë nga ato vdiqën… në pritje.
Janë ato heroina që pritën djemtë e arratisur e lotët s’iu ndalën, por u bënë një me fytyrën.
Janë ato heroina që buzëqeshjen nuk e njohën, s’dinin të lumturoheshin kur ishte koha, s’njohën gëzime, as dinin t’i përjetonin, nga frika se po i humbnin.

Janë ato heroina-nëna që qëndruan e nuk u tunduan, frikë s’patën, nuk u shitën as falën, e fatin e hidhur përqafuan.

Janë ato nëna -heroina që rrugëtimin nëpër kampe internimi e burgje, me trasta ushqimi ngarkuar rëndshëm, e bënin me ditë të tëra.
Këtyre nënave u vdiqën foshnjat nëpër kampe internimi vetëm për një pikë ujë…
Duruan dhimbje, tortura, dhunime.
Hapen gropa varresh e bashkë me foshnjat varrosnin dhe një pjesë të shpirtit.

Janë po këta heroina që nderin e kishin të shenjtë e s’bënë kompromise, fytyrat e tyre pa ngjyrë gjaku i mbijetuan kafshërisë mashkullore të njeriut të ri.
Janë po këta nëna që qumështin e gjirit e ndanë me të tjera kur krahu i tyre mbeti boshë bashkë me zemrën, por jo vetëm atëherë solidariteti ishte i dukshëm.
Po shkruaj për ato nëna që fustani i zi iu bë si lëkur e trupit, e jetën me dhëmbë shtrënguan.
Po shkruaj për nëna që s’njohën gëzime, lumturi, as patën kujt t’ia jepnin as merrnin.
Për nënat që kapanonet u bënë shtëpija e tyre e fundit.
Për ato burrnesha pa burra, burrnesha që me burra u hanë, e dolën fitimtare, e për burrnesha që bënë këtë rol kur kulm s’patë më shtëpija.
Për ato nëna që falenderime s’pritën, lodhje s’njohën, kurrë s’ankuan, as u ndjenë, as dekorata s’deshën.

Për nënat e djeshme dhe të sotshme, për ato që më s’jetojnë, vdiqën me pengje zemre e ndoshta të vetme, kush nuk pati t’i hidhte një grusht dhè a dy pika lotë.
Për nënat që gjetën forca të jetonin kur s’kishin përse, e dhimbja nuk i vuri përfundi.
Për nënat që mbijetuan të na tregojnë mbi një kohë tjetër, që guxuan të flisnin, edhe për ato nëna që sekretet me vete i morën.

Po shkruaj dhe për ato vajza që nuk u bënë kurrë nëna por u rritën pa lëshuar shtat se barra familjare i maturoi para kohe.
Për vajzat që veshën vetëm fustanet e zeza se i bardhi nuk ishte i destinuar për ta.
Vajzat që ndrydhën ndjenjën për shkaqe biografie, vajza që kurrë mëmësinë se provuan a nëna që kurrë s’vajzëruan.

Për vajzat që iu bënë krahë nënave, për vajzat që shkollimi mbeti një ëndërr ëndrrimtare.
Po shkruaj dhe për vajzat luftarake që luftuan gojët e liga e mentalitetet e trashëguar hodhën prapa krahëve.
Për nënloket shqiptare që çmimi Nobel është i vogël para madhështisë së tyre.

Por fillimisht t’i gjejmë një datë…
Një datë ju lutem, e një memorial përkujtues të ngremë.

Edhe 4 shtatori i shenjtërimit të Nënë Terezës do ishte simbolika më e përshtatshme.