DEMOKRACIA NUK PRET – PAK FJALË PËR MËNYRËN DHE STILIN E TË SHKRUARIT TË GAZETARIT FRANK SHKRELI

0
697

Nga Dalip Greca

Kam mendimin se libri që promovojmë”Demokracia nuk pret” i gazetarit Frank Shkreli, përveç mesazheve dhe shqetësimeve qytetare, sjell edhe përvojën e tij gazetareske, ku dallohet një stil i veçantë i të shkruarit, me një gjuhë të pasur nga ana leksikore dhe të pastër nga fjalët e huaja, pa fjalë e fjali parazite, pa shprehje standarte e pllakateske, që vlen të studiohet dhe të merret në konsideratë nga gazetarët e rinj, natyrisht pa e imituar. Stili i tij gazetaresk nuk vuan nga mania e oratorizmit apo e ligjërimit fals.

Në shikimin tim, z. Shkreli është një vëzhgues i kujdesshëm i zhvillimeve demokratike, i ngjarejeve të ditës dhe ato të perspektivës, veçanërisht në trevat etnike shqiptare dhe një analist gjakftohtë, që operon kujdesshëm me faktet, pa e ngarkuar tekstin. Frazat dhe fjalitë në 80 artikujt e këtij libri që promovojmë janë të zhveshura nga mbingarkesa e huazimeve të huaja dhe përdor mjaft mirë gjuhën shqipe, edhe pse ka mërguar në moshë fare të re në SHBA.

Mendoj se kapja e temës dhe vendosja e titujve përbën një model për atë që do të mësoj prej përvojës së gjatë të tij. Duke jetuar në SHBA, larg trojeve kombëtare, ai nuk e ka të vështirë që të ndjekë zhvillimet mbarëshqiptare dhe të jetë një mbrojtës i flaktë i çështjes kombëtare me argumente dhe jo në mënyrë folklorike siç e bëjmë ne shqiptarët shpesh. Gazetarit Shkreli i shërben si lëndë e parë për analizat e tij edhe një fakt, një problem, i ngritur në median e shkruar apo atë televizive. Në shkrimet e tij, të cilat në tërësi janë analiza të dukurive dhe fenomeneve që pengojnë demokracinë e brishtë, nuk mungojnë edhe shkrime -tip leksion demokracie apo vlerësime Historike për figura Kombëtare të nëpërkëmbura. Jo rrallë ai jep kushtrimin për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.

Në stilin e tij gazetaresk të bie në sy operimi mes fakteve dhe gjykimit. Në shumicën e shkrimeve ka një shqetësim bazë; ka një fakt-themel, mbi të cilin ngrihet ngrehina e artikullit. Shpesh herë ai e nis analizën duke iu drejtuar një fakti apo disa fakteve së bashku. Po sjell në vëmendje për të ilustruar idenë artikullin-analizë: “At Gjergj Fishta si vlerë Kombëtare”. Shkrimi nis me një referencë të shtypit të Tiranës, në rastin konkret të Gazetës “Telegraf (gazetë ku ai vetë është një bashkëpunëtor i aktiv”, – ku jepet kushtrimi”SOS” për gjendjen e mjerushme në të cilën ndodhej dhe ndodhet ende sot, Shtëpia e At Gjergj Fishtës, e kthyer në një magazinë kallamishtesh, ndërsa përballë saj qëndron stoik busti i poetit kombëtar, kandidat për Çmimin Nobel! Analistit Shkreli i mjafton ky sinjal-fakt i gazetës, për të na sjellë shqetësimin plot nerv të intelektualit për Kolosin e letrave shqipe, për atdhetarin, shërbestarin e Kombit, At Gjergj Fishta.

Është një analizë e plotë, e detajuar, që përcjell përveç vlerësimit historik të kësaj figure madhore Kombëtare, edhe një kritikë të ashpër e të pamëshirshme për shtetarët indiferentë shqiptarë. Gazetari është i pamëshirshëm ndaj autoriteteve shqiptare, që mbyllin sytë dhe veshtë përballë gjendjes skandaloze të banesës së Homerit Shqiptar: Ai denoncon me kurajo qytetare. Gazetari flet hapur, pa kursyer kënd dhe del në përfundimin se: ”Kundër At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij, vazhdon ”përdhunimi historik”, harresa dhe denigrimi nga një grup, siç duket me influencë në vendimarrje të tilla, nga një grup historianësh politikë të doktrinuar, të cilët gjithnjë i referohen Homerit të shqiptarëve me epitetet më fyes si:”fashist” e “tradhëtar”…

Stili i gazetaresk i z. Shkreli dallohet edhe për faktet burimore dhe refencat e pasura mbi të cilat ngrihen shkrimet e tij. Për ta ilustruar këtë do të mjaftonte si referencë shkrimi-kumtesë, i mbajtur këtu, në këtë sallë, në Vatër: “Arshi Pipa: Mendime të hedhura me rastin e 95 vjetorit të Lindjes”. Për të analizuar e portertizuar shkrimtarin, poetin, filozofin, përkthyesin, studiuesin, politikanin disident, autori operon me figura të tjera të njohura, të cilat sjellin vlerësime për të, ose ai për ata… si poeti e shkrimtari disident Visar Zhiti, që ashtu si Pipa, vuajti tmerret e hetuesisë dhe burgjeve të diktaturës komuniste, që në takimin e parë me shkrimtarin e madh, pat sjellë këtë vlerësim: …Arshi Pipa “ishte njeri i prerë, i pa kompromis, madhërisht i pamëshirshëm me diktaturën”,… apo tek vlerëson prelatin e Lartë të Kishës, shkrimtarin dhe Ipeshkëvin Martir Vinenz Prendushi; apo referimi i vlerësimit të Pipës nga poeti Kombëtar Martin Camaj, të gjitha këto së bashku, me sjelljen e mesazheve të veprës, plotësojnë figurën e Arshi Pipës.

Përsëris: Stili i të shkruarit të z. Shkreli, dallon nga pastërtia e frazës dhe e fjalisë; nuk ka fraza e fjali parazite të ndërmjetme të ngufatura me ujëra, që e rëndojnë shkrimin. Tjetër cilësi e stilit të tij: Ka një raport të drejtë mes fakteve dhe analizës.
Ka një dallim në shkrimet e z. Shkreli duke u nisur nga natyra e shkrimit, tema që trajton. Në këndvështrimin tim, duket se kur ai trajton tema historike apo sjell personalitete historikë, ka një stil të vçantë, përmban në vetvete një lloj kushtrimi, shoqëruar me një pathos të veçantë brenda vetes, që përcjell krenarinë e të qenurit shqiptar. Mjafton të lexosh shkrimet kushtuar figurave historike si; At Gjergj Fishta si vlerë Kombëtare, Dedë Gjon Luli në Shërbimin Kombëtar, Luigj Gurakuqi në një Optikë të re, Rivarrimi i eshtrave të Heroit Kombëtar Isa Boletini; Kol Bibë Mirakaj:Vetëvrasja e një Kombi; Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi; At Shtjefën Gjeçovi-Apostulli i Bashkimit Kombëtar, Ibrahim Rugova, njeriu që bëri miq për Kombin shqiptar, Mithat Frashëri me rastin e 65 vjetorit të vdekjes; Dom Simon Filipaj:Shqiptarë flisni shqip me Zotin”, e shumë e shumë të tjerë …

Stili i gazetarit Shkreli shquhet për thjeshtësinë e qartësinë e mendimit dhe mesazheve që përcjell; ai dallon për komunikimin e drejtëpërdrejtë me lexuesin. Them me bindje se kur shkruan ai ka përballë lexuesin e tij. Ndoshta arsyeja do kërkuar tek ajo që konstaton studiuesi Thanas Gjika se tek ai ka ndikuar gazetaria radiofonike. Pra kur Franku shkruan mendon se ka përballë lexuesin e tij me të cilin komunikon, që apelon përmes artikullit.

Në publicistikën e z. Shkreli ndeshim dhe përballjen e fakteve apo vendosjen e dy a më shumë gjendjeve ballëpërballë. Mjafton të sjellim në kujtesë shkrimin”Roli i Diasporës në Politikën e Jashtme Amerikane”, ku autori përball vlerësimin dhe vëmendjen që i kushton shteti amerikan Diasporës Botërore në Politikën e jashtme të saj, duke e përballur me harresën e shteteve shqiptare ndaj Diasporës së tyre.

Në këndvështrimin tim, publicistika e shkruar e z. Shkreli është e zhveshur nga fjalët bombastike, nga vlerësimet e glorifikuara. Nuk gjenë tek ai shprehjet e lodhshme që karaktirizojnë gazetarinë e rëndomtë edhe këtu në komunitet, ku të gjithë përshkruhen si të mirënjohur, të shquar e shumë të shquar, tepër të njohur, shumë të talentuar, ku të gjithëve u vihen grada dhe tituj, sa na është mbushur komuniteti me doktorë e profesorë, Profesor-doktore, shkrimtar i shquar, poet i shquar, artist i shquar etj…edhe kur nuk i kanë këto grada ua jep gazetari. Jo, Franku i jep secilit hakun që meriton.

Gjithësesi mendoj se publicistika e gazetarit Frank Shkreli meriton vëmendje edhe nga katedrat e fakultetet e gazetarisë në Tiranë e Prishtinë, ndërsa për ne gazetarët e komunitetit të këtushëm, dhe në përgjithësi gazetarët e diasporës, ai mbetet një model nga duhet mësuar, natyrisht jo kopjuar. Uroj: Përurofshim së shpejti dhe librin e ri me publicistikë të autorit!

DALIP GRECA, 21 Prill 2018