Sami Repishti: Rreth librit “Demokracia nuk pret”

0
429

Fjala Përshëndetse në bashkëbisedimin e mbajtun në selinë e Vatrës me rastin e promovimit të librit “Demokracia nuk pret” e shkrimtarit Frank Gjeto Shkreli (Tiranë, 2016) datë 21 prill 2018.

Përshëndetje Z. Kryetar,

Të nderuem kolegë e miq të Vatrës dhe kolegut Frank Gjeto Shkreli: Mirëdita!
Ju falënderoj që më jepet sot mundësia me thanë dy fjalë të mira për kolegun tim Frank Gjeto Shkreli. Siç thotë edhe emni ai vjen nga katundi i Shkrelit. Unë vij nga Repishti, të dy pjesë e rrethit Koplik, Shkodër, rreth 2-3 orë distancë me kambë. E kam kushëri. simbas zakonit të maleve tona…

Kërkoj falje që gjendja e ime shëndetsore nuk më lejon sot me qenë këtu e me nda së bashku kënaqsinë tonë për celebrimin e punës së frytëshme të këtij kolegu aktiv e të çmuem.

Kanë kalue shumë vjet që nga dita kur unë njoha Frankun rastësisht gjatë nji vizite në zyrët e Zërit të Amerikës. Paraqitjen e bani kolegu i ynë i përbashket, Dr. Elez Biberaj, dhe të tre kaluem nji dreke pune që, për fatin e mirë, krijoi premisat e nji shoqënie të sinqertë dhe të nji bashkëpunimi të frytëshëm. Ishin vitet e veprimtarisë sonë aktive në sherbim të kauzës për të gjithë ne: për pavarësinë e Kosovës. Cili shqiptar që mban këte emën me krenari guxonte me mohue kontributin e vet për nji kauzë të shenjtë, siç ishte pavarësia e Kosovës? Na, të gjithë na, ishim “kosovarë” që nga Tivari deri në Prevezë, si thotë kanga e vjetër.

Shumë ujë ka rrjedhë nen urë; shumë gjak ashtë derdhë; e shumë djersë ka shkue rrke si rrjedhim i punës së madhe e të përbashkët në sherbim të Nanës Kosovë. Nga ata që u dalluen ka qenë Frank Gj. Shkreli në cilësinë e tij si drejtor i seksionit euro-aziatik në Zerin e Amerikës për vite të gjata dhe kushtim të plotë. Ma parë kam shkrëue: “Paraqitja në publik e gazetarit dhe transmetuesit të programeve televizive të analistit politik shqiptaro-amerikan, Frank Shkreli, ashtë nji eveniment me randësi për botën kulturore shqiptare, dhe sidomos per ne, shqiptaro-amerikanët.

Ashtu ashtë edhe sot. Jetëshkrimi dhe veprimtaria e këtij personaliteti që u lind në nji fshat të vogël e arriti pozita të nalta në administratën amerikane ashtë tregimi ma i mirë i përgatitjes, aftësisë, dedikimit dhe ndershmënisë intelektuale të Frank Shkrelit. Arsim e punë kambëngulëse kanë qenë dy krahët që lehtësuen fluturimin e Frankut në sukses, dhe e ngritën ate në sferat e nalta amerikane. Sot, ai thotë me mburrje: ”Jam shumë krenar për sherbimet e mia në Administratën amerikane”. Në vitin 2003, Franku doli në pension që do të thotë ma shumë kohë me shkrue.

”E gjithë veprimtaria e Frank Gj.Shkrelit, qoftë ajo letrare, qoftë politike, përshkohet nga tri ide kryesore, boshti i filozofisë së jetës tij;

E para: besimin në Zotin, feja e krishtenë; dhe
E dyta: sherbim për atdheun Nanën Shqipëri, që për atë përfshinë të gjithë hapësinën shqiptare në Ballkan, Me nji pikë qendrore: epoka e lavdishme skenderbegiane. “Fe e Atdhe”.
E treta; përpjekja koshiente dhe konstante me mbrojtë demokracinë liberale amerikane, dhe me luftue pa kompromis murtajën komuniste në Shqipëri, dhe kudo që ajo paraqitej.

E kaluemja e Frankut në vendlindje, jeta e peripecitë e familjes tij në Shqipëri dhe në ish-Jugosllavi, tragjedia e popullit shqiptar, sidomos gjenocidi i klerit katolik shqiptar, vorfënia, shtypja, paditunia masive dhe poshtënimi i pësuem si shqiptar në nji shtet sllav kanë formue karakterin e tij, dhe kanë lanë gjurme të thella tek i riu Frank Shkreli, pa u sherue asnji herë. Lexoni “Demokracia nuk pret” e do ta kuptoni.

Ky tubim u pagëzue nga organizatorët si “bashkëbisedim” dhe për këte unë i përgëzoi plotësisht. Ashtë nji term që përmbledh shokë e miq me mendime të ndryshme por me qellime të përbashkëta. Si akt krijimi, kjo inisiativë ashtë jashtëzakonisht e randësishme dhe i ka mungue bashkësis sonë këtu në Amerikë për shume vjet. Ka ardhë koha kur elementë pozitivë dhe të ndërgjegjshëm të mblidhen me njeni-tjetrin me shqyrtue gjendjen tonë këtu si komunitet dhe atë të hapësinës shqiptare, sepse ka nevojë urgjente për nji orientim që e kërkon e nuk e gjen.

Kjo hapësinë përfshinë të gjithë ata që me ndërgjegje dhe lirisht bukën e quejnë bukë, dhe besën shqiptare e mbajnë besë shqiptare. Aty ashtë Shqipëri, pavarësisht nga ndeshtrashat politike e ndasitë kufitare. Uroj që organizatorët të inkurajohen, të ndihmohen dhe të shpërblehen me bekimet tona për këte punë me vlera të pa përshkrueshme. Këtu ashtë Shqipëria e jonë, kjo ashtë Shqipëria e jonë! Le ta ndertojmë simbas konditave të vendit shoqëninë tonë shqiptaro-amerikane, të lirë, të denjë dhe të aftë me ndihmue vëllaznit e motrat tona kudo që janë, në të gjitha fushat, kryesisht në gjuhë shqipe arsim.

Dhe ma në fund, si thonte Noli i madh: “Paçi uratën e Perendisë!”
Falemnderit! (Sami Repishti, Ph.D)
<hr>
Fjala Përshëndetse në bashkëbisedimin e mbajtun në selinë e Vatrës me rastin e promovimit të librit “Demokracia nuk pret” e shkrimtarit Frank Gjeto Shkreli (Tiranë, 2016) datë 21 prill 2018.