Filozofi Dr. Blerim Latifi për studimin e Ibrahim Kelmendit “Islami, Religjion agresiv”

0
983
Ibrahim Kelmendi - Islami, religjion agresiv

Blerim Latifi: Duke e lexuar studimin “Islami, Religjion agresiv” kisha ndjesinë se po lexoj Spinozën.

[Vlerësim “privat” dërguar autorit Ibrahim Kelmendi / dërguar me mail.]

Filozofi Dr. Blerim Latifi

(…) Sa i përket librit “Islami, Religjion agresiv“, konsideroj se kemi të bëjmë me një studim, ku bashkëdyzohen në mënyrë shumë efektive, guximi i pakompromis intelektual me njohuritë e thelluara shkencore dhe të mbështetura në metodologji e bibliografi relevante.

Të them, gjithmonë pa dashur të të bëjë qejfin nga ndonjë perspektivë eventuale subjektive, se derisa isha duke e lexuar studimin tënd, kisha ndjesinë se po lexoj Spinozën, filozofin hebraiko-holandez, i cili konsiderohet si themelues i kritikës shkencore të dogmatikës religjioze. Pikërisht për këtë ai u bë viktimë e fanatikëve hebrenj të Toras, por edhe përkundër kësaj ai nuk hoqi dorë asnjëherë nga kritika e tij.

Fatkeqësisht, sot ne, si popull, kemi ardhur në një situatë, në të cilën në vend se të merremi me kapjen e ritmeve politike dhe kulturore të botës bashkëkohore perëndimore, na duhet të përballemi me problemet elementare, me të cilat ishte përballur iluminizmi evropian në shekujt e parë të modernitetit : sistem të dobët arsimor, pasojë e të cilit është mjerimi kulturor, industria shkollore e prodhimit të injorancës, niveli tepër i ulët i debatit në sferën publike.

Të gjithë këta faktorë, së bashku, e kanë shndërruar shoqërinë kosovare në tokë shumë pjellore për fanatizmin religjioz, i cili ushqehet nga dy burime: salafizmi arab dhe islami politik i Erdoganit.

Beteja jonë me këto dy ideologji do të jetë shumë e vështirë, edhe më e vështirë se beteja me Jugosllavinë komuniste të Titos dhe pasuesen e saj Jugosllavinë fashiste te Milosheviqit.

Pse mendoj kështu?

Fare thjeshtë : Titoja dhe Milosheviqi na kanë vrarë, djegur e përsektuar qenien fizike, por kurrë nuk kanë arritur të na shkatërrojnë shpirtin dhe si rezultat kurrë nuk kanë arritur të na nënshtrojnë në mënyrë përfundimtare.

Ndërkaq, ideologjitë në fjalë, na kërcënojnë pikërisht të na shkatërrojnë shpirtin e një kombi me rrënjë identitare sekulare dhe evropiane.

Unë kam frikë se aq larg kemi shkuar në degradim kulturor, saqë dyshoj nëse kemi ende forca shpirtërore, për t’u rezistuar në mënyrë efektive këtyre dy ideologjive.

Unë jetoj përditë këtu dhe e vërej, për të qenë edhe më tragjike, edhe tek elita jonë kulturore (kushtimisht e përdori këtë term), se si salafizmi arab veç e ka arritur fitoren e tij të parë: etablimin e idesë se Kur’ani nuk bën të shahet, kritikohet apo të vihet në dyshim.

Është e dhimbshme, por e vërtetë : gjithkund e ndeshi këtë opinion. Kjo do të thotë saktësisht fund i lirisë së mendimit, fund i të drejtës për kritikë publike. Kjo do të thotë largim nga liria perëndimore dhe afrim me mentalitetin arab, ku kritika e religjionit dhe ateizmi ende konsiderohen krime të rënda.

Ibrahim Kelmendi, autor i librit të vecantë, Islami, Religjion agresiv?!!

Në këtë situatë, kur libri yt më ra në dorë, përnjëherë një rreze shprese më kaploi dhe mendova : ende ka intelektualë shqiptarë (flas për Kosovën) që guxojnë dhe dinë t’i rezistojnë publikisht kolerës salafiste.

I thashë edhe O…: ky libër do duhej të shërbente si pikënisje për ngritjen e një qendre studimore të financuar nga shteti, e qëllimi i të cilës do të ishte pikërisht zhvillimi i mendimit kritik mbi ideologjitë fetare dhe rreziqet e tyre për kombin tonë. Kombi para se gjithash është kategori shpirtërore dhe nëse nuk mbrohet si i tillë fundin e ka të sigurt. (…)