8 biblioteka, nga më të bukurat e botës

0
1011

Bibliotekat gjithnjë janë konsideruar si një vend strehimi, ku mund të gjesh vetveten në leximin e rreshtave, por dhe ta rizbulosh atë në një sërë dimensionesh.
Kur gjendemi në kontakt me librin na mjafton prania e tij, izolimi nga zhurma e jetës së vrullshme, dhe kështu ne arrijmë të transportohemi, ndoshta në një periudhë e mjedis tjetër.

Dita ka përzgjedhur t’ju tregojë 9 biblioteka, të cilat janë konsideruar ndër më të bukurat në botë.
Imagjinoni se çfarë ndjesie do mund të përjetonim brenda mureve të këtyre bibliotekave, teksa do mbanim nëpër duar një libër të mirë…
Por, le të ndërmarrim menjëherë këtë udhëtim nëpër Evropë, për t’i njohur më nga afër këto institucione historike e kulturore.

1. Biblioteka Alexandrina, Aleksandri

Djegia e bibliotekës në Aleksandri është konsideruar si një sakrilegj kulturor i të gjitha kohërave. Por edhe pse mbi 700 mijë tekste humbën, në vitin 2002 Egjipti hapi një bibliotekë të re të quajtur Alexandrina. Kjo bibliotekë u shndërrua në një qendër globale kulturore me donacione nga e gjithë bota.

Sipas National Geographic, Italia ofron ndihmën e saj në ruajtjen e dorëshkrimeve, Greqia ofron ndihmë përmes shkrimeve antike, ndërsa SHBA-ja financon në blerjen e kompjuterave.

Biblioteka konsiderohet si një “qendër për mësim, tolerancë, dialog dhe mirëkuptim”. Në të organizohen ekspozita arti, trajnime, si dhe ka katër muze. Kjo bibliotekë po investon vazhdimisht për një koleksion që do të kalojë numrin e 5 milionë librave. Turet në të jepen çdo 15 minuta në arabisht, anglisht, frëngjisht dhe spanjisht.

2. Biblioteka e Vjetër Triniti, Dublin

Është një nga vendet më të domosdoshme për t’u vizituar në Dublin. Krahas dorëshkrimit me vlerë të shekullit të IX si libri i Kellsit edhe rrethinat e bibliotekës së vjetër janë spektakolare, sëbashku me dhomën e gjatë të shekullit të XVIII (65 metra e gjatë, saktësisht) që strehon 200,000 libra të vjetër si dhe bustet madhështore të njerëzve të famshëm të botës perëndimore.

3. Biblioteka Bodleian, Oksford

Biblioteka më e madhe në Mbretërinë e Bashkuar, “Bod” (siç e quajnë studentët) është një nga më të vjetrat në Evropë dhe për 400 vitet e fundit ka ruajtur çdo libër që është shtypur në Britani të Madhe. Momentalisht mbart 12 milionë libra të përhapur nëpër ndërtesat e ndryshme dhe korridoret nëntokësore të sajat rreth qytetit.

4. Biblioteka Rampur Paza, Utar Pradesh

Regjistruar si monument kombëtar, biblioteka Rampur Raza e shekullit të 18-të në Rampur, Utar Pradesh, ka qenë një qendër e studimeve indo-islame që nga themeluesi i saj, sundimtari Nawab Faizullah Khan, i cili e ka vendosur atë në Rampur në vitin 1774. Mbledhja e librave, e cila filloi si një mbledhje personale, është shtuar përgjatë viteve dhe përfshin dorëshkrime dhe gjethe palme me mbishkrime në to. Është e hapur në çdo ditë të javës përveç të premtes.

5. Biblioteka Kombëtare Austriake, Vjenë

Biblioteka më e madhe e Austrisë është e mrekullueshme, me sallën e saj qendrore-e hapur në vitin 1723 si një bibliotekë mbretërore. Në të shihet një kombinim i jashtëzakonshëm i stilit barok dhe dizenjimit tradicional të bibliotekës. Në bibliotekën austriake gjendet edhe një hapësirë ​​e vogël ekspozimi.

6. Biblioteka Klementinum, Pragë

Një tjetër mrekulli e stilit barok. Biblioteka e Klementinum në Pragë u hap nga lëvizjet jezuite, dhe jo si një lëvizje e pushtetit mbretëror. Në të shihet një hapësirë tejet pompoze, me dysheme mermeri dhe shtylla prej druri korintesh të ndërthurura midis salloneve të librarive. Sot, dhoma kryesore është e mbushur me globuset antike, orë si dhe libra.

7. Kabinetet e Leximit Portugez, Rio de Janeiro

Kjo bibliotekë në qendër të qytetit Rio u hap në vitin 1837, por ndihet me një prezencë shumë më të vjetër me ndriçimin e tij të çrregullt dhe me gdhendjet e brendshme të drurit. Mbyllur për rinovime para dhe gjatë Olimpiadës të vitit 2016, ajo është rihapur, tanimë e restauruar. Raftet janë të pajisura me libra klasikë portugezë dhe brazilianë, dhe është e hapur në çdo ditë të javës.

8. Biblioteka e Bostonit, Masachusets

Ajo mund të mos jetë aq e vjetër sa bibliotekat evropiane të sipërpërmendura, por i kompeson vitet me madhështi. Kjo bibliotekë përmban murale nga John Singer Sargent, dhe ka jo më pak se 23 milionë libra. I njohur për portretet e tij, Sargent e pikturoi ciklin e tij të “Triumfit të Fesë” në hollin e bibliotekës në mes të viteve 1890-1919, dhe thuhet se është një nga ciklet më ambicioze murale në SHBA.

s.a/dita