DASHURIA PËR SHKRIMTARIN – KADARE NË POGRADEC!

0
2003

Nga Budion Xhelo, Dritare.net

Të shtunën e kaluar, të datës 30 prill, shkrimtari Ismail Kadare vizitoi qytetin e Pogradecit dhe qëndroi për dy ditë.

Kadareja ka qenë pedagogu im në kohën kur ndiqja studimet e larta për gjuhë-letërsi në Universitetin e Tiranës, fillimin e viteve ‘70. Ishte një periudhë e shkurtër, por kam përshtypjet më të mira për Kadarenë në aspektin pedagogjik.

Njohja nga afër me Kadarenë, ka qenë në vitin 1988, gjatë festivalit folklorik në Gjirokastër, kur unë si kryetar i pallatit të Kulturës, asokohe në Pogradec, kam qenë i ftuar si një artdashës dhe njeri që merrej me kulturën në përgjithësi. Qysh atëherë i kam mbajtur kontaktet. Këtë herë u gëzova shumë që erdhi në qytetin tim.

E ndoqa në çdo fjalë që tha në Pogradec, sepse çdo fjalë i ka peshë. Kadareja foli për çështje të gjuhës, letërsisë dhe gjendjes sociale në Shqipëri. Si një shkrimtar gjeni, ai i kushton vëmendje të madhe gjuhës shqipe, duke theksuar faktin se shqipja është ndër 10 gjuhët kryesore të Evropës. Sipas Kadaresë, gjuha është një me kombin dhe është identiteti i tij. Shkrimtari foli me rezerva për akademikët që nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur gjuhës sonë të rrallë.

Një adhurim të thellë, Kadare shprehu për heroin Ismail Qemali, që në vitin 1917 ka folur në Londër për çështjen armene. Sipas Kadaresë, një largpamësi e tillë, për fat të keq, u mungon historianëve dhe akademikëve të sotëm.

Të nesërmen, pas bisedës në fondacion, shkrimtari kaloi disa momente pranë busteve të shkrimtarëve të mëdhenj të qytetit, Lasgushit e Mitrushit. Përpara i dolën katër fëmijë me veshje popullore që e pritën me buqeta lulesh. Ai dhe Helena u lumturuan pamasë dhe i përqafuan me dashuri. Më pas u përkul me adhurim drejt Lasgushit, e vështroi mendueshëm dhe u shpreh se shtatorja e tij është më e bukura në gjithë Evropën.

Më pas, një grua myslimane me shami në kokë, që vinte nga Tetova në Pogradec, teksa kaloi krejt rastësisht, u turr drejt shkrimtarit duke i kërkuar me ngulm të bënin një fotografi. Shkrimtari pranoi, por me mëdyshjen se mos fakti që gruas që mban shami, nuk i lejohet një gjë të tillë.

Por Valdetja nga Tetova ishte aq e lumtur që e takoi shkrimtarin krejt rastësisht, gjatë një fundjave relaksuese në qytetin e Pogradecit, sa për disa çaste harroi mbulesën në kokë dhe shpejtoi të nxirrte aparatin fotografik nga çanta.

Në përfundim të vizitës dyditore, kryetari i bashkisë i ofroi shkrimtarit mikpritjen e tij për tu rikthyer në qytet, por unë i thashë; Rindërto shtëpinë muze të Lasgushit dhe Kadareja do të kthehet me kënaqësi për ta përuruar dhe për të na nderuar përsëri! /dritare.net