(Vëllimi “Poezi e zemrës”)
Zymer Mehani
I.
Poezitë e vëllimit “Poezi e zemrës”të poetit Mërgim Osmani shquhen për formën që i përshkojnë dhe për nivelin ideoartistik. Nisur nga ky pikëvështrim, na bie në sy, pra fryma e shëndoshë ideoartistike, gjallëria dhe ndjeshmëria e mendimit poetik të poetit, ku fiksohet realiteti aktual dhe fryma e kohës. Format dhe mjetet e shprehjes janë të ndryshme, por zemra e poetit rrah me pulsin e jetës sonë dinamike. Mendimi i tij nxitet e merr gjallëri nga shumëdimenzionaliteti i jetës.
Pra temat dhe motivet që poeti Osmani i trajton në poezinë e tij janë të ndryshme. Poeti në punën e tij krijuese poetike ka përdorë një gjuhë të pastër e sintetike përplot ndjenja ndaj realitetit, duke qenë i vetëdijshëm se bota e marrëdhënieve shpirtërore e shoqërore është e hapur për hulumtime e kërkime, duke zbuluar njëkohësisht përmes vargjeve edhe shumë përshtypje nga bota e vet ndjenjore senzacione të shumta e duke dhënë porosi dhe përfundime me vlerë.
Pra, ky poet ka krijuar poezi që do të lënë gjurmë, ngase ia ka dalur që përmes fjalës së tij dhe aktit poetik të trajtojë edhe dimensione të tjera, si social, patriotik, erotik, pejizazhist etj. po ashtu edhe kuptim kozmik dhe karakteristika estetike dhe etike që ka bota dhe shoqëria njerëzore. Ky poet ia ka dalë të bëjë edhe transformacione të abstraktes në konkrete, por edhe magji dhe freski të spontanitetit të vetëlindur.
Në poezitë e tij, poeti Osmani ka trajtuar disa prej temave kryesore, siç kurbeti, dashuria, jeta sociale etj., dhe si të tilla, ato kanë arritur në pikën maksimale të pjekurisë së mendimit e të përsiatjeve mbi kohën dhe jetën tonë të përditshme. Motivet dhe temat që autori Osmani i shtjellon në vargjet e veta, u japin atyre një fizionomi pak a shumë të përcaktuar ideotematike.
Veçori dhe vlerë e poezive të vëllimit “Poezi e zemrës” të poetit Mërgim Osmani është harmonizimi në to i konkretes dhe i të saktës me vrullet e fuqishme dhe me figuracionin e mjaftueshëm që shtrihen në to. Vetë shprehjet dhe figuracioni në çdo rresht, strofë dhe poezi na sigurojnë hapësirë të gjerë mendimi e përfytyrimi. Në shumë raste figurat e pasura dhe shprehjet metaforike harmonizohen me konceptimet poetike të realitetit, duke i gjallëruar idetë dhe kësisoji bëhen më ndikuese.
Poezia e Osmanit tanimë po e cën e sigurt nëpër shtigjet e poezisë sonë shqipe, e përshkuar nga një frymë e shëndetshme realiste, me figura të gjetura e vargje të skalitura mjeshtërisht.
Konstatojmë se Krijuesi i vargut, Mërgim Osmani me talentin dhe stilin e tij të të shkruarit, vargjet që i kultivon ua nënshtron ligjeve estetike dhe teoriko-letrare, duke u dhënë poezive të veta kështu përmbajtje dhe formë. Pra kemi të bëjmë me një talent që me kujdes dhe përpikëri maksimale në ndërtimin e vargut u nënshtrohet rregullave të urdhrit letrar.
II.
Cili është poeti Mërgim Osmani?
Mërgim Osmani është një poet i talentuar që vjen nga diaspora jonë shqiptare. Konkretisht ky poet jeton dhe krijon në Vjenë, në kryeqytetin e Austrisë.
Mërgim Osmani u lind më 1971 në Randobravë të Prizrenit, ku i kreu edhe mësimet fillore e të mesme, për t’u regjistruar pastaj në FSHN, dega Biologji në UP. Studioi edhe Historinë gjithashtu, por meqë regjimi i përndiqte shumë studentë, i arrestonte dhe i burgoste, kinse për veprimtari armiqësore ndaj ish-sistemit, edhe Mërgimi si shumë të tjerë, u detyrua të largohet nga Kosova dhe u vendos në Vjenë. Atje vazhdon studimet në fushën e shkencave politike, por për shkaqe familjare detyrohet t’i ndërpres ato studime.
Gjithnjë ishte aktiv në lëvizjet, shoqatat dhe klubet që merreshin me çështjen kombëtare, e sidomos veten mirë e ndjente në shoqatat kulturore të Austrisë. Është i entuziasmuar nga zhvillimet kulturore, duke u inkuadruar në tubime të shumta letrare. Është po ashtu bashkëpunëtor dhe anëtar i zellshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve e të krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Mojsiu” në Austri.
Mërgim Osmani ka bashkëpunuar gjithashtu edhe me qendrën PEN të Austrisë. Poezitë e tij janë përkthyer edhe në gjermanisht.
Mërgim Osmani deri më tani ka botuar këta libra:
“”Do t’i mbledh” (poezi), 2013;
“Me sytë kah qielli” (poezi), 2013;
“Shpirt i trazuar”(poezi), 2015;
“Misteri në sy (poezi), 2016
“Sykaltra” (tregime), 2016.
dhe tani lexuesve ua dhuron vëllimin poetik “Poezi e zemrës” në gjuhën shqipe dhe gjermanisht.
Mërgim Osmani në vitin 2014 u nderua me Çmimin PEN Albania për Diasporë, në Tiranë. Po ashtu e fitoi edhe Çmimin e Tretë në konkursin letrar, me tregimin “Sykaltra”, të organizuar nga LSHKSHA “Aleksandër Moisiu”.
III.
Mërgim Osmani si poet nuk u krijua në shkollë të mirëfilltë, por poet e bëri shkolla e jetës, krajatat e tij gjatë hapave jetësorë, këshillat e mençura, pa formante të gatshme, pa modele të caktuara. Ky zë poetik që po dëgjohet në letrat tona, vjen nga diaspora jonë, konkretisht nga Vjena. Mërgimi është i vetëdijshëm se roli i tij si poet është i rëndësishëm edhe për faktin se me penën e tij duke i kënduar atdheut, vendit, popullit dhe kombit të tij, po e kryen një borxh që ka ndaj truallit amtar. E këtë punë e ka kryer si është më së miri përmes vargjeve të veta, si transformim shpirtëror. Poeti Mërgim Osmani sheh, sodit, kundron, shënon e emërton, prandaj edhe shprehet bukur.
Vargjet e tij na sjellin aromë të truallit amtar, sepse është fare i vetëdijshëm se pa shpirt, pa zjarr, pa aromë atdhedashurie ndaj vendlindjes dhe pa ndjenjë atdhetare s’mund të ekzistojë as si individ dhe as si poet. Ky poet vazhdimisht kërkon dhe gjen dhe aftësia e tij është gjetja.
Poeti Mërgim Osmani është njeri i kohës së vet dhe si njeri i vërtetë, me guxim dhe dije lexuesve vazhdon t’u dhurojë libra të arrirë artistikisht dhe kuptimisht.
Ky poet i talentuar jeton dhe vepron në Vjenë.
Podujevë, (Kosovë), më 29 mars 2018