“90+” Libër tronditës, një baladë e dashurisë për jetën

0
933

Mendime për romanin e ri të Kozeta Zavalanit

Çdo libër personifikon në një farë mënyre vetë personalitetin e atij që e ka shkruar, duke e bërë atë faqe pas faqeje, të duket i ngjashëm me jetën e problemet e autorit. Krijimtaria e mirë e një autori është si një aurorë dashurie që magjeps shpirtrat e ndjeshëm me bukurinë e mistershme dhe shfaqjen e rrallë të ngjarjeve e personazheve. Mundësia për t’u shprehur bukur dhe përpjekja njerëzore krijuese për ta bërë këtë, është ajo që i jep vlerë pafund dhe e bën atë të natyrshme.

Tek lexon Kozeta Zavalanin me romanin e saj “90+”, herë të kujton Anna Frank, një nga viktimat hebraike të Holokaustit, me Ditarin e saj, që e shkroi duke qëndruar e fshehur nga viti 1942 deri më 1944, gjatë pushtimit gjerman të Holandës. E herë kujton Isabel Allende që shkroi romanin Paula, duke u kujdesur për vajzën e saj, e cila ishte në koma nga komplikimet e porfirisë. Kështu është edhe personazhi i Katerinës, tek “90+”, gazetares së mbërthyer pas komës së të birit, që nuk dorëzohet asnjëherë. Ndryshe nga Vesarta, një vajzë e bukur 23 vjeçare, që ndonëse e dashuruar pas Mikit djalit 25 vjeçar, e braktis atë në gjendje kome, për Andin me të cilin përjeton një tjetër dashuri…Po mbi të gjitha dominon dashuria për nënën. Ashtu si thotë poeti i madh Rumi “We are born of love. Love is our mother”- Ne jemi të lindur nga dashuria. Dashuria është nëna jonë, Vesarta edhe në momentet kur është duke bërë dashuri me të dashurin e saj, kujton momentet me nënën që i mungon aq shumë. Sepse dhimbja për humbjen e nënës është dërmuese dhe ju godet në momente të rëndësishme.

Në fund të fundit, humbja e një prindi është një fakt i jetës që miliona njerëz para saj e kanë përballur. Por si do ta përballonte Katerina humbjen e djalit të saj, në lulen e moshës? Kjo ishte shumë e hidhur, e trishtuar, e dhimbshme e tragjike, shkatërruese e dëshpëruese … Është një rrokullisje e emocioneve. Është aq e keqe, sikur jeta juaj nuk do të vazhdojë kurrë. Ka një zbrazëti që kurrë nuk mund të mbushet, sepse nuk ka dashuri tjetër në këtë botë si dashuria e një nëne për fëmijën. Ndaj Katerina shpesh ndihej e zbrazët; e humbur, me një dhimbje që i kishte hapur një vrimë të madhe në zemër që kurrë, kurrë nuk do të ishte shëruar. E keni vënë re se si ndiheni, kur mendoni për nënën tuaj? Ju ndjeni lumturi; ju ndjeheni të kënaqur; ju ndiheni të dashur; ju ndiheni të zhytur plotësisht në dashuri; ju ndjeni rehati; ju ndiheni i sigurt; ju ndjeheni të bekuar e të frymëzuar; ju ndiheni shpresëdhënës; ju ndiheni të fortë; ju ndjeheni të guximshëm e të inkurajuar.

Në romanin “90+”, një aksident i papritur ndodhi një mbrëmje gri fundtetori, që ndryshoi rrjedhën e jetës së personazheve. Lajmi i kobshëm i erdhi gazetares, porsa mbaroi emisionin në studion e televizionit dhe e alarmuar vrapoi në spital. Aty mësoi se, djali i saj i vogël Miki ishte aksidentuar e kishte pësuar hemorragji cerebrale dhe ndodhej në koma të thellë. Askush nuk e dinte nëse ai do të përmendej apo jo, por gjithsesi Zoti e kishte lënë në jetë, derisa zemra e tij punonte. Pas një kolapsi me pasoja për jetën, kur gjithçka në trupin e tij i humbi parametrat jetësore, Zoti bëri mrekulli dhe e ktheu sërish zemrën e tij në punë. Atëherë familja e tij vendos ta dërgojnë për kurim në spitalin ushtarak “Gata” të Ankarasë në Turqi.

Shkon aty edhe e dashura e tij, çuditërisht e dashuruar me një person tjetër e pas peripecish të shumta, kur djaloshi del nga koma, ajo e braktis të dashurin e mbetet vetëm, duke ëndërruar sërisht ribashkimin me dashurinë e parë, ndonëse tashmë nuk ka më shpresë…Ndërkohë gazetarja bashkëbisedon me të birin në reanimacionin e spitalit “Gata”, ku i flet çdo ditë për gjysmë ore, aq sa e lejojnë të qëndrojë pranë tij. Ditën e Krishtlindjes, pasi kthehet nga lutja në kishë, djali del nga koma e flet. Kjo i kalon edhe parashikimet e mjekëve të specializuar në Turqi, që i kishin përgatitur familjarët se, shërimi i djalit do të vinte pas një kohe të gjatë e të papërcakruar njëkohësisht. Në faqet e romanit do të lexoni ngjarje, që ju mbajnë mbërthyer pas personazheve, ndërthurur me ndjenja të papërshkruara e të paharrueshme, në 99 ditë, të ndara në katër stinë; vjeshta, dimri, pranvera e vera.

Përse ky titull, e pyes Kozetën e ajo thotë:
“Fillimisht titullin e librit e pata “99ditë në Ankara”, pastaj kujtova shqetësimin e madh që patëm, kur i plotësuam 90 ditët, që ligji e lejon për qëndrimin në një shtet Evropian, për ne që jetojmë në Shqipëri e Turqi, që ende jemi me statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian. Ndonjë herë gjithçka varet nga lëshimet apo përjashtimet nga ligji e rregulli, që mund të bëjë dikush. Në rastin tonë ishte polici i shërbimit të aeroportit, i cili lexoi dokumentacionin që, ne kishim qenë në spital dhe për atë arsye e kishim kaluar qëndrimin nga 90 dite në 99 ditë dhe ndaj vendosa ta titulloj “90+”.

Numurat kanë kufijtë e tyre, sikurse leja e qendrimit është 90 ditë. Shenja + plus, përfaqëson vazhdimësinë e jetës. Sepse ndonjëherë jeta nuk mund të përcaktohet nga prognizat e mjekëve apo nga përvojat njerëzore. Mjekësia ofron të papritura, që përvoja njerëzore e ka të vështirë ti përcaktojë e përballojë. Në rastin tonë për fat të mirë, sepse shpesh vullneti për të jetuar është më i fortë se vdekja dhe triumfon. Gjithashtu edhe sepse për mua pas çdo situate qëndron një +, një mundësi që është dhuratë nga Zoti.

Ndoshta ne shqiptarët do të ishim njerëz më të mirë, madje edhe atdheu ynë Shqipëria do të ishte një vend më i begatë, nëse ne do të besonim tek Zoti. Këtë e them me siguri të plotë nga përvoja e jetës sime. Dashurinë për Zotin me sa duket ma trashëgoi mamaja së bashku me shumë dashuri, e cila u rrit me rritjen time, aq sa tani më ka pushtuar në çdo molekulë të qenies sime dhe më ka bekuar e lumturuar.

Në Ankara bota më ngjante si një qeli, – thotë Kozeta, – e cila më kishte bllokuar frymëmarrjen, dhe kalimi i çdo ore nuk ishte gjë tjetër veçse dhimbje shtesë, por falë Zotit u shndërrua në mrekullinë, që më gëzoi e lumturoi. Me artin e tolerances, mirësisë, dashurisë e logjikën e gjakftohtësisë, gjithmonë me buzëqeshje kam kapërxyer çdo dhimbje e vështirësi.

Çdo ditë mendoja e shkruaja; në zemrën time kam një penë, me të cilën do të hyj në memorien e të gjithë lexuesve!”
Romani përshkruan ngjarje reale të ndërthurura me imagjinatën, duke gërshetuar realitetin e kohës me peripecitë e shumta të personazheve, që e mbërthejnë lexuesin me stilin përshkrues, gjallërinë e detajeve historike dhe mbi të gjitha, forcën e personazheve kryesorë.
Episodet në roman janë shkruar thjesht e qartë, në mënyrë dinamike e me dramacitet; ku ndërthurren ndjenja të thella njerëzore me stil të rrjedhshëm dhe me figuracion të pasur artistik.

Entela Kasi, Kryetare e PEN Albania