SI DUHET TË USHQEHENI QË TË KENI FLOKË TË SHËNDETSHME ?

0
576

Flokët e forta dhe me shkëlqim, janë shenjë e vitalitetit dhe e shëndetit të mirë të përgjithshëm. Përveç rëndësisë që kanë për pamjen tuaj, flokët gjithashtu mbrojnë kokën, veprojnë si një receptor ndijesor dhe ndihmojnë trupin që të ruajë ngrohtësinë.

AJSHE LEKA

Flokët përbëhen nga fijet dhe rrënjët. Folikuli, i cili ndodhet në sipërfaqen e lëkurës, rrit flokët duke paketuar qelizat e vdekura së bashku. Çdo rrënjë (gjëndër) është e lidhur me një gjëndër dhjamore, një gjëndër mikroskopike që prodhon sebum (sekrecion vajor). Sebumi mban flokët me lagështi, elastike dhe me shkëlqim. Folikulat e flokëve janë të ndjeshme ndaj stresit, sëmundjeve dhe ushqyerjes së dobët. Nëse gjëndra nuk gjen ushqim të mjaftueshëm nga brenda, rritja e flokëve mund të ngadalësohet. Për më tepër, një dietë e dobët dhe me mangësi ushqyese, mund të shpie në probleme të flokëve, të tilla si thatësi, brishtësi, zbokth dhe në fund, humbje e flokëve. Për të pasur dhe për t`i ruajtur flokët e trashë dhe të shëndetshëm, është mirë të ndiqni një dietë të balancuar dhe të shëndetshme, që përfshin shumë vitamina dhe minerale të njohura për shëndetin e flokëve.

Ne ju udhëzojmë që të përfshini proteina të mjaftueshme në dietën tuaj, nëse dëshironi një shëndet të përgjithshëm të flokëve.
Dieta që është shumë e ulët në proteina mund të ngadalësojë rritjen e flokëve, ose të ndikojë në humbjen e flokëve. Proteina është e bollshme në një gamë të gjerë të ushqimeve, veçanërisht në ushqimet me origjinë shtazore: mishi, vezët, produktet e qumështit.

Këshillë: Konsumoni shumë ushqime të pasura me silikon !

Në vitin 1939, fituesi i çmimit Nobel për kimi, profesor Adolf Butenandt, dëshmoi se jeta nuk mund të ekzistojë pa silikon (e njohur edhe si dioksid silikoni). Te njerëzit, silikoni është thelbësor për zhvillimin e skeletit. Është gjithashtu një komponent i rëndësishëm për të parandaluar rënien e flokëve dhe stimulimin e rritjes së flokëve. Ushqimet që përmbajnë selen janë: mishi i viçit, mishi i pulës, peshku, drithërat, domatet, lakra, brokoli, spinaqi, hudhrat, qepet, ushqimet e detit, çokollata, arrat, farat, produktet e bulmetit, orizi kafe, patatet (sidomos shtresat e jashtme), luleshtrydhet, specat e gjelbër dhe të kuq, kastravecët, tërshëra, elbi, gruri dhe shpargu. Përpunimi i ushqimeve si dhe trajtimet kimike të tokës, ku rriten perimet dhe drithërat mund të ulin ndjeshëm përmbajtjen e silikonit në ushqime. Prandaj, është e këshillueshme që të zgjidhen ushqime organike, të papërpunuara.

Sigurohuni se jeni duke marrë mjaftueshëm bakër dhe zink !

Megjithëse trupat tanë kërkojnë vetëm një sasi të vogël të bakrit, ky element është i rëndësishëm për funksionimin e duhur të trupit, duke përfshirë rritjen e shëndetshme të flokëve. Nivelet e mjaftueshme të bakrit mund të parandalojnë humbjen e flokëve dhe të kontribuojnë në trashësinë e tyre. Mendohet se bakri, gjithashtu ka rol në intensifikimin e ngjyrës së flokëve dhe parandalon grimcat e parakohshme të flokëve. Një tjetër mineral i rëndësishëm për shëndetin e flokëve, është zinku. Zinku luan rol në prodhimin e qelizave të reja (duke përfshirë qelizat e flokëve) dhe mirëmbajtjen e gjëndrave të sekretimit të vajit të kokës, që e japin flokut shkëlqimin. Zinku dhe bakri duhet të konsumohen së bashku, pasi ekuilibri midis të dyve, është i rëndësishëm. Zinku ndërhyn me thithjen e bakrit. Sasitë më të larta të bakrit mund të jenë toksike. Farat e susamit të zi, që kinezët e përdorin për nxitjen e rritjes së flokëve dhe rikthimin e ngjyrës së flokëve, janë një burim i shkëlqyeshëm i bakrit dhe zinkut. Gjithashtu farat kia dhe hudhra janë burime të shkëlqyera dietike të shëndetit të flokëve, sepse përbëjnë kombinime minerale.

Shtoni ushqime të pasura me vitamina C dhe E në dietën tuaj !

Vitamina C (acid askorbik) gjendet në fruta të freskëta, fruta tropikale, domate, speca. Vitamina E është shumë e përhapur në natyrë, në veçanti në botën bimore, si në drithërat integrale, filizat e grurit, tek soja, lakra e kuqe, brokoli, perimet me gjethe të gjelbra, spinaqi, gruri integral, vezët dhe vajrat bimore. Mishi e përmban vetëm këtë vitaminë, në sasi të pa konsiderueshme. Gjendet edhe në disa fruta, si mana, kajsi, avokado dhe në frutat e bajameve dhe arrave. Në sasi të vogla gjendet edhe në produktet e qumështit. Vitamina C është e nevojshme për sintezën e kolagjenit, e cila në anën tjetër mbështet folikulin dhe mban enët e gjakut në lëkurën e kokës të shëndetshme. Vitamina C gjithashtu rrit absorbimin e hekurit nga ushqimet. Për të rritur efektet e dobishme të vitaminës C në flokë, duhet të hani ushqime të pasura me vitaminë E, një vitaminë kjo e rëndësishme, që mendohet se mban flokët me shkëlqim dhe më elastike. Vitamina C dhe vitamina E mbrojnë njëra-tjetrën dhe janë më efektive kur konsumohen së bashku.

Konsumoni ushqime të pasura me vitaminë A dhe Beta-Caroten !

Vitamina A nxit rritjen e qelizave dhe indeve të shëndetshme, duke përfshirë dhe flokët. Një mungesë e vitaminës A mund të shkaktojë tharjen dhe humbjen e flokëve. Beta-caroten, e cila gjendet në perime të gjelbra dhe fruta, si spinaq, karota, portokall, patate të ëmbla, kungull dimëror, mango, pjepër dhe kajsi, gjithashtu siguron flokë të shëndetshëm për shkak të vetive antioksiduese si dhe rolit të saj si një pararendës i vitaminës A. Burime të vitaminës A janë: vaji i peshkut, mëlçia, karota, perimet e gjelbra dhe të verdha me gjethe, vezët, qumështi dhe produktet e qumështit, gjalpi, frutat e verdha.

Ushqehuni me prodhime të pasura me vitaminë B !

Nëse jeni duke synuar të keni flokë të shndritshëm dhe të shëndetshëm, sigurohuni që të hani shumë ushqime të pasura me vitamina B, një kompleks i vitaminave që shpesh funksionojnë së bashku dhe bashkekzistojnë në të njëjtat ushqime. Vitamina B2 gjendet në mish në përgjithësi, qumësht, djath, bishtajore, perime jeshile.

Siguroheni se jeni duke marrë mjaftueshëm hekur !

Hekuri siguron oksigjenin në flokë. Mungesa e hekurit mund të dëmtojë folikulat dhe flokët të vdesin nga mungesa e oksigjenit. Në fakt, mungesa e hekurit mund të jetë një nga shkaqet më të zakonshme të humbjes së flokëve te gratë, para menopauzës, te femrat që kanë menstruacione (sidomos nëse kanë periudha të gjata), te gratë që janë shtatzëna ose pas lindjes, te vrapuesit në distanca të gjata dhe veganët. Për të parandaluar ose korrigjuar këtë mangësi, duhet të hani më shumë ushqime të pasura me hekur. Ushqimet që përmbajnë hekur janë : mëlçia, veshkat, zemra, frutat e thata, mishi i kuq, vezët, midhjet, perimet e gjelbra, fasulet, lakra, spinaqi, thjerrëzat, rrepkat, kajsia, pjeshkat, kumbullat, salmoni, tuna dhe drithërat.
Merrni mjaftueshëm ushqime që përmbajnë squfur !

Squfuri është një mineral që gjendet në të gjitha qelizat e trupit të njeriut dhe që është veçanërisht i bollshëm në flokë, lëkurë dhe te thonjtë. Squfuri shpesh quhet “mineral i bukurisë natyrore” për shkak të aftësisë së tij për të ndihmuar në qarkullimin e mirë të gjakut, për të zvogëluar inflamacionin e lëkurës dhe për të nxitur rritjen e flokëve. Shenjat e para të mungesës së squfurit, shpesh përfshijnë humbjen e flokëve, flokë të brishtë, thonj dhe lëkurë të thatë.

Edhe pse i pranishëm në trupin e njeriut, squfuri mund të merret vetëm përmes dietës. Squfuri gjendet në të gjitha ushqimet e pasura me proteina, si: mish, peshk, vezë, qumësht, bishtajore, hudhra, lakra, qepa e bardhë, qepa e kuqe, kale, marule, lakra e Brukselit, leshterik, alga deti dhe disa arra që janë burime veçanërisht të pasura të këtij minerali.

(Autorja është konsulente për nutricion/dietologji: facebook.com/nutricistedietologe)