Nga Isak Ahmeti
Kohë më parë, SHB “Faik Konica”, Prishtimë, 2016, nxori në dritë studimin monografik: Gjon Buzuku-poeti ynë i parë, të studiuesit dhe shkrimtarit të mirënjohur, Anton N. Berisha.
Veprën studimore në fjalë, studiuesi e ka strukturuar në tri pjesë dhe atë:
I. TRADITA E SHKRUAR LETRARE SHQIPE PARA “MESHARIT” TË BUZUKUT,
II. RRETH KATËR PSALMEVE – POEZIVE TË BUZUKUT dhe
III. DHJETË TEKSTE TË TJERA TË BUZUKUT.
Pastaj vjen një sintezë në gjuhën italiane: Gjon Buzuku, il primo poeta albanese (fq.155-158). Studimit në fjalë i paraprin edhe një fjalë paraprake, mjaft shkoqitëse dhe përmbajtësore: BUZUKU – POETI YNË I PARË, QË I BOTOI PSALMET E HARTUARA NGA AI(7-13).
Në studimin e tij “Meshari” – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku, botuar së pari në Kozencë, 2014 dhe botimi i dytë të “Faik Konica”, Prishtinë, 2014, studiuesi Anton N. Berisha ka theksuar, madje në mënyrë shumë të veçantë se disa variante të përkthimeve, sidomos tri variantet e përkthimit të Psalmit 130, përligjin mendimin se në veprën “Meshari” nuk janë vetëm tekste të përkthyera nga Buzuku, siç është thënë deri më tani, po dhe të autorëve të tjerë, bashkëkohanikë ose paraardhës dhe se vepra duhet të cilësohet (duke përfshirë këtu edhe Pasthënien), e hartuar nga ai.
Në botimin e Kozencës (fq.34-36), studiuesi në fjalë ka sjellë katër tekstet e hartuara nga Buzuku, të shndërruara në formën e vargjeve, me të cilën ( formë ) cilësohen në përgjithësi Psalmet e BV. Këto katër tekste, bashkë me dhjetë tekste të tjera, sidomos shtatë poezitë kushtuar shtatë mëkateve mortare, që mund të merren edhe si poema e parë e shkruar dhe e botuar në gjuhën shqipe, d ë s h m o j n ë se ka ekzistuar, edhe më parë, një traditë e shkrimit dhe e hartimit shqip, të ndonjë poezie në frymën fetare ose kushtuar jetës së përditshme dhe fatit të njeriut.
Në studimin e tij të vitit 2014, studuesi Anton Nikë Berisha kishte për qëllim të dëshmonte se vepra “Meshari” nuk ishte një përkthim vetëm i Gjon Buzukut, po i hartuar prej tij dhe nuk ishte marrë mirëfilli me katër tekstet e përmendura, ato nuk i kishte analizuar dhe interpretuar në mënyrë më të thelluar, të duhur dhe të veçantë. Këtë A.N. Berisha do do ta bëjë në studimin e tij më të ri me titull: Gjon Buzuku – poeti ynë i parë, ku kemi një analizë, një vlerësim dhe interpretim të ri dhe të plotë për “Mesharin” e Gjon Buzukut, duke hedhur më shumë dritë në veçantinë e katër Psalmeve, siç i quan vetë Buzuku këto krijesa të hartuara dhe të botuara nga ai, dhe të dhjetë teksteve të tjera, të cilat dëshmojnë, sipas studiuesit në fjalë, se ai, pra Gjon Buzuku “është poeti ynë i parë i traditës sonë të shkruar që njohim deri më sot” (vep.e cit.fq.8) dhe jo P. Budi siç është thënë dhe vlerësuar deri më tash.
Vepra “Meshari” (1555), është e para që përligj disa qenësi kulturore, gjuhësore dhe letrare të traditës shqiptare të shkruar, po dhe të përkthimit, të përkthimit të lirë dhe të përshtatjes. Kjo vepër, sipas studiuesit në fjalë, është një nga vlerat dhe qenësitë ķryesore të kësaj vepre tonë të parë të botuar dhe se ajo dëshmon për ekzistimin e llojeve të letërsisë gojore dhe të letërsisë së shkruar te shqiptarët dhe se me të zë fill (derisa të gjendet ndonjë dëshmi tjetër e botuar më parë), arti ynë i fjalës së shkruar (fq.17).
Me këtë vepër studimore, studiuesi Anton Nikë Berisha “përmbys” shumë teza dhe vlerësime të deritashme, që kanë të bëjnë me poetin e parë të traditës sonë letrare të shkruar.