“EDHE MURET KANË VESHË”

0
812

Dy protagonistet e projektit “Edhe Muret Kanë Veshë”Alketa Xhafa Mripa dhe Kristale Ivezaj Rama duke u intervistuar nga Rudina Dervishi e Zërit të Amerikës

Nga Frank Shkreli

Disa ditë më parë gazeta Telegraf në Tiranë botoi një artikull të Z. Hyqmet Zane, titulluar, “Kur shqiptarët dënoheshin se dëgjonin “Zërin Amerikës”, ku ndër të tjera ai tregon një rast bisede me një shok të tijin, në kohën e komunizmit: “Në darkë tek rrija me shokun tim, më tha me gjysmë zëri, “Ti e ke dëgjuar ndonjëherë “Zërin e Amerikës?”. Shtanga, se mu kujtuan fjalët e xhaxhait, që askujt të mos i tregoja, por ndaj këtij shoku kisha një besim të madh dhe i thash “Ndonjëherë”. Dhe ai mu përgjigj, “Edhe unë e kam dëgjuar, por bëj kujdes se edhe muret kanë veshë dhe mendohu para se të flasësh se çfarë thua”. E mirëkuptova!”, shkruan Hyqmet Zane.

Si një punonjës dhe zyrtar i Zërit të Amerikës për tre dekada, përfshirë kulmin e luftës së ftohët, shpresoj që Z. Zane të mos ketë pësuar ndonjë pasojë, si përfundim se ka dëgjuar Zërin e Amerikës, madje edhe fshehtas. Dihet se shumë shqiptarë të tjerë e kanë pësuar keq, jo vetëm se mund të kenë pranuar publikisht se dëgjonin Zërin e Amerikës, ose mund të jenë paditur se kishin bërë një gjë të tillë, por edhe për çdo deklaratë tjetër që mund të konsiderohej nga regjimi si kritikë ndaj Partisë komuniste ose udhëheqsve të “pushtetit popullor”.

Ishte një mësim i hidhur për shqiptarët, por dihej se spiunët ishin kudo, madje edhe në familje edhe atje ku nuk i shihje, as ku nuk i prisje, prandaj duhej kujdes – siç tregon edhe Hyqmet Zane në shkrimin e tij të lartë përmendur botuar në gazetën Telegraf – se ç’bisedoje bile edhe me miq e shokë të besueshëm, sepse edhe “Muret kanë veshë” dhe si rrjedhim do e merrte vesh Sigurimi dhe partia dhe do e pësoje rëndë — për një fjalë goje – shpesh pa hak, as hile.

Kanë kaluar pothuaj 30-vjet nga shëmbja e Murit të Berlinit. Në vendet ish-komuniste të Evropës Lindore dhe Qëndrore, gjatë viteve janë kujtuar krimet e komunizmit dhe janë ndërtuar muze dhe monumente kushtuar viktimave të komunizmit, ndërkohë që janë marrë masa për ndriçimin e krimeve të komunizmit. Nepërmjet datave të veçanta kombëtare dhe ndërkombëtare, kujtohen viktimat e komunizmit anë e mbanë Evropës. Fatkeqësisht, gjatë gjithë kësaj periudhe, kjo nuk ka ndodhur në Shqipëri, e cila nuk ka reflektuar pothuaj aspak dhe asgjë mbi krimet e komunizmit dhe pasojat me të cilat përballet vendi gjithnjë.

Ndërsa ish-zyrtarë të lartë të regjimit komunist ende mund të gjënden në poste të larta të qeverisë dhe të shtetit shqiptar, nostalgjikët e regjimit komunist lejohen të marrin pjesë në aktivitete të sponsorizuara nga qeveria me fotografi të diktatorit Enver Hoxha, ndërkohë që autoritetet qeveritare ende nuk i kanë shqyrtuar siç duhet dosjet e ish-Sigurimit të shtetit – të pakën ato që kanë mbetur pa u zhdukur – dhe për pothuaj 30-vjet post-komunizëm në Shqipëri nuk janë dënuar ende krimet e komunizmit, ashtu siç ka ndodhur në ish-vendet komuniste të Evropës. Ndërkohë, që të përndjekurit ose familjet e tyre 30-vjet pas komunizmit e ndjejnë veten si të huaj në shtëpinë e vet, pasi shumë prej tyre e konsiderojnë veten se janë lënë jashtë proceseve politike dhe ekonomike që sjellë demokracia, duke zgjedhur të vetmen alternativë jetese – shpërnguljen nga vendi.

Jo vetëm të përndjekurit e regjimit komunist në Shqipëri, por e mbarë bota është e zhgënjyer nga mos veprimi i autoriteteve shqiptare në lidhje me përballimin e vërtetë dhe serioz të shoqërisë shqiptare me të kaluarën e saj komuniste dhe janë përpjekur të bëjnë sado pak për të ndriçuar të vërtetën mbi krimet e komunizmit. Gjermania dhe ambasada e saj në Tiranë kanë qenë shumë aktive në këtë fushë, duke u përpjekur që përvoja e saj e përballimit me të kaluarën naziste dhe komuniste të përdorej si shëmbull nga shqiptarët, për tu përballur me të kaluarën komuniste edhe në Shqipëri. Kohët e fundit, madje edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara iu bashkangjit një projekti në Shqipëri për të zbardhur të vërtetën mbi të kaluarën komuniste, duke mbledhur dëshmi nga qindra të përsekutuarish të mbijetuar të atij regjimi që kanë vuajtur tmerin në burgjet dhe në kampet e internimit.

Media të ndryshme, përfshirë edhe Zërin e Amerikës, kanë njoftuar kohët e fundit se Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit si pjesë e projektit të ri “Edhe muret kanë veshë”, ka filluar të mbledhë dëshmi gojore nga ish të burgosurit dhe të përndjekurit politikë të regjimit komunist.

Projekti në fjalë drejtohet nga artistja kosovare, Alketa Xhafa Mripa, e cila solli përmes artit vuajtjet e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Këtë herë, ajo ka vendosur të hedhë dritë mbi historitë e të mbijetuarve të komunizmit në Shqipëri, ka njoftuar Zëri i Amerikës. Në një intervistë me VOA-n shqip, ajo është shprehur se projekti që ajo kryeson, “Edhe Muret Kanë Vesh” synon të ngjallë debatin në shoqërinë shqiptare duke kujtuar heronjtë e heshtur të asaj periudhe, tregimet e të cilëve do të hidhen gjithashtu në një libër nga gazetarja Kristale Ivezaj Rama, pjesëtare e këtij projekti. Sipas tyre, instalacioni — i cili është konceptuar të hedhë mbi mure thëniet e viktimave të komunizmit — do të shfaqet në shtatë qytete të Shqipërisë në datën 8 maj.

E gjithë kjo veprimtari është tepër e vonuar — por më mirë vonë se kurrë — pasi shumë dosje janë zhdukur dhe shumë të përndjekur dhe vuajtës të atij regjimi kanë vdekur dhe me ta ka vdekur edhe një pjesë e historisë së vërtetë të burgjeve dhe kampeve të internimit në Shqipëri. Fatkeqsisht, duket se ky ishte edhe qëllimi i qeverive post-komuniste në atë vend, të cilat gjatë gjithë kësaj kohe kanë bërë minimumin në këtë drejtim, prandaj personat vendas dhe jashtë vendit, të dedikuar ndaj këtij projekti, meritojnë falënderimet tona dhe mbështetjen e shoqërisë shqiptare që t’ia dalin në këtë mision fisnik dhe patriotik. “Ka ardhë koha”, ka shkruar ditët e fundit Profesori i nderuar dhe ish i burgosuri politik i regjimit enverist, nga viti 1946-56, Dr. Sami Repishti:

“Edhe për ne me ba hapin e madh kualifikativ, me u ba “zot të vetëvetes”, me fillue tranzicionin tonë nga faza fëminore dhe logjika e saj, në atë të burrënimit me sensin e plotë të përgjegjsisë personale; me arrijtë fazën e jetës kur kërkohet zotënimi i plotë i pasioneve të errëta, dhe tentimeve satanike, efektet e të cilave shqiptarët i njohin shumë mirë. Ka ardhë koha “me qetësue bishën që kemi përmbrenda”. Le të bajmë përpjekje me rindërtue modelin e karakterit të njeriut shqiptar, me nji kulturë që inkurajon identifikimin e “të metave tona”. Kjo ashtë rruga ma e mirë me evitue tragjedi të reja në vendin tonë martir. Identifikimi i “të metave tona” ashtë hapi i parë; hapi i dytë, ashtë identifikimi i “pikave të përbashkëta, dhe bashkëpunimi me të gjithë”. Kështu mund të arrihet “pjekunia e shoqënisë shqiptare”!

Kjo pra është porosia e vlefshme nga shumë i nderuari dhe i respektuari dhe për më tepër nga një vuajtës i burgjeve famëkeqe të regjimit të Enver Hoxhës, Profesor Sami Repishtit, për shoqërinë shqiptare në përgjithësi dhe për klasën politike post-komuniste të Shqipërisë në veçanti. Ka ardhë koha “E burrënimit me sensin e plotë të përgjegjësisë…”

Si përfundim pra, në këtë mision të shenjtë, nismëtarët e projektit, “Edhe Muret Kanë Veshë”, meritojnë mbështetjen e autoriteteve qeveritare dhe shtetërore të Shqipërisë – ashtuqë më në fund, të pakën, të zbulohet dhe të pasqyrohet sadopak një pjesë e asaj historie të tmershme, nepërmjet dëshmive të mbijetuarve të kampeve të përqendrimit. Nga ana e tyre, megjithë vuajtjet e tyre dhe krimet çnjerëzore ndaj tyre, të përndjekurit nuk kanë kërkuar kurrë hakmarrje as kurrfarë ndëshkimesh për torturuesit e tyre.

Kërkojnë vetëm drejtësi dhe që e vërteta të thuhet e të ndriçohet për brezat e ardhëshëm me shpresën që e kaluara të mos përsëritet më. Ky duhet të jetë prioritet dhe përgjegjësi morale dhe kombëtare për autoritetet qeveritare dhe shtetërore të vendit. Ka ardhur koha që autoritetet shqiptare — sipas fjalëve të një të persekutuari në kampet e përqëndrimit të Shqipërisë — që më në fund, “Të mos joshen me sorrat, por të fluturojnë me shqiponjat”, duke i dhënë këtij projekti ndihmesën që meriton dhe mbështetjen e nevojshme që i duhet – tani dhe në të ardhmen — ashtuqë që të dalë me sukses në zbulimin sado pak të pjesëshëm të së vërtetës mbi të kaluarën komuniste.

Prilli është përcaktuar si Muaji i Ndërgjegjësimit dhe Parandalimit të Gjenocidit, shënon përvjetorë të rëndësishëm për aktet e shumta të gjenocidit në shekullin e 20-të. Përkujtohen ata që u vranë në gjenocid dhe në vrasje masive në mbarë botën. Enver Hoxha ishte përgjegjës për 100,000 vdekje – ekuivalente me më shumë se një të tridhjetën e popullsisë së Shqipërisë. U prehshin ne paqe, Shpirtërat e tyre. (Nga Facebook e Projektit, “Edhe Muret Kanë Veshë”

(Nga Facebook e Projektit, “Edhe Muret Kanë Veshë”)