Zbulohet raporti i KE: Shqipëria progres të prekshëm, të hapen negociatat!

0
471

Dita, 16 prill 2018

Shqipëria dhe Maqedonia do të nisin negociatat për anëtarësim në BE, ndërsa abuzimet me të drejtat e njeriut do ta lënë sërish në pritje Turqinë.
Në draftin e raportit të zgjerimit që pritet të publikohet të martën, në 17 prill, sqarohet se në vazhdën e progresit të arritur, KE-ja do të rekomandojë hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Në vlerësimin e saj, KE-ja gjykon se Shqipëria ka bërë një progres gjithëpërfshirës, që nga lufta kundër narkotikëve, e deri te sistemi i gjyqësorit, pa harruar çështje jetike si pronat dhe të drejtat e pakicave.
Sipas Komisionit, hapja e negociatave është e domosdoshme që thellimi i reformave të vijojë me ritmin e kënaqshëm në të cilin ndodhet.

Pjesë nga raporti i KE-së për Shqipërinë:

Shqipëria ka vijuar të bëjë një progres të qëndrueshëm në zbatimin e pesë prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Reforma e administratës publike u konsolidua, me një përforcim të dukshëm të profesionalizmit dhe depolitizimit. U ndërmorën veprime të mëtejshme për të përforcuar pavarësinë, efikasitetin dhe besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë, veçanërisht përmes avancimit në zbatimin e një reformë gjithëpërfshirëse në drejtësi. Kjo përfshin rezultatet e para të prekshme në rivlerësimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetting-un), me dorëheqjen e 15 gjyqtarëve dhe prokurorëve të nivelit të lartë, dhe në dëgjesat e para që sollën shkarkimin e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese, si dhe konfirmimin në detyrë të një tjetër gjyqtareje të Gjykatës Kushtetuese.

Luftë e vendosur kundër trafikut të drogës

Përpjekje të mëtejshme më të vendosura u ndërmorën në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshi ato në luftën kundër trafikut të drogës dhe kultivimit të saj, që kontribuan në ndërmarrjen e disa hetimeve proaktive, si dhe të arrestimeve dhe dënimeve. U morën masa të mëtejshme për të garantuar mbrojtjen efektive të të drejtave të njeriut, përfshi personat që u përkaisn pakicave si dhe komunitetit rom, si dhe politikat anti-diskriminim, ashtu sikurse edhe zbatimin e të drejtave të pronës.

Hapja e negociatatave që progresi të vijojë

Në kuadër të progresit të arritur, Komisioni rekomandon, që negociatat e anëtarësimit të hapen me Shqipërinë, duke ruajtur dhe thelluar momentin aktual të reformave në fushën kyçe të zbatimit të ligjit, në mënyrë të veçantë në të gjitha pesë prioritetet kyçe dhe të rezultateve të vazhdueshme dhe të prekshme në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetting-u), pasi do të jetë vendimtare për progresin e mëtejshëm të Shqipërisë. Për të mbështetur këtë, Komisioni do të aplikojë qasjen e përforcuar për kapitujt e negociatave lidhur me drejtësinë, të drejtat themelorë dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë e vendit.

Pra është tashmë e sigurt që komisarja europiane për politiken e jashtme Federica Mogherini do të vijë nesër në Tiranë me lajmin e mirë, ndërsa komisari për zgjerimin Hahn, do ta zyrtarizoje nga Brukseli. Mogherini do të dorëzojë në Tiranë progres raportin e plotë të KE-së, ku përveç rekomandimeve pozitive për hapjen e negociatave, do të gjykohet edhe ecuria e reformave në Shqipëri, sipas fushave te ndryshme.

Rekomandimi për hapjen e negociatave vjen më në fund, pas një sërë shtyrjesh dhe kushtesh të vëna Shqipërisë nga Bashkimi Europian që tashmë, në pjesën më të madhe janë përmbushur, duke nisur që nga Reforma për Drejtësinë, lufta kundër trafikut të drogës, kriminalitetit dhe korrupsionit dhe ne fund edhe një përmirësim të marrëdhënieve me Greqinë.

o.j/dita