Shqipëria sipas Senida Mesit

0
551

Nga Entela Resuli

Që kur u emërua zëvendëskryeministre kam dashur të mësoj diçka më tepër për Senida Mesin.
Më është dukur një grua e qetë. Ka qenë e vështirë të lije një takim me të. Herë dukej sikur nuk i kishte qejf mediat dhe herë sikur nuk donte të shfaqej shumë!

Qershorin e vitit të kaluar zonja Mesi mori mandatin e deputetes në qarkun Shkodër dhe në Shtator i erdhi oferta për të qenë zëvendëskryeministre!
Përpara se t’i propozohej ky post ajo ka jetuar në Shkodër ku edhe ka punuar në një institucion bankar atje.

Vitin e kaluar iu desh të lëri Shkodrën dhe biçikletën atje për të marr makinën dhe për të ardhur në Tiranë. Detyra ia kërkon që të jetojë në kryeqytet.
Nga pas e ka ndjekur edhe familja, edhe pse fëmijët do të donim më shumë Shkodrën, por për hatër të mamit, janë duke ndjekur shkollën në Tiranë.

Këto muaj kanë qenë intensiv për zonjën Mesi. Ka udhëtuar në të gjithë Shqipërinë dhe i është dhënë mundësia që të shoh nga afër zona të thella e me vështirësi, qoftë infrastrukturore, po ashtu edhe ekonomike.
Më poshtë intervista e Senida Mesit për Dita-n.

Zonja Mesi, ju shohim vazhdimisht të udhëtoni për punë këto kohë, është hera e parë që po e shëtisni kaq shumë Shqipërinë?

Në fakt, është hera e parë që e shoh Shqipërinë nga një perspektivë tjetër, edhe pse kam udhëtuar shumë shpesh më përpara.

Për shumë vite kam pasur fatin të punoj afër dhe me sipërmarrjen, gjatë punës sime në një Institucion prestigjioz të sistemit bankar, dhe kam pasur mundësinë të shoh Shqipërinë nga një dimension i caktuar. Fokusi ka qenë tek dimensioni i zhvillimit ekonomik, nxitja e sipërmarrjes për të marrë investuar, financimi i projekteve të bizneseve ekzistuese apo edhe të start up-ve, impakti në punësimin e zonës, zhvillimi ekonomik në qytet apo në fshat, rritja e konkurrueshmërisë dhe analiza e rezultatit duke parë rritjen e të ardhurave të biznesit, oferta më cilësore e produkteve, gjetjen e tregjeve të reja dhe bërjen e tyre gati për të plotësuar standardet për eksport.

Aktualisht, perspektiva e re ka në themel të saj përgjegjësinë jo vetëm për të vizituar e dëgjuar, por edhe për të vepruar në një nivel makro. Çdo muaj, unë vizitoj të paktën një Qark në vend si një angazhim dhe detyrim i të gjithë Këshillit të Ministrave kundrejt qytetarëve. Qëllimi këtu është që të jemi sa më pranë qytetarëve dhe sipërmarrësve dhe të përcjellim mesazhet e nevojshme sa i takon prioriteteve dhe reformave të qeverisë në çdo zyrë të vendit, për çfarë jemi duke punuar dhe cilat janë gjithashtu edhe prioritetet e tyre. Realizojmë edhe inspektime për t’u siguruar për cilësinë e shërbimeve ndaj biznesit dhe qytetarëve. Njëkohësisht, këto vizita shërbejnë edhe si dëgjesa me zyrtarët lokalë për sfidat e tyre dhe çfarë mbështetjeje kërkojnë nga Ministritë e linjës për të bëre punën më mirë. Ndërkohë që vizita është një apo dy ditë, çështjet e ngritura i përcjellim në institucionet përkatëse dhe vazhdon më tej ndjekja e tyre.

Një lidhje tjetër me çdo qark është edhe mbledhja e qeverisë njëherë në muaj në një qytet të ndryshëm në vend, si edhe pjesëmarrja në takime të hapura sikurse janë forumet në universitetet e vendit.

Pra, kemi të bëjmë me një prezencë të shtuar të çdo anëtari të Këshillit të Ministrave në terren, kjo edhe si rrjedhojë e premtimit për të bashkëqeverisur me çdo qytetar të zakonshëm të këtij vendi.

Çfarë ju ka bërë përshtypje, diçka që nuk e keni ditur më parë, por që e keni konstatuar tani?

Shqipëria në çdo cep të saj të befason në çdo vizitë sepse gjërat janë dinamike. Sigurisht që ka një hendek mes qendrave dhe periferive. Për mua ky hendek – në dukje normal për një vend në zhvillim – ka një kuptueshmëri tjetër. Të jep shtysë për të vepruar me qëllim zbutjen e tij.

Tjetër përshtypje është të shohësh sesi investimet në infrastrukturë, në rilindjen urbane, i kanë dhënë jetë e gjallëri dhjetëra qyteteve, sesa rëndësi kanë investimet e duhura kur këtyre u shton edhe punën e njerëzve aktiv dhe plot me ide. Impakti ekonomik në punësim dhe mirëqenie është i padiskutueshëm.

Përshtypja që më ripërsëritet dhe tani më shumë se kurrë më konfirmohet është se ne shqiptarët, pavarësisht veseve, jemi shumë të dashur, mikpritës, me zemër të madhe, edhe me plot ide sesi mund të qeverisim më mirë.

Shqipëria duket një vend që vazhdon të ketë probleme, qoftë në infrastrukturë, punësim… cili është Qarku më problematik në këtë drejtim, sipas jush?

Në Shqipëri vërehet ndryshim pozitiv, sikurse ka sërish shumë hapësira për përmirësim. Mendoj që ka zona të Shqipërisë që janë më shumë sfiduese, por nuk do të thoja problematike. Natyrisht që ka një hendek midis zhvillimit në disa zona urbane në krahasim me ato rurale apo midis qendrave dhe periferive. Këto dallime nuk janë karakteristikë vetëm e Shqipërisë, është një proces i njohur zhvillimi ku disa zona urbane apo qendra marrin një hov më të madh se të tjerat.

Ajo çka po bëjmë ne, është zbutja e hendekut. P.sh. ne kemi tashmë një ndarje rajonale të vendit të rikonceptuar. Ky rikonceptim shërben pikërisht për të rritur ekonominë e shkallës së rajoneve dhe për t’i përgatitur për mundësitë që ofron BE-ja me fonde pas çeljes së negociatave për zhvillimin rajonal. Jemi duke punuar edhe me nismën e “100 Fshatrave Turistikë” që synon mbështetjen e ekonomisë jo-bujqësore si dhe agroturizmit për një program 4-vjeçar. Ndërkohë që përmirësimi i mëtejshëm i infrastrukturës – psh. ndërtimi i Rrugës së Arbrit, Aeroportit të Vlorës apo vënia në funksionim e Aeroportit të Kukësit – gjithashtu ndihmojnë në zbutjen e hendekut mes qendrave dhe periferive. Po punohet tashmë me një Plan Kombëtar të Punësimit 2018-2021. Punësimi dhe krijimi i hapësirave lehtësuese për sipërmarrje në fushën e turizmit, bujqësisë, agro-turizmit dhe energjisë është padyshim alternativa më e mirë për të përballuar pikërisht këto hendeqe apo dallime mes zonave të ndryshme në vend.

Mendoj që një rol të rëndësishëm në zbutjen e këtij hendeku ka edhe qeverisja lokale. Disa prej kryetarëve të Bashkive duhet të punojnë më shumë për identifikimin e karakteristikave të zonave që mbulojnë dhe çfarë duhet të bëjnë për një zhvillim ekonomik e social të bashkive që ato përfaqësojnë, sikurse edhe të lobojnë fort për bërjen e planeve të fizibilitetit e projekteve për zbatim, me qëllim tërheqjen e sa më shumë fondeve.

Mendoj se një faktor tjetër shumë i rëndësishëm në këtë aspekt është edhe bashkëpunimi më i madh dhe më aktiv me biznesin, shoqërinë civile dhe institucionet e arsimit e në veçanti ato të arsimit të lartë.

Ju jeni ekonomiste dhe ndoshta kjo është ajo që ju shqetëson më shumë në këtë vend. Si e shihni ekonominë, cilat janë problemet e saj? Çfarë mund të bëhet më tepër për ta nxitur atë dhe çfarë mundësish mund t’i jepen biznesit për të jetuar apo mbijetuar në treg?

Qeveria e Shqipërisë, gjatë viteve të fundit ka ndërmarrë reforma me bazë të gjerë e të fokusuar në qëndrueshmërinë makroekonomike dhe fiskale, stabilizimin e sektorit financiar, të energjisë, ujit dhe pronës, pensionet, administrimin territorial dhe decentralizimin e qeverisjes vendore, qe të gjitha së bashku shumë të vështira, por me shumë benefite.

Ekonomia në Shqipëri është në një moment pozitiv, por ka ende shumë për të bërë për të thelluar reformat që përmirësojnë klimën e të bërit biznes në vend, lehtësojnë thithjen e investimeve dhe mbështesin bizneset e vogla që kanë një peshë të rëndësishme në punësim.

Rritja ekonomike në 2017-ën ka qenë 3.8 për qind, duke krijuar kushte për rimëkëmbjen e besimit të biznesit dhe rritjes së kërkesës së brendshme, shenja këto të rritjes së investimeve dhe një orientimi të ekonomisë drejt eksporteve.

Në mënyrë që rritja ekonomike të jetë e qëndrueshme, duhet me patjetër të shoqërohet me rritje endogjene në afat-shkurtër, me rritje në investimet teknologjike, inovacionit dhe TIK në afat-gjatë, dhe sigurisht me një sektor privat të konsoliduar e konkurrues që plotëson standardet evropiane dhe që është i gatshëm të përballojë edhe konkurrencën e tregjeve ndërkombëtare.

Si qeveri, po punojmë të kemi një stabilitet dhe të krijojmë një mjedis relaksues, pa shume procedura e dokumente, me ofrimin e shërbimeve të standardizuara dhe online me në qendër qytetarin, me qëllim jo vetëm kursimin e kohës për sipërmarrësit por edhe për të ulur korrupsionin e për t’i dhënë më shumë frymëmarrje sipërmarrësve për punë kërkuese, investime të reja dhe tërheqje të investimeve të huaja.

Synimi ynë është që bizneset të marrin atë që meritojnë nga shteti: shërbime cilësore në kohë, sa më lehtë e me sa më pak kosto. Tani kemi një ministre të dedikuar për sipërmarrjen – Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Gjatë kësaj kohe, janë vendosur kontakte të drejtpërdrejta me shumicën e sipërmarrësve në vend dhe janë adresuar problematikat e ardhura nga biznesi.

Sigurisht, si qeveri duhet të jemi më shumë të fokusuar në:

– tërheqjen dhe mbajtjen e kapitalit të kualifikuar njerëzor;
– maksimizimin e përhapjes së njohurive që shkojnë në linjë me fushat e ekspansionit të ekonomisë;
– përafrimin dhe intensifikimin e dialogut publik-privat për të trajtuar problemet e koordinimit që pengojnë veprimtarinë ekonomike;
– edukimin në fushat prioritare të zhvillimit ekonomik;
– strategjitë e qarta për të orientuar biznesin ku të investojë;
– dhe ndihmë e mbështetje jo vetëm në kuadër të lehtësive fiskale, por edhe të procedurave transparente.

Ruajtja e këtij momenti është shumë e rëndësishme që të kemi një rritje të mëtejshme të ekonomisë shqiptare që përkon edhe me aspiratat tona për integrimin në Bashkimin Evropian.

Sipas jush, cilat janë objektivat për këtë mandat?

Objektivi kryesor i qeverisë në mandatin e dytë është rritja e punësimit – krijimi i punëve të reja që shkon në linjë me rritjen ekonomike cilësore, inteligjente dhe gjithëpërfshirëse, e cila mbetet burimi kryesor në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ne vazhdojmë në mandatin e dytë punën që kemi nisur në të parin për rritjen e investimeve publike si përmes fondeve të qeverisë, ashtu edhe të investitorëve të huaj. Me rëndësi për ne është gjetja e burimeve alternative që ushqejnë ekonominë.

Ndërkohë shërbimet publike përbëjnë një tjetër prioritet të Qeverisë. Në cilësinë e zëvendëskryeministrit, unë jam drejtuesi politik i kësaj reforme dhe jemi duke punuar me një qasje gjithëpërfshirëse për një transformim rrënjësor e historik të mënyrës se si i ofrojmë shërbimet dhe të kulturës së punës në administratën publike. Synimi ynë është: rritja e performancës së administratës publike; përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarit dhe bizneseve; ulja e korrupsionit dhe rrjedhimisht rritja e besimit të publikut, një administratë e depolitizuar dhe profesionale. Padyshim që Shqipëria evropiane mbetet objektiv i qeverisë dhe besoj, i çdo qytetari. Procesi i integrimit evropian është një proces i pazëvendësueshëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe është instrumenti për të përfocuar demokracinë dhe zhvillimin e vendit. Për ne, integrimi në Bashkimin Evropian është një përpjekje gjithëpërfshirëse për të ndërtuar Shqipërinë evropiane këtu për çdo qytetar me një jetë më të mirë.

Zonja Mesi, ju vini nga Shkodra dhe ky qytet voton gjithmonë djathtas. Si ka qenë për të majtët të ndryshojnë mendjet e shkodranëve, për të votuar për ta… çfarë duhet bërë më tepër?

Në fakt, gjatë fushatës në verë 2017, kam kuptuar që Shkodra ka më shumë të majtë se të djathtë (qesh), votojnë mesatarisht më pak se gjysma e votuesve dhe ndaj mendoj që duhet të bindim të majtët që të shkojnë për të votuar të majtët, me pak punë edhe të djathtët.

Sigurisht që bindja kërkon fakte dhe argumente, përmes veprimeve konkrete në interes të qytetarëve dhe biznesit, pra me arritje konkrete dhe me angazhim për të punuar më shumë. Janë ndërmarrë disa projekte me rëndësi për Qarkun Shkodër si:

Rruga Shkodër – Velipojë, në kuadër të prioritetit të qeverisë për zhvillimin e turizmit që afron Shkodrën me Velipojën për 20 minuta; lidhja e sistemimit hekurudhor me Tuzin, duke rritur shkëmbimet e mallrave mes 2 shteteve Shqipëri-Mal i Zi; një pikë doganore e përbashkët në Hanin e Hotit me Malin e Zi; rikonstruksioni i Shtëpisë së Moshuarve në Shkodër; ndërtimi i një stacioni të ri të Policisë së Qarkut në Shkodër; hapja së shpejti e zyrave të ADISA, zyrë e integruar me një ndalesë që ofron shërbimet e qeverisjes qendrore në Shkodër; rruga e Thethit dhe rikualifikimi i bregut perëndimor të Liqenit të Shkodrës që priten të fillojnë së shpejti punimet; Shkodra Turistike dhe përfshirja e 8 fshatrave të qarkut në nismën e 100 fshatrave turistikë. Tashmë pas përmbytjeve të marsit, jemi duke punuar për një zgjidhje afatgjatë të çështjes së përmbytjes së Nën-Shkodrës.

Projekte të tjera në përpunim e sipër janë edhe: rruga qe lidh plazhin Velipojë me Shëngjinin; rikualifikimi i qendrës së plazhit Velipojë duke e lidhur me rrugën e re në përfundim; hyrja e qytetit përfshirë dhe By-pass-in e Shkodrës (projekt rudiment i vitit 2011-të, që jo vetëm nuk i shërben funksionit, por që dëmton nga ana ekologjike liqenin); projektet e përbashkëta Interreg me Malin e Zi për zhvillimin turistik dhe mjedisor të përbashkët.

Shkodra nuk është një qytet i lehtë dhe jo vetëm për të majtët, megjithatë kompleksiteti i qytetit e bën edhe më interesant e sfidues çdo projekt politik aty.

Znj. Mesi, në mandatin e ri të qeverisjes kemi dhe ndryshime në administratë. Janë krijuar ministri të reja dhe janë shkrirë shumë drejtori, si po funksionon aktualisht administrata shqiptare?

Me marrjen e mandatit të dytë, ne kemi synuar t’i qëndrojmë angazhimit për një shtet më të vogël, por më efiçient me parimin më pak, më shumë. Dhe kështu ndërmorëm reformën funksionale – strukturore të institucioneve të Kryeministrisë dhe ministrive të linjës dhe kemi filluar procesin e ristrukturimit të institucioneve në varësi. Kjo përputhet me vizionin tonë për një qeverisje të përqendruar tek qytetari. Ndërkohë që në 2017-tën përfundoi ristrukturimi i ministrive, në fillim të 2018-tës jemi duke punuar me trajnimin e plotë të stafeve sipas niveleve me fokus modelin e ri të organizimit të qeverisjes, si edhe po punojmë për ristrukturimin e institucioneve në varësi që synojmë të përfundojë brenda vjeshtës së 2018-tës.

Jemi plotësisht të angazhuar për të tejkaluar sfidat që sjell ristrukturimi sikurse mund të jetë çorientimi apo tensioni i brendshëm në administratë. Kemi komunikuar vazhdimisht në mënyrë kapilare me të gjithë institucionet; po realizojmë tryeza konsultimi si publike ashtu edhe të mbyllura me institucionet për të shpjeguar qasjen dhe modelin e ri. por edhe për të adresuar problematikat. Ristrukturimi po bëhet me metodologji bashkëkohore dhe me ekspertë vendas e të huaj. Pra, kemi marrë të gjitha masat për të përmbushur me sukses objektivat e këtij procesi.

Mbi çfarë kriteresh po bëni ndërhyrjet në këto institucione dhe në drejtoritë e tyre?

Ky ristrukturim i ministrive, si edhe institucioneve të linjës, bëhet bazuar në këto parime: eleminimin e mbivendosjeve funksionale; përmirësimin e funksioneve për të rritur performancën dhe efiçiencën; bashkimin ose krijimin e institucioneve të reja që i përgjigjen nevojave zhvillimore të vendit. Sikurse e kam përmendur edhe në raste të tjera, kriteret e vetme janë ato profesionale, integriteti i lartë në kryerjen e funksioneve, përgjegjshmëria dhe të qenurit në shërbim të qytetarëve dhe biznesit. Modeli jonë i ristrukturimit konsolidon pozitat e ministrive si institucione qeverisëse, politikëbërëse dhe që përcaktojnë drejtimin e vizionin ndërkohë që agjencitë apo institucionet në varësi janë aty për të zbatuar politikat, ofruar shërbime, monitoruar e kontrolluar.

Ju jeni edhe në krye të projektit për zvogëlimin e burokracive në administratë. Cilat kanë qenë arritjet?

Jemi duke punuar me dy procese: së pari, përmirësimi i shërbimeve administrative përmes thjeshtimit dhe lehtësimit të procedurave dhe dokumenteve – proces i njohur ndryshe edhe si derregullimi, që ka hyrë në fazën e tij të dytë dhe që synon të kalojë barrën nga qytetari dhe biznesi tek administrata publike; së dyti, ofrimi i shërbimeve administrative dhe publike të qendërzuara dhe online – duke kursyer kohë, kosto financiare dhe duke rritur efikasistetin e shërbimit, psh. përmes ADISA apo në portalin e-albania. Arritja më e madhe është që po ndryshojmë sistemin e vlerave në shoqëri duke përmirësuar kulturën e punës në administratën publike dhe duke edukuar qytetarët e bizneset sesi t’i qasen shtetit.

Sistemi i vlerave për të cilin ne po punojmë me kurajo përbëhet nga: efikasiteti i shërbimeve, shërbimet me cilësi të lartë, kujdesi ndaj qytetarit si ndaj klientit, transparenca dhe anti-korrupsioni. Prandaj, jemi duke punuar për të trajnuar dhe përgatitur të gjithë administratën për këtë model të ri të funksionimit, strukturimit dhe ofrimit të shërbimeve – pasi është një transformim historik për administratën tonë dhe një transformim i cili do të na shtojë pikë edhe në procesin e integrimit europian. Më konkretisht, përmes e-albania ofrojmë 535 shërbime elektronike. Gjithashtu është lehtësuar qytetari nga barra e marrjes së dokumenteve pasi kjo barrë administrative i është kaluar institucioneve shtetërore – 29 dokumente, të cilat ofrohen me vulë dixhitale në portalin “e-albania”. Ndërkohë në qendrat e integruara ADISA ofrojmë 369 shërbime nga 9 institucione si ZRPP, DPTSHR etj. dhe kemi më shumë se 800.000 përfitues.

Në pjesën e lejeve dhe licencave, jemi në përfundimin e ndryshimeve të bazës ligjore për eliminimin e më shumë se 100 leje/licencave etj.

Pse e cilësoni si transformim historik këtë reformë të shërbimeve administrative?

Kjo reformë, si pjesë e reformimit gjithëpërfshirës të administratës dhe shërbimeve publike, është historike pasi po transformohet marrëdhënia e shtetit me qytetarin dhe biznesin. Në fakt është një proces kompleks që prek çdo procedurë dhe çdo dokument burokratik të shtetit, të akumuluar në 27 vjet pavarësisht se cila parti ka qeverisur. Ky proces thjeshtimi, lehtësimi dhe dixhitalizimi ndryshon kulturën e punës së administratës publike duke ecur drejt kulturës së shërbimit, efikasitetit dhe transparencës si edhe kujdesit ndaj qytetarit. Së dyti, ndryshon sjellja dhe qasja e qytetarit dhe biznesit ndaj shtetit. Me shërbimet e automatizuara, të integruara e online, shteti bëhet i aksesueshëm kurdo e kudo dhe krijohen hapësira të pajetuara më parë. Shqiptarët kanë nevojë dhe meritojnë shërbime cilësore, të modernizuara dhe dixhitale që ua lehtëson jetën dhe punën. Kjo rrit besimin tek shërbimet dhe administrata publike.

Nuk është bërë më parë një qasje e tillë holistike e të gjithë sistemit – kishte ardhur koha për ta bërë! E kush më mirë se sa një reformator, që e ka treguar me shembuj konkret, si kryeministri Rama mund ta bënte këtë. Edhe pse ka kosto, edhe pse do kohë, mendoj se është gjëja e duhur për vendin dhe që vitet në vijim do e shohin më shumë impaktin e këtij procesi.

Synimi është të ndërtojmë sisteme të tilla që vetë institucionet pas kësaj reforme të vetë-sistemohen e rregullohen, me qëllim që kjo reformë të zërë vend dhe të institucionalizohet. Reformat kërkojnë edhe qasje të hapur dhe bashkëpunuese me çdo aktor, e sidomos me opozitën. Për këtë qëllim, konsensusi me një bazë të gjerë do të ishte në të mirën jo vetëm të reformave, por edhe të proceseve integruese të Shqipërisë në BE. Por, opozita sikurse e vutë re në seancën e kësaj të enjte në Kuvend, ka më shumë dëshirë të bëjë petulla me miell e të flasë me një gjuhë rruge të shëmtuar e shumë fyese sesa të ndihmojë vendin në këto procese. Por neve, populli na besoi për të bërë detyrën, ndaj edhe ne jemi të vendosur dhe me shumë përgjegjësi për ta bërë atë sa më mirë.

Ditët e fundit ka pasur një protestë për tarifën e vendosur për Rrugën e Kombit, një nga akuzat që ka për qeverinë është mungesa e transparencës dhe mos-njoftimi i qytetarëve. Përse u desh një protestë e dhunshme që të uleshit për të sqaruar njerëzit?

Ajo rrugë i la shqiptarët me shumë borxhe dhe është akoma e papërfunduar. Për t’u mirëmbajtur, sigurisht që kërkon shumë fonde, të cilat qeveria shqiptare nuk i disponon dot. Opsioni më i mirë është patjetër dhënia e konçesionarit për mirëmbajtje dhe sigurisht roli i qeverisë është ta monitorojë atë.

Gjithmonë ka nevojë për përmirësim. Qasja jonë është vetë-rregullimi dhe vetë-korrigjimi. Askush nuk është i pagabueshëm, por rëndësi ka që ka vullnet për të dëgjuar, reaguar e ndryshuar gjërat për mirë. Mendoj që Kryeministri dhe kolegët ministra e kanë shpjeguar pozicionin e Qeverisë dhe jam e bindur që dialogimi dhe bashkëpunimi për një zgjidhje më të përshtatshme janë instrumentet e duhur.

Ju tashmë jetoni në Tiranë, si është jetesa në këtë qytet?

Si është të jetosh në Tiranë? E bukur, me shumë opsione, qytet i gjallë e me shumë ngjyra, në të njëjtën kohë dhe kaotike nga trafiku dhe shumë më e zhurmshme se Shkodra.

Nuk eci shumë dhe jam shumë e varur nga makina dhe vështirë të përdorësh biçikletën, tipike këto në Shkodër, dhe unë më e kufizuar jo vetëm nga Tirana, por edhe nga pozicioni.

Zonja Mesi, do të donim t’ju njihnim pak më shumë në raport me familjen. Ju jeni nënë, na tregoni diçka për fëmijët tuaj? A kaloni më pak kohë më ta tani që jeni në pozicionin e zëvendëskryeministres?

Ato janë dashuria dhe qetësia ime, sidomos i vogli. Familja ime mori një kosto prej meje pasi u detyrua të më ndiqte në Tiranë, kundër dëshirës së fëmijëve të cilët akoma edhe sot duan të jetojnë në Shkodër. T’ju them që fëmijët e mijë janë më të dashurit dhe më të mrekullueshmit në botë, këtë e mendon çdo prind. Ato më kanë mbështetur pa masë, duke filluar nga djali i madh shumë pragmatik e që më jep edhe këshilla, kurse i vogli lehtësim dhe heqje stresi, ndërsa vajza që kujdeset që mami të jetë mirë duke filluar nga look-u e deri tek artikulimi i fjalëve.

Sa për kohën, mos pyesni më mirë, jam shumë në borxh me to. Ka ditë që nuk i takoj. I gjej në gjumë në darkë dhe i lë po në gjumë në mëngjes, më mungojnë dhe i mungoj.

Shpresoj të gjej shpejt balancën e duhur mes punës e familjes, pasi është e rëndësishme për të gjithë ne të pestit, por njëkohësisht dhe për punën. Energjinë më të madhe e marr pikërisht nga familja, e kjo më mundëson të jap edhe më shumë në punën që bëj.

Bashkëshorti juaj, çfarë profesioni ka dhe si e priti ai faktin që ju u bëtë zëvendëskryeministre? Të jep këshilla, çfarë të thotë më tepër?

Një nga arsyet që jam sot këtu është pikërisht edhe mbështetja e shtysa që kam patur nga ai. Ai është mjek, një specialist dhe drejtues shumë i zoti i shëndetit publik, gjithmonë aktiv në jetën shoqërore e politike lokale. Ai është këshilltari im më i mirë, por edhe kritiku më i madh.

Falë tij, jam përfshirë edhe unë e jam bërë më aktive dhe më e ndjeshme për çështjet e politikës, për ndikimin e politikës në jetën tonë, dhe se sa e rëndësishëm janë teknicienët e mirë dhe strategjitë e duhura të qasen siç duhet nga politika për një vendimmarrje më të suksesshme dhe me rezultate konkrete në jetët e njerëzve.

Kuptohet që është më e lehtë të jesh në anën tjetër duke kritikuar apo sugjeruar dhe shumë më e vështirë të jesh pjesë e vendimmarrjes. Por, me zemër të hapur, mendje të kthjellët, me transparencë, drejtësi e dedikim për gjërat, besoj se çdo objektiv është i arritshëm.

Nëse deri dje thoja: “Nëse do isha unë aty, atëherë do të dija si t’i bëja gjerat”, tani jam këtu me shumë përgjegjësi dhe me shumë dëshirë për të punuar së bashku me çdo qytetar të zakonshëm të vendit, me familjen e madhe të PS dhe kolegët në Këshillin e Ministrave. Ndonjëherë kur gjërat vështirësohen, kthej kokën pas dhe i kujtoj vetes edhe njëherë arsyen pse jam këtu.

Zonja Mesi, cilat janë ambiciet tuaja në politikë?

Sigurisht nuk jam në politikë për të bërë vetëm politikanen. Kam 20 vite profesioniste dhe tekniciene, dhe dua që këtë përvojë ta vendos në funksion të politikës dhe jo e kundërta.

Objektivi im është që së bashku me ekipin qeverisës të japim më të mirën për vendin. Dua të kem mundësinë që së bashku të projektojmë Shqipërinë e 20-30 viteve nga sot dhe të punojmë të gjithë së bashku për ta realizuar, me konsistencë dhe përgjegjshmëri të lartë. Ndoshta edhe mund të gabojmë dhe gabimet janë njerëzore. Unë jam një njeri i zakonshëm që mu dha një mundësi për të bërë më shumë dhe më mirë se dje, dhe dua ta shfrytëzoj maksimalisht, jo për karrierën time personale, por për çdo të mirë, sado të vogël, që do të bëj për vendin dhe bashkëqytetarët e mi. Investoj gjatë dhe me hapa të ngadaltë.