Gjenerali gjerman që ka udhëhequr KFOR-in, Klaus Reinhardt, tregon bisedën që zhvilloi me Përfaqësuesin e Politikës së Jashtme të BE-së, Havier Solanën.
“Në takimin e parë me zyrtarin e lartë të Brukselit, Havier Solana i kërkova atij gjysmë miliard dollarë për çdo vit, derisa ta stabilizojmë shtetin e Kosovës. Solana nuk u përgjigj pozitivisht. Ai tha se BE nuk ndan mjete financiare për shtete të cilat nuk janë anëtare të Unionit dhe vazhdoi të llomotisë, duke treguar se çfarë nuk mund të bëjë. i thashë dil jashtë, dhe ai më shikoi i habitur, dil jashtë e përsërita dhe doli. Të nesërmen më telefonoi duke më thënë se kurrë në jetë nga asnjë personalitet nuk është pritur aq keq”.
Gjenerali gjerman Klaus Reinhardt, këtë e kishte zbuluar në një ligjëratë me studentët e Kolegjit ISPE në vitin 2014, ku ka rrëfyer për misionin e tij si Komandant i KFOR-it gjatë vitit 1999-2000 në Kosovë. Ai ka folur për luftën, sfidat, problemet, rreziqet, storjet e ndryshme dhe bisedat prapa perdeve me liderë dhe personalitete të ndryshe botërore i ngjanin një libri bestseller.
Komandanti e kishte nisur tregimin duke filluar nga qershori i nxehtë i 99-ës, periudhë kjo kur sapo kishin përfunduar bombardimet e NATO kundër forcave dhe caqeve serbe, me qëllimin rrëzimin dhe largimin e pushtetit të egër të diktatorit Slobodan Milosevic në Kosovë. Përmes imazheve, fotografive gjenerali sqaronte Kosovën e pasluftës, kampet e Bllacës, shqiptarët e përvuajtur gjithandej, shtëpitë e rrënuara, mungesa e spitaleve, ujit, ushqimit dhe gjërave tjera të domosdoshme për një jetë normale.
“Qëllimi dhe misioni i KFOR-it ishte fillimisht, siguria, stabiliteti dhe normaliteti. Për ti realizuar këto, 20 batalione të shteteve anëtare dhe më gjerë ishin shpërndarë në tërë territorin e Kosovës. Ishim të përgatitur me të gjithë arsenalin ushtarak për tu përgjigjur ndaj çdo force që do cenonte misionin tonë. Armatim të rëndë, por edhe forca ajrore, aeroplan për të bombarduar”, theksonte Gjenerali Reinhardt.
“Për ta arritur me sukses qëllimin tonë, nevojitej një bashkëpunim i ngushtë edhe me diplomatët dhe liderët e forcave të mëdha vendosëse”, deklaronte gjenerali.
“Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), Bernard Kouchner në takimin e parë, dhe fjalët e para që mi tha ishin: I urrej gjeneralët, posaçërisht gjeneralët gjermanë. Më vonë e mora vesh se familja e tij gjatë luftës së dytë botërore kishte përfunduar në kampet e Aushvicit. Megjithatë, ai ishte një diplomatë i shkëlqyer i cili e luajti më së miri rolin e tij, duke i kryer me sukses të gjitha detyrat dhe obligimet që e ngarkonin”, deklaronte Reinhardt, duke shtuar se gjatë detyrës së tij ka pasur takime të shpeshta me diplomatin francez, i cili është treguar mjaft bashkëpunues.
Gjenerali gjerman ishte i vendosur me veprimet e tij për pavarësinë e Kosovës, dhe kjo siç thotë ai, shpesh i kishte kushtuar edhe me vërejtje për largimin e tij nga misioni në të cilin ishte caktuar. “Kthimi i refugjatëve në shtëpitë e tyre, krijimin i kushteve për jetesë, duke filluar gjithçka prej zeros, krijimi i institucioneve, departamenteve të cilat planifikoheshin më vonë të ktheheshin në ministri, ruajtja e stabilitetit, transformimin i UÇK-së në TMK, me një fjalë kthimi i normalitetit, kishte një kosto të lartë. Për këtë dhe shumë punë tjera kërkova ndihmë financiare nga Bashkimi Evropian dhe më pas nga SHBA-të.
Fillimisht gjenerali tregonte për bisedën që e kishte zhvilluar me Përfaqësuesin e Politikës së Jashtme të BE-së, Havier Solanën. “Në takimin e parë me zyrtarin e lartë të Brukselit, Havier Solana, i kërkova atij gjysmë miliard dollarë për çdo vit, derisa ta stabilizojmë shtetin e Kosovës. Solana nuk u përgjigj pozitivisht. Ai tha se, BE nuk ndan mjete financiare për shtete, të cilat nuk janë anëtare të Unionit dhe vazhdoi të llomotis, duke treguar se çfarë nuk mund të bëjë. I thashë “dil jashtë”, dhe ai më shikoi i habitur, “dil jashtë” e përsërita dhe doli. Të nesërmen më telefonoi duke më thënë se kurrë në jetë nga asnjë personalitet nuk është pritur aq keq”, vazhdonte gjenerali rrëfimin.
I detyruar për të çuar misionin e tij në fund, në një takim, ai i drejtohet me të njëjtën kërkesë Presidentit të SHBA-ve, Bill Clinton dhe Sekretares Madeline Albright. “Clinton-it i thashë se më duhen para. Ai më tha sa po don? I thashë se më duhet gjysmë miliard dollarë për çdo vit. Fillimisht iu dukën shumë, mirëpo kur i tregova se për 78 ditë bombardime kundër caqeve serbe, NATO-ja kishte shpenzuar 78 miliardë dollarë, Clinton dha dritën jeshile. Paratë nga Uashingtoni erdhën në Shkup dhe bartjen e tyre e bëra me helikopter të shtetit gjerman. Për këtë mora vërejtje për shkarkim nga Ministri i atëhershëm i Mbrojtjes gjerman, mirëpo nuk hoqa dorë dhe vazhdova misionin tim, i cili kulmoi me heqjen e dinarit serb nga qarkullimi dhe zëvendësimin e tij me markën gjermane. Sërish pati shumë reagime, mirëpo 39 shtete të NATO-s kërkuan, që unë të vazhdoj punën dhe detyrat e mia në Kosovë.”
Ai më pas tregoi edhe për takimet me liderët shqiptarë, Ibrahim Rugovën dhe Hashimit Thacin, duke dëshmuar për relacionet e tyre jo të mira. “Rugova ka qenë njeri shumë i mençur dhe më i dashur për mua. Në takimet e shumta unë ulesha mes tij dhe Hashim Thaçit, derisa Rugova pinte shumë cigare dhe tymin e drejtonte kah kundërshtari i tij, i asaj kohe. Gjithashtu jam takuar me përfaqësuesit e UÇK-së, Ramush Haradinaj dhe Agim Çekun. Ata kanë bashkëpunuar ngushtë me ne, për transformimin e UÇK-së në një forcë më shumë civile dhe multietnike. Ndërsa në takimin e përfaqësuesin e serbëve me priftin Artemije, ai më tha se, ju jeni gjenerata e tretë e gjeneralëve gjermanë, që keni ardhur për ta shkatërruar Serbinë. I thashë se qëllimi jonë është për të garantuar siguri edhe për qytetarët serbë në Kosovë”, u shpreh më tej Reinhardt.
Reinhardt thotë se bazat për pavarësinë e Kosovës janë vendosur nga KFOR-i. “Ne rindërtuam shtëpitë, ndërtuam shkolla, spitale, ura, krijuam kushte për një administratë për institucione stabile, kthyem normalitetin. Dhe posaçërisht unë dhe shteti im ishim të përcaktuar për pavarësinë e Kosovës. Gjatë një dekade, mbi 100 mijë ushtarë gjermanë, me një kosto të lartë, shërbyen në Kosovë dhe më gëzon fakti që sot Kosova është shtet i pavarur dhe i njohur nga 105 shtete të botës. Besoj në këtë histori suksesi”, përfundoi ligjëratën e tij në Kolegjin ISPE, gjenerali gjerman. Komandant i KFOR-it, gjatë periudhës sa ishte në Kosovë, 1385 vizita anembanë Kosovës dhe kishte dhënë 732 intervista për mediat vendore dhe ndërkombëtare.
(Illyria Press)
Përshëndetje, gjeneral Klaus Reinhard, shteti dhe populli i Kosovës do të jenë gjithmonë mirënjohës, për ndihmën, humanizmin dhe kontributin e çmuar. Zoti ju bekoftë.
Ah Evropë – Evropë si s’të vjen keq, në truallin tonë autokton Antik, sa afer na ke, e sa larg na mban. I vetmi shpëtim për ne Shqiptarët është integrimi ynë në BE dhe NATO. ju lutem, mos i leni hapësirë pretendimeve Ruso-Serbo e Turko-Arabe, orientimi ynë ka qenë, është dhe do të jetë orientim Evropian, në miqësi të përhershme me ShBA dhe Evropën.
Me respekt të veçantë nga Halil Preniqi.
Komentet janë mbyllur.