Shqiptari nga Prilepi, i asimiluar

0
1492

Nga Dionis Xhafa

Kur e kam vizituar Shkupin kam mundur të flas edhe me një person, i cili më la mbresa vërtetë të veçanta. Tek lagjet e banuara kryesisht me shqiptarë pyes një burrë rreth 50-vjeçar, lidhur me atë se ku mund të gjej Stacionin e Autobusëve të Tiranës, pasi bëja të kthehem për shkak se e kisha vizituar kryeqytetin e Maqedonisë tërë ditën. Fillimisht e pyeta nëse ishte shqiptar, pasi gjasat ishin që të hasje edhe në maqedon. “Po shqiptar jam. Nga Prilepi”, ma ktheu burri rreth të 50-tave.

Përgjigja e tij ishte rrënqethëse dhe disi e tmerrshme. Pse ishte e tillë? Ishte e këtillë sepse shqiptari nga qyteti Prilep mezi e shqiptonte atë që fliste. Vijova më tej ta pyes për vendndodhjen e Stacionit të Autobusëve dhe më thotë me një shqipe të çalë. “Nuk di. S’flas mirë shqipen”. Edhe këtë me një shqipe sikur të jetë i huaj. Aty e kuptova se e kishte thuajse të pamundur për të ma shprehur se ku ndodhej stacioni, që kërkoja, pasi shqipja e tij thuajse nuk mirrej vesh. Por se gati në të ikur, teksa dielli gati po rrëzohej përtej malit, ktheva kokën dhe e pashë edhe njëherë burrin nga Prilepi.

Ngjante njerëzor gjithsesi. Mendova se si banor i një zone ku pak kanë mbetur shqiptarë ishte asimiluar. Burri në fjalë ishte asimiluar jo veç në të folur, por se edhe në mënyrën e jetesës, gjestet, veshja që dukeshin e zakonet ndoshta. Po aty më ra ndërmend se Prilepi është qytet ku shqiptarët as katër përqind nuk janë. Më e tmerrshme bëhet situata kur merr me mend se shumë afër Prilepit ndodhet Manastiri, qyteti i Kongresit të Alfabetit Shqip.

Edhe në Manastir, qytet që andej e njohin si “Bitola”, situata është thuajse e njëjtë. Braktisje, zbrazje, asimilim. Duke çuar ndërmend ide të tilla e pashë ngultas edhe njëherë shqiptarin nga Prilepi. Ai dukej edhe në fytyrë si i pafajshëm. Ndoshta faji ishte i një shteti, që pakicat pak i integron dhe se ku të mundet dhe i sheh të dobëtit, i asimilon.