POEMË PËR ATDHETARIN QË JETËN IA KUSHTOI ARSIMIT, LIRISË, PAVARËSISË DHE BASHKIMIT KOMBËTAR

0
531

Nuhi Potoku “ Monografi në vargje “, kushtuar Ismail Thaçit, KLI”Arif Shala” – Prishtinë, 2018

Milazim F. KADRIU

Poeti llapjan Nuhi Potoku para lexuesve erdhi me librin e tij të 16-të “ Monografi në vargje “ (kushtuar Ismail Thaçit në 100 vjetorin e lindjes). Autori edhe me poemën kushtuar mësuesit e atdhetarit Ismail Thaçi dëshmon se është vrojtues i mirë i motiveve sidomos atij atdhetar, që përshkon pothuajse tërë poemën

Pas parathënies prezantohet faksimili i dekoratës nga Presidenti i Shqipërisë, prof Dr. Sali Berisha për Ismail Thaçin. Dhe nga kjo lexuesi menjëherë bëhet kureshtar ngase e sheh se poema i është kushtuar një personaliteti meritor të atdheut tonë.

Nëpërmjet kryepersonazhit dhe aktivitetit të tij autori, e qet në shesh veprimtarinë atdhetare të Ismail Thaçit dhe të shumë bashkëveprimtarëve të tjerë në hapjen e shkollave shqipe në Llap e më gjerë dhe në aktivitetin atdhetar. Autori ka arritur që përmes vargjeve të kësaj poeme të nxjerrë në dritë personalitetin e Ismail Thaçit që gjeneratat e reja të njohin veprimtarin patriotike të tij ngase ai një jetë ishte në shërim të atdheut.

Poema hapet me një prolog me vargjet :

U lind e u rrit një djalë i Shqipërisë
Në fshatin Zakut të Llapit
Prej oxhakut të prushit të burrërisë

Kjo poemë është e ndarë në disa pjesë dhe fillon me vargjet :

Në Zakut të Llapit, një vend burrash
U lind Ismail Thaçi në oxhak prej kullash
Trashëgim i të parëve si një flakadan
Prushi i lirisë ia ndezi fatin për vatan

Autori Potoku edhe këtë poemë si edhe poemat e më hershme kushtuar personaliteteve të njohura llapjanë, e ndërton duke u bazuar në ngjarjet, rrëfimet aktivitetin arsimor e luftarak për liri e pavarësi të vendit që Ismaili ishte shumë aktiv për një kohë të gjatë dhe të gjitha këto autori i veshë me pjesën artistike duke ruajtur origjinalitetin e këtyre ngjarjeve dhe të vetë personazhit, të cilin e ngrit në lartësinë meritore të tij.

Ja si thotë poeti në vargjet e poemës në pjesën që e titullon “Me pendë e pushkë “

A po shkon Ismail Thaçi
Në luftë me ra
Me pendë e pushkë
Të luftojë me shka
Shapin prej sheqerit me e nda
More shkije e shkina nuk i kemi motër e vëlla

Ismail Thaçi disa herë gjatë viteve 1941-1944 së bashku me prof. Ymer Berishën, udhëtuan për në Shqipëri, me qëllim të furnizimit të shkollave shqipe në Llap dhe Gallap me tekste dhe literaturë tjetër të nevojshme në gjuhën shqipe, ndërsa autori Potoku këtë e thotë kështu :

Lajm i mirë, lajm i mirë
Në tokat shqiptare
Edhe n’Llap të Kosovës
Po vjen abetare

Se veprimtaria e Ismail Thaçit ishte e drejtë kuptimplote autori e thotë në vargjet e poemës kështu:

Në tri fronte fjala jote
Doli kuptimplote
Në vijën politike – për Shqipëri etnike
Në vijën arsimore – për gjuhën e kulturën kombëtare
Në vijën ushtarake – në të djathtën për Shqipëri natyrale

Ismail Thaçi ishte sekretar i OPU ”Besa Kombëtare”

Se ç’po mbahet
Kuvend në Arbëri
Prof Ymer Berisha kryetar
Ismail Thaçi, sekretar i tij

Ai mori pjesë aktive në shumë beteja si në Luftën e Drenicës, ashtu edhe si pjesëtar i njësive të armatosura të KNDSH. Ismaili me aktivitetin e tij të pandalshëm gjatë asaj kohe ishte edhe si urë lidhëse në mes Llapit, Gollakut, Shalës së Bajgorës, Artakollit dhe Drenicës

Djemtë e Llapit shkuan
Në luftë në Drenicë
Për të sunduar plisat
Jo me mbet nën kapicë

Meqë Ismaili nuk u pajtua me pushtetin e atëhershëm ai u detyrua të jetoi në ilegalitet dhe të zhvilloi aktivitetin e tij bashkë me grupin që e udhëhiqte dhe nëpër disa fshatra të Llapit gjeti strehim dhe përkrahje nga popullata e këtushme.

Po e kërkon pushteti
Mësues Ismail Thaçin
Jo nuk e jep Llapi
Drejtorin e parë në Llap
Të arsimit shqiptar

Nuk ua jep Llapi njeriun e pendës e të pushkës
Derisa të qetësohen valët
Të tërbuara të arushës

Një pjesë të mirë të poemës autori ua kushton trimërisë dhe trimave llapjan të të gjitha kohëve duke filluar nga Demë Ahmeti e deri te Zahir Pajaziti dhe lufta e lavdishme të UÇK

Përse Ismail Thaçi
Të lartë e ke krenarinë
Sa shumë e shumë bëri
Llapi për Etninë

Në epilogun e poemës për Ismail Thaçin autori thotë :

Ismail Thaçi në këtë moment
Para vdekjes e ka një testament
Për shqiptarët kudo që janë
Ti lënë ndarjet e ta synojnë mesin
Shqipërinë Etnike ta përshëndesin.

Në këtë libër recensenti prof.dr .Flamur Shala në parathënien e librit shkruan për figurën e mësuesit e atdhetarit Ismail Thaçi ku në fund të shkrimit sjellë një pjesë nga libri për Ismail Thaçin :

“Ismail Thaçi ishte një personalitet i veçantë i lëvizjes sonë kombëtare për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar. Ai me punën dhe veprimtarinë e tij la gjurmë të pashlyeshme në historinë, arsimin dhe kulturën tonë, duke u kthyer në simbol të rezistencës, të atdhetarit të madh e të papërkulur të lirisë, të mësuesit të dashur e të çmuar.
Ishte intelektual i tipit perëndimor – drejtues dhe edukator i shkëlqyeshëm, nismëtar i hapjes së shkollave në gjuhën shqipe në Kosovë, organizator i mrekullueshëm, nacionalist i përbetuar, personalitet që kishte ideal bashkimin e trojeve etnike dhe formimin e Shqipërisë në kufijtë e sajë etnikë. Ismaili mbeti model shembullor për ta ndjekur rrugën e tij, veçanërisht te ata të cilët merreshin me arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj të kombit tonë.”

Më pas kemi edhe poezitë e Rrustem Hysenit dhe Behxhet Thaçit, pastaj vijnë tri shkrime ( një biografi të shkurtër të Ismail Thaçit, një shkrim për hapjen e shkollave shqipe në Llap më 1941, që përgjegjës i arsimit në këtë trevë ishte Ismaili, si dhe kalimi i Ismailit me shokë në Drenicë ) të marra nga monografia “Një jetë kushtuar atdheut” të autorëve Azem Hajdini – Xani & Behxhet Thaçi.

Libri “ Monografi në vargje ” përmbyllet me poezinë “ Lavdi mësuesit ”

Lavdi mësuesit Ismail
Për biografinë jetësore
Një jetë të tërë popullit shqiptar
Shqipërisë Etnike ia kushtove
………………….
…………………..
Lavdi për Ismail Thaçin
Me duhi edhe në Tiranë
Një jetë ia kushtoi mësuesi
Shqipërisë nënë.