VEPRIMTARIA NJERËZORE: VLERA DHE NORMAT

0
1108

Shkruan: Marjan Sebaj SOPI

Përpjekjet e njeriut si vazhdimësi e qëllimit dhe realizimit të planit Hyjnor

Duke parë e duke qenë dëshmitarë i përparimit dhe zhvillimit të madh të njeriut në thuajse të gjitha fushat (lëmit) të kësaj bote materiale, atëherë doemos na duhet thënë se me këto të arritura ndryshojmë edhe përmbajtjen religjioze të menduarit mbi njeriun e sotëm. Sepse, shumë vlera dhe të mira kur njeriu do herësh apo dikur i prite nga “lartë” d. m. th nga “Qielli” (Zoti), këto pra, sot ai i realizon vet, me aktivitetet apo angazhimet e tij.

Shohim sot se njeriu me veprimtaritë dhe punën e tij gjithnjë e më tepër përhapë zotërimet e tij mbi natyrën. Dhe, kuptohet e gjitha kjo është në harmoni me dërgimin e tij: “Hyji i bekoi dhe u tha: “Shtohuni e shumohuni e mbusheni tokën dhe sundojeni atë! Bëhuni zotëruesit e peshqve të detit, të shpendëve të qiellit dhe të çdo gjallese që lëviz përmbi tokë”!

Hyji tha edhe: “Ja, çdo bimë që qet farë mbi tokë dhe të gjitha pemët që kanë në vetvete frytin e pemës që qet farë: le të jenë ushqimi juaj”! Të gjitha kafshëve mbi tokë, çdo shpendi të qiellit e çdo gjëje që lëviz mbi tokë, në të cilat është fryma e jetës, i jap për ushqim të gjitha barërat e gjelbra. Dhe u bë ashtu. Hyji shikoi gjithçka kishte bërë dhe, ja, ishin shumë të mira!” (Zan 1, 28 – 31)

Dhe pikërisht pra, frytet dhe pushtimet e kësaj pune siç cekëm nga njeriu, hulumtimet dhe të arriturat e tij, gjithnjë e më tepër po bëhen të mira të përbashkëta të familjes njerëzore. Mirëpo, mos të harrojmë se njëkohësisht kjo gjendje lindë edhe shumë pyetje e probleme. Pra, me këtë lindë pyetja e kuptimit dhe vlerave gjithëpërfshirëse të kësaj veprimtarie njerëzore si shembull; Cili është qëllimi i gjithë këtyre përpjekjeve? Pastaj; Pse i gjithë ky mund dhe përpjekje kur e dimë se nesër do vdesim, kurse për këtë jetë nuk kemi edhe nevoja aq të mëdha siç ndërmerren?! Ose; A mos vallë e kemi shndërrua këtë jetë në grumbullim të gjërave të cilat pa ndërpre i sjellim në shtëpi e banesa tona për të pasur mundësi që gjërat e vjetra ti hedhim në mbeturina?! Mirëpo, me gjitha këto lidhet edhe pyetja; Si të shërbehemi me gjërat dhe se cilin vend duhet marrë ato në jetën e njeriut?

Më në fund të gjitha këto fakte, , të gjitha këto dilema, të gjitha këto të arritura njerëzore me fuqinë dhe urtinë e vet njeriut, të gjitha këto pyetje disi në një mënyrë na bëhen edhe kurthe të besimit apo fesë së dobët në ne, apo edhe sjellin deri te indiferentizmi praktik. Disave bile e gjitha kjo iu shërben edhe si krah për të thënë se; ja se si feja dhe shkenca e kundërshtojnë dhe përjashtojnë njëra – tjetrën, që nuk është e vërtetë. Por, shikuar e thënë realisht këtu gjërat asgjë nuk ndryshojnë. Sepse, sot njeriu aq shumë ka nevojë për Zotin në jetën e tij, ndoshta si asnjëherë më parë deri tani, meqë në gjithë këtë d.m.th përpjekje, hulumtime, zbulime, të arritura etj. ai është më i humbur, më i hutuar se kurrë më parë, dhe e kërkon siç e ka kërkuar gjithnjë edhe më herët Zotin, sepse ai ka nevojë për vetën dhe jetën e tij, e jo për “gjërat” e tij. Nuk duhet harruar kurrë dhe duhet pasur para sysh, duhet ditur se njeriu ka nevojë për Zotin, e do At, jo për diç tjetër por pikërisht për të pasur mundësi ta realizoj njerëzinë e tij, të arrijë kuptimin e vet, të zgjidh tjetërsimin e vet.

Aktiviteti dhe veprat njerëzore e kremtojnë dhe i jep lavd e nderë Hyjit, e madhërojnë Atë, sepse është ide e vet Krijuesit!

Pikërisht këtu edhe dëshirojmë të cekim aspektet më të rëndësishme kur është në pyetje të menduarit apo reflektimi mbi vlerat e veprimtarisë njerëzore. Është më se e kuptuar se neve besimtarët (fjala është për besimtarë të krishterë) veprimtarinë njerëzore e shikojmë me sy të fesë. Dhe në te shohim përgjigjen e njeriut mbi dërgimin të cilin e ka pranuar nga vet Hyji për ta përpunuar apo më mirë thënë për ta proceduar transformimin e kësaj bote, që të shërbehet me krijesat për të pasur mundësi ta realizoj jetën dhe personalitetin e vet. Dhe njeriu duke vepruar pikërisht në këtë mënyrë nuk bënë asgjë më pak apo më tepër veçse realizon idenë e Krijuesit. Kështu që të gjitha ato orvatje apo përpjekje të mëdha me të cilat njeriu gjithmonë dëshiron të përmirësoj jetën e vet, të qoi përpara kushtet e ekzistencës së tij, e gjitha këto pra i përgjigjën pikërisht idesë të Krijuesit. Njeriu, i krijuar në vet imazhin e Hyjit, mori edhe shkëndijën e mendjes së Hyjit me anë të së cilës në këtë botë materiale edhe prezanton idetë, kombinon, e gjen gjëra të reja. Në këtë mënyrë pra, njeriu është i ftuar të zotëroj apo nënshtroj tokën për vete, të sundoj mbi te dhe mbi të gjitha krijesat e saj, gjersa vetën dhe gjithë veprimtarinë e tij t’i drejtoj ka Zoti, duke e pranuar atë për Krijues të vetin, duke lavdëruar emrin e Tij mbi tokë.

Prandaj, ajo që në idenë dhe planin e Krijuesit vlen për njeriun, atëherë kuptohet se ajo vlen edhe për veprimtarinë e tij (pra të njeriut)! Njeriu është i ftuar që veprimtarinë e vet gjithmonë të vështroj dhe vlerësoj në dritën e qëllimeve dhe planeve të Krijuesit. Sepse, ky është parakushti themelor që veprimtaria e tij të jetë e rregullt dhe e saktë. Dhe kjo nuk vlen vetëm për disa veprimtari të veçanta, për përpjekjet e jashtëzakonshme të njeriut, por se vlen për gjërat edhe më të thjeshta si punët të përditshme, për jetën dhe familjen, shkurtë për luftën dhe sigurimin e gjithçkaje që nevojitet për jetë. Kështu që, çdo punë e tillë njëkohësisht është edhe zhvillim i mëtutjeshëm dhe vazhdimësi e veprës Hyjnore. Mos të harrojmë se veprat e tilla njëkohësisht sjellin edhe të mira të cilat vihen e janë në shërbim të vëllait e motrës njeri dhe prezantojnë shërbimin ndaj bashkësisë shoqërore. Pikërisht, për këtë, çdo vepër njerëzore edhe duhet të jetë e hapur dhe në të mirë të gjithëve, sepse gjithë e dimë se shumica e të mirave njerëzore janë fryt i veprimtarisë së shumë njerëzve dhe për këtë të gjithë jemi të drejtuar ndaj njëri – tjetrit dhe të lidhur që edhe veprimtaritë tona t’i shikojmë po ashtu.

Prandaj, veprimtaria njerëzore ka karakter komunitar, dhe kjo për individin do të thotë gjithmonë shërbim edhe të tjetrit, në lidhje apo bashkim me tjetrin. Do të ishte gabim siç thonë e mendojnë disa, se të arriturat njerëzore pavarësisht se në cilën fushë, lëmi, janë në kundërshtim apo i kundërvihen në disa aspekte të caktuara fuqisë Hyjnore apo veprimtarisë së Hyjit, në zgjidhje të gjenialit njerëzor si në fushën medicinave, biologjike, ekonomike etj…, sikur kinse këto zvogëlojnë fuqinë dhe veprimin e Hyjit! Ky mendim apo qëndrim është i gabuar meqë njeriu nuk është i ftuar nga Hyji që zgjidhjet në ato aspekte të i pret siç themi duarkryq e në mënyrë pasive! Sepse, shembull dhurata e shërimit nga Hyjit nuk është asgjë më pak nëse ka ardhur përmes duarve të mjekut, nëse është frytë i hulumtimeve biokimike të laboratorëve që ka krijuar njeriu e ngjashëm. Pikërisht, për këtë arsye njeriu assesi nuk guxon që në mënyrë pasive të shikoj e të pres në ndërhyrje speciale të Hyjit aty ku është i ftuar që vet të zgjidhë gjendjen, por as që guxon të mendohet e të konsiderohet se zgjidhjet e tilla janë përzierje të paautorizuar e njeriut në fuqinë dhe veprimin Hyjnor. Gjithë ngadhënjimet e njeriut në këtë tokë sa i përket të arriturave, janë asgjë tjetër pos shenjë e Madhështisë Hyjnore.

Ato janë fryt i imagjinatës së Tij të paimagjinueshme, të lavdisë, dhe secili prej tyre madhëron Hyjin. Njeriu me aftësinë e mendjes së tij (e cila është shkëndije e mendjes së Hyjit!) zbulon këtë botë dhe legjitimitetin e saj. Pikërisht në këtë mënyrë edhe zgjeron mundësitë e kombinimeve të tij në këtë “lojë” me materien. Ta marrim si shembull, pra; Kush do të mendonte më parë se pikërisht silici apo siliciumi është aq i rëndësishëm për ardhmërinë teknologjike të njeriut? Kur e kemi parasysh dhe e mendojmë se kjo është rërë e rëndomtë, e thjesht! ( Silici apo Siliciumi u zbulua me 1824 nga kimisti suedez Bercelius. Përdoret për përfitimin e aliazheve të ndryshme, të cilat kanë zbatim në metalurgji.

Produkti me i rëndësishëm i tij është qelqi që shërben për prodhimin e materialeve te ndryshme siç janë fibrat optike që përdoren shumë në industri si dhe qelqet dhe thjerrat optike qe përdoren ne aparatet e ndryshme siç janë teleskopët dhe mikroskopët. Fakti që qelqi është material gjysmë përçues ka të bëjë me disa parregullsi në rrjetin e tij kristalor. Silici përfitohet me nxehjen e dioksidit të silicit në furra të larta elektrike në temperatura të larta, ku si mjet oksidues përdoret kok.). E sa e sa zbulime tjera në thuajse çdo fushë apo pore të jetës. Me këtë njeriu vetëm se e lavdëron dhe madhëron Hyjin sepse realizon synimet dhe planet e Tij. Kështu që në fund edhe mund të themi se gjithçka merr në duar njeriu, ai zbulon gjurmët e veprimtarisë Hyjnore, zbulon se këtu në këtë botë, para tij qysh më “paska qenë” dikush më parë, që dikush para tij qysh më paska pas vepruar në këtë botë.

Feja dhe Shkenca nuk janë në kundërshtim

Thuajse për çdo ditë shohim se njeriu gjithnjë e më tepër dhe më thellë depërton në këtë botë materiale dhe se dukët që nuk i shihet askund fundi i hulumtimeve dhe zbulimeve të tij. Dhe sikur pikëpyetja gjithnjë është apo bëhet ma e madhe dhe më prezent pikërisht atëherë kur njeriu gjithë e më tepër dhe më thellë po depërton në veprën e madhe Hyjnore që është Kozmosi, dhe kjo në këtë botën tonë materiale. Njeriu në gjurmët e Hyjit mrekullohet, habitët, humbët dhe nuk i mbetët gjë tjetër pos ta lavdëroi dhe madhëroi Hyjin, që përmes veprave të tij të mrekullueshme ta njoh dhe ti përkulët e ta falënderoi. Hyji dëshiron që njeriu të jetë bashkëpunëtorë në krijimin dhe përsosjen e botës. Kjo vlen edhe në të kundërtën; ai që njeh më tepër Hyjin dhe e lavdëron atë si Krijues, aq më tepër njeriu është i angazhuar në veprimtarinë njerëzore, i gëzohet zbulimeve dhe përparimit të shkencës, arritjeve të arsyes apo mendjes gjeniale të njeriut. Kështu që çdo pasivitet është edhe ngelje e njeriut në zbatimin e detyrave hyjnore të cilat i ka pranuar njeriu nga vet Hyji që si bashkë krijues me Hyjin, pra së bashku ta transformojnë këtë botë.

Nga kjo që thamë deri më tani është më se e qartë se feja dhe shkenca jo se vetëm nuk e përjashtojnë njëra tjetrën por përkundrazi ato e përplotësojnë njëra tjetrin: Feja drejton apo shpie njeriun kah hulumtimi i veprave të Krijuesit duke ia zbuluar imagjinatën dhe planet, kurse shkenca në njeriun thellon besimin e tij. Prandaj, porosia e vërtetë e krishterë nuk shpërqendron, nuk largon njerëzit apo nuk tërheq vëmendjen nga ndërtimi i botës, as që i nxitë e as nuk inkurajon pasivitetin apo neglizhimin për të mirën e njerëzve, por përkundrazi! – edhe më tepër i forcon dhe i bënë të vendosur që të merren edhe më tepër rreth të mirës së përbashkët.

Mirëpo, në krahasim me fuqinë e njerëzimit, me hulumtimet e tij, njeriut, gjithë më të mëdha e më të thella, kuptohet se me këtë rritët edhe vet përgjegjësia. Sepse, siç kam cekur më parë, në temat e mia me karakter të ngjashëm shoqërorë, njeriu nuk është qenie autonome, por njeriu është qenie me përgjegjësi! Mos të harrojmë se me këtë njeriu është përgjegjës për veprimtarinë e tij, për ndërhyrjen e tij ndaj natyrës. Njeriu i lënduar me mëkat, shpeshherë është në tundim të madh që hulumtimet dhe të arriturat e veta ti përvetësoj në mënyrë egoiste, apo t’i përdorë në dëm të tjetrit. Kështu që, është më se e qartë nga kjo, se në të dy rastet ai punon kundër qëllimit të Krijuesit, kështu që nuk vepron si bashkë krijues, por më tepër si shkatërrues i veprave krijuese të Hyjit.

Pikërisht, për këtë edhe flasim këtu d.m.th. mbi normat e veprimtarisë njerëzore. Gjithsesi se duhet të kemi kujdes dhe të dimë se të gjitha veprimtaritë njerëzore dalin nga vet njeriu dhe se duhet të janë të drejtuar ka e mira e tij. Me punën e vet, njeriu transformon botën, por në anën tjetër edhe ndërton vet vetën, mëson, zhvillon aftësitë e veta. Kështu që të gjitha këto gjëra duhet të jenë më tepër se grumbullimi i pasurisë së tepruar materiale pas së cilës janë dhënë shumë njerëz. Sepse, edhe fjala e urtë popullore na thotë, se; Njeriu më tepër vlen përmes asaj çka është se sa çka ka! Lidhje me këtë thënie është mirë ta kujtojmë me veprën e tij këtu edhe E. From-in; Të kesh (d.m.th. me pasur), apo të jesh, në të cilën vepër merret me dilemën e dy moduseve jetësore dhe tenton të përgjigjët në dilemën themelore, se a është njeriu njeri përmes asaj çka ka apo përmes asaj çka është. Këtu assesi nuk duhet harruar se njeriu përbëhet nga dy elemente e ato janë, njeriu është qenie shpirtërore dhe trupore, materiale.

Prandaj, edhe pse e dimë se gjërat materiale na nevojitën për të jetuar, për të pasur një jetë komode, mirëpo nuk guxon e gjithë mendja jonë e gjithë zemra jonë i gjithë angazhimi ynë të jetë i përqendruar vetëm rreth gjërave materiale, duke harruar atë elementin tjetër që të bënë të lumtur pate apo nuk pate, i pasur apo i varfër, pra mos të harrojmë edhe shpirtin i cili të lumturon si qenie në tërësi, nëse e gjen kuptimin e jetë, nëse e gjen vetveten pranë gjithë baticave e zbaticave, pranë gëzimit e vuajtjes…e gjen Hyjin lumturi në krijesat e tij që na rrethojnë, e gjejmë dhe e shohim vetën tonë në vëllanë e motrën njeri, në natyrë…në gjithçka krijoi Hyji për të na bërë neve hulumtues jo egoist por të lumtur në këtë jetë e duke mos harruar gëzimin e amshuar, bashkimin me Atin Hyjnor në jetën e pasosur.

Kështu që kur ti analizojmë të gjithat, e gjithë jetën tonë, përvojat tona atëherë rezultati del se; më e madhe është të jesh se sa të kesh! Pse? Sepse, më e madhe, më e vlefshme se sa zhvillimi teknik është ajo që bëjnë njerëzit për tu arritur drejtësia, për tu përhapur vëllazëria, rregullimi më njerëzor shoqëroro – politik. Zhvillimi e përparimi teknologjik mund ti jap njeriut bazën materiale, mirëpo me vetëm këtë njeriu është i paaftë që të realizon vetveten e tij si njeri. Kështu që norma më e lartë, supreme, e çdo veprimtarie njerëzore është e gjitha ajo që është në harmoni, në përputhje me të vërtetën, me të mirën, dhe me realizimin e vërtet, real, të njeriut sepse gjitha të mirat materiale kanë për qëllim t’ia mundësojnë njeriut, pavarësisht si individ apo bashkësi, të arrijnë qëllimin përfundimtar e që është në Zotin.