A kemi histori e kulturë të përbashkët me Turqinë?

0
466
Ndue Ukaj - Vatikan

Ndue Ukaj

Kur disa shqiptarë kokëkrisur, thonë: “kemi histori dhe kulturë të përbashkët me Turqinë”, ata me gojën e tyre e pohojnë një mashtrim të madh. Një mashtrim historik.

Ky pohim është punë mendjerobërish, të tillë, që, siç thoshte Konica, ende nuk janë liruar nga zinxhirët e robërisë së mendjes. Por, ata duhet ta dinë se nuk mund t’i tërheqin të gjithë shqiptarët në këtë humnerë mendimesh, ashtu siç nuk arriti as Perandoria Osmane të bënte një gjë të tillë.

Një pohim i tillë është turp historik. Është përbuzje ndaj sa e sa të parëve tanë që sakrifikuan për gjuhën dhe kulturën shqiptare. Është pohim ahistorik, dhe kundër fakteve të panumërta, të cila provohen lehtësisht.

Gjuhën dhe kulturën shqiptare, e ruajtën dhe e kultivuan ata që sakrifikuan dhe u përbuzën në atë pushtim barbar, dhe jo ata që jetuan nëpër salltanetet e sulltanëve.

Dhe, këtë të vërtetë duhet ta pohojmë me zë të qartë dhe të lartë.
Pra, e vërteta është krejt e kundërta e broçkullave të injektuara nga zgjatimi i ideologjisë erdoganiane ndër ne; ideologji kjo që ka ngulfatë zhvillimin normal të shqiptarëve.

Viteve të fundit, kemi parë e lexuar shqiptarë që luftojnë për një histori pa të vërteta. Të tillë që përqurren duke “gjetë” ndonjë copë letër ku flitet mirë për këtë perandori dhe keq për shqiptarët, apo, të tillë që mezi presin të përbuzin figurat themeltare kombëtare.
Këta shqiptarë, provojnë të mbulojnë faktet, dhe, në këso raste, duken si trumcakët që tentojnë ta mbulojnë diellin me shoshë.
Sepse, faktet nuk përmbysen, në funksion të dokrrave dhe simpative historike apo religjioze.

Shqiptarët, gjatë pushtimin të gjatë osman, përjetuan akulturim dhe prapambeturi të madhe, prej të cilës lëngojnë edhe sot.
Atyre, u qenë ndaluar shkollat, gjuha, arti dhe jeta normale.
Ata u degdisën në mjerim të plotë dhe u konvertuan me dhunë në fenë e pushtuesit.

Që nga Formula e Pagëzimit, e deri me sot, kultura shqiptare, u zhvillua në konfrontim të ashpër me kulturën osmane.
Buzuku, Budi, Bardhi e Bogdani, shkruan nën terrorin osman, kundër paditunisë, dhe për dashni ndaj gjuhës e kulturës shqiptare, që dvareshin keq.

Kështu vepruan edhe korifenjtë e mëdhenj të Rilindjes Kombëtare, ata që jetonin në Stamboll dhe thonin se, dielli për shqiptarët lind në perëndim, arbëreshët e Italisë dhe kolonitë tjera shqiptare nëpër botë, që shkruan dhe punuan kundër Perandorisë Osmane. Madje, ata shkruan me pezëm të madh, dhe, duke e mallkuar ditën kur ajo shkeli tokat arbnore. Kjo traditë, vazhdon gjer në ditët tona, me shkrimtarin më të madh shqiptar, Ismail Kadarenë.

Atëherë, për cilën kulturë të përbashkët flasin këta batakçinj?

Shqiptarët, për pesë shekuj, u privuan nga liria, dhe, nën dhunën osmane, u detyruan që identitetin e vet kombëtar e shtetëror ta formësojnë në konfrontim të përhershëm me pushtimin osman.

Shoqëria shqiptare, nuk do të shërohet kurrë, përderisa nuk del në shesh e vërteta historike, ajo e raporteve me Perandorinë Osmane, por edhe me komunizmin, dy mendësi e ideologji, të cilat ia kanë lidhë duart dhe këmbët.