NË KUJTIM TË PRIJËSIT TË MALËSISË SË MADHE – DED GJO’ LULI

0
1194

Nga Frank Shkreli

Sot është 6 prilli, përvjetori (6 Prill, 1911) i ngritjes së Flamurit Kombëtar nga Heroi i kombit, Ded Gjo’Luli, për herë të parë në pothuaj 500-vjet të pushtimit Osman në trojet shqiptare. Ngritjes së Flamurit Kombëtar të Shqiptarëve i pat parapri Kryengritja e Malësisë së Madhe, një kryengritje kjo që mund të thuhet se nuk kishte ndodhur më parë në trojet shqiptare, qyshë prej kohës së Gjergj Kastriotit-Skënderbe.

Në këngën e 28 të Lahutës së Malësisë, epopesë tonë kombëtare, i madhi i letrave, At Gjergj Fishta i këndon trimërisë së Ded Gjo Lulit dhe malësorve të tij, ndërsa shpjegohet në parathënien e kësaj kënge se Deda me një grusht malësorë niset për në Rapshë të Hotit, për tu takuar me plakun Marash Ucin, të cilin e njofton, me qëllim që të merrte edhe pëlqimin e tij për kryengritjen –sepse me djemtë që kishte me vedin, kishte vendosur t’i binte Turkut para afatit të caktuar nga paria e maleve. Deda ngarkon Marash Ucin me detyrën që të lajmërojë, për këtë nismë, fiset Shkrel e Kastrat, pasi ushtarët e tij ishin vetëm 20 — me shtatë pushkë e një allti.

Kryengritsit malësorë marrin nën kontroll postet e mbretit dhe nxanë rob 60 ushtarë anadollakë, të cilëve u marrin armët dhe i nisin për Shkodër. Luftimet pëlcasin aty këtu, ndërsa Fishta përshkruan me zotësinë e tij prej poeti, se si rojet turke bienë e dorëzohen anë e mbanë Malësisë. Me të marrë vesh për luftën e malësorve, Sulltani dërgon në Shkodër 70-taborre, nën komandën e Turgut Pashës, por malësorët nuk dorëzohen.

Paria e maleve mblidhet me Luigj Gurakuqin në krye dhe vendosin t’i përgjigjen Pashës me barut. Msynë Turku me furi, e pret Malësia me trimëni, këndon At Gjergj Fishta në vjershën 28 të Lahutës së Malësisë. Vendi kallet flakë: gjëmojnë male e kodra, ushtojnë gryka e humnera, fishkëllojnë plumba e gjyle topash. Ethem Pasha msynë Kelmendin nga ana e Gucisë dhe malësorët tashti gjënden mes dy zjarreve, por nuk ligështohen. Forcat dërmuese anadollake fitojnë, por toka lahet në gjak dhe shtrohet pëllëmbë për pëllëmbë me ushtarë të vdekur anadollakë. Evropa habitet nga trimëria e malësorve dhe më në fund e sheh vendosmërinë e shqiptarëve për të jetuar të lirë në trojet e veta, pas pushtimit Osman prej 500-vjetësh, interpreton Fishta.

“Në mend habitun kqyrë Evropa
Si kjo Malcia mixorre
Veç me ‘i pushkë, pa shujtë, pa topa
Mazull mban shtatdhetë taborre?!”

Në këtë 6 prill kujtojmë pra kryengitjen e Malësisë së Madhe dhe Dedë Gjon Lulin, i cili me aktin e ngritjes së Flamurit Kombëtar për herë të parë në 500-vjet të pushtimit osman, tregoi guximin dhe trimërinë të sfidonte perandorinë më të madhe të asaj kohe dhe kolonializmin e institucioneve të saj në trojet shqiptare, duke ndryshuar përgjithmonë historinë e kombit shqiptar dhe duke e çuar atë drejtë fillimit eventual të lirisë shoqërore dhe pavarësisë politike.

Megjithse ngritja e Flamurit Kombëtar nga Ded Gjo’Luli dhe malësorët ishte hedhur në harresë nga regjimi komunist për arsyet e tija ideologjike, gjë që nuk ka ndryshuar shumë as këto 28 vjet post-komunizëm – ngritja e Flamurit në Deçiq të Malësisë së Madhe, sot e kësaj dite, mbetet një akt i madh historik e patriotik, që do të kujtohet gjithmonë me krenari frymëzuese dhe si simbol i paharrueshëm i fuqisë morale të malësorëve dhe të kombit shqiptar në përgjithësi kundër pushtuesve të huaj dhe armiqëve historikë të kombit, atëherë dhe sot.

Por rëndësia historike e Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe ngritja e Flamurit kombëtar në Deçiq me 6 prill, 1911, nga Dedë Gjo’ Luli me malësorë, është se në një mënyrë, ajo ka meritën për konsolidimin dhe hovin që i dha idesë së Lidhjes së Prizrenit (1878) për një Shqipëri të lirë e të pavarur, për një Shqipëri që mbrenda kufijve të saj do të përfshinte të gjithë ata që e konsiderojnë veten nipa, stërnipa e mbesa të Gjergj Kastriotit — Skendërbeu.

Një meritë tjetër e këtyre burrave, është se kryengritësit malësorë i erdhën në ndihmë kombit në çastin kur mendohej se raca shqiptare po jepte shpirt, e ndarë dhe e harruar nga bota perëndimore, nga ajo botë ku e kishte vendin. Ata i erdhën në ndihmë tokës arbërore, atëherë kur dukej se shpresat e shqiptarëve për liri e pavarësi po zhdukeshin dhe kur fqinjtë, lakmues të tokave shqiptare — nepër kancelaritë e Evropës — bërtisnin duke thënë se nuk ka komb shqiptar, Ded Gjo Luli me malësorët e vet, u tha atyre dhe botës: pak ma ngadalë, zotërinjë se këtu — po –ka komb shqiptar dhe se nuk do të shitet kjo tokë e vjetër.

I tha lahutës mos vajto më dhe ngriti flamurin e Gjergj Kastriotit e ri-ngjallli atë dhe në këtë mënyrë ndërroi përgjithmonë epokën e Shqiptarit. Lëvizja e kryesuar nga prijësi i Malësisë së Madhe Ded Gjon Luli dallohet gjithashtu edhe nga lëvizjet e tjera kombëtare të deri atëhershme, pikërisht për nga jehona që trimëria dhe lufta guximtare e malësorëve bëri anë e mbanë botës së asja kohe, sidomos në Evropë. Malësorët e vitit 1911, jo vetëm që u bënë simboli i Rilindjes Kombëtare, por ata ishin edhe dallëndyshet që paralajmëruan pavarësinë kombëtare të shqiptarëve, e cila u shpall një vit më vonë. Ata ishin lajmëtarët e kombit që i njoftuan botës se toka e Gjergj Kastriotit, më fund, kishte zot.

Ismail Qemali e pat quajtur Ded Gjo Lulin pushkë të ngrehur të Shqipërisë. Trimëria dhe lufta serioze e malësorëve menjëherë gjeti ndihmën dhe përkrahjen e Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, të cilët të inkurajuar nga lufta e malësorve kundër armikut, shkuan për tu takuar me Dedë Gjonin për të përpiluar Memorandumin historik që, ndër të tjera, përmbante kërkesat e Malësorëve dhe të gjithë Shqiptarëve, për një Shqipëri me administratë në gjuhën shqipe dhe për buxhet të vetin. Mund të ishte ky fillimi i një përpjekjeje, që sot do ta quanim “ndërkombëtarizim të çështjes shqiptare.”

Rëndësia e këtij Memorandumi qëndron gjithashtu në faktin se, kërkesat ekspozuan jo vetëm vullnetin e Malësorëve shumë të vuajtur, dhe historikisht, të diskriminuar por në të njëjtën kohë, me luftën e tyre, pasqyruan edhe dëshirën e të gjithë shqiptarëve për liri e pavarësi. Ishin malësorët ata të cilët në emër të kombit shqiptar, i parashtruan botës së atëhershme të qytetëruar, kërkesat e tyre për liri dhe dinjitet njerëzor e kombëtar. Kryengritësit malësorë ishin pra, jo vetëm përfaqsuesit, por dhe vitrina e aspiratave të mbarë kombit shqiptar për liri e pavarësi.

Lufta e Malesorëve, në vitet 1911-12 dhe ngritja e flamurit të Skenderbeut ne Deçiq, u bënë pra simbol i bashkimit të kombit shqiptar dhe njëkohësisht i shpalli botës se Shqiptarët kishin një atdhe që donte liri dhe dëshironte dritë për të dalur nga errësira shekullore e robërisë osmane. Për më tepër, sipas historianëve, kryengritja e Malësorëve në krye me Ded Gjo’ Lulin, frymëzoi edhe kryengritje të tjera në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, duke çuar më në fund në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, me 28 Nëntor, 1912. Ishte gjithashtu një mesazh i fuqishëm për atë kohë, por edhe sot se shqiptari dëshiron të jetojë në shtëpinë e vet, zot i fatit të vet – pa ndërhyrje nga jashtë — në paqë e siguri me fqinjtë, si pjesë e familjes së madhe evropiane.

Në botën e sotëme shqiptare të koncesioneve ekonomike, publiko-private, të interesave të lloj-llojshme personale e partiake, përfshirë interesat e huaja — është mirë të kujtohet me këtë rast se kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e Flamurit në Deçiq me 6 prill, 1911, u bë thjeshtë për ideale të larta kombëtare. Nuk ishte një ndërmarrje për përfitime të përkohëshme personale, krahinore, fetare ose ideologjike, por ishte një luftë për jetë a vdekje — për mbijetesën dhe lirinë e kombit shqiptar– dhe si e tillë kishte qëllime dhe objektiva të interesit mbarë kombëtar.

Si e tillë pra, kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e Flamurit kombëtar nga Ded Gjo’Luli në Deçiq më 6 prill, 1911, nuk duhet hedhur në harresë zyrtare siç ka ndodhur deri tani, por të respektohet si pjesë e pandarë e historisë së vërtetë të shqiptarëve, ashtuqë të ruhet përgjithmonë në kujtesën e kombit.