Apologjia e pensionistit

0
572

KRISTAQ TURTULLI

(Fragment nga novela: ZHGËNJIMI)

Përse më dole përsëri përpara o Reshat Meçka. Më mbive si flamë pikërisht tani, kur më është mërzitur tmerrësisht vetja. Kur më ha dhe më kruan i gjithë trupi prej marazit. Shko ore tutje, qyteti ka boll trotuare ku mund të ndalosh makinën. Ti Reshat Meçka më vështrove me indiferentizëm nga lart poshtë, ngrite krahun dhe shtrove me madhështi ato pesë qime të lyera me bojë dhe, në gisht të shkëlqen unaza e artë me gurin e çmuar vezullues të viktimave. Unë u zbytha më thellë sikur hyra brenda në murin me suva të thërrmuar. Ndoshta mund të jem përpirë prej imazhit të ngjyrosur të xhamave të mëdha. Dua të bërtas në kupë të qiellit.

S’të hyri asgjë gjemb në këmbë o Reshat Meçka. Kërceve si karkalec nga një magazinë në tjetrën, nga një shef kuadri në anëtar byroje. Në gërmadhën e vjetër të Naumit, tregtarit të pushkatuar ndërtove shtëpi elbasanase, me oborr të madh përpara dhe prapa. Por tani o Reshat Meçka me ndryshimin e sistemeve e ndërtove shtëpinë trekatëshe, i nxore takëmet që u vodhe borgjezëve të dikurshëm, unazat dhe xhevahiret e fshehura dhe hape dyqanin e bizhuterive në qendër të qytetit.

O Reshat Meçka, o pusht i pushtave, përse nuk u zbythe tutje!
Por ti dreq Reshat Meçka më shpartallove dhe njëherësh më shkunde trupin tim të drobitur me gjithë lecka. Unë jam ai që isha, djalosh idealist plot ëndrra dhe dëshira të pambukta, që hëngra ciflën e granatës në pritën e parë. Përballova dhimbjet e tmerrshme kur mu pre këmba me sharrë druri pa narkozë.

E kupton o Reshat Meçka, o qen i biri i qenit se çfarë po ndodh me mua! Në çfarë luftë rraskapitëse jam me veten. Në ketë botë të flamosur nuk e di të ec, apo zvarritem, por kaq di, jam kokulur si dikur, kam qenë dhe mbetem i ndershëm, me merakun e përhershëm të rrëzimit të papritur, duke hequr këmbën e drunjtë zvarrë. E di ti o pusht, që nuk mu ndanë asnjëherë radhët e gjata, e shpesh kur më mbaron pensioni marr bukë me listë, zvarritem si një breshkë e vjetër, duke tërhequr pas vetes protezën e plasaritur dhe të drunjtë.
E kupton o Reshat Meçka, o biri i bushtrës, o vrasës, katil, që tani na mbake shërbëtorë. Çfarë faji bënë ata të rinj dhe shumë të tjerë si ata, të pambrojtur, i vrave me gjakftohtësi xhelati? Hëm, unë fakiri ec si kërmill dhe hija ime përthyet në xhama. Jo, nuk jam kërmill dhe nuk do jem kurrë kërmill deri në frymën e fundit. Jam njeri dreqi ta marrë, me gjak dhe rremba, që kam një zemër, të thjeshtë, të mplakur, të lodhur, të drobitur.

Ndërsa ti o Reshat Meçka s’je njeri, por je lubi, oktapod, përbindësh, dreqi me brirë. Nuk e di, në jam naiv, i trashë nga mendja, i luajtur nga fiqiri, apo pleqëria dhe rrëgjimi i halleve më ka katandisur për ibret të zotit, në një thes të vjetër me byk e kashtë. Por përsëri ta them me bindje o Reshat Meçka që jam njeri. Ndoshta e mira e shumëvuajtura ime Anjeze e djali im Xhuvi kanë të drejtë dhe kjo kaploqja ime e shkretë s’do të bindet, ka mbetur qytyk, me mendime të prapambetura si më parë.

Një brengë kam dhe një dert të madh, më shumë se ujërat e lumenjve, liqeneve, deteve dhe oqeaneve, ndaj ju lutem shumë more vëllezër, në keni mëshirë, mos e mundoni këtë plak të rrëgjuar, ma thoni:

Çfarë ndryshim ka, gjoja partizani, por sharlatani, vrasësi me gjakftohtësi, Reshat Meçka dhe shokët e tij. Këta bënë sikur luftuan për liri, drejtësi, barazi, por vranë e prenë të pafajshmit. Tashmë këta malukatë i sheh të krekosur, të pasuruar, të pangopur dhe prej atyre të mjerëve, klasës që e quajtëm të përmbysur, gjakpirës, tregtarë të poshtër, katilë, të cilët i shpronësuam, i përndoqëm, i burgosëm, i vramë pa mëshirë si të ishin kakarroçë?

Më dëgjoni? Po e përsërit, ne u përpoqëm ti shfarosnim me zjarr dhe me hekur, ata që me mund në qindra vjet, në brezni, vunë kamje dhe pasuri, luftuan për komb dhe atdhe. Ndërsa ti krokodil i pashpirt Reshat Meçka me shokë qysh në fillim tradhtuat idealin, gjakun e të rënëve, vodhët, u pasuruat brenda një nate, jeni më të keq se të këqijtë. Cilët kanë qenë dhe janë katilë dhe rezilë, ata që u munduam ti shfarosnim me zjarr e me hekur, apo jeni ju përbindëshi Reshat Meçka me shokë?

Oh, ju lutem, ju lutem shumë zbërthejeni fillin e këtij lëmshi të koklavitur, më thoni, më tregoni, mos më mundoni. Siç e shihni jam plak, me një këmbë, mund të vdes shumë shpejt dhe fatkeqësisht do marr me vete në atë botë, në varr, padijen, naivitetin, ndershmërinë e një veterani sakat të dalë mode?

Më besoni as vetë nuk di se çfarë kërkoj. Nuk e di kujt ti drejtohem, kujt ti hapem; vetes, miqësisë, njerëzisë në qoftë se do mundnin të më përgjigjeshin. Ti kthehem fanatizmit gërdallë, idealizmit të zhvlerësuar, bërë prostitutë rrugësh, marrëzisë, çmendurisë? Kujt?! Kudo është shurdhëri, shkretëtirë… Më vjen keq për veten por dhe njëherësh dua të qesh me të madhe, të shkulem së qeshuri, aq sa të thyhen xhamat e vitrinave, të buçasin sirenat e makinave, të prishen hijet, të shqyhen rrjetat e merimangave dhe të shkundet i gjithë qyteti…

Pastaj… i detyruar prej rrethanave të rëndomta, mund të bëj e ndonjë shaka të lezetshme, shaka pensionisti. Të mbyll sytë e të hidhem në rrotat e një makine të rëndë. Në momentet e fundit do dëgjoj në veshët e mi thyerjen e shurdhër dhe dërrmimin e kockave të mia. Pas disa orësh gazeta lokale do shkruajë dy rreshta me indiferentizëm, në këndin e vogël të kronikës së zezë se; në orën kaq dhe aq, u shtyp aksidentalisht një plak pensionist, i panjohur me shenjë të veçantë, këmba e drunjtë…

Dhe pa e kuptuar vendosa ta vë në zbatim shakanë e lezetshme pensionisti. Mendimet gjeniale duhet të vihen në praktikë. Zgjat këmbën e shëndoshë, e lëshoj rëndë mbi asfalt. Të jem i sigurt kur të marr vrull dhe të sulem pa kthim një makine të madhe që po turret drejt meje. Fundja më mirë kështu, shakaja merr fund, shtypem pa ceremoni, nuk lë nam e nishan, përherë mbetesha i panjohur, disa dhjetëra metra larg shtatores së ‘Ushtarit të panjohur.’

Kur do dëgjoj krismën e thatë të shtypjes, një dorë e fortë më ngre peshë dhe tërheq me vrull…Buria e çmendur e makinës më shurdhoi veshët. Është djali im Xhuvi, i zverdhur me mezi mbushet me frymë…