VËSHTRIM PËR POEMËN “EPOKA E MENDJENDRITURIT” TË POETIT, FADIL H. CURRI

0
579

Botues SHB “LENA” Prishtinë

Shkruan Zymer Mehani

Të shkruash diçka në prozë apo në varg për ngjarje të rëndësishme historike, apo për ndonjë figurë të shquar kombëtare, sa është previlegj, po aq është edhe përgjegjësi. E guximin për të shkruar për njërën nga figurat më të rëndësishme të popullit të Kosovës, për presidentin historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, e pati poeti ynë i talentuar, z. Fadil H. Curri.

Shkrimtari, z. Fadil Curri këtyre ditëve nga shtypi e nxori përmbledhjen “Epoka e mendjendriturit”, e cila është një poemë që i kushtohet presidentit Dr. Ibrahim Rugova dhe vizionit të tij. Për ta shkruar këtë poemë, poeti Curri frymëzimin e gjeti në personalitetin e Dr. Ibrahim Rugova dhe në besimin e patundur të tij, që kishte ndaj vlerave perëndimore. Ishte ky besim për ndërtim të një shteti qytetar, i cili Kosovën, në fund të viteve ’90 të shek. XX, e shndërroi në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Këtyre fakteve u qëndroi besnik dhe diti si t’i shfrytëzojë për ndërtimin e poemës së tij edhe poeti, Fadil Curri.

Vetë Ibrahim Rugova kishte zemër artisti, sepse ai ishte edhe shkrimtar dhe studiues i letërsisë. Ai në fund të viteve ’80 të shek. të kaluar, qe i gatshëm për t’i prirë partisë më të madhe në vend, që pastaj u shndërrua në lëvizje gjithëpopullore, duke u bërë kështu lider i saj, por edhe lider i vendit. Ishte kjo lëvizja e parë në Ballkan, që iu kundërvu regjimit totalitar komunist, duke e konsideruar komunizmin si një të keqe shumë të dëmshme, si në aspektin kombëtar, po ashtu edhe në aspektin ideologjik.

E ky ishte fakt i mjaftueshëm dhe një shkas për ne shqiptarët e Kosovës, që të jemi të parët në ish- Jugosllavi, që masovikisht të distancohemi nga ky regjim. Merita të padiskutueshme për këtë hap të rëndësishëm politik dhe për mënyrën se si e orientoi popullin e Kosovës pati Dr. Ibrahim Rugova, kur dihet fare mirë se qoftë edhe një hap i gabueshëm, apo një deklaratë e pamatur politike, ose edhe një konferencë e gabueshme për shtyp, në atë kohë, do të kishte sjellë konsekuenca dhe pasoja të pariparueshme dhe të paparashikueshme për popullin tonë.

Të gjitha këto pikëpamje dhe fakte për presidentin Ibrahim Rugova, poetit, Fadil Curri do t’i mjaftonin për ta përjetësuar në varg një figurë të tillë me përmasa kaq të mëdha kombëtare, por edhe ndërkombëtare. Figurë qendrore në poemë, dihet mirëfilli, se është Ibrahim Rugova. Edhe figurat tjera, si Adem Demaçi, Fehmi Agani, Skënder Hyseni, Anton Çertta dhe shumë të tjerë përmenden dhe ravijëzohen në vargjet e poetit Curri, duke mos harruar as figurat e miqve ndërkombëtarë, që bënë shumë për lirinë tonë, siç janë Bil Klinton, Bushi Plak dhe i Riu, Riçard Holbruk, Xhejmi Shia, Havier Solana, senatorët Bob Dol e Tom Lantosh, pastaj Papa Gjon Pali i Dytë, Papa Vojtila, Nënë Tereza e tj e tj.

Poeti Curri ka përjetësuar në varg një figurë të rëndësishme të popullit tonë, por edhe një pjesë të historisë së Kosovës, së cilës i mbetet besnik me përshkrimin real që i bën. Gjuha e poemës është e pastër. Vargu është plot rimë që poemës i jep muzikalitet. Mendimet janë të mbështjelluara si është më së miri me figura të ndryshme letrare. Më të realizuarat janë krahasimi, metafora dhe hiperbola, por ka edhe figura të tjera. Ne poetin z. Fadil H. Curri e përgëzojmë për veprën dhe i urojmë shëndet dhe suksese në krijimet e tjera letrare. E ty, lexues i nderuar, të urojmë lexim të këndshëm!