Cili do të jetë skandali i radhës i presidentit Thaçi!?

0
650

Shkruan: Florim Zeqa, 02.04.2018

Pas aksionit spektakular në veri të vendit, rasti i kidnapimit dhe deportimit urgjent të 6 shtetasve turq, shumica prej tyre mësimdhënës në një kolegj në Kosovë, është tregues i kjartë i uzurpimit të shtetit tonë nga antivlerat dhe rrëshqitjes nga sistemi demokratik në atë dikatorial të kohës moderne.

Pra, sikurse aksioni në veri të vendit me 26 mars 2018, që ishte në koordinim të plotë mes presidentëve Thaçi-Vuçiq, edhe kidnapimi i fundit i shtetasve turq me 29 mars ka qenë kordinim i presidentit turk Erdogan me presidentin kosovar Hashim Thaçi.

Rasti i fundit, përveq shkeljes më flagrante e të drejtave të njeriut, paraqet veprim kriminal dhe antinjerëzorë të udheheqjes politike kosovare. Njëherit deportimi i qytetarëve turq me leje qendrimi të rregullt në Republikën e Kosovës, nxjerr në sipërfaqe dy gjëra; e para) dëshmon servilizmin e skajshëm të liderëve shtetërorë të Kosovës, dhe e dyta) argumenton faktin se ky pushtet i tejinkriminuar nuk njeh parime demokratike, dhe nuk respekton të drejta njerëzore dhe vlerat e civilizimit botërorë.

Kosova e vogël, me një sistem të drejtësisë të kalbur dhe të degraduar dha shëmbullin më të keq, jo vetëm në rajon por edhe më gjërë. Pasi Kosova është vendi i vetëm në Evropë që deporton shtetasit e huaj me leje të rregullt qendrimi pa asnjë precedent ligjor. Veprime të tilla të shëmtuara dhe antinjerëzore marrin vetëm servilët e rrjeteve kriminale dhe diktatorët.

Deprotimi, bie ndesh me traditat dhe zakonet shqiptare

Mbase në cilin do shtet tjetër të ndodhte deportimi i kundërligjshëm i shtetasve të huaj, nuk do të paraqiste ndonjë befasi aq të madhe sa për Kosovën. Vallë kush më shumë se ne shqiptarët kemi përjetuar dhunën, burgjet, dëbimet dhe barbarinë e pushtuesve shekullorë, e që në fakt, kjo do duhej të kishte shërbyer mjaftueshëm në ndërgjegjësimin e klasës politike e jo t’i marrim veprimet antinjerëzore si model për t’i zbatuar ndaj shtetasve turq që kishin kërkuar strehim në vendin tonë, e aq më keq kur kjo ka ndodhur ndaj intelektualëve të fushave të ndryshme arsimore dhe shkencore, fakt ky që e përjashton çdo mundësi të përfshirjes së tyre në organizime të dyshimta, të supozuara si “terroriste” për çka janë deportuar egërsisht nga vendi ynë.

Veprimi i shëmtuar i pushtetarëve kosovar bie ndesh me traditat dhe kodet zakonore të shqiptarëve, si; besa, bujaria, mikëpritja, vlera këto që e bëjnë popullin shqiptar të dalluar në botë.

Ky veprim skandaloz, e ka ulur akoma më tepër imazhin e shtetit tonë karrshi botës demokratike dhe vlerave të civilizimit perëndimorë.
Pavarësisht faktit se, pushtetarët e inkriminuar kanë filluar ta pranojnë gabimin për një veprim të ngutshëm dhe skandaloz, 6 qytetarët turq tashmë janë nën prangat e diktatorit turk Erdogan, dhe jo vetëm kaq janë 6 familje të traumatizuara të mbetura pa kryefamiljarët në Kosovë, që duhet të peshojnë rënd mbi ndërgjegjën e pushtetarëve kosovar.

Mbase kjo e dëshmonë ndërgjegjën e vrarë të pushtetarëve kosovar dhe mungesën e funksionimit të aparatit shtetërorë, në veqanti të sistemit të drejtësisë, ku në vend të ligjeve mbisundon anarkia.

Një situatë e tillë është shqetësuese jo vetëm për të huajt në Kosovë, por edhe për të gjithë qytetarët kosovarë në përgjithësi.

Kemi apo s’kemi shtet!?

Si mund të themi që kemi shtet, kur pas këtij skandali, presidenti i shtetit, kryeministri e kryeparlamentari i ngrenë duart lartë duke thënë “Nuk di gjë”! Prandaj, është krejtësisht e logjikshme, kur të parët e shtetit nuk dinë gjë, atëherë nënkuptohet se ka të tjerë në këtë vend që veprojnë në emrin e tyre!

Kjo i bie se, në shtetin tonë ladrojnë lirshëm turq e shkije, veprojnë lloj-lloj organizatash terroriste të paprekura dhe të pavrejtura nga AKI-ja dhe shërbimet tjera kompetente në Kosovë!

Dëshmia më e mirë janë skenarët serb në veri dhe ata turq në jug të Kosovës.

Turpi i pushtetarëve kosovar nuk mbulohet me shkarkimin e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe as drejtorit të AKI-së.
Vetëm dy veprimet e sipërpermendura e vërtetojnë mjaftueshëm kapjen e shtetit, shkeljen, nënshtrimin dhe poshtërimin e të gjitha institucioneve të shtetit, filluar nga qeveria, policia AKi-ja e kështu më radhë deri në hallkën e fundit të sistemit të drejtësisë nga i pari i shtetit.

Kjo nuk është hipotezë, por realitet, pasi dihet se përgjegjësi kryesor i dy skandaleve të fundit dhe shkelësi serik i Kushtetutës së vendit është presidenti Hashim Thaçi. Kjo situatë nuk guxon të anashkalohet dhe as të mbetët e heshtur nga organet e drejtësisë, e në veqanti nga institucioni më i lartë në vend, në këtë rast Parlamenti i Kosovës, organi i cili e ka të drejtën kushtetuese për kërkimin e përgjejgësisë politike ndaj të parit të shtetit, organ i cili ka zgjedhur presidentin në fjalë.

Aksioni i koordinuar spektakular (me Vuçiqin) në veri të vendit, epilogun e të cilit e dinë të gjithë qytetarët e Kosovës (përshpejtimi i themelimit të “Zajendnicës”), vendimi për deportimin e shtetasve turq, përveqse i kundërligjshëm paraqet trajtën e puçit politik mbi institucionet e pavarura të shtetit.

Tendenca e Hashim Thaçit për t’u treguar i gjithëpushtetshëm dhe sundimtar i gjithanshëm është bërë rrezik permanent për të ardhmen e vendit dhe jo vetëm kaq. Veprimet antikushtetuese dhe të pamatura të presidentit Thaçi legjitimuan agresionin politik të pushtuesve shekullorë (serb e turq) mbi shtetin e Kosovës.

Për aq kohë sa t’i lejohet Thaçit të jetë president, ai do të bëjë aventura të rrezikshme për vendin, skandale e spektakle të dëmshme përtej ligjit dhe kushtetutës.

Andaj, secili qytetarë i vendit e ka të drejtën të parashtrojë pyetjen; “Cili do të jetë skandali i radhës i presidentit Hashim Thaçi!?