Funerali i Aleksander Moisiut dhe Unaza e Ifflandit

0
607

Në kuadrin e vitit të Kulturës Austri Shqipëri si dhe në 83 vjetorin e vdekjes së aktorit me famë botërore Aleksander Moisiu

Nga Pjeter Logoreci

Dëshëroj ta filloj shkrimin tim me një thënie të huazuar nga ish ministri i jashtëm austriak Dr. Alois Mock që, në këtë rast, tingëllon shumë aktuale dhe është lajtmoitvi më i përshtatshëm për të simbolizuar lidhjet kulturore në mes Austrisë dhe Shqipërisë.

“Kush tjetër do të ishte më i përshtatshëm se sa Aleksander Moisi për të simbolizuar mardhëniet kulturore në mes të Austrisë dhe Shqipërisë?”

Personalisht, si studiues dhe kërkues ndër arkivat austriake, kam krijuar bindjen se jo vetëm figurat si: ylli i skenës Moisiu, ndërtuesi gjenial Karl Gega, vllehtë e famshëm voskopojarë Baroni Sina dhe Nikollë Dumba, studentët shqiptarë që u diplomuan me rezultate të larta në universitetet e Austrisë, por edhe qindra dokumente dhe objekte të ruajtura ndër arkivat austriake që flasin për historinë e Shqipërisë e gjuhen shqipe, dëshmojnë dhe forcojnë miqësinë në mes dy vendeve tona.

Shumë profesionistë nga të gjitha fushat e jetës, të shkencës e të kulturës si: kirurgu duarartë Federik Shiroka, gjuhëtari Eqerem Qabej; intelektualet Gjergj Pekmezi, Nush Bushati, Kolë Rrota, Stef Curani e shumë të tjerë, të cilët dolën nga shkolla austriake dhe që ishin ajka intelektuale e atdheut, sollën në Shqipëri vlerat e kulturës dhe eksperiencat e një kombi nga më të përparuarit e botës, si Austria.

ALEKSANDER MOISI

Në mbrëmjen e 22 marsit 1935, një lajm mortor bëri xhiron e botës. Në ora 19.10, në Grand Hotel të Vjenës, vdiq ylli i skenës botërore Aleksander Moisiu. Lajmi i vdekjes së aktorit u pasqyrua menjëherë në faqet e para të gazetave më prestigjioze të Europës. Vdekja e rrembeu për të mos na e kthyer më, “specialistin”, atë që gjatë karrierës, vdekjen e përjetoj mbi 1500 herë në rolet e tija. Egziston thënja se: ”…Gjenitë vdesin herët, të rinj…”, ashtu edhe gjeniu i ynë Aleksandri vdiq në vitin e 56 -të së jetës së tij, në kulmin e karrierës e të pjekurisë artistike.

Familja, kolegë, miq e shokë u mblodhën për tu ndarë me Moisiun, në ceremoninë e djeg-jes së kufomës së tij, në Krematorin e Vjenës. Në sallën mortore të mbushur plot, në mes të personaliteteve të artit ishin dhe aktorët Albert Bassermann, Werner Kraus, Emil Jannings si dhe drejtori i teatrit Hermann Röbbelling. Tregojnë se në mes të kësaj atmosfere mortore dhe dhimbjeje të thellë, miku i ngushtë i Moisiut dhe mbajtësi i Unazës së famshme të Ifflandit, aktori Albert Bassermann hoqi nga gishti Unazën Iffland, të cilën e mbante si aktori më i madh gjerman, dhe e vendosi mbi sargun e Moisiut duke thënë…

”Kjo Unazë i përket vetëm Moisiut”… Për momenti ky gjest preku zemrat e të gjithë të pranishëmve, por më vonë u gjet si shkak për të hapur diskusione dhe kritika të ashpra nga gazetarë, kritikë si dhe personazhe nga rrethet e fuqishme të politikës.

Ndodhi që, rrugëtimi i Unazës ngjalli shumë debate, për menyrën e kalimit ose për personazhet që e mbanin, shpesh herë duke i gjykuar ato sipas këndvështrimit politik të kohës. Ndikimi i rregjimit NS bëri që edhe Moisiu të shikohej si kundërshtar politik, komunist, çifut apo emigrant (i huaj) në tokën gjermane.

Më poshtë jam përpjekur të sjellë disa artikuj të përzgjedhur në mes të qindra shkrimeve që u botuan ndër gazetat e kohës, të cilët sjellin në mënyra dhe interpretime të ndryshme atmosferen dhe ngjarjen e asaj dite në Krematorin e Vjenës.

GAZETAT GJERMANE PER UNAZEN IFFLAND, MENDIMET PRO DHE KUNDRA

Funerali i Moisiut sipas gazetës Salzburger Volksblatt e martë 26 mars 1935:

Dje mbasdite në Krematorin e Vjenës u dogj kufoma e Aleksander Moisiut. Albert Bassermann, zotëruesi i Unazës së Ifflandit, mori vendim që të vendosë mbi sargun e mikut të tij të vdekur Unazen Iffland. Mbajtësi i unazës, sipas rregullit, mund të vendosë vetë për kalimi i Unazës Iffland prej tij tek më i miri aktor gjerman.

Unaza Iffland, është një objekt zbukurimi për tu mbajtur në gisht dhe mban sipër portretin e aktorit August Iffland të punuar në metal dhe të rrethuar me diamante. Unaza mund të kalojë nga dora e aktorit mbajtës në dorën e një tjetri aktor gjerman, më të mirin e kohës. Mbas zotëruesit të saj fillestar August Wilhelm Iffland, që vdiq në vitin 1814-të, atë e mbajtën Ludwig Devrient, Emil Devrient, Theodor Döring dhe Friedrich Haase.

Me vdekjen së Haases në vitin 1911, unazen e zotëroj Albert Bassermann. Kjo unazë, tani aktualisht, ju vendos një kufome në gisht. Ceremonia e vdekjes filloj denjësisht. Sargu me ngjyrë të errët qëndronte mbi një pod të fortë prej xhami i rrethuar nga një det lulesh, kurorash, dhe buqetash shumëngjyreshe. Fare pranë sargut, ishin të pranishëm të gjithë personalitetet e famshme nga bota i artit.

Konsulli italian Reggiera mbajti në italisht një fjalim të shkurtë, ku me shumë kujdes përmendi plotësimin e dëshirës së fundit të aktorit që vdiq, që të ishte shtetas italian. Ai i shprehu familjes ngushllimet në emër të atdheut, Italisë. Miqtë e Moisiut, Bruno Walter dhe Profesor Alfred Rosé, luajten Adagio nga Beethoven, nën tingujt e së cilës, sargu zbriti poshtë pas një porte të hekurt, drejt vatrës së zjarrit për tu djegur.

Me rastin e vdekjes së Aleksandër Moisiut, Shtypi Skandinav i kushton personalitetit të tij një vëmendje të madhe, duke nderuar vlerat e mëdha artistike e para së gjithash përshkruan ndikimin i artit të tij në mendimin skandinav.

Ndërsa Radio Moska, përveç se lavdëroj rëndësinë e veprës së tij artistike, duke ju referuar orientimit politik të Moisiut, e quajti atë një mik të veçantë të komunistëve.

Gazeta Berlineze „Lokalanzeiger“ këto ditë sulmon ashpër aktorin Albert Bassermann, pasi ai, diten e djeg-jes së kufomës së Moisiut në Kremator, i vuri atij në gisht Unazen e famëshme të Ifflandit. Çka është më keq, gazeta e quan këtë veprim më shumë se të çuditshëm. Ishte e qartë që ky ishte një akt i pastër kundër kombit gjerman. Bassermann me këtë veprim, i dha një shuplakë të rëndë në fytyrë kolegëve të vet gjermanë.

Kritikat për Bassermannin

Me 13 dhetor 1945 Gazeta Weltpresse shkruan: Albert Basserman ikë në Gjermani.

78 vjeçari Albert Bassermann do të jetë i pari ndër aktorët e mëdhej i cili kthehet në Gjermani nga mërgimi. Ai la skenën gjermane në vitin 1934, pasi i dëbuan nga teatri gruan e tij, si çifute. Dy vjet më vonë ai u largua drejt Anglisë ku jetoj i tërhequr në ishullin Wight. Më pas shkoi në Hollywood. Në kohën më të mirë të karrierës në Gjermani, ju dha çmimi më i lartë për një aktor. Ai u bë mbajtësi i Unazës Iffland të cilën mund ta marrë vetëm aktori më i mirë gjerman. Me vdekjen e Aleksander Moisiut në vitin 1935, Bassermann hodhi në sargun e tij Unazen e Ifflandit duke thënë: Me Moisiun vdiq dhe skena gjermane…

Një diskutim mbi Unazën e Ifflandit: në Gazetën Salzburger Volksblatt 29 mars 1935:

Albert Bassermann në Vjenë ka dhënë këtë sqarim: Lexoj në “Berliner Lokalanzeiger” akuzën që kjo gazetë më bën në rastin e trashëgimit të Unazës së Ifflandit nga unë tek Aleksander Moisiu, që ky veprim i imi qënka “një gjest i qartë kundër Gjermanisë” duke shtuar që “u kam dhënë të gjithë kolegëve gjerman një shuplakë në fytyrë”. Me të njëjten të drejtë mundet që, edhe kolegët austriakë e aktorët vjenezë, të ndjehen po ashtu të fyer.

I pari që kisha zgjedhur për ti trashëguar Unazen Iffland ishte Aleksander Girardi, po ai vdiq. I dyti ishte Max Pallenberg i cili u aksidentua nga rrëzimi i një avioni. I treti ishte ai që për mua është një artist gjenial që e kam nderuar veçanërisht, Aleksander Moisi. Ai u prek nga një grip i pabesë. Ky konstatim është i tmershem për një njeri si unë që nuk është mosbesues.

Të tre të zgjedhurit nga unë për Unazen vdiqën në kulmin e krijimtarisë së tyre. Prandaj duhet që mbas Aleksander Moisiut, askush të mos e mbaj më Unazen. Që unë ja vura Unazën në gisht Moisiut të vdekur dhe që ajo u dogj është një mit i krijuar. Edhe nga ana juridike, nuk e kam këtë të drejtë. Veprimi u bë vetëm nga ana figurative. Unë nuk do ja trashëgoj Unazën asnjeriut tjetër, por do ta vendosë në një vend të zgjedhur e të sigurtë. Ky vendim i imi është jo i motivuar politikisht.

Gazeta “Der Morgen” 1 prill 1935, për të shprehur mosaprovimin e saj ka botuar një shkrim shumë të ashpër nga Heinrich Eduard Jacob, EPILOG MBI UNAZEN E IFFLANDIT, i cili duke analizuar veprimin e Bassermannit, kritikon atë dhe e quan të motivuar politikisht dhe emocional. Po vendos këtu disa pasazhe nga ky shkrim i gjatë dhe shumë interesant:

…Albert Bassermann i cili mban në dorën e tij një unazë me vlerë të paçmuar, ja dhuroj atë Moisiut të vdekur. Për grekët e lashtë fjala Dhimbje dhe fjala Pathos ishte e njëjta. Ashtu edhe Bassermanni ka besuar në Pathosin e natyrshëm të dhimbjes së tij, që Unaza i përkiste vetëm atij. Ai mund të vepronte me Unazën siç dëshironte vetë. Dhe veproi siç donte, ndërsa ndodhi që nga “Simbol Nderimi”, ta kthejë Unazën në një Relike dhe ta vendoste mbi sargun e Moisiut. Me këtë veprim Bassermann ka prishë tradicjonin e kalimit të Unazës…

…Eshtë e sigurtë që kur Iffland ja kaloi Unazën nxënësit të tij Devrient, kishte qëllim që të krijonte një traditë të pafund, që do trashëgohej në pavdeksi në sferën e artit skenik gjerman…

…A mos është një simbol tjetër, që pranë sargut të mjeshtrit gjerman të fjalës Aleksander Moisi, nuk u fol as edhe një fjalë gjermanisht? Që askush nga rrethi i kulturës gjermane, në të cilin Moisiu për vite me radhë luajti një rol të rëndësishëm, nuk ishte i dërguar në varrim, ndërsa përfaqësuesit e shtetit italian ishin prezent dhe fjalët në gjuhën italiane provokuese e “për të dëshiruar”.

Pas “skandalit” dhe shumë diskutimeve që ngjalli kalimi i Unazës së Ifflandit Aleksander Moisiut, Bassermann vendosi ta dorëzojë atë (siç e kish shprehur) në Muzeun Kombëtar të Teatrit në Vjenë. Për këtë veprim Gazeta Salzburger Chronik e 26 prillit 1935 me shkrimin “Unaza e Ifflandit në Muzeun Kombëtar të Teatrit” lajmëron:

“Si lajmërohet nga Vjena, Albert Bassermann e depozitoj Unazën e Ifflandit në Muzeun e Teatrit në Vjenë. Unaza e famëshme tani është një objekt muzeal…., …më parë, kalimi i Unazës tek

Moisiu ngjalli diskutime dhe keqkuptime. Pat shumë versione, sikur Bassermann ja vendosi në gisht Moisiut të vdekur, versioni tjetër ishte sikur Unaza u vendos mbi enën që mbante Hirin e Moisiut, ose që Bassermann sqaroj vetëm me fjalë që Unaza i takonte artit gjenial të Moisiut, për ti bërë atij një nderim të fundit. Tashti Unaza do të qëndrojë në Muzeun Kombetar të Teatrit, ku ka një vend nderi dhe nuk mund të vazhdojë të jepet.”

Por në tetor të vitit 1954, nga personalitetet gjermane të artit dhe të kultures, u vendos që Unaza Iffland të vazhdoj rrugëtimin duke kapërcyer dyert e Muzeut Kombëtar të Teatrit, për të kaluar tek aktori Werner Kraus, më pas tek Josef Meinrad dhe në fund tek aktori zviceran Bruno Ganz, që e mban dhe sot.

Në mbyllje, në kujtim të gjeniut Aleksander Moisi, shpreh respektin për veprën dhe trashëgiminë artistike që la pas. Shpirti i tij pushoftë në paqë.

Vjenë, me 19.03.2018

Referencat:
Gazeta Salzbuger Volksblatt 1935, Gazeta Die Weltpresse 1945
Gazeta Die Weltpresse 1935, Gazeta Pilsner Tagblatt 1935
Gazeta Der Morgen 1935, Gazeta Salzburger Chronik 1935
Libri: Der Iffland Ring, Viktor Reimann