FASLLI HALITI: VIZ. HELIDON HALITI
FASLLI HALITI
Gërneta e Shefito Jevgut, dëgjohej që nga shtëpia e Shurdhanëve e gjer tek te mani i Kajdos. Tre ballistët s’po kuptonin se ku po i çonte anëtari i Këshillit, në dasmë apo për strehim në shtëpinë e H. Shurdhanit, më e mira e lagjes Plug që i ngjate më shumë një fshati të vogël se sa një lagjeje periferike qyteti. Ajo ishte një shtëpi elbasanase me bodrum, e dy palë shkallë. Në shkallën përballë hynin e dilnin njerëzit e shtëpisë. Po të qëndroje në shkallaren më të lartë mbi pragun e derës së hajatit, të kapte syri gjithë fushën dhe në fund të saj dukeshin kodrat e ulëta të Karatoprakut me pyje dhe aty-këtu me të mbjella. Që nga dera e madhe e hajatit muzgu violë dukej transparent e ndehej mbi gjithë fushën. Shkalla anash ndodhej afër lesës së thurur me rakita dhe luante rolin e portës së madhe. Kjo shkallë përdorej vetëm për miqtë. Pikërisht këtu u ngjitën tre ballistët të cilët u futën në odën e miqve. Anëtari i këshillit, pasi u sigurua që ata u pritën mirë nga i zoti i shtëpisë, u tha natën e mirë e u nda prej tyre.
Gjëja e parë që u ra në sy ballistëve ishte bardhësia e odës, jo sikur ishte lyer me gëlqere, por sikur ishte kallajisur. Sapo hyje në odë, të binte në sy një syre kurani, futur në kornizë dhe varur në murin përballë derës. Para kësaj syre falej vetëm i zoti i shtëpisë H.Shurdhani, pasi vëllai i tij Mani, edhe pse besonte në Zot, ai nuk falej.
Të tre ballistët u ulën pranë oxhakut. I pari, më simpatiku, me flokë të verdhë e me kapele angleze, jo me yll, por me shqiponjë, u ul në qoshen e majtë. I dyti në qoshen e djathtë, kurse i treti, ai me qeleshe të gjatë kavajase, me shqiponjë, më i madh se dy të tjerët, me mitraloz «Sharrs» gjerman, u ul përballë oxhakut, ku zjarri ishte ndezur para se të vinin tre ballistët për të fjetur aty. Ata do të kalonin pranë oxhakut një natë të gjatë edhe pse jashtë bënte një dimër i keq, me erë të acartë e fraq që të thante. Të tre ballistët nga Luzi i Kavajës ndiheshin të kënaqur që do të kalonim natën në një familje e cila dukej që ishte e krahut të tyre, gjersa i priti në odën e miqve me zjarr të ndezur në oxhak, me saze e me gërnetë nga tyta e së cilës dilnin tinguj që dëgjoheshin gjer tutje e përtej «Vidhit të Seminit». Mendimin se kishin rënë në një familje të krahut të tyre, ua forcoi zjarri që e gjetën të ndezur. Si u rehatuan pranë oxhakut, ballistët panë të hynte në odë me dy–tre kërcunj të thatë një nga djemtë e shtëpisë të cilit i mbahej pak goja. Në oxhak kishte boll zjarr, po djali i shtoi edhe tre kërcunj të tjerë.
Japo, japo, japo, janë kërcunj që i ka sjellë Lala nga pylli i Gjinerukës, tha djali duke iu mbajtur goja. Japo,japo, japo e di si digjen këta, si eshkë. Janë froto. Duke mos u mjaftuar me dy – tre kërcunjtë djali doli dhe hyri përsëri me një goxha kërcu tjetër dhe u mat ta hidhte në zjarr. Por ballisti simpatik që rrinte ulur në qoshen e majtë të oxhakut, i tha se s’ishte nevoja ta hidhte, se kishte boll zjarr sa për një batalion. Mos i harxho kot drutë, i thanë edhe dy ballistët e tjerë. Japo, japo, japo, këtu teeee… neee,… aaaas… ka e…aaas mbarohet, u tha djali. Ngro…- ngro…-ngrohuni, u tha ai ballistëve duke iu mbajtur goja. Uratën mor djalë, e falënderoi ballisti me qeleshe që rrinte ulur përballë oxhakut që tani bubullonte nga flakët që ngriheshin lart si flamuj. Si doli djali nga oda e miqve, ballistët mbetën të kënaqur nga përkujdesja e tij, përkujdesje kjo që me siguri bëhej me porosi të zotit të shtëpisë. Më duket se kemi rënë në familje të krahut tonë, i thanë ata njeri-tjetrit. Jo të duket, po kemi rënë vërtet në një familje të krahut tonë thanë, tepër të kënaqur edhe dy ballistët e tjerë.
Atë natë në shtëpinë e Shurdhanëve bëhej një darkë e madhe për fejesën e djalit të madh të H. Shurdhanit. Darkë me gjela deti që piqeshin në hell që këndohej e kërcehej me saze. Gjelat e detit piqeshin në hell dhe pikonin dhjamin në prush. Në gjithë shtëpinë e madhe gjer në odën e miqve, ku rrinin tre ballistët pranë zjarrit bubulak, flakët e të cilit i thithte përpjetë gjyryku i oxhakut, përhapej era e mishit të gjelave të detit. Edhe kjo darkë e madhe tregon se kemi të bëjmë me një familje të krahut tonë, thanë më me bindje ballistët. Patëm fat apo e dinte anëtari i Këshillit se ku po na çonte. Megjithëse kjo u duk që kur ata dëgjuan tingujt e gërnetës së Shefitos që larg. Po, po kjo familje është e sërës sonë. Por…
U zhgënjyen menjëherë sapo panë djalin që hyri në odë me një tepsi me tre copa buke e tre copa djathi që ua vuri përpara ballistëve. Japo, japo, ju bëftë mirë, u tha djali duke dalë nga oda. Si doli ai, ballisti me qeleshe të gjatë kavajase e me «Sharrs» gjerman, u tha dy shokëve, po kjo ç’është? Këtu kërcet defi e gërneta, të mbyt era e mishit të gjelave të detit që piqen në hell dhe neve na japin për të ngrënë bukë me djathë. U gënjyem, thanë ballistët. Kjo familje nuk qenka e krahut tonë, tha ballisti me qeleshe që rrinte përballë oxhakut. Nuk duan këta të vete e t’u marr gjelin nga helli e t’ia shtrojmë këtu për pesë palë qejfe. Të thërrasim dhe sazexhinjtë e t’ia marrim këtu mes odës asaj valles Dyshe Myzeqare!?.
E kupton ç’po thua ti, Lym Gjuzi? Ha or bukën që ke përpara e mos bëj naze, i tha Lymit ballisti simpatik me kapele i qoshes së majtë të oxhakut, Çerkini me kapele angleze me shqiponjë. Mirë e ka Çerkini. Ne na akuzojnë kot, pa të drejtë se kemi dal malit, jo për të luftuar kundër pushtuesit, por për të rrëmbyer e ngrënë pulat e fshatarëve. Pa le pastaj të bëjmë këtë bolm që thua ti, Lymo. Midis ballistëve u krijua një atmosferë qefmbetjeje dhe zymtësie. Lym Gjuzit, nuk i erdhi mirë që dy shokët i dolën kundër. Po ç’bëra unë që ma morën për kaq keq këta? Unë nuk shkova ta rrëmbeja gjelin nga helli, po vetëm sa thashë: «A s’duan këta që t’ua marr gjelin e pjekur?» Kaq. Po këta pse e bën tërkuzë!. Sikur ai t’ua kishte rrëmbyer vërtetë të zotëve të shtëpisë gjelin e pjekur, hajde de, por… hap sytë dhe ti Çerkin, se s’bëre mirë që i ngule sytë vajzës së shtëpisë, kur e thirri i vëllai që t’i sillte katruven që i kërkuam ne, ajo sa futi pak kokën brenda derës së odës që t’i jepte të vëllait katruven, ti fap ia ngule sytë asaj aq sa vajza e shkretë iku e turpëruar.
Jo çdo gjë që fluturon hahet, Çerkin. Ne po na akuzojnë komunistët se u hidhemi vajzave, nuseve, grave si demat, pa lë pastaj t’i bësh isharet duke i ngulur sytë vajzës së shtëpisë…. Kjo po që është një tobe që s’e ka shoqen… Po mua më shumë më vjen inat me këta dy shokët e mi që s’u bënë fare të gjallë, kur ti bëre bolmin që mund të ndizte një zjarr aq të madh me të zotët e shtëpisë sa nuk ta pret tepeleku i kokës, Çerkin bukuroshi… Çerkini u hodh menjëherë përpjetë me dorën në brez, por e qetësoi shoku i qoshes së djathtë të oxhakut, kur pa se zjarri që u ndez midis tyre, mund të bënte hatanë… Ja, do të thoshin komunistët pastaj, ja kush janë ata që duan luftë civile, por që na e veshin neve komunistëve. që luftojmë pushtuesin dhe jo shoku-shokun. E shikon si zihen mes tyre, si qentë zihen.
Ndërkaq hyri në odë me një tepsi të madhe me mish gjeli një djalë tjetër pak më i imët se ai që u solli tepsinë me bukë e djathë. Pa e zgjatur djali u vuri ballistëve para tepsinë me mish dhe doli nga oda si me droje. Habia e ballistëve qe e madhe, madje atyre u erdhi keq për fjalët që kishin thënë pak më parë për familjen e H.Shurdhanit. Po kësaj ç’ti thuash, si ndodhi, pyetën njeri-tjetrin ballistët nga Luzi i Kavajës. Lymi, ballisti me qeleshe, u shtang. Ndërsa dy shokët e tij filluan të hanin secili thelën e vet. Lym Gjuzi, ende s’e kishte marr veten, ende s’i kishte ikur, qejfmbetja, zymtësia, inati. Ha, Lymo se nuk gabove vetëm ti, të tre gabuam, kur thamë se familja e H. Shurdhanit s’paskësh qenë e krahut tonë. Por ja doli që nuk u gabuam. Duket qartë që kjo familje na quan si bijtë e saj, kur na gostit sikur të jemi dhe ne pjesëtarë të kësaj darke të madhe për fejesën e djalit të madh të shtëpisë. Ha mish Lymo. Harroje ç’të thamë. Sonte do flemë ngrohtë si në familjen tonë.
Si kishte ndodhur që djali u solli ballistëve një tepsi të madhe, këtë herë jo me bukë e djathë, por me thela mish gjeli?
Zonja e shtëpisë si mori vesh që djali i kunatës, me siguri me porosi të saj, u çoi ballistëve tepsinë me tre copa buke e tre copa djathi, kur shtëpia vinte erë mish gjelash që piqeshin në hell, si më e parë që ishte, pa e zgjatur, porositi t’u çohej tre ballistëve në odën e miqve nga një thelë mish gjeli sepse: «Bijë nënash ishin dhe ata».
Menjëherë ajo, mori tepsinë, e mbushi me thela gjeli, ia dha të birit që t’ua çonte ballistëve në odën e miqve.
Kur H. Shurdhanit i thanë se e shoqja u kishte dhënë ballistëve thela nga mishi i gjelave, u tërbua, u xhindos… Gjëja e parë që bëri porositi sazexhinjtë që të pushonin, të mos u binin më veglave dhe Shefito Jevgu ta fuste gërnetën në këllëf e të mos i binte më, sepse në shtëpinë e H.Shurdhanit kishte rënë zia dhe se ai ishte helmuar, kur i thanë se e shoqja u kishte çuar mish gjeli ballistëve… I dukej sikur ato thela mishi ua kishte çuar jo ballistëve, por vetë gjermanëve. Çoi njerëz ta thërrisnin të shoqen. E shoqja erdhi me një frymë jo pa tronditje. E kuptoi se ç’kishte ndodhur, por nuk e mori me mend se më pas për të do të ndodhte hataja. Ajo zuri të dridhej me të madhe para burrit…
Ti i the djalit t’u çonte mish gjeli ballistëve?.
Unë…!
Pse?,
M’’u dhimbsën. «Bijë nënash janë edhe ata», thashë.
Ashtu ëëë, bijë nënash apo bijë gjermanësh? Mirë. Nesër në mëngjes, merr plaçkat dhe këput qafën andej nga erdhe. Mos të shoh më parasysh…
Ikën, e këput qafën ajo, por iki, e këpus qafën dhe unë me tre ballistët që i kemi në odën e miqve, shkoj në mal me ta, e s’ke për të më parë më edhe mua parasysh.
Në mëngjes H. Shurdhani që s’kishte vënë gjumë në sy gjithë natën, po thuaj duke menduar fëmijët pa nënën e tyre…
Po si ia kishte bërë e shoqja këtë bolm, si e kishte turpëruar ajo pikërisht atë që ishte i lidhur me mish e me shpirt me luftën partizane që i kishte vënë pushkën gjermanëve kurse ballistët ai nuk i shihte dot me sy, sidomos, kur i shihte të karashtisur me gjermanët. Si të ndjente keqardhje gruaja e H. Shurdhanit për ata që hanin e pinin në një çanak me gjermanin…?! H. Shurdhani u çua pa zbardhur mirë dita tepër i tronditur e me sytë e fryrë nga një gjumë i trazuar gjithë ëndrra, ku i ishin fanitur fëmijët të mbytur në të qara duke u kapur pas fustanit të s’ëmës që të lemerisur i luteshin të mos ikte e të mos i linte vetëm.
Lemeria e fëmijëve dhe betimi i së shoqes se ballistët i ishin dhimbsur si djemtë e saj, e jo si tradhtarë që hanin në një çanak me gjermanët. Gjithë natën e natës,H.Shurdhanin ndjeu në shpirt se kishte rënë në një gjynah të madhe. U zgjua me një keqardhje.me bindje babai se ishte nxituar duke dashur të përzërë të shoqen dhe s’i shkonte më atij të falej para syres së Kuranit.
Sapo u zgjua pa me habi djalin e madh të veshur e të ngjeshur trash si në një dimër me borë e akull.
Po ti, çmë je veshur kaq trashë?, i tha të birit.
Të thashë, baba që po iku nëna nga shtëpia, do iki dhe unë me tre ballistët që fjetën mbrëmë në odën e miqve.
Po jot’ëmë ç’u bë?
Po mbledh plaçkat që të iki tek i ati…
Mirë, mirë, i tha H. Shurdhani të birit me një rënkim të thellë e të dhimbshëm prej burri e babai: shko i thuaj asaj, të më sjellë kafen…
Dhjetor 2013