TURP PËR PERËNDIMIN!

0
533

Nga Frank Shkreli

Media Amerikane dhe anëtarë të Kongresit amerikan kanë shpërthyer me komente të ashpra në lidhje me lajmin se para dy ditësh, Presidenti Trump zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin rus Putin, ndër të tjera, për t’i uruar atij rizgjedhjen në atë detyrë, për një mandat tjetër. Shtëpia e Bardhë e mbrojti Presidentin Trump. Sikur donte ta justifikonte urimin që presidenti Trump i bëri Vladimir Putinit për fitoren e tij, Zëdhënsja e Presidentit, Sarah Sanders u tha gazetarëve se shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk ishte i vetëm në këtë gjest, pasi ai “Iu bashkua udhëheqësve të vendeve të tjera që bënë të njëjtin urim, Gjermania dhe Franca uruan fitoren e Putinit”, tha ajo dhe shtoi se edhe “Presidenti Obama kishte bërë të njëjtën gjë në vitin 2012”, duke i uruar Putinit fitoren e atëhershme, u shpreh zëdhënsja e Shtëpisë së Bardhë.

Por gazeta Washington Post, citon zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë të kenë thënë se këshilltarët e Sigurisë Kombëtare i kishin thanë presidentit Trump që të mos uronte Putinin për fitoren e tij në zgjedhjet e fundit, por siç duket presdenti Trump injoroi këshillat e tyre dhe në bisedë e sipër me shefin e Kremlinit e uroi atë për fitoren e tij.

Ndërkaq, mediat evropiane njoftojnë se Krye-Komisioneri i Bashkimit Evropian Jean Claude Juncker i dërgoi gjithashtu një letër urimi udhëheqsit rus, ndërsa kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel ishte ndër të parët që uroi presidentin Putin, ndërkohë që presidenti i Francës, Emanuel Macron ka dërguar gjithashtu urimet për shefin e Kremlinit, por të pakën i kërkoi Moskës që të zbardhte vrasjen e papranueshme të një ish-spiuni dhe vajzës së tij, në Britaninë e Madhe. Por ishte udhëheqsi i konservatorëve britanikë në parlamentin evropian, Ashley Fox ai i cili kritikoi letër urimin që kryekomisioneri i BE-së i kishte dërguar shefit të Kremlinit duke e quajtur letrën si të “turpshme”, pasi në të nuk përmendej fare përgjegjësia e Rusisë për vrasjen e ish-spiunit rus, Skripal dhe vajzës së tij.

Por senatorët republikanë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara janë çuar peshë në lidhje me këtë çështje. Janë pikërisht senatorët e Partisë së vet Z. Trump, ata të cilët shprehën indinjatën më të thellë për këtë çështje, përfshirë Senatorin Republikan nga Arizona, Xhon Mekejn, i cili kishte rezervuar kritikat më të ashpra për Presidentin Trump në lidhje me urimin që Z. Trump i kishte bërë Pres. Putin për rizgjedhjen e tij të fundit.

Në një deklaratë për median, Senatori Mekejn e cilësoi bisedën telefonike të Z. Trump me Z. Putin si një fyerje, siç u shpreh ai, ndaj “Çdo qytetari rus, të cilit i është mohuar e drejta e votës në zgjedhje të lira dhe të drejta, ashtuqë me votën e lirë të kenë mundësi të vendosin vet të ardhmen e vendit të tyre, përfshirë edhe shumë patriotë rusë të cilët kanë rrezikuar shumë duke protestuar dhe duke kundërshtuar regjimin e Putinit,” gjatë viteve. Senatori republikan, i cili shpesh ka kritikuar politikën e jashtme amerikane të Presidentit Trump, sidomos qendrimet e tija ndaj Presidentit Putin – nënvijoi në deklaratën e tij se, “Një president amerikan nuk mund të udhëheq botën duke u uruar diktatorëve fitoren në zgjedhje jo të lira.”

Edhe udhëheqsi republikanëve në Senat, Z. Mitç Mëkanëll është distancua nga urimi për fitoren e Putinit që Z. Trump ia përcolli në bisedën tlefonike me të para dy tre ditësh. Z. Mëkanëll deklaroi se Presidenti ka të drejtë t’i telefonojë kujt të dojë, por shtoi se numërimi i votave në zgjedhjet e fundit në Rusi i kujtojnë atij zgjedhjet që mbaheshin dikur nën regjimet komuniste, kur cilido të ishte udhëheqsi i radhës, gjithmonë fitonte me një përqindje dërmuese votash. “Kështuqë, një bisedë telefonike me të (Putinin) nuk do të ishte lartë në listën time të prioriteteve”, është shprehur udhëheqsi i republikanëve në Senatin e Shteteve të Bashkuara.

Edhe një senator tjetër republikan, Çak Gresli u tha gjithashtu gazetarve të mërkurën se as ai nuk do ta uronte Putinin për fitoren e tij. “Unë mendoj se Putini është një kriminel. Shiko se ç’ka bërë ai në Gjorgji, në Ukrainë, në vendet baltike, ç’bëri në Londër ku helmoi njerëz me gaze nervore. Unë nuk do të bisedoja me një kriminel.”, u ka thënë ai gazetarëve.

E pyetur nga gazetarët për të reaguar ndaj këtyre dhe tjera deklarata në lidhje me këtë çështje, zëdhënsja e Shtëpisë së Bardhë refuzoi të thoshte nëse zgjedhjet në Rusi ishin të lira dhe të ndershme, por u përgjigj duke thënë se, “Ne nuk u diktojmë vendeve të tjera se si të veprojnë”.

Zgjedhjet në Rusi, historikisht, nuk kanë qenë kurrë të lira, të drejta dhe demokratike. Kështu ndodhi edhe kësaj radhe, sipas vëretjsve vendorë dhe ndërkombëtarë. Megjithse, presidenti Putin u rizgjodh me vota dërmuese, vërejtësit ndërkombëtarë të zgjedhjeve, si edhe kundërshtarët politikë të Putinit kanë lëshuar akuza se gjatë zgjedhjeve të fundit ishin shënuar ç’rregullime të mëdha. Organizata për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë (OSBE) nënvijoi në një deklaratë se, “Pengesat mbi liritë themelore, si edhe ato në lidhje me regjistrimin e kandidatëve kanë kufizuar shumë hapësirën për një angazhim politik dhe si rrjedhim është shënuar mungesë e një gare serioze”, në fushatën politike për president. Në të vërtetë, Putini nuk kishte ndonjë kundërshtarë serioz politik në këtë garë, pasi udhëheqsi i opozitës më të madhe në vend, Alexei Navalny ishte ndaluar të merrte pjesë në fushatën për president të vendit.

Fatkeqësisht, kohët e fundit presidenti Trump dhe të tjerë udhëheqës botërorë, përveë Putinit, kanë uruar edhe diktatorë të tjerë për fitoret e tyre, përfshirë kohët e fundit Presidentin e Kinës, Xi Jingping i cili shpalli veten president të përjetshëm dhe Rexhep Erdoganin e Turqisë i cili me anë të një referendumi shumë të kritikuar, ka rritur edhe më shumë pushtetin autokratik, që ai gëzon tani. Mbështetja për Putinin është çkurajuese, u shpreh për gazetën Washington Post, ekspertja amerikane për Evropën dhe ish-këshilltare e Zëvendës Presidentit amerikan Joe Biden, Julie Smith. “Evropa pret prej nesh udhëheqje, veçanërisht në lidhje me Rusinë, por fatkeqsisht nuk po e gjenë këtë mbështetje”, tha ajo.

Për Rusinë dhe për botën, përfshirë perëndimin, zgjedhja edhe për një mandat tjetër të Vladimir Putinit si presidenti i Rusisë nuk do të sjellë asgjë të mirë për lirinë dhe demokracinë në Rusi dhe asgjë pozitive në marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kongresi amerikan e di mirë këtë gjë, sidomos kur është fjala për marrëdhëniet e Moskës me fqinjtë e sajë, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor. Cari i ri si cari i vjetër! Turp për udhëheqsit e Perëndimit që nuk shohin ose nuk duan të shohin se asgjë nuk ka ndryshuar për më mirë — dhe as nuk ka në mend të ndryshojë në të ardhmen — me rizgjedhjen e Vladimir Putinit për një mandat tjetër si president i vendit të tij. Si rrjedhim, nuk meriton asnjë urim nga udhëheqsit perëndimorë.