“Syri i Popullit”, “kurbani” Azem Vllasi dhe “Syri” im!

0
747

Nga Gjergj Kabashi

“Jo atyre që janë trima me e ngre gishtin e krimit, por atyre që janë trima me e shtri dorën e pajtimit” Adem Demaci, “Gjarpijt e Gjakut”

Murat Jashari, është personi kryesor i akuzuar për tentim vrasjen ndaj Azem Vllasit me 12 mars të vitit 2017, – pasi avokatin e njohur e kishin futur “në listë” të akuzuar nga një segment i LPK për “tradhëti të lartë ndaj Atdheut”. Murati për vite ishte i njohur për morinë e pyetjeve që ua shtronte ish-shokëve të aktiviteteve ilegale dhe të luftërave çlirimtare në Kosovë, Maqedoni e gjetiu. Po, ky Murat Jashari edhe në Zvicër ka qenë nën përkujdesje e trajtim mjeksor, trajtim që do t’i nënshtrohet sërish edhe gjat periudhës së arrestimit të tij!

Kështu, një “superman” i atdhedashurisë shqiptare, – vëlla i “Komandant Kumanovës” së vrarë nga ushtria serbe gjatë luftës çlirimtare në Kosovë, qysh me letrat e veta ku pyeste pandërprerë këtë e atë bashkëluftëtarë të vërtetë a të rrejshëm, e shprehte në realitet zhgënjimin e vet për keqtrajtimin dhe poshtërimin e mundit e sakrificës së tij e të tjerëve si ai, që kishin luftuar dhe ishin përpjekur parreshur, me vendosmëri e sinqeritet për lirinë e Atdheut dhe, në fund, sipas tij, kishin fituar ata që në realitet kishin abuzuar me luftën, që ishin pasuruar në emër të luftës, që kishin vrarë e plagosur në emër të superpatriotizmit të tyre të padëshmuar as sot e kësaj dite.

Murat Jashari përderisa ka qenë i kycur dhe i njohur të thuash si ideolog i organizatës tashmë terroriste “Syri i Popullit”, me naivitetin dhe idealizmin e një njeriu të pasherr , ka rënë në grackën e iluzionit të vet, duke mos e ditur që është një “sy tjetër i popullit” që i është futë brenda organizatës, i cili jo vetëm se e vëshgon e vështron, por edhe e incizon cdo fjalë goje të tij e të tjerëve si ai, madje, sic po del tash, edhe i kan incizuar bukur mirë. Ai që ka bërë aq shumë pyetje, e që për to nuk e merrte asnjë përgjigje përpos heshtjes apo injorimit publik, është dashur ta dinte se “vëllai i madh po e përgjon”, ashtu sic e përgjoj, vëzhgoj e përcolli gjithnjë përderisa e zunë menjëhere pas aktit të tij “heroik”, pak pasi e kishte plagosur ish-politikanin dhe avokatin Azem Vllasi , në derën e banesës së vet , në qendër të Prishtinës.

Pas asnjë dyshim planifikimi i vrasjes së Azem Vllasit,- që fatmirësisht nuk u realizua por përfundoj vetëm me plagosjen e tij, duket qartë të jetë menduar mirë e hollësisht prej “shtabit joshës” kriminel që e futi në kurthën e parapërgatitur Murat Jasharin, “avnirrustemin e ditëve tona” me të gjithë “avnirrustemat” e tjerë. Azem Vllasi ishte “kurbani” më i padhimshëm i këtij segmenti të LPK-së, “kurban” që u mbeti në fyt jo vetëm “avnirrustemve” , por edhe atyre që i joshën e futën në kurthë ata me qëllimin tepër dinak që të krijohej një zhurmë tjetër e madhe , zhurmë që do ta mbulonte e linte nën hije, qoftë edhe përkohësisht, cdo akuzë për ta që vazhdon ta mbajë nën ethe e tension shoqërinë e Kosovës që nga paslufta.

Në bazë të atyre që tashmë duan të paraqiten viktima të “avnirrustemve”, zhgënjimi dhe xhelozia e Murat Jasharit dhe bashkëmendimtarëve të tij vije nga fakti se, “ata” nuk kan mundur të pajtoheshin me faktin, sipas të cilit “ne” i ndërtuam institucionet e Kosovës” që nga paslufta e këndej! Se për çfarë ngritje institucionesh mund të jetë fjala, mjafton të lexohet shtypi partiak i Kosovës që nga paslufta e deri sot, për t’i pa akuzat e pafundme ndaj “shtetndërtuesve”, qofshin ato të pabazuara apo të bazuara në fakte. E vërteta e gjithë kësaj është që shoqëria e Kosovës duhet të ketë një polici sa më profesionale, objektive dhe jopartiake, për ta pa problemin pa anime kur vlerësohet cështja komplekse e personave të kycun në lëvizjen atdhetare të Kosovës dhe asaj shqiptare në përgjithësi në viset e ish-Jugosllavisë.

Duhet ta kemi përfundimisht të qartë se përkundër angazhimit enorm të tyre për clirimin e vendit nga pushtimi serbomadh, rrugët e ecjes së tyre kan qenë tepër të mundimshme e të vështira për shkak të survejimit të rëndë policor. Një pjesë e tyre kan qëndruar stoikisht, por të tjerë nuk kan mundur t’i bënin ballë torturës mizore serbomadhe dhe pa fajin e tyre, kan rrëfyer për gjërat delikate gjat arestimit prej UDB serbe dhe bashkëpunëtorëve të tyre shqipfolës. Duhet ta pranojmë se sado që janë munduar ta fshehin prej publikut, levizja atdhetare ka qenë dhe mbetët e ngatërruar për shkak të imponimit të ngatërresave e intrigave të UDB-së.

Një pjesë e madhe atdhetarësh u janë nënshtruar torturave mizore e një pjesë tjetër si “superman” filmash, i kan ikur “Syrit” dhe veshit të UDB-së, duke u nxjerrë prej situatave të vështira si qimja prej tlynit!

Pra, duhet ta pranojmë se ngatërresa e tyre,- që është ngatërresë e trashëguar prej mizorive të UDB-së serbe, po e pengon ecjen e Kosovës përpara. Asksuh , prandaj , nuk ka të drejtë ta marrë në mbrojtje këdo që tashmë njihet si person me prani të madhe publike , pasi secili duhet ta mbroj vetvetën , punën dhe angazhimin e vet ; por gjithë ato të “vërteta absolute” që imponohen , është bukur zor të vërtetohen. Për të qenë sa më korrekt : për të folur për ato që kan ndodhur në LPK më së miri di të tregoj ai që ka qenë vet anëtar i saj, që ka qenë bashkëveprimtar i saj, pra ai që i ka përjetue ato që kan ndodhur aty. Përkundër kontributit jo të vogël për lirinë e Atdheut nga ana e pjesëtarëve të saj, në anën tjetër, për shkak të veprimit me decenie nën hijen e veprimtarisë ilegale në mërgatë e Shqiptari, vetëm shpalimi i asaj veprimtarie përmes shkrimit të historisë për përpjekjet e angazhimet patriotike të shumë e shumë personave të kycur në LPK, mund të hedh dritë mbi aspekte që nuk i din opinioni publik. Deri tash është vetëm Ibrahim Kelmendi ai që ka shkruar më së shumti për historinë e LPK, për gjithë atë veprimtari atdhetare që është zhvilluar në mërgatë e Atdhe.

Të tjerët jo! Apo kan shkruar fare pak?!…

Athua pse?

Meqenëse njoh shumë të tjerë që kan qenë të njohur për angazhimet atdhetare të tyre, kur i kam pyetur se pse nuk e shkruajnë “variantin e tyre” të asaj historie, pothuaj të gjithë i kan gjetur një mori arsyetimesh pse nuk shkruajnë, apo pse nuk do të shkruajnë më shumë. Natyrisht që kjo nuk është gjë e mirë nga ana e tyre , pasi vetëm ai që flet pa frikën se kundërshtari i shpifur a real mund ta demantoj, vetëm ai mund të ketë të drejtë për ato që i rrëfen, na pëlqeu a nuk na pëlqeu ne që shikojmë e vëzhgojmë përanash një gjë të tillë.

Mendimi im është që edhe vet Ibrahim Kelmendi është i mënjanuar nga të qenit aktor i “ndërtimit të institucioneve shtetërore”, sic ishin të tjerët , që tashmë theksojnë se dikush ishte xheloz ndaj punës së tyre ! E vërteta është se , së paku , për periudhën deri në vitin 1999 Ibrahim Kelmendi me të tjerët përreth tij, ishin kryesorët që kan kontribuar për lirinë e Kosovës në organizimet luftarake të Luftës së UCK-së dhe se këta që e morën “timonin e automjetit të huaj në dorë” pas asaj lufte , në të vërtetë i morën e përvetësuan me të madhe punët dhe angazhimet e të tjerëve. Ashtu sikurse edhe kontributin e LDK-së për luftën. Kështu ka ndodhur për fatin e keq edhe më “bërrylat” e tjerë partiak në Kosovën e pasluftës, duke i lënë me “gishta në gojë” ata që ishin kontribues të vërtetë të luftës clirimtare, njerëzit më idealistë e të sinqertë të asaj lufte të famshme atdhetare.

Pra, këta që bëheshin sikur nuk i merrnin seriozisht pyetjet e pafundme të Murat Jasharit, pyetje që ai nuk ka pasur asnjë mundësi t’i sajonte vet, në të vërtetë e kan përcjellë me vëmendje pyetje-“maninë ” e tij, pasi në ato pyetje kishte cdo gjë, informata të llojllojshme për krimet ekonomike, pasurimin vetjak në dëm të bashkëluftëtarëve, aluzione për vrasjet e para e pasluftës etj.

Kjo duhet t’i ketë “djegë” shumë dikujt që Murat Jashari e parqiste kriminel dhe aludonte se është vrasës! Pa asnjë dyshim…Mu këto akuza të rënda nga ana e tij dhe të “shtabit” që qëndronte pas tij, duke bërë pyetje dhe kërkuar vazhdimisht përgjigje, kan ndikuar në mënyrë mjeshtërore që akuzuesi aq i madh për krimet e panumërta të të tjerëve, të mashtrohej në mënyrë perfekte me “Syrin e Popullit” të tij, që e vështronte një “Sy tjetër”, mjaft i madh, nga brenda! Kështu, një person që mbahej me medikamnte për ta mbajtur në balancë shëndetin e vet të rrënuar psiqik, u nxorr nga “zgafella” duke e shndërruar në prijëtarin e tentimvrasjes, në emër të “Syrit të Popullit”, të atij “Syri” që vetëm disa orë pas atentatit ra në duartë e Policisë së Kosovës, duke u “kapur” nga “Syri” i kamerave të saj!

Fatmirësisht!

Në gjithë këtë rrëfim për “Syrin e Popullit” për fatin e keq u ndodhën edhe persona me arsimim të lartë, si Prof. Sadri Ramabaja?!…

Pavarësisht që në gjyq do të tregohet fajësia apo pafajësia e tij, të futet një intelektual i atij pretendimi në gjëra të tilla të shëmtuara, është e rrezikshme dhe e kobshme për vendin. Njerëzit që ende sot e kësaj dite mendojnë t’i zgjidhin problemet me vetgjyqësi, në vend se të gjithë së bashku të angazhohmi për një polici sa më profesionale e jopartiake në vend, i bëjnë dëme të pariparueshme vendit. Gabimet e “udhëheqësve të vendi”, – kryesisht nga PDK dhe AAK, që menduan se krimit mund t’i iket duke u futur në institucionet e vendit,- madje në majat e saj, nuk duhen të përsëriten, madje ato sa të jetë e mundur më shpejtë duhen të evitohen me largimin e tyre nga pushteti dhe sjelljen në vendin e tyre të një udhëheqje të re e të pakorruptume politike-shtetërore.

Të gjitha këto planifikime për vrasje janë veprimtari të qarta të këtij pështjellimi dhe të intrigave të kriminelëve të shërbimeve sekrete (pra e kriminelëve të varur nga qarqe të caktuara politike) dhe në këtë vështrim “i sëmuri mendor” Murat Jashari, megjithë veprën e tij të pastër terroriste, është një viktimë e madhe, ashtu siç është viktimë (fatmirësisht viktimë e gjallë) edhe politikani dhe avokati Azem Vllasi, vrasja e të cilit është menduar si një zbrazje e madhe e energjive negative të një mendësie e makiavelizmi, në realitet mëse antishqiptare, në mënyrë që të fshiheshin, – qoftë edhe për pak kohë, në tymnajën e ngjarjes së tillë!

Tash kur mjegulla e tymi ka filluar të zhdavaritet, shoqëria e Kosovës duhet ta shikoj me vëmendje të madhe gjithë zënken në mes grupacioneve të ndryshme të mërgatës atdhetare jashtë dhe të atyre që janë brenda vendit, që secili në mënyrën e mundësitë e veta ka kontribuar për Kosovën e Shqiptarinë. Ashtu sic po del se i kan bërë edhe dëme tejet të mëdha!

Cështja është që askujt nuk duhet t’i mbetëmi borxh si shoqëri, ndërsa këtyre “elitave” që duan të identifikohen me cdo kusht me Kosovën e re, duhet t’ua përkujtojmë veprën e vet të keqe, duke ua thënë hapur e qartë në sy , se “ju” më shumë keni dëmtuar , se sa që keni kontribuar për vendin dhe me djallëzitë dhe poshtërsitë tuaja (jo rrallë të frymës serbomadhe!) jeni shndërruar në “gur mulliri” në qafën e popullit dhe shtetit të Kosovës.

Për shembull Xhavit Halitit e të tjerëve duhet t’u thuhet, se, “ndoshta ti me njerëzit tuaj jeni supermen”, por deri tash nuk na e ofruat asnjë të dhënë që jeni të tillë, madje as që u treguat njerëz të mirë, njerëz të thjeshtë e dashamirë të vendit tuaj!

Duhet t’u thuhet që koha e juve ka mbarue, andaj për të mirën e vendit tuaj, ju që të gjithë duhet të largoheni!..

* * *

Një vështrim i imi në fb, që e kisha bërë më datën 16.03.2017 për atentain ndaj avokatit Azem Vllasit, që u bë nga Murat Jashari, në emër të “Syrit të Popullit”.

Më shqetëson tejmase mbrojtja fanatike e pikëpamjeve dhe qëndrimeve partiake për cështjen kombëtare, të një pjese jo aq të vogël të njerëzve tanë. Sic më shqetësoj , së fundmi, edhe njëfar ngazëllimi deri në verbëri , tek jo pak të njohur e të panjohur për tentim atentatin ndaj Azem Vllasit nga ana e aktivistit të njohur të LPK-së, Murat Jasharit, që për opinionin publik viteve të fundit pati ra në sy për morinë e pyetjeve që ua shtronte atyre që i quante ish-bashkëpunëtor, e në të cilët shihej qartë qe ishte tejmase i zhgënjyer.
Ata , sipas tij , e kishin tradhëtuar cështjen kombëtare shqiptare !

Tash kur ngjarja e hidhur ndodhi, duhet të pyesim : A ra Murat Jashari në kurthën e euforisë së lavdërimeve për pyetjet “shigjetuese” që ua drejtoj tashmë ish-bashkëpunëtorëve të pushtetëzuar, që sipas shumë gjasëve, përmes ngashnjimeve të personave të “shërbimeve sekrete” partiake, ate arritën ta nxjerrin nga “zgafella”, duke e sjellë prej një akuzuesi të ish-shokëve për shumë vrasje të bëra ,në pozitën që edhe vet të niset në rrugën e një vrasësi, pra ta bëjë një tentim vrasjeje ndaj Azem Vllasit?

Ta komprometojnë e vrasin përfundimisht për akuzat e tij të panumërta ndaj të tjerëve, në kohën kur edhe lloji i tillë i akuzave analizohen, shqyrtohen dhe përpunohen tashme kur shumëkujt i rri mbi kokë e shpirt Gjykata Speciale, e votuar edhe nga mu ata që mund të akuzohen prej saj! Me fjalë të tjera Murat Jashari duke u dërguar në një “mision historik” për vrasjen e një personi që dikur ishte funksionar politik , e sot avokat, të cilësuar nga urdhërdhënësit e kësaj vrasjeje politike me paramendim si “mall i padhimbshëm”…, e vrau dhe rrenoj vetveten: Perfundimisht! Gjithcka, sipas meje, është e organizuar dhe se po të zhvilloheshin hetimet edhe në Zvicër, prej nga erdhi që të vriste Murat Jashari, do të zbulohen shumë gjëra të pakëndshme, jo vetëm për Murat Jasharin por edhe për ata që i qëndruan afër.

Sidoqoftë, akuzuesi i madh i ish -shokëve për vrasje të ndryshme, përfundoj aty ku deshtën ta sillnin ish-shokët, në pozitën e një tentim vrasësi, që tashmë është i arrestuar në Prishtinë.

Një mik i imi në fb duke mos u pajtuar me qëndrimin tim e shprehte shqetësimin e tij që mos une mund të isha ndonjë “jugonostalgjik” , pasi e mbroja AV?!

Unë, miku i mirë, nuk e mbrojë askend, përpos të vërtetës dhe faktin se ska gjyqësi private, vrasje të atij që “nuk të përshtatet ty”, pasi është shteti ai që këdo që ka një vepër kriminale, antishtetërore e antishqiptare, duhet ta vë në bankën e të akuzuarit. Se vrasjet me motive politike ndaj atij që mendon ndryshe nuk shpiejnë askund, tregojnë edhe vrasjet e para e pas luftës që ndodhën në Kosovë nga ana e atyre që vetdeklaroheshin si clirimtar të mëdhenj, e që nuk arritën ta clironin asnje lagje të vetme në Kosovë. Kah do t’ia mbajë Kosova apo populli shqiptar në përgjithësi, nëse secila parti politike; si LPK-ja, PDK, LDK apo larg qoftë, në këtë vazhdë edhe VV, t’i bëjnë “listat” e tradhëtarve, sipas pikëpamjeve të tyre dhe policive të tyre partiake?!

Sipas kësaj ideologjie antishqiptare, PDK qenka dashtë ta vrasë Rugovën, LDK, Thacin, LPK si parti e “popullit” që ti vrasë të gjithë , e po ashtu që të gjithë ta vrasin udhëheqësin e dikurshëm të VV, e kështu me rradhë, derisa ta fusim vendin në një luftë civile ku qeni “nuk e njeh të zotin”

Mënyra e tillë e të gjykuarit apo të vepruarit, shpije vetëm në vllavrasje të cilën e duan vetëm armiqët e këtij kombi.
Ndërkaq, atij që mund të më pandeh si “jugonostalgjik” i them qe më 21 shkurt 1989 si gazetar mjaft i ri Gazetës Rilindja, jam një ndër nënshkruesit e Apelit të 215 intelektualëve të Kosovës , për të mos e lejuar suprimimin e autonomisë së Kosovës dhe për avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës si republikat e tjera. Po të kisha pasur mundësi, qysh në atë kohë kisha për t’ia bashkëngjitur Kosovën Shqipërisë. Dhe, jo vetëm Kosovën !

Kam qenë pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1981 !
Jam ndër organizatorët e kthimit të nxënësve dhe studentëve në objektet shkollore , prej nga i kishte ndjekur pushteti okupator i Milosevic-it.

Për aktivitetet e mija të vetëdijshme në favor të cështjes kombëtare, e kam zgjue zemërimin e do mangupeve të dy “sherbimeve sekrete partiake”, të cilët i kan përdorur edhe shokët e mij, madje edhe “shokët e mij më të ngushtë” për të më poshtërue?!

Por, për tu poshtërue dikush, duhet të jetë i poshtër andaj ata mua skan pasur se cka të më bënin, pos që e dëmtuar e rënduan vetën me faje, sikurse qe edhe e lenduan edhe Kosovën.

Une e mbaje Revistën Drini pa asnjë interes, vetëm në baza vullnetare me shokët e miqët e mij. Une vetëm i kam dhënë Atdheut, i cili nuk me dha asgjë pasi ai është ende në duar kriminelësh…
Edhe une kam ditë adresa të sakta se kë duhet vrarë, por asnjë vrasje nuk do ti zgjidhte problemet, as të mijat.

Vetëm i ligu dhe i marri vret !
Vetëm i sëmuri mendor e lë gruan e sëmurë dhe shkon në Prishtinë për të vra, por duke qenë se është futur në kurthë: E vret vetën dhe zanin e mirë që ia kishte qitë vetvetës.
Për t’i hequr dilemat për ata që mund të mos u kem dalë “një burrë i mirë” , ua ripersëris se une jam kundër cdo vrasje , sikurse edhe ndaj tentim vrasjes së avokatit e ish- politikanit të dikurshëm Azem Vllasit.
Besoj që u kuptuem…

Une vet jam viktimë e madhe e ndërskamcave të tilla, megjithëse kurrë nuk e kam pranue rolin e viktimës. Jeta në kushte të tilla më ka bërë mjaft të qëndrueshëm dhe të mos ia lëshoj rrugën së keqës, megjithë situatat e rënda jetësore në të cilat më kan vënë antishqiptarët dhe dhuna e tyre, që po ashtu me dhunën (jo vetëm fizike) ndaj meje, janë mbështetur po ashtu “në kopili sigurimesh sekrete”.