“HASAN PRISHTINA STËRNIIP I ABDULLAH VELIQIT”

0
999

Pak fjalë për librin e Dibran FYLLI “HASAN PRISHTINA STËRNIIP I ABDULLAH VELIQIT” dhe “mërinë politike” të figurave të shquara shqiptare

Nga Prof. Dr. Bajram Xhafa

(Në promovimin e librit “Hasan Prishtina stërnip i Abdullah Veliqit” (ribotim) të autorit kosovar Dibran Fylli në sallën e Bibliotekës “Marin Barleti” Shkodër, më 24. 02.2018)

Vepra që po promovojmë sot kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Hasan Prishtinës u shtohet dy veprave të mëparshme studimore në trajtë monografie për këtë figurë të shquar të historisë sonë kombëtare: 1. “Hasan Prishtina dhe lëvizja patriotike e Kosovës”, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1968 me autor Ajet Haxhiu; 2. “Hasan Prishtina në Lëvizjen Kombëtare e Demokratike të Kosovës 1908-1933”, GME, 2003 e Dr. Tahir Abdyli (ribotim) dhe 3. Dibran Fylli “HASAN PRISHTINA STËRNIP I ABDULLAH VELIQIT” (ribotim), Prishtinë, 2017. Kemi edhe dy vepra të tjera për Hasan Prishtinën: njëra “Hasan Prishtina. Përmbledhje dokumentesh 1908-1933”, Tiranë, 1983 e historianëve Kujtim Nuro – Nezir Bata, dhe tjetra, Kujtimet e vetë Hasan Prishtinës, “Nji shkurtim kujtimesh mbi Kryengritjen Shqyptare të vjetit 1912”, (ribotim) “Eurorilindja”, 1995. Kjo është autentike dhe mbase duhet të njihet e para. Në literaturën historiografike për Hasan Prishtinën kaq njoh unë.

Për një figurë si Hasan Prishtina, heroin e përkushtuar për çështjen kombëtare shqiptare ka fushë e material për të hulumtuar e shkruar shumë e shumë dhe, sado të shkruash, prapseprapë është e sigurtë se mbetemi borxhlinj. Në librin e sotëm, siç tregon edhe titulli, autori përqendrohet së pari tek origjina familjare e fisnore e heroit tonë dhe në këtë drejtim mbase është edhe merita kryesore e punës së tij.

Hasan Prishtina thuhet se rrjedh nga Vëllazëria stërgjyshore VELIQI të Palacit të Drenicës. Gjyshi i Hasan Prishtinës, Haxhi Ali Berisha, (pra, Hasan Prishtina është “Berishë”), del se e trashëgoi emrin e gjyshit të vet Ali Veliqit. Sipas kujtesës historike, një familje nga Vëllazëria e Veliqëve shkoi në Mikushnicë (fshat i afërm), e cila me kohë do të quhej Manxholl (nga turqishtja bijtë e MAN-it; man=ardhacak). Autori këtë e konfirmon nga një auroritet i shkencës historike të Kosovës, prof. dr. Muhamet Pirraku.(1)

Origjinën e familjes autori e ilustron edhe me pemën gjenealogjike (f. 49), një ndihmesë e çmuar për të kuptuar më mirë lidhjet familjare e fisnore, lidhje të cilat janë pjesë e historisë së Shqipërisë, mbasi organizimi shoqëror i shqiptarëve është jo vetëm objekt i etnologjisë, Shqipërisë, mbasi organizimi shoqëror i shqiptarëve është jo vetëm objekt i etnologjisë, por edhe faktor shumë i rëndësishëm i lëvizjeve të historisë politike.

Historia e jetës dhe e veprimtarisë politike e atdhetare të Hasan Prishtinës është historia tipike e një shqiptari politik plot kundërthënie; e një shqiptari trim, por të kultivuar, të vendosur në qëllimin e tij dhe të përkushtuar deri në vetmohim ndaj idealit të tij, por që karakterizohet edhe nga padurimsia, edhe i ngutshëm, emocional e gjaknxehtë. Këto kundërthënie të protagonistit tonë të historisë vihen re edhe në librin që kemi sot, edhe në atë të Dr. Tahir Abdylit.

Historia e Hasan Prishtinës është edhe një histori tipike e shqiptarëve të ndarë, ku ndarja dhe izolimi ndërmjet tyre ka peshën e vet dhe ku më mirë se kudo gjetkë shihen pasojat e saj për një popull. Këndërthëniet së pari vijnë nga vetë personi për të cilin shkruhet, Hasan Prishtina, jeta e të cilit është plot të tilla dhe, besoj, kjo shpjegohet parasëgjithash me atë që mund ta quajmë “imbroglio” e çështjes shqiptare (imbroglio = ngatërresë, trazim, ndërlikim dhe mbas Fjalorit të Busettit batakçillëk(2) (nënvizimi im); nga fakti se çështja shqiptare është futur në një qerthull që ka gjithmonë mosmarrëveshjen, ngatërresën dhe enigmën. Batakçillëku i Fuqive evropiane me çështjen shqiptare është e hershme, por më e vona u vu në jetë me Kongresin e Berlinit e në vazhdim. Hasan Prishtina nuk mund t’i shpëtonte grackës së ngritur për shqiptarët. Edhe në kohën e tanishme, me daljen e çështjes së “Zajednicës” dhe të “Demarkacionit” në Republikën e Kosovës, edhe Hashim Thaçi ankohet se e paskan futur në grackë.

Me të drejtë bëhet pyetja: Mirëse politikanët vihen para urgjencës ultimative të ngjarjeve për t’u dhënë “rrugëzgjidhje” problemeve të rëndësishme, por që sjellin pasoja të rënda politike për shqiptarët, prandaj dhe bien në grackë, por pse nuk dalin dot nga gracka ata që shkruajnë historinë dhe nuk ndodhen para emergjencës ultimative, siç ndodh me politikanët që, po duam të themi, janë të detyruar nga të mëdhenjtë e botës edhe “të bëjnë lojën” (po ua lajmë fytyrën dhe gjynahet). Fatkeqësia më e madhe, fatalitet, është diversiteti i mendimit politik e historiografik ndër shqiptarë. Shqiptarët nuk kanë një mendim nacionalist unik që ta kenë si “guide”, ose e kanë, por nuk duan ta zbatojnë. I mbyt krahinarizmi, egoja, krenia boshe e protagonizmi fals, individualizmi dhe dukuri të tjera që i fryjnë përçarjes mes vedi.

Në debatin e sotëm nё kontekst të vlerёsimit tё skemave dhe tё subjekteve vepruese nё historiografi, njё palё (rrymë), Baleta & Feraj etj., thotё se mё i vlefshёm se çdo figurё e kombit shqiptar ёshtё vetё kombi shqiptar, se interesat e tij nuk duhen dёmtuar pёr hir tё asnjё figure kombёtare, se sado e madhe tё jetё njё figurё historike, gabimet e saj nuk duhen vazhduar nё qoftё se janё tё dёmshme pёr kombin me arsyetimin se “duhen ruajtur figurat” dhe se figurat duhen ruajtur pёr çka kanё vepruar drejt. Pala tjetёr duket se thotё se disa figura historike janё mё tё rёndёsishme se vetё kombi shqiptar dhe interesat e tij, se nё qoftё se disa fatkeqёsi qё pёrjeton edhe sot kombi shqiptar kanё ardhur nga gabimet e kёtyre figurave nuk duhet nxjerrё mёsim dhe nuk duhet kёrkuar tё mos pёrsёriten, sepse kjo pёrbёn “fyerje” tё figurave.

Nё kёtё debat praktik politik, secilit i bie barra tё vendosё vetё, nёse mё i rёndёsishёm ёshtё kombi dhe populli shqiptar apo “pastёrtia” folklorike e figurave historike. Ndёrsa shkenca e shtron çёshtjen e zbatimit tё kritereve shkencore dhe debati merr formё tjetёr, nёse do tё bёhet(3).

A ka pasur Hasan Prishtina veprime që, megjithë dëshirën e mirë, i kanë bërë dëm ngritjes së shtetit shqiptar në foshnjërinë e tij? Po vetë Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” (MKK), në drejtimin e të cilit ishte edhe ai? Historia jep shembuj dhe çdokush le të gjykojë vetë.
Të gjithë kosovarët italofilë me Bajram Currin dhe Hasan Prishtinën në krye, u angazhuan në luftë vendimtare kundër Zogut, që ka qenë për atë kohë (1920) kolona vertebrale e qeverisë, shkruan Sejfi Vllamasi(4).

Ndërsa lufta me jugosllavët vazhdonte në Koplik, një vapor italian, me armë e municione dhe me mjete të tjera kishte ardhur në Durrës për të shkarkuar armët që kish dërguar D’Annuncio (më pas ndër eksponentët kryesorë të fashizmit) për kosovarët irredentistë. Kosovarët që ishin për pranimin e armëve, ndër ta edhe Hasan Prishtina, ishin të bindur se me këto armë do të shpëtonin Kosovën. D’Annuncio lidhi miqësi të ngushtë me Hasan Prishtinën i cili ishte në krye të kësaj aventure të rrezikshme, qëllimi i së cilës s’mund të ishte shpëtimi i Kosovës, por ta vinin në rrezik fatin e qeverisë (shqiptare) dhe fatin e luftës së Vlorës. Qeveria shqiptare vendosi për mosshkarkimin e armëve sepse kjo do të merrej si provokacion nga fuqitë jugosllave të cilat ishin përqendruar në grykë(derdhje) të Bunës gati për të okupuar Shëngjinin në rast të shkarkimit të armëve (5). Kjo do ta vinte shtetin e sapongritur shqiptar midis dy zjarresh: Italisë dhe Jugosllavisë.

Rast tjetër: emrit dhe veprës së Hasan Prishtinës nuk i bën nder pjesëmarrja e tij në grushtshtetin e 6 dhjetorit 1921, kur me pistoletë mbi tavolinë e detyruan kryeministrin Pandeli Evangjeli të japë dorëheqjen në mesnatë në një nga dhomat e Hotel Internacional në Tiranë. Pas dështimit të Qazim Koculit për të formuar qeverinë, kryeministër u caktua Hasan Prishtina i cili nuk mundi të qëndrojë në fuqi veçse disa ditë (deri më 12 dhjetor 1921). Pasi dështuan në qëllimin e tyre, të ndodhur para gjykimit dhe dënimit, komplotistët u larguan jashtë vendit. Hasan Prishtina, për të mos u arrestuar, mbyllet në shtëpinë e vet dhe vetë i pesti, bashkë me gruan e tij organizon qendresën “me ba deken si me le”. Me urdhër të Zogut, xhandarmëria i hap shtegun për tërheqjen e të rrethuarit me kusht që të dalë jashtë Shqipërisë.

Edhe Komiteti “MKK” me kryetar Hoxha Kadri Prishtinën, me gjithë shërbimet shumë të çmuara që i solli Lëvizjes Kombëtare në vitet 1918-1920, më pas, shumë veprime të tij i jepnin shtysë destabilizimit të jetës politike e shtetërore kur shteti shqiptar ishte në foshnjërinë e vet. “MKK” mori pjesë tërësisht edhe në grushtshtetin e Qershorit 1924 që i solli dëme të mëdha Shqipërisë dhe pas dhjetorit 1924 u largua në emigracion ku u riorganizua me kryetar Bedri Pejanin (Hoxha Kadri Prishtina kish vdekur më 1924).

Në tetor 1925 presidenti Ahmet Zogu shpalli amnistinë politike për të gjithë të arratisurit politikë, por ata, në vend që të ktheheshin në atdhe e të kontribuonin në “bërjen e Shqipërisë”, u bënë kontigjente të politikave të huaja për destabilizimin e shtetit shqiptar. Shpejt pas kësaj, “MKK”-ja mori orientimin politik krejt në kundërshtim me interesat kombëtare të Shqipërisë. Në deklaratën e botuar më 24 prill 1927 nga Komiteti i Çlirimit Nacional (KÇN, ish KONARE-ja) dhe “Komiteti i Çlirimit të Kosovës”(MKK) vihej në dukje se çlirimi i Shqipërisë nuk mund të arrihej veçse në aleancë me popujt e Ballkanit, me klasën punëtore të vendeve kapitaliste dhe me popujt që ishin çliruar dhe po çliroheshin nga imperializmi(!).

Me këtë deklaratë “Komiteti i Çlirimit të Kosovës” doli si organizatë revolucionare internacionaliste dhe bashkë me Komitetin e Çlirimit Nacional, u bënë shtojcë e Federatës Komuniste Ballkanike me thirrje për revolucion komunist (për Çlirimin Nacional, alias, Nacional-Çlirimtar, terminologji e PKSH gjatë LDB); se aleatë të natyrshëm të popullit shqiptar KÇN-ja (pra, edhe MKK-ja) vinte Bashkimin Sovjetik (?!). Më 1931 KÇN-ja hodhi parrullën e revolucionit popullor.

Në f. 118 të librit të D. Fyllit ka një një deklaratë të Hasan Prishtinës që thotë: “Kosova, një vend plotësisht agrar, i cili në kohën e regjimit turk faktikisht lulëzonte (nënvizimi im), është duke vuajtur aktualisht nga një mjerim i tmerrshëm; fshatarët e kombësisë shqiptare dhe banorët shqiptarë të qyteteve janë dëbuar nga fushat dhe arat e tyre me pretekstin e zbatimit të Ligjit për reformën agrare. Poshtë deklaratës një fotografi ilustron një kalvar të vërtetë të një familje shqiptare në ikje e arratí pa drejtim.

Burra, gra e fëmijë me laçkë e me plaçkë, hypur në qerre apo duke zvarritur këmbët, janë dëbuar me force nga vendbanimet mijëvjeçre të tyre dhe ecin në kërkim të fatit, një realitet tejet dramatik që flet më shumë se çdo gjë tjetër. Këto dy realitete në të njëjtën faqe të librit, çdo politikan të kohës si Hasan Prishtina do ta kishin bërë të reflektonte për rrugëtimin e tij politik. Këtë gjë që nuk e ka bërë protagonisti, duhet ta plotësojë studiuesi me analizat e konkluzionet e tij.

Kundërthëniet në librin e Tahir Abdylit, që është më i plotë, janë edhe më të shumta, ndonëse ata shpjegojnë shumëçka. Së pari, në një vepër historiografike duhet të ketë integritet, pricipialitet nacional dhe koherencë. “Numri i shqiptarëve në Merdar, më 18 tetor 1912 (kur sulmoi ushtria serbe), shkruan Tahir Abdyli, arrinte deri në dy mijë dhe komandoheshin nga Haxhi Xhemail agë Berisha, kushëri i Hasan Prishtinës. Këta luftëtarë shqiptarë ishin nga njësia e Hasan Prishtinës, në maj-gusht 1912, dhe dilnin nga Drenica jugore. Këtu nuk është tepër të konstatohet se edhe për thyerjen e rezistencës shqiptare në Merdar populli fajësonte disa krerë, dhe pikërisht: Isë Boletinin, Hasan Hysenin, Din Arifin (Sferkë), Imer Brahën (Sankoc), Mulla Rifatin (Sadllar). Këto personalitete, përpos Isasë, mbajtën lidhje miqsore me Serbinë deri në vdekje”(6). Nga sa më sipër, del se Kryengritja e vitit 1912 qenka drejtuar nga njerëz që mbanin lidhje me Serbinë, pra, edhe rezultatet e saj do të ishin të dyshimta e në interes të Serbisë.

Pas sulmit të ushtrisë serbe me 18 tetor 1912 në Merdare, në Hasan Prishtinën dhe në shokët e tij, shkruan më tej autori T. Abdyli, shqiptarët e masakruar shihnin tradhtarin e popullit shqiptar dhe të mbretërisë Osmane, e cila, në asnjë kohë nuk kishte qenë aq e zezë sa robëruesi i ri (vetë Hasan Prishtina thotë se Kosova atëherë lulëzonte). Tashti, xhonturqit dhe shqiptarët, për suksesin e depërtimit aq të lehtë të forcave aleate ballkanike në tokat shqiptare e fajësonin edhe Hasan Prishtinën, duke e vënë këtë në një lagje me Isë Boletinin, Idriz Seferin, Hasan Hysenin, Shaban Ramadanin, Sokol Bacën, Shani Llaushën, Marka Gjonin, Sokol Dinin, Bejlerët e Gjakovës, dhe Bejlerët e Pejës: Refreni: “Bejlerët e shitën Kosovën, bejlerët…!” – ndihej anekënd viseve shqiptare(7).

Shprehja që doli më 1912 “Paria e shiti Kosovën” ishte rezultat i përvojës së hidhur të drejtimit të qendresës antiserbe me fillimin e agresionit ushtarak të Serbisë ndaj Shqipërisë. Ishin po ato forca që kishin marrë pjesë në Kryengritjen e vitit 1912 që po kryenin atë punë që bënë kryengritësit e Malësisë së Mbishkodrës më 1911 si “dora e gjatë” e Malit të Zi, që, kur ky i fundit filloi luftën për pushtimin e Shqipërisë veriore, u bënë pararojë e ushtrisë së Malit të Zi për marrjen e Shkodrës.

63 000 pushkë moderne për kohën Isë Boletini i mori nga komandanti i Shkupit për t’ua shpërndarë kosovarëve për mbrojtjen e Kosovës nga agresioni e Serbisë dhe nuk i shtini në përdorim për mbrojtjen e vendit. Eshtë me rëndësi të konstatohet se kurrë nuk është zbuluar fati i atyre armëve dhe i atij municioni të bollshëm, shkruan autori i librit (bashkëluftëtarët e Isë Boletinit ishin të mendimit se Isaja ato armë ua dorëzoi aleatëve ballkanikë dhe posaçërishtë Serbisë dhe Malit të Zi(8).

Këtë bashkëpunim D. Fylli e konsideron meritë të Isë Boletinit kur shkruan se “Kryengritësit myslimanë e katolikë të udhëhequr nga Isa Boletini, iu bashkëngjitën ushtrive ballkanike për shkatërimin e Perandorisë Osmane”(9) (kuptohet: për shkatërrimin edhe të vetë Shqipërisë).

Kur Hasan Prishtinën e internuan në kalanë Kalemegdanit bashkë me të internuarit e tjerë thuhet se nuk patën trajtim të keq(10) Madje e lanë të ikë, ndonëse u kap dhe e kthyen përsëri në burg. U lirua prej burgut nga disa krerë që tashti ishin me Hasan Prishtinën por që kishin lidhje të hershme dhe interesa me Serbinë si Idriz e Kasum Seferi, Seit Hoxha, Jashar Pasha, por edhe Nexhip Draga(11).

Është me vlerë në librin e D. Fyllit referimi i autorit Skënder Hasani për pajtimin e Hasan Prishtinës me Mbretin Zog, që në Kosovë rrallë e tek ja përmendin titullin “Mbret”. Dhe ky pajtim u bë me ndërmjetësinë italiane me 23 shkurt 1931(12). “Ky unifikim u forcua pasi Mbreti Zog u shkëput nga politika e Beogradit, i cili ishte kushti i vetëm i atdhetarëve të asaj kohe që ishin në konflikt me mbretin Zog”. Kjo përbën një shtrembërim të së vërtetës. Kaq vonë e paska marrë vesh Hasan Prishtina (edhe autori) “shkëputjen” e Zogut nga politika e Beogradit?

Ka edhe diçka tjetër, më të rëndë. Më 20 shkurt 1931 ndaj Mbretit Zog ishte organizuar atentati i Vjenës.

Dyqani i Hasan Prishtinës në mes të Vjenës qe “kulla” ku u ba hjeksia dhe u ngreh pushka kundër “Mbretit të Shqiptarëve”, atentat që përfundoi me vrasjen e adjutantit të Mbretit, Llesh Topallaj. Ky atentat tashmë nuk drejtohej kundër Ahmet Zogut si kundërshtar politik(!), por kundër “Mbretit të Shqiptarëve”, kreut të shtetit shqiptar; ishte atentat kundër vetë Shqipërisë. Eshtë jashtë çdo dyshimi se atentati nuk ishte një llogari “personale” apo “punë gjaku” (si e ka zakon shqiptari(!) që vinte nga “kanuni”, as si ai që iu bë ish kryeministrit Ahmet Zogu në shkurt 1924 shtatë vjetë më parë kur adoleshenti 17 vjeçar Beqir Valteri shtiu mbi të në derën e Parlamentit. E përbashkëta e të dy rasteve ishte burimi i njëjtë: Beogradi. Atë ditë shkurti shërbimi sekret serb në Beograd përgjonte me telefon tek veshi për të marrë sihariqin që do t’i vinte nga Vjena për heqjen e kokës së Shqipërisë.

Dështimi i atentatit e shtyri Beogradin të ngrejë një organizatë të fshehtë me qendër në Vlorë, me nismën e Qazim Kokoshit, Seit Qemalit, Myqerem Hamzarajt, Murat Tërbaçit etj. Në Vlorë vepronte një konsullatë jugosllave. Për lëvizjen antizogiste ishte e interesuar edhe Italia e cila shihte mundësinë e zevendësimit të Zogut me ndonjë tjetër. Konspiracioni do të kishte karakter komplotist. Mospërtëritja më 1931 e Paktit të Tiranës të vitit 1926 me Italinë e inkurajoi siç duket qeverinë e Beogradit e cila vuri në dispozicion shuma të mëdha të hollash me të cilat korruptoi drejtuesit e organizatës së fshehtë të cilët pranuan të veprojnë sipas udhëzimeve të Beogradit për të bërë një grusht shteti. Pas kësaj do të denoncohej aleanca e Shqipërisë me Italinë, do të bëhej aleancë me Jugosllavinë, në Shqipëri do të hapeshin shkolla jugosllave dhe do të ndiqej një politikë që të përputhej me politikën e Beogradit.

Por këto plane nuk u realizuan. Në gusht 1932 konspiracioni e Vlorës u zbulua nga xhandarmëria dhe komplotistët dolën para gjyqit. Pas “pajtimit” të Hasan Prishtinës me Mbretin Zog (pajtim hileqar, duhet të themi), që erdhi vetëm tre ditë pas atentatit (më 23 shkurt), autori i librit shkruan me gjuhën e zakonshme të indoktrinimit sllavo-komunist se Hasan Prishtina “Luftën antizogiste në Shqipëri si dhe luftën kundër robërisë serbe nuk do ta ndalë deri në frymën e fundit. (Në historiografinë shqiptare kjo është trajtuar si “luftë e shenjtë”). Për këtë qëllim e themeloi edhe “Komitetin për Çlirimin e Kosovës (?!)(13).

Këto përbëjnë inkoseguenca. Por janë edhe shembuj që tregojnë forcën që ka pushteti i inateve dhe huqeve tek shqiptarët. Po e quaj vetëm huq.

Pas atentatit të Vjenës vjen konspiracioni i Vlorës (1932), që Hasan Prishtinën e rreshtojnë përsëri në krahun e gabuar. Në këtë rast panegjirizmi e deri idiolatria(14) për Hasan Prishtinën, që vihet re në librin e Dibran Fyllit, nuk i bëjnë mirë as të vërtetës, as historisë dhe as Shqipërisë; As për të kaluarën dhe as për të ardhmen. Brezat që vijnë duhet të kenë modelin e vërtetë të ngjarjeve, personave politikë dhe qendrimeve ndaj tyre. Mëria ndaj Zogut, jo pak personalitete i ka çuar në rrugë të gabuar në qendrimet ndaj atdheut. Shembuj të tillë kemi edhe në ditët e sotme.

“Mëria e akademikut Rexhep Qosja për Sali Berishën, shkruan Baleta më 2011, ka kapërcyer çdo kufi të imagjinueshëm. Nga mëria për Berishën, akademiku e vllau nga Kosova tregohet i gatshëm të nxisë flakët e luftës civile që Shqipëria të përvëlohet një herë në pesë vjet. Pse e ka vallë këtë mëri të madhe Rexhep Qosja për Sali Berishën, se nuk dimë që Saliu t’i ketë bërë ndonjë të keqe, siç më ka bërë mua për shembull? E ka mëri “për hir të Shqipërisë”, apo për ndonjë arsye tjetër?! Edhe nëse ai nuk e duron dot Sali Berishën si tip njerëzor, si politikan, nuk ka asnjë të drejtë të predikojë djegien e rrënimin e Shqipërisë. Apo duhet të fillojmë të mendojmë se “mërinë për Berishën” mos vallë e ka vetëm si maskë të dëshirës që ta shohë Shqipërinë të djegur e të përvëluar sa herë e majta humb pushtetin, apo nuk arrin dot të marrë pushtetin me zgjedhje? Ka ardhur koha që Rexhep Qosja të shpjegohet më qartë në këtë pikë e të mos fshihet më pas “mërisë patologjike” të tij për personin e Sali Berishës”(15).

Krahasimi i këtyre rasteve në kohë të ndryshme, mendoj se është kuptimplotë.
“Shqiptarët, shkruan Eqrem bej Vlora, nuk kanë qenë kurrë engjëj të pafajshëm: dhuna, kapardisja, etja për grabitje, padurimi kanë qenë prej kohësh tipare të spikatura të karakterit të tij, por nga ana tjetër ai është shquar edhe për tipare fisnike: shqiptari është trim, kokëkrisur, besnik, shpirtmadh, bujar, i vetësigurtë dhe i zgjuar. Ai i përvetëson njëlloj shpejt si vetitë e mira, ashtu edhe ato të këqija”(16).

Na ndihmoftë e shkuara të kuptojmë të tashmen e të përballojmë të ardhmen, shkruan A. Baleta.

Shënime:
(1)Dibran Fylli, “HASAN PRISHTINA STËRNIIP I ABDULLAH VELIQIT” (Ribotim), Prishtinë, 2017, f. 11
(2) Buletini Shkencor i Universitetit të Shkodrës, nr. 65, 2015, f. 59; shënimi 51 (referencë).
(3) H. Feraj, Rimёkёmbja, 1 mars, 2005, f. 6.
(4) Sejfi Vllamasi, “Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942)”, Shtëpia Botuese “Marin Barleti”, 1995, f, 146.
(5) Sejfi Vllamasi, po aty, f. 158, 159
(6) Dr. Tahir Abdyli, “Hasan Prishtina në Lëvizjen Kombëtare e Demokratike Shqiptare 1908-1933”, GME, 2003, f. 170
(7) Tahir Abdyli, po aty, f. 176.
(8)Tahir Abdyli, po aty, f. 177.
(9) Dibran Fylli, po aty, f. 43.
(10)Tahir Abdyli, po aty, f. 150.
(11)Tahir Abdyli, po aty, f. 181.
(12) Dibran Fylli, po aty, f. 99.
(13) Dibran Fylli, po aty, f. 107.
(14) Dibran Fylli, po aty, f. 69
(15) Abdi Baleta, “JO PLEBISHITIT VENIZELLIST”, Prishtinë, 2011, f. 23.
(16) Eqrem bej Vlora, Kujtime II, “Shtëpia e Librit & Komunikimit”, Tiranë, 2001, f. 255.