Ndue Ukaj
Shoqëritë e përparuara, nuk bëjnë pakt me të keqën. Përkundrazi, në shoqëritë e emancipuara kulturalisht e politikisht, e keqja nuk bëhet ushqim i përditshëm për shoqërinë.
Dihet, çdo shoqëri ka batakçinj, demagogë e halldupë, por, në asnjë shoqëri normale soji i tyre nuk promovohet.
Ndërsa te ne, po. Dhe, për këtë, fajtorë jemi të gjithë ngapak.
Shoqëria jonë, pa traditë në punët e shtetit, pa ndonjë traditë në fushën e kulturës, nuk është formuar sipas ndonjë parimi shpirtëror apo filozofik të caktuar. Ajo, ka shekuj prej kur nuk ka jetuar në përkim me ndonjë rrymë kulturore e politike, të njohur dhe provuar universalisht.
E dihet, aty ku nuk ka parime, aty nuk ka as vlera.
Prandaj, me të drejtë, kolosët e mendimit shqiptarë, qëmoti kërkonin organizimin e kaosit shqiptar, si parakusht për të hyrë në vallen e qytetërimit dhe të përparimit.
Këtë kaos, ne ende nuk e kemi organizuar.
Vetë fakti se, telenovelat primitive politike, si ajo e ndarjes së VV- së, arrijnë që ta hutojnë dhe ta topitin një shoqëri të tërë, kjo tregon një gjë të hidhur: te ne akoma nuk mund të flitet për çështje të larta dhe punë fisnike.
Duke i mbajtë sytë dhe veshët e hapur te telenovelat e shfaqura dobët, pa shije dhe pa kulturë, e kemi dëmtuar seriozisht shëndetin e shoqërisë sonë. Sepse, siç dihet, shoqëria është organizëm që ha e pi.
Duke e ushqyer me helm, duke mos e përdorë asnjëherë sitën, për të ndarë atë që është e vërtetë nga ajo që është e rreme, atë që është e mirë nga ajo që është e keqe, ne kemi gatuar bukë të helmuar, dhe, të njëjtën e kemi bërë shujtë të përditshme.
Dihet, me kërkesa të shkreta dhe minimale, edhe zgjidhet do t’ i kemi të shkreta dhe minimale.
Dihet, duke bashkëjetuar në mënyrë tinëzare me të keqen, ajo vetëm sa do të konsolidohet, dhe njerëzit do të përshtaten me të.
Duke i bërë temat më neveritëse politike, top tema dominuese të pseudodebateteve tona, ne, e kemi ndihmuar vetëdijshëm apo jo të keqën, dhe veçmas injorancën, e cila, siç thoshte George Orwelli, është fuqi. Tani jemi në atë pozitë, kur e shohim sheshazi sesi injoranca është bërë jo fuqi, por superfuqi.
Shoqëria jonë, me vite të tëra nuk e ka përdorë siten, dhe, për pasojë, ka lejuar të gatuhet gjithçka.
Kjo ka bërë që, profetët e rremë, të shumohen përditë dhe të kacavirren pa vlera dhe parime në hierarkinë shoqërore.
Deri tani, i kemi mbyllë dyert dhe dritaret, dhe nuk kemi lejuar që të ajrosmi me vlerat e demokracisë perëndimore, të cilat themi se i aspirojmë.
Nuk kemi mësuar asgjë nga pushteti i fjalës, nga gjuha që është pushteti suprem që kemi.
Mënyra sesi shkruajmë dhe flasim, tregon vërtet kush jemi dhe çka përfaqësojmë. Në përkim me këtë, Martin Heidegger, shkruante se, gjuha është shtëpia e qenies. Pra, në gjuhë banon njeriu dhe bota e tij shpirtërore. Mendimet dhe dëshirat e tij. Në fakt, niveli i emancipimit të një njeriu a populli, më së miri provohet nëpërmjet gjuhës.
Shoqëria jonë topitur, viteve të fundit, nuk e ka përfillë asnjë standard moral të komunikimit. Përkundrazi, përgjatë këtyre viteve të lirisë dhe të rritës së shtetit tonë, ajo çka është promovuar dhe lejuar të promovohet, është murtaja e gjuhës. Një gjuhë neveritëse, johumane, plot urrejtje e mosdurim. Angari e plotë. Injoranca me tonelata. Kjo amulli, ka krijuar hapësira për profetë të rremë. E të tillët, kanë vërshuar në sferën publike, tamam si ushejza.
Pra, duhet t’ i lëmë anash apologjitë foshnjore dhe të këndellemi: gjuha është identiteti i individit dhe i shoqërisë.
Gjuha që e flet kryeministrit, ministri, deputeti, analisti, e kujtdo tjetër, është identiteti i aksh personit. Ndaj, çdo reklamë dhe promovim që ia bëhet gjuhës neveritëse, qoftë edhe kur tentohet gjoja të stigmatizohet, për mua, është tentativë për ta mbrojtë murtajën e gjuhës dhe hapësirën për profetë të rremë, nga të cilët shoqëria jonë po vuan shumë.