“TRANSPARENCË” KOMUNIKUESE!

0
974

AV. XHABIR ZEJNUNI

Me ardhjen e “demoNkracisë” në Shqipëri, u krijuan kushte dhe mënyra të tjera lëvizjeje dhe komunikimi mes personave të ndryshëm. Ndër mjetet komunikuese më komode, janë bërë edhe rrjetet sociale, me mënyra të larmishme komunikimi. Dikush flet me profile reale dhe dikush flet me profile fallso. Mund të jetë çështje transparence, preference, kujdesi. Por, edhe interesi. Dikush e mban profilin e saj(tij) të hapur dhe dikush e mban profilin të mbyllur.

Eshte bërë modë po ashtu edhe krijimi i faqeve apo portaleve me qëllime publike. Ose në dukje publike!

Si rregull, këto faqe kanë emra të sajuar (e të çuditshëm!) dhe administrohen nga një person, apo një grup personash ANONIMË. Por, ka edhe ndonjë faqe publike, e cila administrohet nga persona realë! Në faqet publike anonime, hidhen argumente të ndryshme, ku komentuesit japin mendimet e tyre, të cilat përkrahen apo edhe kundërshtohen. Më se normale. Kurse administratorët, si rregull nuk përfshihen në diskutime.

Por, ka edhe përjashtime të rralla, kur në diskutime përfshihen edhe administratorët (si rregull me emra fallso!). Si për çudi, nuk diskutohet mbi argumentet e shtruara për diskutim, por mbi persona të veçantë, të cilët mund të mos jenë në të njëjtën linjë mendimi dhe veprimi me administratorët. Kur diskutimi nuk shkon sipas parashikimeve të linjës editoriale të faqes (publike!), atëherë kalohet në fillim në sulme personale.

Por, nëse sulmet personale nuk sjellin efektin e kërkuar dhe të dëshiruar, atëherë kalohet në masa më “drastike”, duke bllokuar personin “problematik”. Mjafton vetëm një CLICK! Shumë e thjeshtë. Bllokohet personi, por si për çudi nuk bllokohen diskutimet mbi këtë person dhe jetën e tij private apo profesionale. Shtrohet çështja nëse më pas zgjidhen problemet e shtruara për diskutim. Ky lloj reagimi aspak korrekt dhe transparent, quhet abuzim publik i një profili fallso me privatësinë e një personi real.

Kurse faqet publike që administrohen nga personat realë, si rregull janë më të “moderuara”, pasi ato mjaftohen vetëm me bllokimin e personave të “padëshiruar” dhe nuk shtyhen që t’i fyejnë ata. Helbete, arsyeja dihet! Pasi të ofendosh dikënd pas shpine ose në fshehtësi, është shumë më e lehtë sot. Dhe pa shpenzime! Ndërsa përballë, problemi ndërlikohet paksa!

Sidoqoftë, faqe të tilla edhe pse publike (reale apo anonime), nuk do thotë që të mos kenë një mision të caktuar, i cili t’ju interesojë disa personave të (për)caktuar REALË, të cilët në mënyra të ndryshme kërkojnë të promovohen për interesa të tyre personale (por jo publike!). Problemi shtrohet kur promovimi i këtyre personave (herët apo vonë) kërkohet të bëhet publikisht nëpërmjet po këtyre faqeve apo portaleve.

Shtrohet një pyetje: Janë të besueshëm persona të tillë?